Eja, Më Ndiq
31 Gusht – 6 Shtator. Helamani 13–16: “Lajme të Mira Gëzimi të Madh”


“31 Gusht – 6 Shtator. Helamani 13–16: ‘Lajme të Mira Gëzimi të Madh’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“31 Gusht – 6 Shtator. Helamani 13–16”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020

Samuel Lamaniti duke dhënë mësim mbi mur

Samuel Lamaniti mbi Mur, nga Arnold Friberg

31 Gusht – 6 Shtator

Helamani 13–16

“Lajme të Mira Gëzimi të Madh”

Cili nga mësimet dhe profecitë e Samuel Lamanitit mendoni se do të jetë më i dobishëm për anëtarët e klasës suaj? Ndërsa e studioni Helamanin 13–16, përsiatni se si mund t’i ndihmoni ata të gjejnë domethënie në këta kapituj.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Ftojini anëtarët e klasës që t’i tregojnë një partneri diçka që ata e mësuan, diçka që e kuptuan më mirë ose diçka që e vunë në jetë kur lexuan tregimin e Samuel Lamanitit te Helamani 13–16 këtë javë. Më pas lërini disa prej tyre që t’ia tregojnë këto gjëra tërë klasës.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

Helamani 13

Shërbëtorët e Zotit flasin dhe veprojnë sipas udhëzimit të Perëndisë.

  • Zoti i kërkoi Samuel Lamanitit të bënte diçka që mund të dukej mjaft e vështirë: t’u predikonte njerëzve që e kishin dëbuar më parë jashtë qytetit të tyre. Leximi i Helamanit 13:2–5 mund t’u kujtojë anëtarëve të klasës gjërat e vështira që Zoti u ka kërkuar atyre të bëjnë. Ftojini t’i tregojnë përvojat e tyre. Si i ndihmoi Zoti ata? Për shembull, ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë përvoja kur Zoti vuri në zemrën e tyre diçka që Ai donte që ata t’ia thoshin dikujt (shih vargun 4). Çfarë bekimesh kanë parë anëtarët e klasës kur e ndoqën udhëzimin e Zotit?

    Presidenti Rasëll M. Nelson

    Profeti na drejton për te Jezu Krishti.

  • Edhe pse paralajmërimet e Samuelit iu drejtuan nefitëve zemërgurë, Helamani 13 përmban disa mësime për të gjithë ne. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të gjejnë domethënie vetjake në fjalët e tij, ju mund t’i ftoni ata të kërkojnë te Helamani 13 një mesazh që duket i përshtatshëm për kohën tonë. (Nëse kanë nevojë për ndihmë, ju mund të shkruani në tabelë vargjet vijuese: 8, 21–22, 26–29, 31 dhe 38.) Më pas ata mund ta shprehin atë që gjejnë në dyshe, në grupe të vogla ose të gjithë klasës. Çfarë mesazhesh të ngjashme na kanë dhënë profetët sot?

Helamani 14; 16:13–23

Shenjat dhe mrekullitë mund ta forcojnë besimin e atyre që nuk i ngurtësojnë zemrat e tyre.

  • Përvijimi i kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet sugjeron që të kërkoni shenjat që na ka dhënë Zoti, “që [ne] të mund të beso[jmë] në emrin e tij” (Helamani 14:12). Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë atë që zbuluan teksa e përsiatën këtë ide. Sigurohuni që të vini në dukje se shenjat në jetën tonë mund të jenë më pak dramatike dhe më vetjake sesa shenjat që parashikoi Samueli. Çfarë qëllimesh të tjera për shenjat sugjerohen te Helamani 14:28–30? Anëtarët e klasës mund të tregojnë gjithashtu gjëra të tjera që ka bërë Zoti, për t’i ndihmuar që të zhvillojnë besim tek Ai.

  • Të lexuarit rreth asaj se si u përmbushën profecitë e Samuelit, mund ta ndërtojë besimin e anëtarëve të klasës te Jezu Krishti dhe misioni i Tij. Ndoshta anëtarët e klasës mund të përdorin Helamanin 14 për të krijuar një tabelë që nga njëra anë rendit profecitë e Samuelit për lindjen dhe vdekjen e Krishtit dhe nga ana tjetër rendit referencat e shkrimeve të shenjta se ku u përmbushën këto profeci. Disa nga këto referenca mund të përfshijnë vargje nga 3 Nefi 1:15–21 dhe 3 Nefi 8:5–25. Përse është e rëndësishme që ne të dimë për këto profeci dhe përmbushjen e tyre?

  • Anëtarët e klasës mund të kenë vënë re – te Helamani 16 dhe vende të tjera në shkrimet e shenjta – që të parit e shenjave dhe të mrekullive nuk e bën medoemos dikë që të besojë te Krishti. Ftojini ata të tregojnë disa shembuj nga shkrimet e shenjta për individë që panë shenja dhe prapëseprapë nuk besuan. Sipas Helamanit 16:13–23, përse shumë njerëz në kohën e Samuel Lamanitit nuk i besuan shenjat dhe profecitë? Si i bind Satani njerëzit që të “mbështeten në fuqinë e tyre dhe … urtësinë e tyre” sot? (Helamani 16:15). Çfarë mësojmë nga ky rrëfim që mund të na ndihmojë të shmangim gabime të ngjashme?

