“3–9 Gusht. Alma 43–52: ‘Qëndrojmë të Vendosur në Besimin e Krishtit’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“3–9 Gusht. Alma 43–52”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020
3–9 Gusht
Alma 43–52
“Qëndrojmë të Vendosur në Besimin e Krishtit”
Përveç rishikimit të veprimtarive të sugjeruara këtu, kërkoni frymëzimin tuaj vetjak teksa i studioni me lutje kapitujt tek Alma 43–52 dhe mendoni se si t’i ndihmoni anëtarët e klasës ta zbulojnë doktrinën që jepet mësim.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Për t’i ftuar anëtarët e klasës të tregojnë atë që po mësojnë nga Alma 43–52, ju mund t’i pyetni se si do t’i përgjigjeshin dikujt që thotë: “Unë thjesht nuk e kuptoj se si luftërat e përshkruara në Librin e Mormonit kanë ndonjë lidhje me jetën time”.
Jepeni Mësim Doktrinën
Betejat në Librin e Mormonit na mësojnë rreth betejave tona kundër ligësisë.
-
Në studimin e tyre individual dhe familjar këtë javë, anëtarët e klasës mund të kenë përsiatur apo shënuar mendimet e tyre rreth mënyrës se si nefitët ia dolën mbanë të mbroheshin nga lamanitët dhe se si lamanitët i sulmuan nefitët. Nëse anëtarët e klasës e bënë këtë në shtëpi, ftojini ata të tregojnë atë që gjetën. Ose ju mund t’u jepni kohë anëtarëve të klasës që t’i gjejnë këto ide gjatë orës mësimore duke përdorur shkrime të shenjta të tilla si ato që gjenden te përvijimi i kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – për Individët dhe Familjet. Ndërsa anëtarët e klasës tregojnë atë që gjejnë, nxitini ata që të diskutojnë se si mund ta ndjekim ne shembullin e nefitëve për ta mbrojtur veten tonë nga e liga dhe se si mund t’i dallojmë sulmet shpirtërore të Satanit ndaj nesh.
Nëse jemi të guximshëm në mbrojtjen e besimit tonë, ne mund t’i frymëzojmë të tjerët që të jenë besnikë.
-
Si mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës që të ndjekin shembullin e Moronit për ta mbrojtur me guxim besimin e tyre në ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit? Anëtarët e klasës mund të lexojnë tek Alma 46:11–22 dhe të përcaktojnë se çfarë bëri Moroni dhe çfarë dha mësim ai që e frymëzoi popullin e tij për të qenë më besnik. Ju mund t’i shkruani këto gjëra në tabelë nën titullin Shembulli i Moronit. Më pas ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës të përsiatin për veprimet e Moronit dhe të sugjerojnë se çfarë mund të bëjmë ne sot për t’i mbrojtur bindjet tona. Ju mund t’i shkruani idetë e tyre nën titullin Mbrojtja me Guxim e Ungjillit Sot. Çfarë të vërtetash dhe vlerash na ka mësuar profeti ynë kohët e fundit që ne duhet t’i japim mësim dhe mbrojmë?
-
Si mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës ta zbatojnë në vetë jetën e tyre atë që bëri Moroni me titullin e lirisë? Ftojini ata të lexojnë tek Alma 46:11–22 dhe të përcaktojnë të vërtetat që Moroni po ia mësonte dhe po i kërkonte popullit të tij t’i përkrahte. Çfarë të vërtetash dhe vlerash kanë theksuar udhëheqësit tanë të Kishës në kohën tonë? (Ju mund t’i rishikoni disa prej tyre te broshura Për Forcën e Rinisë, te “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës” ose te mesazhet në konferencën më të fundit të përgjithshme.) Çfarë sfidash kemi ne për mbrojtjen e bindjeve tona në botë sot? Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Moronit? Jepuni anëtarëve të klasës mundësinë për të krijuar titullin e tyre të lirisë, i cili mund t’u kujtojë atyre që t’i jetojnë dhe mbrojnë me guxim bindjet e tyre.
Satani na tundon dhe na mashtron pak e nga pak.
-
Klasa juaj mund të përfitojë nga studimi i kapitullit Alma 47, i cili tregon se si tradhtia e Amalikisë ngjason me atë që bën Satani për të na mashtruar. Ju mund të filloni duke i kërkuar dikujt që ta përmbledhë tregimin që gjendet tek Alma 47. Për ta shtuar interesin, ju mund të ftoni dy anëtarë të klasës të përfytyrojnë sikur janë Amalikia e Lehonti dhe të tregojnë historinë. Çfarë bëri Amalikia që na kujton gjërat që bën Satani për të na tunduar e mashtruar? Nxitini anëtarët e klasës që t’u referohen vargjeve specifike teksa diskutojnë për këtë pyetje. Citimi te “Burimet Shtesë” përmban një shembull tjetër të mirë të mënyrës se si na mashtron Satani. Çfarë këshille mund t’i japim njëri‑tjetrit që na ndihmon të jemi të vetëdijshëm për mënyrën se si na tundon Satani sot? Çfarë mund të bëjmë ne që ta mbrojmë veten tonë?
