“6–12 Korrik. Alma 30–31: ‘Virtyti i Fjalës së Perëndisë’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“6–12 Korrik. Alma 30–31”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020
6–12 Korrik
Alma 30–31
“Virtyti i Fjalës së Perëndisë”
Pasi të keni lexuar nga Alma 30–31 dhe të keni kërkuar frymëzim për vetë jetën tuaj, mbani vesh për nxitjet se cilat mesazhe do t’i bekojnë anëtarët e klasës suaj.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Nëse mendoni se anëtarët e klasës janë ngurrues për t’u shprehur, ju mund t’u jepni atyre disa minuta kohë për ta përsëritur Almën 30–31 ose ndonjë shënim që e bënë gjatë studimit të tyre në shtëpi këtë javë. Më pas ata mund t’i tregojnë një partneri ose klasës një mesazh të fuqishëm që gjetën.
Jepeni Mësim Doktrinën
Kundërshtari përpiqet të na mashtrojë me doktrinë të rreme.
-
Ndërsa i merrni në shqyrtim nevojat e klasës suaj, a do t’i ndihmonte ata ta kuptonin dallimin midis të vërtetave të ungjillit dhe falsifikimeve të Satanit nëse do të përdornit një mësim me sende? Nëse po, ju mund t’u tregoni atyre disa sende të rreme, të tilla si para të vizatuara ose ushqime lodra, së bashku me para të vërteta ose ushqime të vërteta. Si mund ta dallojmë që sendet e rreme nuk janë të vërteta? Më pas klasa mund të përcaktojë mësimet e rreme të Korihorit tek Alma 30:6–31. Çfarë mund të jetë joshëse te këto mësime? Çfarë na ofrojnë të vërtetat e ungjillit gjë që mësimet falsifikuese të Satanit nuk mund ta ofrojnë? Ftojini anëtarët e klasës të tregojnë se çfarë e ndihmoi Almën të dallonte midis doktrinës së vërtetë dhe doktrinës së rreme (shih Alma 30:32–54). Cilat janë mënyrat e tjera që anëtarët e klasës i kanë gjetur të dobishme?
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të mësojnë se si ta mbrojnë veten nga ndikimet e doktrinës së rreme, ju mund të rishikoni përshkrimin e një antikrishti në përvijimin e kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Cilat vargje tek Alma 30:6–31 tregojnë se Korihori i përshtatet këtij përshkrimi? Cilat nga mësimet e tij janë të ngjashme me mësimet e rreme në kohën tonë? (Shih Alma 30:12–18, 23–28.) Si mund ta shmangim të qenit i mashtruar nga këto mësime?
Të gjitha gjërat dëshmojnë për Perëndinë.
-
Për shkak se jetojmë në një botë të ngjashme me botën e Almës, ku disa njerëz japin mësim se nuk ka Perëndi, dëshmia e Almës tek Alma 30:39–44 mund të jetë e dobishme për anëtarët e klasës suaj. Ju mund t’i ftoni ata që t’i lexojnë këto vargje dhe të bëjnë në tabelë një listë të të vërtetave dhe provave që jep Alma, të cilat dëshmojnë se ka një Perëndi. Ç’dëshmi të tjera kemi se Perëndia jeton? Si pjesë e diskutimit, merreni parasysh të lexoni thënien nga Presidenti M. Rasëll Ballard te “Burimet Shtesë”. Ju gjithashtu mund ta ftoni dikë që të vijë i përgatitur për të kënduar një himn rreth mirësisë së Perëndisë, të tillë si “Sa i Madh Je Ti” (Himne nr. 42), ose ju mund ta këndoni himnin së bashku.
-
Ndërsa Alma bisedoi me Korihorin, ai kuptoi se Korihori e kishte “larguar Shpirtin e Perëndisë, që të mos k[ishte] vende në [të]” (Alma 30:42). Merreni parasysh t’u kërkoni anëtarëve të klasës që të shqyrtojnë Almën 30:39–46, duke kërkuar referenca të tjera për Frymën e Shenjtë. Çfarë roli luan Fryma e Shenjtë për të na dëshmuar për realitetin e Perëndisë dhe të Jezu Krishtit? Si mund t’i ndihmojmë ata që kanë dyshime apo pyetje, që ta kërkojnë të vërtetën nëpërmjet Frymës së Shenjtë?
Fjala e Perëndisë ka fuqinë për t’i çuar njerëzit në drejtësi.
-
A ka anëtarë të klasës suaj të cilët mund të tregojnë një përvojë kur “virtyti [i] fjalës së Perëndisë” (Alma 31:5) i ndihmoi ata apo dikë që e njihnin të bënte ndryshime në jetën e vet? Ju mund të dëshironi të viheni në kontakt paraprakisht me anëtarët e klasës, në mënyrë që ata të mund të jenë të përgatitur për të treguar përvojat e tyre. Nxitini të tregojnë vargje nga Alma 31 që gjejnë zbatim për përvojat e tyre. Anëtarë të tjerë të klasës mund të tregojnë gjithashtu mënyra sipas të cilave fjala e Perëndisë ka pasur një “ndikim … të fuqishëm mbi mendjet e [tyre]” (Alma 31:5). Anëtarët mund të përfitojnë nga leximi i shkrimeve të tjera të shenjta që dëshmojnë për fuqinë e fjalës së Perëndisë (shih “Burimet Shtesë” për disa shembuj).
