“14–20 Shtator. 3 Nefi 8–11: ‘Ngrihuni dhe Ejani tek Unë’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“14–20 Shtator. 3 Nefi 8–11”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020
14–20 Shtator
3 Nefi 8–11
“Ngrihuni dhe Ejani tek Unë”
Të vështruarit prapa te përshtypjet që shënuat gjatë studimit tuaj vetjak të 3 Nefit 8–11, mund të nxitë ide për mësimdhënien. Sugjerimet më poshtë mund t’ju japin ide të mëtejshme.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Nganjëherë njerëzit kanë më shumë gjasa të shprehen nëse u kërkoni diçka specifike. Për shembull, ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të tregojnë diçka nga 3 Nefi 8–11, që u ka mësuar atyre për karakterin e Jezu Krishtit. Ju mund ta bëni këtë ftesë disa ditë më parë në mënyrë që ata të mund të vijnë të përgatitur për të treguar.
Jepeni Mësim Doktrinën
Nëse pendohemi, Shpëtimtari do të na mbledhë, mbrojë e shërojë.
-
Këta kapituj përmbajnë rrëfime të shkatërrimit e shkretimit, por gjithashtu na mësojnë mësime shpirtërore të cilat mund të na ndihmojnë të afrohemi më pranë Jezu Krishtit. Ndoshta ju mund ta ndani klasën në tri grupe dhe t’i caktoni secilit grup që të shqyrtojë një kapitull nga 3 Nefi 8–10, duke kërkuar fjalë ose fraza të cilat përshkruajnë atë që mësuan ose përjetuan njerëzit. Më pas një person nga secili grup mund t’i tregojë pjesës tjetër të klasës atë që zbuloi grupi i tyre. Nxitini anëtarët e klasës të diskutojnë se si mund të na ndihmojnë këto mësime shpirtërore që të afrohemi më pranë Shpëtimtarit.
-
Një mesazh me vlerë në këta kapituj është se Shpëtimtari na e shtrin dorën me dashuri e mëshirë, edhe gjatë sprovave tona më të vështira. Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të mendojnë për dikë që e njohin, i cili po kalon një kohë sfiduese dhe më pas të shqyrtojnë fjalët e Shpëtimtarit tek 3 Nefi 9:13–22 dhe 10:1–10 për të gjetur frazat që mund ta ndihmojnë atë person. Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë gjithashtu përvoja vetjake kur ata ndien se Shpëtimtari i ndihmoi ata.
Zoti kërkon “një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar”.
-
Përpara ardhjes së Shpëtimtarit, besimtarët në tokën e premtuar i bindeshin ligjit të Moisiut, i cili përfshinte flijimin e kafshëve. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që ta kuptojnë më mirë këtë ligj, ju mund t’i rishikoni shkurtimisht vargjet te Moisiu 5:5–8. Pse u urdhërua populli i Perëndisë që t’i flijonte kafshët në lashtësi? Çfarë urdhërimi të ri dha Shpëtimtari tek 3 Nefi 9:20, dhe si na drejton ai urdhërim për tek Ai dhe flijimi i Tij? Citimet rreth ligjit të flijimeve te “Burimet Shtesë” mund të japin ndihmesë.
-
Si mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës të kuptojnë se çfarë do të thotë të kenë një zemër të thyer e një shpirt të penduar? Ndoshta ju mund të filloni duke shkruar në tabelë fjalët i thyer, i penduar dhe flijim. Më pas ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës të bëjnë vizatime të cilat simbolizojnë se çfarë duan të thonë këto fjalë, ose të shkruajnë fjalë apo fraza që ata i lidhin me këto terma. Ndërsa anëtarët e klasës tregojnë figurat, fjalët ose frazat e tyre, ata mund të diskutojnë se si lidhen këto gjëra me atë që kërkon Shpëtimtari prej nesh tek 3 Nefi 9:19–22. Citimi nga Plaku D. Tod Kristoferson te “Burimet Shtesë” mund të japë gjithashtu ndihmesë.
Jezu Krishti është Drita e Botës.
-
Ngjarjet e përshkruara tek 3 Nefi 11:1–17 janë ndër ngjarjet më të shenjta në Librin e Mormonit. Merreni parasysh që t’i lini anëtarët e klasës tuaj për disa çaste që t’i lexojnë këto vargje në heshtje. Ndoshta ju mund të shkruani në tabelë disa pyetje që t’i përsiatin ndërkohë që ata lexojnë, të tilla si këto: Si do të ndiheshit po të ishit midis këtyre njerëzve? Çfarë ju bën përshtypje rreth Shpëtimtarit në këto vargje? Çfarë mësoni nga shembulli i Jezusit? ose Cilat përvoja ju kanë dhënë një dëshmi për Jezu Krishtin si Shpëtimtari juaj? Ju mund t’i lini anëtarët e klasës të thonë disa nga mendimet ose mbresat e tyre.
