“21–27 Shtator. 3 Nefi 12–16: ‘Unë Jam Ligji dhe Drita’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“21–27 Shtator. 3 Nefi 12–16”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020
21–27 Shtator
3 Nefi 12–16
“Unë Jam Ligji dhe Drita”
Çdo person në klasën tuaj ka gjasa të gjejë diçka veçanërisht domethënëse për veten në mes të shumë mësimeve të fuqishme të Shpëtimtarit tek 3 Nefi 12–16. Lërini anëtarët e klasës të tregojnë parimet që u bëjnë përshtypje.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Që t’u jepni të gjithëve një mundësi për të treguar atë që studiuan tek 3 Nefi 12–16, ju mund të shkruani në të gjithë tabelën numrat 12 deri në 16. Pastaj anëtarët e klasës mund të kërkojnë një varg në këta kapituj, të cilin e gjejnë domethënës, dhe më pas ta shkruajnë numrin e vargut poshtë numrit të kapitullit përkatës në tabelë. Zgjidhni disa vargje për t’i lexuar së bashku dhe diskutoni përse ato janë domethënëse.
Jepeni Mësim Doktrinën
Mësimet e Shpëtimtarit na tregojnë se si të jemi dishepuj të vërtetë.
-
Përvijimi i kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet sugjeron përmbledhjen e fragmenteve tek 3 Nefi 12–14 për të plotësuar frazën “Dishepujt e vërtetë të Jezu Krishtit …”. Ju mund të pyesni nëse ndonjë anëtar i klasës që e bëri këtë veprimtari, do të ishte i gatshëm të tregonte atë që mësoi. Ose ju mund të shkruani fraza të paplota në tabelë, së bashku me referenca si këto: 3 Nefi 12:3–16, 38–44; 13:1–8, 19–24 dhe 14:21–27 (apo fragmente të tjera që gjetët në studimin tuaj vetjak). Anëtarët e klasës mund të zgjedhin një fragment për ta lexuar, individualisht ose në grupe, dhe të sugjerojnë një mënyrë për ta plotësuar frazën në tabelë bazuar tek ajo që mësuan nga ato vargje. Nxitini anëtarët e klasës të përsiatin dhe ndoshta të shkruajnë se çfarë do të bëjnë për ta ndjekur më besnikërisht Jezu Krishtin për shkak të asaj që mësuan nga këto vargje.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që t’i kuptojnë fjalët e Shpëtimtarit tek 3 Nefi 12:48, ju mund të ftoni një ose më shumë prej tyre që ta studiojnë mesazhin e Plakut Xhefri R. Holland “Jini, pra, të Përkryer – Përfundimisht” (Ensign ose Liahona, nëntor 2017, f. 40–42) përpara orës mësimore dhe të japin ide që i ndihmojnë ta kuptojnë këtë varg.
Mendimet tona çojnë në veprime.
-
Një diskutim për vargjet tek 3 Nefi 12:21–30 mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës të kuptojnë se si kontrollimi i mendimeve tona mund të na ndihmojë t’i kontrollojmë veprimet tona. Për të filluar një diskutim, ju mund të bëni në dërrasë një tabelë me tituj të tillë si Veprimet që Duam t’i Shmangim dhe Mendimet apo Emocionet që Çojnë drejt Tyre. Më pas ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës t’i shqyrtojnë vargjet tek 3 Nefi 12:21–22 dhe 27–30, dhe të fillojnë ta plotësojnë tabelën. Çfarë veprimesh dhe mendimesh të tjera mund t’u shtojnë listave anëtarët e klasës? Si mund të mos e “lejo[jmë] asnjë prej këtyre gjërave të hyj[ë] në” zemrën tonë? (3 Nefi 12:29). Si mund t’i dëbojmë ato kur vërtet hyjnë? Pas leximit të këshillës së Presidentit Ezra Taft Benson te “Burimet Shtesë”, ju mund të krijoni një tabelë të re me titujt Veprime si të Krishtit që Duam t’i Zhvillojmë dhe Mendime që Çojnë drejt Tyre dhe ta plotësoni atë si klasë.
Shërbimi dhe adhurimi ynë duhet të bëhen për arsyet e drejta.
-
Studimi i kapitullit tek 3 Nefi 13 paraqet një mundësi për anëtarët e klasës që të hulumtojnë arsyen përse ata bëjnë vepra të mira. Për të filluar një diskutim, ju mund të lexoni së bashku vargjet 1–2 e 16, dhe të jepni këtë përkufizim të fjalës hipokritë: “Shtinjak; fjalë greke [që përdoret te Dhiata e Re], e cila nënkupton ‘një aktor drame’ ose ‘dikush që … e luan një pjesë në mënyrë të tepruar’”. Ndoshta një ose dy anëtarë të klasës do të argëtoheshin duke u shtirur apo hequr sikur po u japin të varfërve ose po agjërojnë. Pse të shtiresh ose të hiqesh është një metaforë e mirë për hipokrizinë? Si mund të sigurohemi që shërbimi, lutja dhe agjërimi ynë janë të sinqerta dhe pa hipokrizi?
