“24–30 Gusht: ‘Kujtoni Zotin’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“24–30 Gusht. Helamani 7–12”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020
24–30 Gusht
Helamani 7–12
“Kujtoni Zotin”
Nefi e nxiti popullin e tij që ta kujtonte Zotin. Ju mund të bëni të njëjtën gjë për ata të cilëve u jepni mësim. Teksa e lexoni Helamanin 7–12, shënojini mbresat që merrni mbi mënyrën se si mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës që ta kujtojnë Zotin.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Ftojini anëtarët e klasës të shkruajnë në tabelë disa parime të ungjillit që i gjetën te Helamani 7–12, së bashku me referencat se ku gjenden këto parime. Më pas ju mund të përcaktoni si klasë se për cilat nga këto parime dhe vargje do të diskutoni.
Jepeni Mësim Doktrinën
Profetët u zbulojnë njerëzve vullnetin e Perëndisë.
-
Për ta ndihmuar klasën tuaj që të mësojë nga Helamani 7–11 rreth roleve dhe përgjegjësive të profetëve, ju mund ta filloni duke lexuar së bashku pjesën “Profet” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Anëtarët e klasës mund të përcaktojnë rolet e profetëve të përmendur dhe t’i renditin ato në tabelë. Më pas ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës që secili prej tyre të shqyrtojë një kapitull nga Helamani 7–11. Vërini ata të kërkojnë mënyrën se si i përmbushi Nefi rolet e renditura në tabelë. Si i përmbushin këto role profetët dhe apostujt tanë të gjallë? Si mund t’i mbështetim ata në përgjegjësitë e tyre?
-
Përse ndonjëherë profetët duhet të flasin me guxim, ashtu siç bëri Nefi? Merreni parasysh që t’i ftoni anëtarët e klasës të lexojnë te Helamani 7:11–29, duke kërkuar paralajmërimet që dha Nefi dhe arsyet përse ai duhet të ishte aq i guximshëm kur i dha ato. Cilat paralajmërime profetike na kanë frymëzuar të pendohemi dhe të vijmë te Zoti? Te “Burimet Shtesë” ju do të gjeni një metaforë që përdori Plaku Nil L. Andersen për të na ndihmuar që të kuptojmë rreziqet e shpërfilljes së paralajmërimeve profetike.
Besimi duhet të ndërtohet bazuar në më shumë se sa thjesht shenja dhe mrekulli.
-
Një mënyrë për të diskutuar mbi këto vargje është ta ndani klasën në dy grupe dhe ta ftoni secilin grup të lexojë Helamanin 9:1–20, dhe ta përfytyroni veten në vendin e këtyre pesë burrave ose kryegjykatësve. Çfarë mund të kenë menduar këta njerëz? Çfarë mund të ketë ndikuar te secili grup që të reagonte ndryshe ndaj së njëjtës profeci të mrekullueshme? Si mund të sigurohemi që mrekullitë e ndërtojnë dëshminë tonë, por nuk bëhen kriteri i vetëm bazë për to? Si mund ta përcaktojmë nëse fjalët e profetit në kohën tonë janë të vërteta?
Zoti u jep fuqi atyre që e kërkojnë vullnetin e Tij dhe i zbatojnë urdhërimet e Tij.
-
Rrëfimi kur Zoti e bekoi Nefin te Helamani 10 mund t’i frymëzojë anëtarët e klasës suaj që të jenë më të zellshëm për ta kërkuar dhe bërë vullnetin e Zotit. Anëtarët e klasës mund të lexojnë vargjet 1–12, duke kërkuar atë që bëri Nefi për të fituar mirëbesimin e Zotit dhe mënyrën se si Zoti e bekoi atë. Më pas ata mund të tregojnë shembuj të tjerë të njerëzve që e kërkuan dhe e bënë vullnetin e Zotit “pa u lodhur” (Helamani 10:4), qoftë nga shkrimet e shenjta ose nga vetë jeta e tyre. Si i bekoi Zoti këta njerëz me fuqinë për të “[hedhur] poshtë” (Helamani 10:9) male simbolike në jetën e tyre? Jepuni anëtarëve të klasës kohë për të përsiatur mënyrat se si mund ta kërkojnë më mirë vullnetin e Zotit dhe t’i zbatojnë urdhërimet e Tij.
Zoti do që ne ta kujtojmë Atë.
-
Shumë anëtarë të klasës suaj kanë bërë besëlidhje për ta kujtuar gjithmonë Jezu Krishtin. Ndoshta ata mund t’i tregojnë njëri‑tjetrit disa gjëra të cilat i ndihmojnë ata që “gjithmonë ta kujtojnë atë” (Moroni 4:3, DeB 20:77), si në kohë begatie dhe në kohë vështirësie. Më pas anëtarët e klasës mund të kërkojnë te Helamani 12 arsyet se pse njerëzit priren ta harrojnë Zotin. Si mund t’i kapërcejmë prirjet e përshkruara në këtë kapitull? Si na ka ndihmuar fatkeqësia për ta kujtuar Perëndinë? (shih Helamani 11:4–7).
