Eja, Më Ndiq
19–25 Tetor. 3 Nefi 27 – 4 Nefi: “Nuk Mund të Kishte një Popull më të Lumtur”


“19–25 Tetor. 3 Nefi 27 – 4 Nefi: ‘Nuk Mund të Kishte një Popull më të Lumtur’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“19–25 Tetor. 3 Nefi 27 – 4 Nefi”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020

Jezusi duke u lutur me nefitët

Lutja e Krishtit, nga Derek Hegsted

19–25 Tetor

3 Nefi 274 Nefi

“Nuk Mund të Kishte një Popull më të Lumtur”

Studimi në mënyrë vetjake i 3 Nefit 274 Nefit është mënyra më e mirë për t’u përgatitur që të jepni mësim. Doktrinat dhe idetë në këtë përvijim mund t’ju ndihmojnë t’u përgjigjeni nxitjeve shpirtërore që merrni teksa studioni.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Një mënyrë për t’i nxitur anëtarët e klasës që të shprehin ide nga studimi i tyre vetjak është që t’i ftoni ata të gjejnë një himn që lidhet me një të vërtetë që e mësuan tek 3 Nefi 274 Nefi. Më pas ata mund të tregojnë për himnet që gjetën dhe se si lidhen këto himne me të vërtetat në shkrimet e shenjta.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

3 Nefi 27:1–22

Kisha e Jezu Krishtit quhet me emrin e Tij dhe është ngritur mbi ungjillin e Tij.

  • Diskutimi rreth emrit të Kishës mund ta thellojë vlerësimin e anëtarëve të klasës suaj për anëtarësinë e tyre në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Merreni parasysh që t’i ftoni anëtarët e klasës të renditin emra organizatash të ndryshme dhe të përshkruajnë se çfarë na tregojnë emrat për ato organizata. Më pas anëtarët e klasës mund të lexojnë tek 3 Nefi 27:1–12, duke kërkuar atë që dha mësim Shpëtimtari për emrin e Kishës së Tij. Ata mund të tregojnë gjithashtu se çfarë do të thotë për ta që të jenë anëtarë të Kishës së Krishtit. Çfarë do të thotë që ta marrim mbi vete emrin e Tij?

  • Ja një mënyrë tjetër për të diskutuar mbi rëndësinë e emrit të Kishës së Shpëtimtarit. Pas një diskutimi për të vërtetat që gjenden tek 3 Nefi 27:1–22, ju mund të shkruani në tabelë emrin e plotë të Kishës. Më pas anëtarët e klasës mund të zgjedhin fjalë tek emri dhe të sugjerojnë se si na ndihmon çdo fjalë që të dimë se kush jemi ose çfarë besojmë. Thënia e Presidentit M. Rasëll Ballard te “Burimet Shtesë” mund të ndihmojë. Përse është e rëndësishme që ta përdorim emrin e Kishës teksa u tregojmë të tjerëve për bindjet tona?

  • Pasi shpjegoi se Kisha e Tij duhet të “ndërt[ohet] mbi ungjillin [e Tij]” (3 Nefi 27:10), Shpëtimtari përshkroi se çfarë është ungjilli i Tij. Ndoshta ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të tregojnë se si mund t’i shpjegojnë një shoku/shoqeje se çfarë është ungjilli. Më pas ju mund t’i ftoni ata ta shqyrtojnë 3 Nefin 27:13–22, duke kërkuar mënyrën se si e përkufizoi Shpëtimtari ungjillin e Tij. Si do ta përmblidhnim atë që tha Shpëtimtari? Ndërsa e studiojmë përkufizimin e Shpëtimtarit për ungjillin, çfarë idesh marrim rreth mënyrës se si ta jetojmë ungjillin në jetën tonë të përditshme?

3 Nefi 29–30

Libri i Mormonit është një shenjë se puna e Perëndisë në ditët e mëvonshme po përmbushet.

  • Ndoshta ju mund të filloni një diskutim rreth 3 Nefit 29–30 duke folur rreth shenjave. Për shembull, anëtarët e klasës mund të përmendin shenja që na bëjnë të ditur se po vjen një stuhi ose që stinët po ndryshojnë. Më pas ata mund të lexojnë tek 3 Nefi 29:1–3 për të mësuar atë që tregohet me ardhjen e Librit të Mormonit, të cilin Mormoni e quajti “këto fjalë” (shih edhe 3 Nefi 29:1–7). Çfarë mesazhi u dha Zoti tek 3 Nefi 29:4–9 atyre që do ta “përbuzni[n]” ose “moho[nin]” veprën e Perëndisë në ditët e fundit? Si e përforcon leximi ynë i përditshëm i Librit të Mormonit besimin tonë në ato gjëra që njerëzit e tjerë “i përbuz[in]” ose i “mohoj[n]ë” në kohën tonë? Ju mund të dëshironi t’i ftoni anëtarët e klasës që ta lexojnë ftesën e Zotit tek 3 Nefi 30 dhe të tregojnë se si i ka ndihmuar Libri i Mormonit që ta pranojnë këtë ftesë.

4 Nefi

Kthimi në besim te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij çon drejt unitetit dhe lumturisë.

