“7–13 Shtator. 3 Nefi 1–7: ‘Ngrije Kokën dhe Mos e Humb Kurajën’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“7–13 Shtator. 3 Nefi 1–7”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020
7–13 Shtator
3 Nefi 1–7
“Ngrije Kokën dhe Mos e Humb Kurajën”
Fryma e Shenjtë mund t’ju nxitë që në orën mësimore të përqendroheni te parime të veçanta nga 3 Nefi 1–7. Ato mund të jenë pikërisht parimet që do ta bekojnë dikë që është në nevojë.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të tregojnë atë që po mësojnë në shtëpi, kërkojuni që të shkruajnë në fleta letre disa të vërteta që i gjetën tek 3 Nefi 1–7 dhe referencat e shkrimeve të shenjta për të vërtetat. Vendosini fletët e letrës në një enë dhe nxirrini disa prej tyre për t’i diskutuar si klasë. Ndërsa anëtarët e klasës tregojnë, merrni parasysh nëse ka ide që lidhen me këtë përvijim, të cilat mund ta thellojnë diskutimin dhe të përfshijnë anëtarët e tjerë të klasës.
Jepeni Mësim Doktrinën
Kthimi në besim është një proces që kërkon përpjekje të zellshme.
-
3 Nefi 1–7 përshkruan njerëz që u kthyen në besim te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij, dhe të tjerë që nuk u kthyen. Për ta ndihmuar klasën tuaj të përcaktojë se çfarë shkaktoi dallimin midis këtyre grupeve, ju mund të krijoni një tabelë në dërrasë me titujt e mëposhtëm: Bindjet dhe veprimet që e dobësojnë kthimin në besim dhe Bindjet dhe veprimet që e forcojnë kthimin në besim. Ndajini referencat e mëposhtme të shkrimeve të shenjta midis anëtarëve të klasës dhe ftojini ata që ta plotësojnë tabelën me atë që gjejnë (për referencën e parë janë dhënë shembuj).
-
3 Nefi 1:4–23, 29–30: E dobëson kthimin në besim: mosbesimi i fjalëve të profetëve dhe përqeshja e njerëzve të drejtë (vargjet 5–6). E forcon kthimin në besim: të pasurit besim te fjalët e profetëve dhe të luturit për ndihmë (vargjet 8, 11).
Si mund ta ruajmë të fortë kthimin tonë në besim pavarësisht nga kundërshtimi?
-
-
Klasa juaj mund të jetë e interesuar të hulumtojë mënyrën se si ta forconi atë që 3 Nefi 1:27–30 e quan “brez[i i] ri”. Ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës të gjejnë arsye në këto vargje përse nefitët dhe lamanitët e rinj nuk ishin në gjendje t’i bënin ballë ligësisë përreth tyre. Kjo mund të çojë në një diskutim rreth disa prej sfidave me të cilat ndeshet brezi i ri i sotëm dhe mënyrat më të mira për t’i ndihmuar ata që të zhvillojnë besim në Krishtin. Disa sugjerime gjenden te “Burimet Shtesë”.
Zoti do t’i përmbushë të gjitha fjalët e Tij.
-
Leximi i rrëfimeve tek 3 Nefi 1:4–21 dhe 5:1–3 mund ta forcojë besimin e anëtarëve të klasës suaj te premtimet e Zotit. Ndoshta anëtarët e klasës mund të lexojnë së bashku tek 3 Nefi 1:4–7 dhe të renditin në tabelë se si do të ndiheshin nëse do të ishin besimtarët e përshkruar në këto vargje. Ata gjithashtu mund të mendojnë për rrethana të ngjashme që mund t’i hasim sot. Çfarë mësojmë nga 3 Nefi 1:8–21 dhe 5:1–3 për Zotin dhe premtimet e Tij? Për ta zgjeruar diskutimin tuaj, ju mund të shqyrtoni një himn rreth mirëbesimit te Perëndia. Anëtarët e klasës mund të tregojnë përvoja kur besimi dhe mirëbesimi i tyre te Perëndia u shpërblye, pavarësisht nga kundërshtimi.
3 Nefi 1:4–15; 5:12–26; 6:10–15; 7:15–26
Ne jemi dishepuj të Jezu Krishtit.
-
Mormoni shpalli: “Vini re, unë jam një dishepull i Jezu Krishtit” (3 Nefi 5:13). Për të hulumtuar me klasën tuaj se çfarë do të thotë të jesh dishepull, ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të shqyrtojnë 3 Nefin 1:4–15; 5:12–26; 6:10–15 dhe 7:15–26, duke kërkuar cilësitë, bindjet dhe veprimet e dishepujve të Krishtit. Merreni parasysh që t’u jepni anëtarëve të klasës disa minuta kohë për të përsiatur dhe për të shkruar diçka që mund të bëjnë ata për t’u bërë dishepuj më të mirë të Jezu Krishtit.
3 Nefi 2:11–12; 3:12–26; 5:24–26
Kur të drejtët mblidhen, Zoti mund t’i forcojë dhe mbrojë ata.
