“28 Shtator – 11 Tetor. 3 Nefi 17–19: ‘Vini Re, Gëzimi Im Është i Plotë’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“28 Shtator – 11 Tetor. 3 Nefi 17–19”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020
28 Shtator – 11 Tetor
3 Nefi 17–19
“Vini Re, Gëzimi Im Është i Plotë”
Përgatitja juaj për të dhënë mësim fillon me studimin tuaj vetjak të shkrimeve të shenjta. Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet mund ta plotësojë studimin tuaj dhe ky përvijim mund t’ju japë gjithashtu ide për t’ju ndihmuar që të përgatiteni.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Tek 3 Nefi 17:1–3, Shpëtimtari i ftoi njerëzit të ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe t’i “përgati[tnin] mendjet” e tyre përpara se të ktheheshin për t’u mësuar përsëri. Ju mund t’i pyetni studentët tuaj se si u përgatitën për diskutimin e sotëm dhe për çfarë përsiatën.
Jepeni Mësim Doktrinën
Shpëtimtari është shembulli ynë i përkryer i dhënies së shërbesës.
-
Ne të gjithë kemi mundësi t’u japim shërbesë të tjerëve dhe të gjithë ne mund ta bëjmë atë më mirë. Një mënyrë për të mësuar nga shembulli i Shpëtimtarit për dhënien e shërbesës është thjesht të lexoni tek 3 Nefi 17 si klasë dhe t’i ftoni anëtarët e klasës të komentojnë sa herë që gjejnë diçka e cila i mëson për dhënien e shërbesës. Çfarë mësojmë për karakterin e Shpëtimtarit që e bëri Atë një shembull të mrekullueshëm të dhënies së shërbesës? Çfarë të vërtetash mësojmë rreth dhënies së shërbesës nga shembulli i Shpëtimtarit? Ju mund të kërkoni ide shtesë tek 3 Nefi 18:24–25 dhe 28–32. Më pas anëtarët e klasës mund të diskutojnë gjëra të veçanta që ndihen të frymëzuar t’i bëjnë për të ndjekur shembullin e Shpëtimtarit për dhënien e shërbesës.
3 Nefi 17:13–22; 18:15–25; 19:6–9, 15–36
Shpëtimtari na mësoi se si të lutemi.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të mësojnë nga shembujt dhe mësimet e shumta rreth lutjes tek 3 Nefi 17–19, ju mund të shkruani në tabelë Cili? Si? Kur? e Pse? dhe ta ftoni klasën që t’i kërkojë përgjigjet në vargjet vijuese për këto pyetje të cilat lidhen me lutjen: 3 Nefi 17:13–22; 18:15–25 dhe 19:6–9, 15–36. Çfarë idesh të tjera marrin anëtarët e klasës kur i lexojnë këto vargje? Thënia nga Plaku Riçard G. Skot te “Burimet Shtesë” mund të kontribuojë në këtë diskutim. Ju mund t’i ftoni gjithashtu anëtarët e klasës që të tregojnë se çfarë bëjnë për t’i bërë më kuptimplote lutjet e tyre vetjake dhe familjare (shih 3 Nefi 18:18–21).
-
Përvijimi i kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet sugjeron pyetje për të përsiatur rreth lutjes kur i lexojmë këto vargje. Ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës të tregojnë ndonjë ide që kanë për këto pyetje. Ose ju mund t’i ftoni disa anëtarë të klasës që të vijnë në klasë të përgatitur për të diskutuar diçka që e mësuan rreth lutjes nga 3 Nefi 17–19. Çfarë u frymëzuan të bëjnë për t’i bërë lutjet e tyre më kuptimplota?
-
Jezusi na mësoi se pse duhet të lutemi gjithmonë (shih 3 Nefi 18:15–18). Një mësim me sende mund ta ndihmojë klasën tuaj të kuptojë atë që Ai dha mësim. Për shembull, ju mund të mbushni një enë me ujë për të simbolizuar ndikimin e Satanit. Ngjisheni një shami letre (që na simbolizon neve) në mënyrë të sigurt në fund të një gote (që simbolizon të luturit gjithmonë). Kthejeni gotën përmbys dhe futeni atë drejt në enën e ujit. Shamia prej letre duhet të mbetet e thatë në fund të gotës, edhe pse ajo është e rrethuar nga uji. Çfarë na mëson ky mësim me sende dhe 3 Nefi 18:15–18 për lutjen? (Shih edhe DeB 10:5.) Çfarë do të thotë të “lute[m]i gjithnjë”? Si mund të na ndihmojë lutja që t’i bëjmë ballë ndikimit të Satanit? Merreni parasysh që t’u jepni anëtarëve të klasës disa çaste për të shkruar atë që ndihen të nxitur të bëjnë për t’i përmirësuar lutjet e tyre.
Ne mund të mbushemi shpirtërisht kur e marrim sakramentin.