-
Kur anëtarët e klasës suaj studiuan Almën 31 këtë javë, ata mund të jenë frymëzuar nga shembulli i Almës që u lut për zoramitët. Merreni parasysh t’i pyesni ata se çfarë mësuan nga ky kapitull rreth të ndihmuarit të pjesëtarëve të familjes ose miqve që e kanë lënë shtegun e ungjillit ose po hasin vështirësi me besimin e tyre. Ju gjithashtu mund t’u kërkoni atyre që ta hulumtojnë Almën 31 së bashku dhe të renditin në tabelë gjërat që vënë re tek Alma, të cilat e ndihmuan t’i shpëtonte zoramitët. Si mund ta përdorim më shumë fjalën e Perëndisë në përpjekjet tona për t’i shpëtuar të tjerët? (Për ide shtesë, ju mund të tregoni citimin nga Plaku Xhefri R. Holland te “Burimet Shtesë”.)
-
Çfarë gjejnë anëtarët e klasës tek Alma 31:30–38, që mund t’i ndihmojë ata të cilët pikëllohen për mëkatet e të tjerëve ashtu siç u pikëllua Alma?
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Pyetini anëtarët e klasës se çfarë doktrine apo parimi të ungjillit mund të mësojnë për të kundërshtuar gjërat e rreme që zbuloi Alma mes zoramitëve. U thoni atyre se duke lexuar tek Alma 32–35, ata do të zbulojnë se si e përdori Alma fjalën e Perëndisë për t’i ndihmuar zoramitët ta kuptonin nevojën për të ndryshuar.
Burimet Shtesë
Shkrime të shenjta rreth fuqisë së fjalës së Perëndisë.
Të gjitha gjërat tregojnë se ka një Perëndi.
Presidenti M. Rasëll Ballard dha mësim se “provat e përjetshme” që dha Alma për ekzistencën e Perëndisë, “vazhdojnë të dëshmojnë për ne sot” (shih Alma 30:44):
“Astronautët që e shohin tokën nga hapësira kanë deklaruar se sa jashtëzakonisht e mrekullueshme është ajo dhe sa e gjallë duket ajo. Senatori i Shteteve të Bashkuara, Xhejk Garni, shkroi për përvojën e tij në hapësirë: ‘Është e pamundur për mua ta përshkruaj bukurinë e tokës. Është një përvojë mahnitëse, madhështore, shpirtërore ta shohësh tokën nga hapësira, ndërkohë që udhëton me një shpejtësi njëzet e pesë herë më të madhe se shpejtësia e zërit. Unë mund të vështroja gjithashtu në errësirën e hapësirës së zbrazët dhe të shihja miliarda yje dhe galaktika që janë miliona vite dritë larg. Gjithësia është aq e pafund sa është e pamundur të kuptohet. Por unë e kuptova dorën e Perëndisë në të gjitha gjërat. E ndjeva praninë e Tij gjatë shtatë ditëve të mia në hapësirë. E di se Perëndia krijoi këtë tokë dhe universin. … E di se Perëndia jeton dhe është Krijuesi i të gjithëve ne’ (letër drejtuar M. Rasëll Ballardit, 3 mars 1988)” (“God’s Love for His Children”, Ensign, maj 1988, f. 58).
Ushqimi i të tjerëve me fjalën e Perëndisë.
Plaku Xhefri R. Holland dha mësim:
“A po e ushqejmë me të vërtetë rininë tonë dhe anëtarët tanë të rinj në një mënyrë që do t’i mbështetë ata kur të shfaqen streset e jetës? Apo po u japim një lloj ëmbëlsire teologjike – me kalori të zbrazëta shpirtërisht? … Gjatë një dimri të vështirë disa vjet më parë, Presidenti Bojd K. Paker vuri në dukje se një numër i madh drerësh kishin ngordhur nga uria, ndërkohë që stomaku i tyre ishte plot me sanë. Në një përpjekje të sinqertë për të ndihmuar, agjencitë i kishin furnizuar në mënyrë sipërfaqësore kur në fakt nevojitej lënda ushqyese. Për fat të keq, ata u kishin dhënë për të ngrënë drerëve, por nuk i kishin ushqyer. …
Satani sigurisht nuk është dinak në mësimet e tij; pse duhet të jemi ne? Qoftë nëse i udhëzojmë fëmijët tanë në shtëpi ose duke qëndruar para një publiku në kishë, le të mos e bëjmë kurrë të vështirë besimin tonë për t’u dalluar. … Jepni ligjërata të bazuara te shkrimet e shenjta. Jepni mësim doktrinën e zbuluar” (“A Teacher Come from God”, Ensign, maj 1998, f. 26–27).