-
Për të treguar përpjekjen që kërkohet për ta kujtuar diçka, ju mund t’u jepni anëtarëve të klasës pak minuta kohë për t’i hedhur një sy Helamanit 12. Më pas ju mund t’u bëni atyre pyetje rreth kapitullit për të parë se çfarë ju kujtohet. Ndoshta ata mund të tregojnë se çfarë bëjnë që ta kujtojnë informacionin për një provim. Si është kjo e ngjashme me përpjekjen që kërkohet për ta “kujt[uar] Zotin”? (Helamani 12:5). Si ndryshon ajo? Ftojeni klasën të gjejë një varg apo frazë nga Helamani 12, të cilën ata të mund ta paraqesin në shtëpitë e tyre ose mund ta mësojnë përmendsh, për t’u sjellë ndërmend atyre që ta kujtojnë mirësinë dhe fuqinë e Perëndisë.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Për t’i nxitur anëtarët e klasës që ta lexojnë Helamanin 13–16, ju mund të vini në dukje se profecitë e Samuel Lamanitit për ngjarjet që lidhen me lindjen dhe Kryqëzimin e Shpëtimtarit, mund të krahasohen me ngjarjet në kohën tonë, të cilat do t’i paraprijnë Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit.
Burimet Shtesë
Vërini veshin udhërrëfimit të profetëve.
Plaku Nil L. Andersen tregoi përvojën vijuese:
“Ata që zgjedhin t’i shërbejnë Zotit, gjithmonë do ta dëgjojnë me vëmendje dhe në veçanti Profetin. …
… Më lejoni ta ilustroj me një përvojë. Familja jonë jetoi për shumë vite në shtetin e Floridës. Për shkak se Florida ka një përqendrim të lartë rëre, lëndinat mbillen me një bar me gjethe të gjera, të cilën ne e quajmë Shën Agustini. Një armik i frikshëm për një lëndinë në Florida është një insekt i vogël, me ngjyrë kafe, i quajtur dosëz dheu.
Një mbrëmje, kur unë dhe fqinji im po qëndronim te shkallët përpara shtëpisë sime, ai vuri re një insekt të vogël që po kalonte përmes trotuarit tim. ‘Më mirë ta spërkatësh barin’, paralajmëroi ai. Ja ku është një dosëz dheu’. E kisha spërkatur barin me insekticide jo shumë javë më parë, dhe mendova se nuk e kisha kohën ose paratë për ta bërë atë përsëri kaq shpejt.
Sa u gdhi, të nesërmen, e këqyra me vëmendje lëndinën time. Ajo ishte e harlisur dhe me një ngjyrë të gjelbër të bukur. Vështrova poshtë barit për të parë nëse mund të shihja ndonjë nga insektet e vogla. Nuk pashë as edhe një. Më kujtohet që mendova: ‘E po, ndoshta kjo dosëz dheu po kalonte nëpër oborrin tim në udhë e sipër për te oborri i fqinjit tim.’ …
Gjithsesi, historia ka një fund të trishtuar. Një mëngjes dola nga dera kryesore, gati 10 ditë pas bisedës me fqinjin tim. Në mënyrë tronditëse, sikur të kishte ndodhur brenda natës, lëndina ishte mbuluar me njolla kafe. Vrapova te dyqani ku shiten gjëra për kopshtari, bleva insekticidin dhe e spërkata menjëherë, por ishte tepër vonë. Lëndina ishte shkatërruar dhe për ta kthyer në gjendjen e mëparshme kërkonte bar të ri, orë të gjata pune dhe shpenzime të mëdha.
Paralajmërimi i fqinjit tim ishte vendimtar për mirëqenien e lëndinës sime. Ai pa gjëra që unë nuk mund t’i shihja. Ai dinte diçka që unë nuk e dija. Ai e dinte se dosëzat e dheut jetojnë nën tokë dhe janë aktive vetëm natën, duke i bërë të paefektshme këqyrjet e mia gjatë ditës. Ai e dinte se dosëzat e dheut nuk i hanin gjethet e barit, por në vend të kësaj gjenin ushqim te rrënjët. Ai e dinte se këto krijesa të vogla afro 2.5 cm të gjata mund të hanin shumë rrënjë përpara se ta shihja rezultatin mbi tokë. E pagova shtrenjtë mbështetjen te njohuria ime vetjake. …
… Ka dosëza dheu shpirtërorë që fshihen nën muret tona mbrojtëse dhe i pushtojnë rrënjët tona të brishta. Shumë nga këto insekte të ligësisë duken të vogla, me raste janë thuajse të padukshme. …
Le të mos e ndjekim modelin që tregova kur u përballa me dosëzat e dheut në Florida. Le të mos i shpërfillim kurrë paralajmërimet. Le të mos jemi kurrë të vetëkënaqur nga pavarësia jonë. Le të dëgjojmë dhe mësojmë gjithmonë me përulësi e besim, gati për t’u penduar, nëse është e nevojshme” (“Prophets and Spiritual Mole Crickets”, Ensign, nëntor 1999, f. 16–18).