-
Për të filluar një diskutim rreth mësimeve të Shpëtimtarit për sakramentin tek 3 Nefi 18, ju mund ta ndani klasën tuaj në grupe dhe t’i jepni secilit grup një shkrim të shenjtë vijues për ta lexuar dhe diskutuar: Mateu 26:26–28; 3 Nefi 18:1–12 dhe Doktrina e Besëlidhje 20:75–79; 27:1–4. Pasi ta lexojnë fragmentin që u është caktuar atyre, secili grup mund të mendojë një ose dy pyetje rreth sakramentit, të cilave u jepen përgjigjet në vargjet që lexojnë dhe t’i shkruajnë pyetjet e tyre në tabelë. Më pas pjesa tjetër e klasës mund t’i kërkojë përgjigjet e pyetjeve te shkrimet e shenjta. Anëtarët e klasës mund të diskutojnë gjithashtu se si mund të kenë një përvojë më kuptimplote kur e marrin sakramentin.
-
Çfarë do të thotë të “ngop[emi]” kur marrim sakramentin? (Shih 3 Nefi 18:4–5, 9, 20:9.) Merreni parasysh t’i ftoni anëtarët e klasës që të diskutojnë për këtë pyetje në dyshe, duke lexuar së bashku tek 3 Nefi 18:1–12. Ju gjithashtu mund t’i ftoni anëtarët e klasës të përsiatin rreth herës së fundit që u ndien shpirtërisht të “ngop[ur]” kur morën sakramentin. Ndoshta ata mund të diskutojnë për gjëra që mund të na pengojnë ose që na shpërqendrojnë nga të qenit të “ngop[ur]” me anë të sakramentit dhe të japin ide rreth mënyrës se si t’i kapërcejmë ato pengesa.
Dishepujt e Jezu Krishtit kërkojnë dhuratën e Frymës së Shenjtë.
-
Merreni parasysh që t’u kërkoni anëtarëve të klasës të mendojnë për diçka që ata e dëshirojnë fort. Çfarë janë të gatshëm të bëjnë për ta marrë atë? Kjo mund të çojë në një diskutim rreth asaj që dymbëdhjetë dishepujt “dëshironin më shumë”, siç përshkruhet tek 3 Nefi 19:9–15 dhe 20–22. Pse kjo mund të ketë qenë kaq e rëndësishme për ta? Pse është e rëndësishme për ne? Sipas këtyre vargjeve, si mund ta kërkojmë me zell shoqërimin e Frymës së Shenjtë?
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Zoti tha: “Të mëdha janë fjalët e Isaias” (3 Nefi 23:1). Për t’i nxitur anëtarët e klasës që të lexojnë nga 3 Nefi 20–26, ju mund t’u thoni atyre se në këta kapituj, Jezusi shpjegoi disa nga fjalët “[e] mëdha” të Isaias. Ftojini anëtarët e klasës të përsiatin pse këto fjalë të Isaias janë të mëdha. Nxitini ata që të vijnë gati të dielën e ardhshme për të treguar atë që mësojnë.
Burimet Shtesë
Vlera e lutjes.
Plaku Riçard G. Skot dëshmoi për vlerën e lutjes:
“Ne i lutemi Atit tonë Qiellor në emrin e shenjtë të Birit të Tij të Dashur, Jezu Krishtit. Lutja është më efikase kur ne përpiqemi fort të jemi moralisht të pastër dhe të bindur, me motive të vlefshme dhe të jemi të gatshëm të bëjmë atë që kërkon Ai. Lutja me përulje dhe besim sjell drejtim dhe paqe.
Mos u shqetësoni për shprehjen jo elegante të ndjenjave tuaja. Thjesht i flisni Atit tuaj të mëshirshëm dhe mirëkuptues. Ju jeni fëmija i Tij i çmuar të cilin Ai e do me përsosmëri dhe dëshiron ta ndihmojë. Kur luteni, dijeni që Ati në Qiell është pranë dhe Ai po ju dëgjon.
Një çelës për një lutje më të mirë është të mësoni të bëni pyetjet e duhura. Mendoni të kaloni nga kërkimi i gjërave që doni ju në kërkimin ndreshmërisht të asaj çka Ai dëshiron për ju. Pastaj, kur e mësoni vullnetin e Tij, lutuni që të udhëhiqeni për të patur forcën që ta realizoni atë.
Nëse do të ndiheni ndonjëherë të larguar prej Atit tonë, kjo mund të jetë për shumë shkaqe. Çfarëdo qoftë shkaku, kur ju vazhdoni të luteni për ndihmë, Ai do t’ju udhëheqë të bëni atë që do të rivendosë besimin tuaj se Ai është pranë. Lutuni edhe kur nuk keni dëshirë të luteni. Ndonjëherë, ashtu si një fëmijë, ju mund të silleni keq dhe të mendoni se nuk mund t’i drejtoheni Atit juaj për një problem. Ky është momenti kur ju keni më tepër nevojë të luteni. Kurrë mos mendoni se jeni tepër të padenjë për t’u lutur.
Pyes veten nëse mund ta kuptojmë ndonjëherë me të vërtetë forcën e pafundme të lutjes para se të ndeshim me një problem dërmues dhe urgjent, dhe të kuptojmë sa të pafuqishëm jemi për ta zgjidhur. Atëherë ne do të kthehemi tek Ati ynë duke pranuar me përulësi varësinë tonë totale prej Tij. Ai ndihmon të gjendet një vend i veçuar ku ndjenjat tona mund të shprehen me zë për aq kohë dhe intensitet sa nevojitet” (“Përdorimi i Dhuratës Hyjnore të Lutjes”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 8; Konferenca e Përgjithshme, prill 2007, f. 5–6).