Jezu Krishti themeloi doktrinën e Tij dhe Kishën e Tij.
-
Mund të jetë e dobishme të përmenden gjërat e para që zgjodhi Shpëtimtari të thoshte dhe të bënte kur Ai u shfaq në tokën Begati. Ndoshta anëtarët e klasës mund të shenjojnë ose të shkruajnë të vërtetat që i përcaktojnë nga fjalët dhe veprimet e Shpëtimtarit tek 3 Nefi 11:10–41. Ftojini të tregojnë atë që gjetën. Çfarë mësojmë për Shpëtimtarin nga këto vargje? Çfarë mësojmë rreth Kishës së Tij?
-
Për t’u dhënë fund mosmarrëveshjeve të dukshme mes njerëzve në lidhje me pagëzimin, Shpëtimtari zbuloi të vërteta të rëndësishme rreth kësaj ordinance tek 3 Nefi 11. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që t’i zbulojnë këto të vërteta, ju mund t’i shkruani në tabelë numrat vijues të vargjeve: 21–25, 26–27, 33–34. Ftojeni secilin anëtar të klasës të zgjedhë një apo dy vargje dhe të thotë një të vërtetë që ia mëson ai varg për pagëzimin.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Klasa juaj mund të jetë e interesuar të dijë se vizita e Shpëtimtarit te nefitët dhe lamanitët i preku aq thellë, saqë këta njerëz që më parë grindeshin, jetuan në paqe për 200 vitet e ardhshme (shih 4 Nefi 1). Kjo mund t’i frymëzojë anëtarët e klasës që ta studiojnë 3 Nefin 12–16, për të mësuar se çfarë u mësoi Shpëtimtari njerëzve, që mund të ketë çuar në një ndryshim kaq dramatik.
Burimet Shtesë
Ligji i flijimit.
Presidenti M. Rasëll Ballard shpjegoi një mënyrë se si e jetojmë sot ligjin e flijimit:
“Pas flijimit përfundimtar të Shpëtimtarit, u bënë dy përshtatje në praktikën e [ligjit të flijimit]. Së pari, ordinanca e sakramentit zëvendësoi ordinancën e flijimit; dhe e dyta, ky ndryshim e zhvendosi përqendrimin e flijimit nga kafsha e një njeriu te njeriu vetë. Në një kuptim, flijimi ndryshoi nga oferta tek ofruesi. …
… Në vend që Zoti të kërkojë kafshën ose drithin tonë, tani Ai dëshiron që ne të heqim dorë prej gjithçkaje që është e paperëndishme. …
… Kur i mposhtim dëshirat tona egoiste dhe e vendosim Perëndinë të parin në jetën tonë dhe besëlidhim për t’i shërbyer Atij pavarësisht nga çmimi, atëherë ne po jetojmë ligjin e sakrificës” (“The Law of Sacrifice”, Ensign, tetor 1998, f. 10).
Plaku Nil A. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Një flijim i vërtetë vetjak kurrë nuk ishte të vendosej një kafshë mbi altar. Në vend të kësaj, ajo është gatishmëria për ta vendosur kafshën që kemi brenda vetes mbi altar dhe ta lëmë atë të digjet!” (“Deny Yourselves of All Ungodliness”, Ensign, maj 1995, f. 68).
Një zemër e thyer dhe një shpirt i penduar.
Plaku D. Tod Kristoferson përshkroi se çfarë do të thotë të kemi një zemër të thyer e një shpirt të penduar:
“Ju mund t’i ofroni Zotit dhuratën e zemrës suaj të thyer, ose të penduar, dhe të shpirtit tuaj të penduar, ose të bindur. Në të vërtetë, ajo është dhurata e vetvetes – ajo që jeni dhe ajo që po bëheni.
A ka diçka brenda jush ose në jetën tuaj që është e papastër ose e padenjë? Kur hiqni dorë prej saj, ajo është një dhuratë për Shpëtimtarin. A ka ndonjë zakon apo cilësi të mirë që po mungon në jetën tuaj? Kur e merrni atë dhe e bëni pjesë të karakterit tuaj, ju po i jepni një dhuratë Zotit” (“When Thou Art Converted”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 12).