“27 Korrik – 2 Gusht. Alma 39–42: ‘Plani i Madh i Lumturisë’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“27 Korrik – 2 Gusht. Alma 39–42”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020
27 Korrik – 2 Gusht
Alma 39–42
“Plani i Madh i Lumturisë”
Mësimet e Almës tek Alma 39–42 janë të pasura nga ana doktrinore dhe qartësojnë të vërteta të rëndësishme. Ndërsa i studioni këta kapituj, përsiatni se cilat të vërteta mund të jenë më kuptimplota për klasën tuaj dhe çfarë mund të bëni për t’i ndihmuar ata që t’i zbulojnë këto të vërteta.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Për t’u dhënë anëtarëve të klasës një mundësi që të shprehin mendimet dhe idetë e tyre rreth Almës 39–42, ju mund t’i ftoni ata që t’i shqyrtojnë shkurtimisht këta kapituj dhe të gjejnë diçka që tha ose bëri Alma, e cila u bëri përshtypje.
Jepeni Mësim Doktrinën
Mëkati seksual është një neveri në sytë e Zotit.
-
Çfarë mund të mësojmë nga rrëfimi i përvojës së Koriantonit me mëkatin dhe pendimin? Ndoshta anëtarët e klasës mund të lexojnë tek Alma 39:1–14, ku disa prej tyre të kërkojnë se çfarë bëri gabim Koriantoni, të tjerë të kërkojnë atë që mund ta ketë çuar drejt mëkatit dhe të tjerë të kërkojnë këshillën që i dha Alma. Ndërsa e tregojnë atë që gjejnë, ata mund të diskutojnë mbi mënyrën se si mund ta shmangim bërjen e gabimeve të ngjashme.
-
Kur njerëzit kryejnë mëkate seksuale, ata shpesh përjetojnë ndjenja shkurajimi ose dëshpërimi dhe mund të mendojnë sikur nuk kanë shumë vlerë. Cilat parime tek Alma 39–42 i frymëzojnë anëtarët e klasës të ndiejnë shpresë që çon drejt pendimit? Leximi i thënies nga Motra Xhoi D. Xhons te “Burimet Shtesë” mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës të kuptojnë ndryshimin midis denjësisë dhe vlerës sonë në sytë e Perëndisë. (Shih edhe Lin G. Robins, “Deri Shtatëdhjetë Herë Shtatë”, Ensign ose Liahona, maj 2018, f. 21–23.)
-
Si pjesë e diskutimit tuaj, mund të jetë e dobishme për anëtarët e klasës që të diskutojnë rreth standardeve të Zotit lidhur me dëlirësinë. Diskutimi juaj mund të jetë më i dobishëm nëse përqendrohet më tepër te parimet sesa te një listë e gjërave që duhen bërë ose jo. Për shembull, ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të përcaktojnë parimet që Alma i mësoi Koriantonit tek Alma 39. Përveç kësaj, ata mund të shqyrtojnë pjesën “Pastërtia Seksuale” te broshura Për Forcën e Rinisë duke pasur në mendje pyetje si këto: “Nëse do t’ju duhej ta përmblidhnit të gjithë këtë këshillë me një parim, cili do të ishte ai?” ose “Çfarë parimesh gjeni këtu që ju ndihmojnë ta jetoni ligjin e dëlirësisë?” Anëtarët e klasës mund ta shqyrtojnë gjithashtu këtë pjesë te broshura Për Forcën e Rinisë, duke kërkuar bekimet e të jetuarit të ligjit të dëlirësisë dhe pasojat e mosbindjes ndaj këtij ligji. Si janë të ndryshme këto parime nga ajo që na mëson bota? Si ndikojnë këto parime te mënyra se si e shohim ne ligjin e dëlirësisë? Klasa juaj mund të përfitojë duke lexuar thënien e Motrës Uendi Nelson te “Burimet Shtesë” teksa u përgjigjen këtyre pyetjeve.
-
Ndonjëherë është e lehtë të besojmë se zgjedhjet tona nuk ndikojnë tek të tjerët – se mëkatet tona janë vetjake. Çfarë i mësoi Alma Koriantonit tek Alma 39:11–12 rreth ndikimit të zgjedhjeve të tij? Ftojini anëtarët e klasës të përsiatin se kush mund të preket nga zgjedhjet që ata po bëjnë, si ato të mira dhe ato të këqija. Ata gjithashtu mund të tregojnë se si iu kanë ardhur në ndihmë veprimet dhe shembujt e të tjerëve që të zgjedhin të drejtën.
Shlyerja e Jezu Krishtit e bën të mundur planin e shëlbimit.
-
Alma i mësoi Koriantonit të vërteta që të gjithë ne kemi nevojë t’i kuptojmë, përfshirë të vërtetat rreth qëllimit të jetës, botës së shpirtrave, ringjalljes dhe gjykimit. Merrni parasysh të zgjidhni një prej mësimeve të Almës dhe t’u jepni anëtarëve të klasës dy minuta kohë për ta shqyrtuar Almën 40–42 (individualisht ose në dyshe) dhe për të shkruar sa më shumë të vërteta rreth asaj teme që mund të gjejnë. Më pas anëtarët e klasës mund t’i tregojnë njëri‑tjetrit ose klasës atë që gjetën. Ju mund ta përsëritni këtë proces për tema të tjera siç e lejon koha. Përse ishte e rëndësishme që Koriantoni, biri i Almës, t’i kuptonte këto të vërteta të veçanta?