-
Pjesë e arsyes pse nefitët ishin në gjendje t’i mundnin hajdutët e Gadiantonit, ishte se ata i bashkuan forcat me lamanitët e kthyer në besim dhe ndoqën drejtimin e frymëzuar të Lakoneusit për t’u “mbledhur së bashku” në Zarahemla (3 Nefi 3:22). Çfarë mësimesh mund t’u japë kjo anëtarëve të klasës suaj? Ju mund t’u kërkoni atyre të tregojnë përvoja kur ata u forcuan nga njerëzit e drejtë përreth tyre. Më pas ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës që të rishikojnë 3 Nefin 3:12–26, duke kërkuar arsyet përse u mblodhën nefitët dhe bekimet që përjetuan ata. Si i përjetojmë të njëjtat bekime kur mblidhemi me pjesëtarë të familjeve tona ose anëtarë të degëve dhe lagjeve tona? Çfarë tjetër mund të mësojmë rreth mbledhjes nga 3 Nefi 5:24–26?
-
Leximi i 3 Nefit 3 mund të jetë një mundësi për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të kuptojnë se sa të fortë jemi kur mblidhemi së bashku në drejtësi. Ndoshta ju mund të mendoni për një mësim me sende që tregon se si diçka që është e dobët, bëhet më e fortë kur bashkohet me gjëra të tjera. Ftojini anëtarët e klasës të përfytyrojnë sikur atyre iu kërkua t’i bindnin nefitët për përfitimet e mbledhjes së bashku, ashtu siç përshkruhet te vargjet 12–26. Ndoshta ata mund të punojnë në grupe për të diskutuar se si ta bëjnë këtë, bazuar tek ajo çfarë lexojnë në këto vargje. Lërini t’i tregojnë idetë e tyre. Si klasë, ju mund të diskutoni për pyetje si këto: Me çfarë sfidash përballemi, që mund të jenë të ngjashme me hajdutët e Gadiantonit? Si mund t’i bëjmë shtëpitë tona dhe lagjet tona vende strehimi?
Nuk kemi pse të frikësohemi nga Satani.
-
Letra e shkruar nga Gidianhi, udhëheqësi i hajdutëve të Gadiantonit, ishte një përpjekje për t’i frikësuar dhe mashtruar nefitët. Ndoshta anëtarët e klasës mund t’i shqyrtojnë fjalët e tij që gjenden tek 3 Nefi 3:2–10 dhe t’i krahasojnë ato me mënyrën se si Satani mund të përpiqet të na mashtrojë sot. Çfarë mësojmë nga reagimi i Lakoneusit, kryegjykatësit të nefitëve?
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Për t’i frymëzuar anëtarët e klasës suaj që ta lexojnë 3 Nefin 8–11 për orën e ardhshme mësimore, u thoni atyre se 3 Nefi 11 përmban “ngjarj[en] kurorëzuese” të Librit të Mormonit – shërbesën vetjake të Jezu Krishtit mes nefitëve (shih parathënia e Librit të Mormonit).
Burimet Shtesë
Dhënia e ndihmës për të ndërtuar besim te brezi i ri.
Plaku Valeri V. Kordon, i Të Shtatëdhjetëve, sugjeroi tri mënyra për ta ndihmuar brezin e ri të qëndrojë i vërtetë ndaj ungjillit:
-
“Të Qenit më të Zellshëm dhe më të Përfshirë në Shtëpi. … Mësimdhënia e fuqishme është tejet e rëndësishme për të ruajtur ungjillin në familjet tona dhe kërkon zell e përpjekje. Ne jemi ftuar shumë herë ta përvetësojmë praktikën e studimit të përditshëm të shkrimeve të shenjta si familje dhe si individë. Shumë familje që po e bëjnë këtë, janë bekuar përditë me unitet më të madh e marrëdhënie më të ngushtë me Zotin.”
-
“Shembull i Fortë në Shtëpi. … Nuk është e mjaftë thjesht t’u flasim fëmijëve tanë rreth rëndësisë së martesës në tempull, agjërimit dhe mbajtjes të ditës së Shabatit të shenjtë. Ata duhet të na shohin duke planifikuar në programet tona shkuarjen në tempull sa më shpesh që mundemi. Ata duhet ta shohin angazhimin tonë për të agjëruar rregullisht dhe për ta mbajtur gjithë ditën e Shabatit të shenjtë.”
-
“Traditat. … Si familje, ne duhet ta shmangim çdo traditë që do të na pengojë nga mbajtja e ditës së Shabatit të shenjtë ose nga studimi i shkrimeve të shenjta dhe lutja çdo ditë në shtëpi. Ne duhet t’i mbyllim dyert elektronike të shtëpisë sonë për pornografinë dhe të gjitha ndikimet e tjera të liga. Për të luftuar traditat e botës të ditëve tona, ne duhet të përdorim shkrimet e shenjta dhe zërin e profetëve tanë bashkëkohorë për t’u mësuar fëmijëve tanë rreth identitetit të tyre hyjnor, qëllimit të tyre në jetë dhe misionit hyjnor të Jezu Krishtit” (“Gjuha e Ungjillit”, Ensign ose Liahona, maj 2017, 56–57; kursivet të shtuara).