-
Pas përcaktimit të veprave të mira, të përmendura tek 3 Nefi 13:1–8 dhe 16–18, anëtarët e klasës mund të diskutojnë se çfarë shtysash mund ta çojnë një njeri që t’i bëjë këto gjëra ose gjëra të tjera që Perëndia na kërkon të bëjmë. Çfarë do t’i thoshim dikujt që na pyet pse bëjmë gjëra të mira? Nxitini anëtarët e klasës të përsiatin për shtysat e tyre vetjake për të bërë vepra të mira si këto. Si mund t’i pastrojmë shtysat tona?
Nëse kërkojmë “gjëra të mira” nga Ati Qiellor, ne do të marrim.
-
Për ta kuptuar ftesën e Zotit për të lypur, kërkuar dhe trokitur, mund të jetë e dobishme të hulumtoni se çfarë kuptimi kanë këto fjalë. Çfarë nënkupton secila fjalë lidhur me atë që Zoti na fton të bëjmë? Në ç’mënyrë lypim, kërkojmë dhe trokasim? Si janë përmbushur premtimet tek 3 Nefi 14:7–8 në jetën tonë? Anëtarët e klasës mund të shqyrtojnë gjithashtu këshillën e Presidentit Rasëll M. Nelson te “Burimet Shtesë”, duke kërkuar pyetjet që bën ai dhe ftesat që jep ai. Jepuni anëtarëve të klasës kohë për të përsiatur dhe për të shkruar përgjigjet e tyre ndaj pyetjeve të tij dhe planet e tyre për të vepruar sipas ftesave të tij.
-
Disa anëtarë të klasës mund të jenë të pasigurt për atë që Shpëtimtari donte të thoshte kur tha: “Kushdo që të lypë, merr” (3 Nefi 14:8). Pse disa lutje duket se nuk marrin përgjigje dhe pse ndonjëherë marrim përgjigjet që nuk i duam? Shqyrtimi i disa prej shkrimeve të shenjta vijuese si klasë mund të ndihmojë për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve: Isaia 55:8–9; Helamani 10:4–5; 3 Nefi 18:20; dhe Doktrina e Besëlidhje 9:7–9; 88:64. Nxitini anëtarët e klasës të tregojnë atë që gjejnë. Si mund të ndikojnë këto ide në mënyrën se si lutemi?
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Për t’i frymëzuar anëtarët e klasës që të lexojnë tek 3 Nefi 17–19 në shtëpi, ju mund t’i ftoni ata të përfytyrojnë se si do të ishte po ta dëgjonin Shpëtimtarin të lutej për ta dhe familjet e tyre. Në këta kapituj ata do të lexojnë për njerëzit që e patën këtë përvojë të shenjtë.
Burimet Shtesë
Ne mund t’i kontrollojmë mendimet tona.
Presidenti Ezra Taft Benson dha mësim:
“Mendja është krahasuar me një skenë në të cilën mund të kryhet vetëm një akt në një kohë. Nga njëra anë e skenës, Zoti, i cili ju do, po përpiqet të vendosë në skenën e mendjes tuaj atë që do t’ju bekojë. Nga ana tjetër, djalli, që ju urren, po përpiqet të vendosë në skenën e mendjes suaj atë që do t’ju mallkojë.
Ju jeni përgjegjësi i skenës – ju jeni ai që vendos se cili mendim do ta zërë skenën. … Ju do të jeni ajo për të cilën mendoni – ajo që e lejoni vazhdimisht të zërë skenën e mendjes suaj. …
Nëse mendimet na bëjnë atë çka jemi, dhe ne duhet të jemi si Krishti, ne duhet të mendojmë mendime si të Krishtit” (“Think on Christ”, Ensign, prill 1984, f. 10–11).
Perëndia dëshiron të flasë me ju.
Presidenti Rasëll M. Nelson shpjegoi:
“Çfarë do të hapë kërkimi juaj për ju? Çfarë urtësie ju mungon? Çfarë mendoni se keni nevojë të ngutshme për të ditur ose kuptuar? Ndiqni shembullin e Profetit Jozef. Gjeni një vend të qetë ku mund të shkoni rregullisht. Përuleni veten përpara Perëndisë. Hapjani zemrën Atit tuaj Qiellor. Drejtojuni Atij për përgjigje e ngushëllim.
Lutuni në emrin e Jezu Krishtit për shqetësimet tuaja, frikën tuaj, dobësitë tuaja – po, pikërisht dëshirat e zemrës suaj. Dhe më pas dëgjoni! Shkruajini mendimet që ju vijnë në mendje. Shënojini ndjenjat dhe pasojini me veprimet që nxiteni t’i bëni. …
A do Perëndia vërtet të flasë me ju? Po! … Ju nxit të shtriheni përtej aftësisë suaj të tanishme shpirtërore për të marrë zbulesë vetjake. …
O, ka shumë më tepër që Ati juaj në Qiell dëshiron që ju të dini” (“Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Ensign ose Liahona, maj 2018, f. 95).