-
Përshkrimet e Almës për gjendjen e shpirtrave pas kësaj jete mund të ngulitin në mendjen e anëtarëve të klasës rëndësinë e afrimit me Shpëtimtarin dhe të pendimit për mëkatet tona në këtë jetë. Ju mund të shkruani në tabelë Të drejtët (Të penduar) dhe Të ligjtë (Të papenduar), dhe t’i ftoni anëtarët e klasës ta shqyrtojnë Almën 40:11–26, dhe të renditin në tabelë fjalë ose fraza që përdori Alma për të përshkruar gjendjen e secilit prej këtyre grupeve të njerëzve pasi vdesin. Si mund të na frymëzojnë këto mësime për t’u penduar? Për më shumë informacion mbi atë që ndodh në botën e shpirtrave, shih 1 Pjetër 3:18–20; 4:6 dhe Doktrina e Besëlidhje 138:29–37.
-
Çfarë u vjen në mendje anëtarëve të klasës kur dëgjojnë fjalët “rivendos[ur]” ose “rivendosje”? Ftojini ata që të kërkojnë tek Alma 41 mënyrën se si i përdori Alma këto fjalë. Çfarë donte të thoshte ai me to? Çfarë do të na rivendoset neve? Përse mund të jetë e dobishme ta shohim planin e Atit Qiellor si një “plan [të] rivendosjes”? (Vargu 2.)
-
Disa anëtarë të klasës suaj mund të kenë pyetjen që dukej se ishte në mendjen e Koriantonit – a është e drejtë apo e ndershme që një Perëndi i dashur t’i ndëshkojë fëmijët e Tij? (Shih Alma 42:1.) Ndoshta ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës që të përsiatin se si do t’i përgjigjeshin kësaj pyetjeje dhe të kërkojnë përgjigjet tek Alma 42:7–26.
-
Nëse ju mendoni se do të ishte e përshtatshme, anëtarët e klasës suaj mund të përfitojnë nga gjetja e një vargu tek Alma 42, të cilin ata mund ta paraqesin me një vizatim ose simbol të thjeshtë që shpjegon arsyen përse ne kemi nevojë për Shlyerjen e Shpëtimtarit. Anëtarët e klasës mund ta tregojnë atë që vizatuan dhe pjesa tjetër e klasës mund të përpiqet të gjejë vargun që ilustron figura. Më pas ata mund të diskutojnë se çfarë mësuan për rëndësinë e flijimit të Shpëtimtarit.
Burimet Shtesë
Vlera e shpirtrave tanë është e madhe.
Motra Xhoi D. Xhons dha mësim:
“Më lejoni të theksoj nevojën për të bërë dallimin midis dy fjalëve të rëndësishme: vlerë [shpirtërore] dhe denjësi. Ato nuk janë njësoj. Vlerë shpirtërore do të thotë ta vlerësosh veten sipas mënyrës që na vlerëson Ati Qiellor, jo siç na vlerëson bota. Vlera jonë u përcaktua përpara se të vinim në këtë tokë. ‘Dashuria e Perëndisë është e pafundme dhe ajo do të zgjatë përgjithmonë.’
Nga ana tjetër, denjësia arrihet nëpërmjet bindjes. Nëse mëkatojmë, ne jemi më pak të denjë, por nuk jemi kurrë pa vlerë! Ne vazhdojmë të pendohemi dhe të përpiqemi që të jemi si Jezusi pa na u cenuar vlera. Sikurse dha mësim Presidenti Brigam Jang: ‘Edhe shpirti më i mpakur, më i ulët tani mbi tokë … vlen sa botë të tëra’. Pavarësisht gjithçkaje, ne kemi gjithnjë vlerë në sytë e Atit tonë Qiellor” (“Vlerë e Pamasë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2017, f. 14).
Pikëpamja e botës rreth intimitetit nuk është në përputhje me pikëpamjen e Perëndisë.
Motra Uendi Nelson krahasoi mënyrën se si i sheh bota marrëdhëniet seksuale – “seksin sipas kuptimit të botës” – me atë që ajo e quajti “intimiteti martesor i shuguruar nga Perëndia”:
“Në seksin sipas kuptimit të botës, çdo gjë konsiderohet e pranueshme. Në intimitetin martesor, kërkohet një kujdes shumë i madh për të shmangur çdo gjë – që nga gjuha deri te muzika e filmat – që e fyejnë Shpirtin, shpirtin tuaj ose atë të bashkëshortit/es tuaj/suaj.
Ndërsa seksi sipas kuptimit të botës është epshor dhe e vret dashurinë, intimiteti martesor prodhon më shumë dashuri.
Seksi sipas kuptimit të botës i zvetënon burrat e gratë dhe trupat e tyre, ndërsa intimiteti martesor i nderon burrat e gratë dhe e vlerëson trupin si një nga çmimet më të mëdha të jetës në vdekshmëri.
Në seksin sipas kuptimit të botës, individët mund të ndihen të përdorur, të dhunuar dhe përfundimisht më të vetmuar. Në intimitetin martesor, bashkëshortët ndihen më të bashkuar e të dashuruar, më të ushqyer e të kuptuar.
Seksi sipas kuptimit të botës i shkatërron dhe përfundimisht i rrënon marrëdhëniet. Intimiteti martesor i forcon martesat. Ai e mbështet, e shëron dhe e shenjtëron jetën e bashkëshortëve dhe martesën e tyre. …
Seksi sipas kuptimit të botës bëhet një fiksim i plotë ngaqë nuk i përmbush kurrë premtimet e tij. Intimiteti martesor i shuguruar nga Perëndia është i lavdishëm dhe do të vazhdojë përjetësisht për bashkëshortët dhe bashkëshortet që i mbajnë besëlidhjet” (“Dashuria dhe Martesa” [takim shpirtëror mbarëbotëror, 8 janar 2017], broadcasts.ChurchofJesusChrist.org).