Eja, Më Ndiq
20–26 Korrik. Alma 36–38: “Shiko te Perëndia dhe Jeto”


“20–26 Korrik. Alma 36–38: ‘Shiko te Perëndia dhe Jeto’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“20–26 Korrik. Alma 36–38”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020

burrë duke u lutur

Ilustrimi nga Joshua Dennis

20–26 Korrik

Alma 36–38

“Shiko te Perëndia dhe Jeto”

Ndërsa përgatiteni për të dhënë mësim, mbani mend se anëtarët e klasës ka gjasa të kenë pasur përvoja domethënëse në lidhje me Almën 36–38. Çfarë mund të bëni ju për të ndërtuar mbi ato përvoja?

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Një mënyrë për t’i nxitur anëtarët e klasës të tregojnë atë që po mësojnë në shkrimet e shenjta, është që ta ndani klasën në tri grupe dhe t’i caktoni secilit grup një kapitull nga Alma 36–38. Ftojeni secilin grup të gjejë dhe të tregojë një varg frymëzues nga kapitulli i tyre.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

Alma 36

Ne mund të lindim nga Perëndia kur jemi të përulur dhe pendohemi.

  • Disa anëtarë të klasës suaj mund ta pyesin veten përse ata kurrë nuk kanë pasur një përvojë dramatike të kthimit në besim ashtu si Alma. Mund të jetë e dobishme për ta nëse tregoni atë që dha mësim Plaku Dejvid A. Bednar: “Për shumë prej nesh, kthimi në besim është një proces i vazhdueshëm dhe jo një ngjarje që ndodh vetëm një herë e që vjen si pasojë e një përvoje të fuqishme ose dramatike” (“Të Kthyer në Besim te Zoti”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 108). Ndonëse disa gjëra rreth përvojës së kthimit në besim të Almës janë të pazakonta, përvoja e tij na mëson parime që të gjithë ne kemi nevojë t’i zbatojmë për vetë kthimin tonë të vazhdueshëm në besim. Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të kërkojnë tek Alma 36 për t’i gjetur këto parime dhe për t’i renditur ato në tabelë. Çfarë tjetër na ka ndihmuar të arrijmë të kthehemi më shumë në besim tek ungjilli i Jezu Krishtit?

  • Alma e përdori frazën “lindur nga Perëndia” për të përshkruar kthimin e tij në besim. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që ta kuptojnë këtë koncept, ju mund t’i ftoni që t’i lexojnë vargjet e mëposhtme individualisht ose në dyshe, duke kërkuar se çfarë do të thotë të lindësh nga Perëndia: 1 Gjonit 4:7; Mosia 5:7; 27:25–26 dhe Alma 5:14; 22:15. Kërkojuni anëtarëve të klasës të tregojnë atë që kanë mësuar. Më pas ata mund ta shqyrtojnë Almën 36, duke kërkuar përgjigjet për këtë pyetje: Si ndihen dhe veprojnë njerëzit kur linden nga Perëndia? Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të përsiatin se si po linden nga Perëndia, ju mund të lexoni thënien nga Presidenti Ezra Taft Benson që gjendet te “Burimet Shtesë”.

Alma 37

Shkrimet e shenjta janë ruajtur “për një qëllim të urtë”.

  • Ndoshta studimi i fjalëve të Almës kur i dha analet e shenjta birit të tij, Helamanit, mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës të tregojnë se si e kanë ndier fuqinë e shkrimeve të shenjta në jetën e tyre. Nxitini që ta rishikojnë Almën 37 për të gjetur mesazhet që Alma i dha Helamanit rreth shkrimeve të shenjta (shih veçanërisht vargjet 1–19 dhe 43–47). Si e tregojmë që shkrimet e shenjta janë të shenjta për ne? Si mundemi ne, ashtu si Alma, t’u mësojmë njerëzve tanë të dashur “t’i mba[jnë] të shenjta të gjitha këto gjëra”? (Alma 37:2.) Si na e “tregoj[në] [shkrimet e shenjta] fuqinë e [Perëndisë]”? (Alma 37:14.)

  • Një mënyrë për të mësuar për bekimet e të pasurit të shkrimeve të shenjta është të studiojmë atë që tha Alma tek Alma 37 lidhur me analet e shenjta dhe gjëra të tjera që ai ia besoi Helamanit. Ju mund të bëni në tabelë një listë të gjërave të shenjta: fletët e Nefit dhe fletët prej tunxhi (Alma 37:2–20), njëzet e katër fletët e Ethërit dhe interpretuesit (Alma 37:21–37), dhe Liahonën (Alma 37:38–47). Anëtarët e klasës mund t’i lexojnë këto vargje për të mësuar se çfarë dha mësim Alma për secilën prej këtyre gjërave. Në çfarë mënyrash shkrimet e shenjta mund t’i zgjerojnë kujtimet tona? (Shih Alma 37:8.) Çfarë mund të mësojmë nga fjalët e Almës për bekimet e të pasurit të shkrimeve të shenjta në jetën tonë sot?

    grua që lexon shkrimet e shenjta

    Shkrimet e shenjta na mësojnë se si ta ndjekim Perëndinë.

Alma 37:6–7, 41–42

“Nëpërmjet gjërave të vogla dhe të thjeshta gjëra të mëdha bëhen.”