  • Rrëfimi te 4 Nefi ilustron gëzimin që mund të vijë në jetën tonë – si individë, si familje, si lagje apo kunj – ndërsa përpiqemi fort të jemi më plotësisht të kthyer në besim te Jezu Krishti. Merreni parasysh që t’u kërkoni anëtarëve të klasës të shqyrtojnë 4 Nefin 1:1–18 dhe të shkruajnë në tabelë bekimet që iu erdhën njerëzve kur të gjithë ata u kthyen në besim te Zoti. Si ndikoi kthimi i tyre në besim te mënyra se si ata e trajtonin njëri‑tjetrin? Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë se si ungjilli ka sjellë bekime të ngjashme për familjet ose lagjen e tyre. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të kuptojnë se si secili prej nesh mund të jetojë më shumë si njerëzit te 4 Nefi dhe se si mund të nxitim unitet dhe lumturi më të madhe mes atyre që na rrethojnë, ju mund të lexoni thënien e Plakut D. Tod Kristoferson te “Burimet Shtesë”. Anëtarët e klasës mund të bëjnë një vlerësim të përpjekjeve të tyre vetjake në të tri fushat që përshkroi Plaku Kristoferson.

  • Njerëzit në Librin e Mormonit, për shekuj, e kishin ndarë veten si nefitë dhe lamanitë – dhe shumë lloje të tjerë “‑itësh” – por pas shërbesës së Shpëtimtarit mes tyre, këto dallime u zhdukën. Pasi të lexojnë së bashku te 4 Nefi 1:17, ndoshta anëtarët e klasës mund të shprehin mendimet e tyre rreth asaj se çfarë lloje “‑itësh” ose grupesh ekzistojnë në shoqërinë tonë sot. Çfarë mund të bëjmë ne që t’i mposhtim ndarje të tilla dhe të bëhemi me të vërtetë “një, fëmijë të Krishtit”? (Vargu 17.)

  • Çfarë mund të mësojnë anëtarët e klasës nga rënia e shoqërisë së Sionit e përshkruar te 4 Nefi? Ju mund t’i ftoni ata që të shqyrtojnë 4 Nefin 1:19–34, duke kërkuar se çfarë i dha fund lumturisë dhe unitetit që njerëzit i përjetuan për gati 200 vjet pas vizitës së Shpëtimtarit. Cilat të vërteta në këto vargje mund të na ndihmojnë të përcaktojmë qëndrimet dhe sjelljet që kanë nevojë të ndryshojnë në jetën tonë dhe në shoqërinë tonë?

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Mormoni 1–6 përshkruan ngjarjet tragjike që çuan në shkatërrimin e popullit nefit. Për t’i nxitur anëtarët e klasës që t’i lexojnë këta kapituj, ftojini ata të kërkojnë gjëra që vënë re te nefitët, të cilat i shohim të ndodhin në kohën tonë.

ikona e burimeve

Burimet Shtesë

Emri i Kishës së Krishtit.

Presidenti M. Rasëll Ballard tha:

“Kam menduar shumë se përse Shpëtimtari i dha Kishës së Tij të rivendosur emër të gjatë. Mund të duket i gjatë, por nëse e mendojmë atë si një përshkrim të asaj se çfarë është Kisha, papritur ai bëhet mrekullisht i shkurtër, i qartë dhe i lehtë. Si mund të jetë më i drejtpërdrejtë e i qartë ndonjë përshkrim dhe ende të shprehet në kaq pak fjalë?

Çdo fjalë është sqaruese dhe domethënëse. Fjala Kisha në trajtën e shquar tregon pozicionin unik të Kishës së rivendosur midis feve të botës.

Fjalët Kisha e Jezu Krishtit tregojnë që është Kisha e Tij [shih 3 Nefi 27:8]. …

Ditëve të Mëvonshme shpjegon se është e njëjta Kishë me Kishën e Jezu Krishtit të krijuar gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri, por e rivendosur në këto ditë të fundit. Ne e dimë se kishte një rënie, ose një braktisje, duke bërë të nevojshme Rivendosjen e Kishës së Tij të vërtetë dhe të plotë në kohën tonë.

Shenjtorëve do të thotë se anëtarët e saj e ndjekin Atë dhe përpiqen të bëjnë vullnetin e Tij, të mbajnë urdhërimet e Tij dhe të përgatiten edhe një herë për të jetuar me Të dhe Atin tonë Qiellor në të ardhmen. Shenjtorëve thjesht u referohet atyre që kërkojnë ta bëjnë jetën e tyre të shenjtë duke u angazhuar për të ndjekur Krishtin” (“Rëndësia e një Emri”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 80).

Çfarë do të kërkohet për ta ndërtuar Sionin?

Plaku D. Tod Kristoferson dha mësim: “Sioni është Sion për shkak të karakterit, cilësive dhe të besnikërisë së qytetarëve të tij [shih Moisiu 7:18]. … Nëse do të dëshironim ta ndërtonim Sionin në shtëpitë, degët, lagjet dhe kunjet tona, ne duhet të ngrihemi deri te ky standard. Do të jetë e domosdoshme 1) të bashkohemi në një zemër e një mendje; 2) të bëhemi, si individë dhe si kolektiv, një popull i shenjtë dhe 3) të kujdesemi për të varfrit dhe nevojtarët me aq efektshmëri, sa të zhdukim varfërinë mes nesh. Nuk mund të presim derisa të vijë Sioni, që të ndodhin këto gjëra – Sioni do të vijë vetëm kur ato të ndodhin” (“Ejani në Sion”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 38).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përdorni larmi metodash. Mund të jetë e lehtë të ndihemi rehat me një stil të veçantë mësimdhënieje, por metoda të ndryshme mësimdhënieje tërheqin anëtarë të ndryshëm të klasës. Mendoni për metodat që keni përdorur kohët e fundit – a keni përdorur histori, mësime me sende, figura e kështu me radhë? (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 7.)