Kur përpiqemi fort që të jemi besnikë si Moroni, ne do të bëhemi më shumë si Shpëtimtari.
-
Një diskutim rreth cilësive të Moronit mund t’i frymëzojë anëtarët e klasës që të përpiqen fort për ta ndjekur shembullin e tij. Mund të filloni duke treguar një figurë të Moronit, siç është ajo në përvijimin e kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Pastaj ftojini anëtarët e klasës që të studiojnë vargjet tek Alma 44:3–4 e 48:7–13, dhe të shkruajnë në tabelë fjalët dhe frazat që e përshkruajnë Moronin. Më pas ju mund të lexoni së bashku nga Alma 48:17 dhe të diskutoni se si cilësitë e Moronit, të tilla si ato që renditen në tabelë, bënë që ai ta mposhtte ndikimin e Satanit dhe të bëhej si Jezu Krishti. Si mund të jemi ne më shumë si Moroni?
Ne mund t’i forcojmë veten tonë dhe familjet tona ndaj kundërshtarit.
-
Anëtarët e klasës tuaj mund të përfitojnë nga të dëgjuarit e njëri‑tjetrit të flasin për mënyrën se si mund t’i mbrojnë veten dhe familjet e tyre nga mashtrimet dhe tundimet e Satanit. Për të frymëzuar një diskutim të tillë, ju mund të lexoni së bashku vargjet tek Alma 48:7–9; 49:1–9 dhe 50:1–6. Teksa mendojmë rreth nevojës sonë për mbrojtje shpirtërore nga mëkati, çfarë mund të mësojmë nga përpjekjet e nefitëve për ta mbrojtur veten e tyre? Si mund të ndërtojmë mbrojtje shpirtërore për t’i ruajtur veten tonë dhe familjet tona nga mëkati dhe ndikimet e liga? Nxitini anëtarët e klasës që të tregojnë ide që kanë funksionuar për ta. Pse është e rëndësishme që të “[mos] i ndalo[jmë] përgatitjet”? (Alma 50:1).
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Një mënyrë për t’i nxituar anëtarët e klasës të lexojnë kapitujt tek Alma 53–63 mund të jetë që t’u thoni atyre se rrëfimi në këta kapituj mund t’i frymëzojë ata dhe familjet e tyre të jenë më të bindur dhe të zhvillojnë një besim më të fortë.
Burimet Shtesë
Pasojat kur u hapim udhë tundimeve të vogla.
Për të dhënë mësim se “mëkat i rëndë hyn në jetën tonë kur u hapim udhë fillimisht tundimeve të vogla”, Presidenti Spenser W. Kimball tregoi këtë fabul:
“[Një] deve dhe i zoti i saj … po udhëtonin nëpër dunat me rërë të shkretëtirës kur i zuri një stuhi ere. Udhëtari e ngriti çadrën me të shpejtë dhe u fut brenda, duke i mbyllur fletët e saj për ta mbrojtur veten nga rëra e mprehtë dhe gërvishtëse e stuhisë së furishme. Sigurisht që deveja u la jashtë dhe, ndërsa era e fortë vërvitej mbi trupin e saj, dhe në sytë e vrimat e hundës, ajo nuk duroi dot më dhe më në fund u përgjërua që të futej në çadër.
‘Kam vend vetëm për veten time’, tha udhëtari.
‘Por a mund të fut vetëm hundën që të mos thith ajër të mbushur me rërë?’, pyeti deveja.
‘Epo, ndoshta mund ta bësh’, iu përgjigj udhëtari dhe e hapi fletën e çadrës shumë pak, dhe hunda e gjatë e devesë u fut brenda. Sa rehat ishte deveja tani! Por shpejt deveja u lodh nga rëra thumbuese që i hynte në sy e në veshë … :
‘Kjo erë me rërë është si një cingërimë në kokën time. A mund të fut vetëm kokën brenda?’
Udhëtari sërish arsyetoi se po ta pranonte, nuk do t’i bënte asnjë dëm, sepse koka e devesë do të zinte hapësirën në majë të çadrës, të cilën ai vetë nuk po e përdorte. Kështu deveja e futi kokën brenda dhe mbeti e kënaqur sërish – por vetëm për një kohë të shkurtër.
‘Vetëm pjesën e përparme të trupit’, u lut ajo, dhe përsëri udhëtari u zbut dhe së shpejti supet dhe këmbët e përparme të devesë ishin në çadër. Së fundi, me të njëjtën metodë përgjërimi dhe lejimi, busti i devesë, pjesa e prapme e trupit dhe gjithçka tjetër ishin brenda në çadër. Por tani çadra ishte tepër e vogël për dy veta dhe deveja e nxori me shqelma jashtë udhëtarin në erë e stuhi” (Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball [2006], f. 106–107).