  • Për të dhënë mësim rreth rëndësisë së “gjërave të vogla dhe të thjeshta” në punën e Perëndisë, Alma dha dy shembuj: shkrimet e shenjta dhe Liahonën (shih Alma 37:6–7, 41–42; shih edhe 1 Nefi 17:41). Pas shqyrtimit të këtyre shembujve, ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë shembuj nga vetë jeta e tyre të gjërave të vogla dhe të thjeshta në punën e Perëndisë. Ju mund të dëshironi të viheni në kontakt paraprakisht me një ose dy anëtarë të klasës dhe t’u kërkoni të sjellin një send në klasë që është i vogël dhe ka bërë gjëra të mëdha në jetën e tyre. Ju gjithashtu mund të lexoni thënien nga Presidenti Dallin H. Ouks te “Burimet Shtesë”. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës ta përshtatin për veten këtë parim, ju mund të bëni pyetje si ato që vijojnë: Përse ndonjëherë ne nuk arrijmë t’i bëjmë gjërat e vogla dhe të thjeshta? Si mund t’i frymëzojmë veten tonë dhe familjet tona për ta kapërcyer këtë prirje?

Alma 37:38–47

Fjalët e Krishtit mund të na udhëheqin nga dita në ditë.

  • Krahasimi i fjalës së Perëndisë me Liahonën mund t’i frymëzojë anëtarët e klasës që të jenë më të zellshëm dhe më të qëndrueshëm në leximin e shkrimeve të shenjta. Për të udhëhequr një diskutim në lidhje me këtë, ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të lexojnë në dyshe tek Alma 37:38–47, duke kërkuar ngjashmëritë midis Liahonës dhe fjalës së Perëndisë. Ju mund t’i sfidoni ata që të gjejnë një ngjashmëri në secilin varg. Më pas ju mund ta shkruani numrin e çdo vargu në tabelë dhe t’u kërkoni anëtarëve të klasës të shkruajnë pranë numrave ngjashmëritë që gjetën. Çfarë sugjeron ky krahasim për metodën që duhet të përdorim në studimin tonë të shkrimeve të shenjta?

Alma 38

Dhënia e dëshmive tona për Jezu Krishtin mund t’i forcojë ata që ne i duam.

  • Fjalët e Almës ndaj djalit të tij, Shiblonit, japin një shembull të mirë të mënyrës se si t’i forcojmë dhe nxitim njerëzit që i duam për ta jetuar ungjillin. Ndoshta anëtarët e klasës mund ta lexojnë këtë kapitull dhe të përcaktojnë mënyrën se si Alma e forcoi Shiblonin. Alma 38 është një kapitull i shkurtër – ju madje mund të vendosni ta lexoni atë si klasë. Më pas anëtarët e klasës mund të tregojnë fragmentet që i gjetën kuptimplote ose që u dhanë atyre ide për forcimin e pjesëtarëve të vetë familjes dhe miqve të tyre.

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

A e kanë pyetur veten ndonjëherë anëtarët e klasës se si ta këshillojnë një njeri të dashur që bëri një gabim të rëndë? Shpjegoni se ata do të gjejnë ide të dobishme tek Alma 39–42.

ikona e burimeve

Burimet Shtesë

Kthimi në besim është si të lindesh sërish.

Presidenti Ezra Taft Benson dha mësim: “Kur i jemi nënshtruar këtij ndryshimi të madh, që shkaktohet vetëm nëpërmjet besimit te Jezu Krishti dhe nëpërmjet veprimit të Shpirtit mbi ne, është sikur të jemi bërë një njeri i ri. Në këtë mënyrë, ndryshimi krahasohet me të lindurit sërish. Mijëra prej jush e kanë përjetuar këtë ndryshim. Ju keni braktisur një jetë me mëkate, ndonjëherë mëkate të mëdha e fyese dhe, duke vënë në zbatim gjakun e Krishtit në jetën tuaj, jeni bërë të pastër. Ju nuk keni më prirjen për t’u kthyer në udhët tuaja të vjetra. Ju jeni në të vërtetë një njeri i ri. Kjo është ajo që nënkuptohet me një ndryshim të zemrës” (“A Mighty Change of Heart”, Ensign, tetor 1989, f. 4).

Gjëra të vogla dhe të thjeshta.

Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim:

“U kujtova për fuqinë që gjërat e vogla dhe të thjeshta kanë me kalimin e kohës nga diçka që e pashë në një shëtitje në mëngjes. … Trotuari i trashë dhe i fortë prej betoni [po] plasarit[ej]. A është kjo rrjedhojë e disa goditjeve të mëdha dhe të fuqishme? Jo, kjo plasaritje shkaktohet nga rritja e ngadaltë dhe e vogël e njërës prej rrënjëve që shtrihen nga pema aty pranë. …

Kështu është efekti i fuqishëm që kanë me kalimin e kohës gjërat e vogla dhe të thjeshta, të cilat na mësohen në shkrimet e shenjta dhe nga profetët e gjallë. Merreni parasysh studimin e shkrimit të shenjtë që na është mësuar ta përfshijmë në jetën tonë të përditshme. Ose merrini parasysh lutjet vetjake dhe lutjet e gjunjëzuara familjare që janë praktika të rregullta për shenjtorët besnikë të ditëve të mëvonshme. … Edhe pse secila prej këtyre praktikave mund të duket e vogël dhe e thjeshtë, me kalimin e kohës ato rezultojnë në një lartësim dhe rritje të fuqishme shpirtërore. Kjo ndodh ngaqë secila prej këtyre gjërave të vogla dhe të thjeshta e fton shoqërimin e Frymës së Shenjtë, të Dëshmitarit, i cili na ndriçon dhe na udhërrëfen drejt së vërtetës” (“Gjëra të Vogla dhe të Thjeshta”, Ensign ose Liahona, maj 2018, f. 90).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ftojini nxënësit që ta mësojnë njëri‑tjetrin. Kur anëtarët e klasës japin dëshmi ose shprehin ide, ata mund të jenë në gjendje ta ndihmojnë ose ta frymëzojnë një anëtar tjetër të klasës në një mënyrë që ju mund të mos jeni në gjendje. (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 30.)