Helamani 15:3

Zoti i ndëshkon ata që Ai i do.

  • Fjalët e Samuelit përmbajnë shumë ndëshkime të ashpra, por Helamani 15:3 jep një këndvështrim të pashoq mbi ndëshkimin nga Zoti. Një mënyrë për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që ta kuptojnë këtë këndvështrim, është që ta lexoni këtë varg së bashku dhe t’i ftoni ata që të tregojnë prova se ku e shohin dashurinë dhe mëshirën e Perëndisë në profecitë dhe paralajmërimet e Samuelit. Si mund të ishte ndëshkimi nga Zoti një shenjë e dashurisë së Tij?

  • Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që ta kuptojnë më mirë mesazhin te Helamani 15:3, ju mund të tregoni tri qëllime për ndëshkimin hyjnor, të cilat jepen mësim nga Plaku D. Tod Kristoferson (shih “Burimet Shtesë”). Ndajeni klasën në tri grupe dhe kërkojini secilit grup që të diskutojë për njërin prej këtyre qëllime (shkrimet e shenjta dhe materialet filmike të sugjeruara te “Burimet shtesë” mund të ndihmojnë). Më pas secili grup mund t’i tregojë klasës ndonjë ide nga diskutimi i tyre, që i ndihmon ata të kuptojnë më mirë se Zoti i ndëshkon ata që Ai i do.

Helamani 16

Profeti na drejton për te Zoti.

  • Te Helamani 16, çfarë mësojmë nga ata që i pranuan mësimet e Samuelit? Çfarë mësojmë nga ata që nuk e pranuan atë? Mund të jetë frymëzuese t’i dëgjoni anëtarët e klasës të tregojnë se si e morën dëshminë e tyre për rëndësinë e ndjekjes së profetëve të gjallë. Ata gjithashtu mund të tregojnë se si do t’i përdornin fjalët te Helamani 16 ose fjalët e Plakut Andersen te “Burimet Shtesë” për t’i shpjeguar dikujt përse ata zgjedhin ta ndjekin profetin.

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Për t’i nxitur anëtarët e klasës që të lexojnë nga 3 Nefi 1–7 javën e ardhshme, ju mund t’u thoni atyre se shumë nga profecitë për të cilat lexuan këtë javë do të përmbushen në këta kapituj.

ikona e burimeve

Burimet Shtesë

Qëllimet e ndëshkimit hyjnor.

Plaku D. Tod Kristoferson tregoi për tri qëllime të ndëshkimit hyjnor (shih “Unë të Gjithë Ata që i Dua, i Qortoj dhe i Ndëshkoj”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 97–100):

  1. “Të na mbushë mendjen që të pendohemi.” Shih Ethëri 2:14–15; Doktrina e Besëlidhje 1:27; 93:41–50; 105:6.

  2. “Të na pastrojë e shenjtërojë.” Shih Mosia 23:21–22; Doktrina e Besëlidhje 101:1–5; 136:31.

  3. “Ta ridrejtojë orientimin e jetës sonë në atë që Perëndia e di se është një shteg më i mirë.” Shih historinë e Presidentit Hju B. Braun dhe shkurres frutore në bisedën e Plakut Kristoferson (faqet 98–99).

Ne gëzohemi që kemi një profet.

Plaku Nil L. Andersen dha mësim:

“Një profet nuk qëndron ndërmjet jush dhe Shpëtimtarit. Përkundrazi, ai qëndron përkrah jush dhe ju tregon rrugën drejt Shpëtimtarit. Përgjegjësia më e madhe dhe dhurata më e çmuar e një profeti për ne është dëshmia e tij e sigurt, dituria e tij e patundur se Jezusi është Krishti. Si Pjetri i lashtë, profeti ynë shpall: ‘[Ai është] Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë’ [Mateu 16:16; shih edhe Gjoni 6:69].

Në një ditë të ardhshme, duke e hedhur vështrimin pas në vdekshmërinë tonë, ne do të ngazëllehemi që ecëm në tokë në kohën e një profeti të gjallë. Në atë ditë, lutem që ne do të jemi të aftë të themi:

E dëgjuam atë. E besuam atë. I studiuam fjalët e tij me durim e besim. U lutëm për të. Qëndruam krah tij. Ishim mjaft të përulur sa ta ndiqnim atë. E deshëm atë” (“Profeti i Perëndisë”, Ensign ose Liahona, maj 2018, f. 27).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Arrini t’i njihni ata të cilëve u jepni mësim. Nuk ka dy njerëz që janë saktësisht njësoj. Çdo person të cilit i jepni mësim, ka një formim, këndvështrim dhe gamë të pashoqe aftësish. Lutuni që të dini se si mund t’i përdorni këto ndryshime, që t’i ndihmoni anëtarët e klasës suaj të mësojnë. Ndërsa i kuptoni më mirë ata të cilëve u jepni mësim, ju mund të krijoni çaste kuptimplote dhe të paharrueshme mësimdhënieje. (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 7.)