“29 Qershor – 5 Korrik. Alma 23–29: Ata ‘Nuk Hoqën Dorë Kurrë nga Besimi i Tyre’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“29 Qershor – 5 Korrik. Alma 23–29”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020
29 Qershor – 5 Korrik
Alma 23–29
Ata “Nuk Hoqën Dorë Kurrë nga Besimi i Tyre”
Ndërsa lexoni tek Alma 23–29, kujtoni se për t’i ndihmuar të tjerët që t’i mësojnë të vërtetat në këta kapituj, ju vetë duhet të keni përvoja kuptimplota në lidhje me të vërtetat.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës që të shkruajnë në tabelë vargjet që iu bënë përshtypje gjatë studimit të tyre vetjak ose familjar. Kaloni disa minuta duke i ftuar disa njerëz të diskutojnë për një të vërtetë që e mësuan nga vargjet që shkruan.
Jepeni Mësim Doktrinën
Kthimi ynë në besimin te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij e ndryshon jetën tonë.
-
Si dishepuj të Jezu Krishtit, ne të gjithë përpiqemi fort që ta thellojmë kthimin tonë në besim. Ndoshta historia e anti‑nefi‑lehitëve mund t’i nxitë ata të cilëve u jepni mësim, në përpjekjet e tyre për ta bërë këtë. Ju mund të filloni duke shkruar në tabelë një pyetje si ajo që vijon: Çfarë do të thotë të jesh i kthyer në besim? ose Çfarë lloj ndryshimesh ndodhin në jetën e njerëzve kur ata kthehen në besim? Anëtarët e klasës mund të kërkojnë përgjigje në këto fragmente: Alma 23:6–7, 17–18; 24:17–19; 25:15–16 dhe 27:26–30. Ata mund të jenë në gjendje të japin ide nga vargje të tjera që i kanë lexuar tek Alma 23–25 dhe 27. Anëtarët e klasës mund të gjejnë përgjigje të dobishme ndaj këtyre pyetjeve edhe në mesazhin e Plakut Dejvid A. Bednar “Të Kthyer në Besim te Zoti” (Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 106–109; shih edhe “Burimet Shtesë”). Çfarë ndryshimesh bënë anti‑nefi‑lehitët si rrjedhojë e kthimit të tyre në besim? Si na frymëzon shembulli i tyre për ta thelluar kthimin tonë në besim te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij?
-
Si mund t’i frymëzoni anëtarët e klasës që të braktisin çdo traditë të rreme dhe t’i groposin armët e tyre të rebelimit, ashtu siç bënë anti‑nefi‑lehitët? Merreni parasysh t’i rishikoni së bashku vargjet tek Alma 23:5–7. Cilat janë disa tradita të mira që ungjilli na ndihmon t’i zhvillojmë? Çfarë mund të paraqesin “armët e rebelimit” të lamanitëve në kohën tonë? Si mund t’i “varros[im] thellë në tokë”? (Alma 24:17). Ftojini anëtarët e klasës të përsiatin se cilat tradita të rreme ose armë të rebelimit duhet të lënë pas, që të mund ta jetojnë më plotësisht ungjillin.
Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund të falemi kur pendohemi.
-
Nëse ndieni shtysën që të bëni një diskutim në klasë rreth pendimit, rrëfimi i anti‑nefi‑lehitëve tek Alma 24 është një shembull frymëzues për t’u përdorur. Ju mund t’i caktoni çdo anëtari të klasës një varg për ta lexuar nga Alma 24:7–16 dhe t’u kërkoni atyre të shkruajnë në tabelë diçka që e mësojnë nga vargu i tyre rreth pendimit. Më pas ata mund të shqyrtojnë shkrimet e shenjta vijuese për të gjetur ide shtesë rreth pendimit: Isaia 53:5–6; 2 Nefi 2:6–8 dhe Mosia 5:2.
Ungjilli sjell gëzim.
-
Tek Alma 23–29, fjala “gëzim” shfaqet 24 herë, duke i bërë këta kapituj një vend të mirë për të mësuar se si të jetuarit e ungjillit – dhe përhapja e tij – sjell gëzim. Ju mund t’i ndani anëtarët e klasës në grupe dhe t’i kërkoni secilit grup të shqyrtojë disa nga vargjet vijuese, duke kërkuar arsyet përse u gëzuan Amoni, bijtë e Moisias dhe Alma: Alma 24:13–15; 26:12–22 dhe 29:1–17. Anëtarët e klasës mund ta renditin në tabelë atë që gjejnë. Çfarë mësojmë nga këto vargje rreth mënyrës se si na sjell gëzim ungjilli?
-
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Kur përqendrimi i jetës sonë është te plani i Perëndisë për shpëtim … dhe te Jezu Krishti e ungjilli i Tij, ne mund të ndiejmë gëzim pavarësisht nga ajo që po ndodh – apo nuk po ndodh – në jetën tonë. Gëzimi vjen prej Tij dhe për shkak të Tij. Ai është burimi i të gjithë gëzimit” (“Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore”, Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 82). Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë përvoja që i kanë ndihmuar të kuptojnë të vërtetën e fjalëve të Presidentit Nelson.
-
Alma dhe Amoni gjetën gëzim të madh në përhapjen e ungjillit. Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të gjejnë vargje tek Alma 26 dhe 29, të cilat mund ta frymëzojnë një të ri ose të re për të shërbyer në një mision – ose ta frymëzojnë çdokënd që të flasë për ungjillin me të tjerët. Merreni parasysh që t’u jepni disa minuta kohë anëtarëve të klasës të planifikojnë diçka që mund të bëjnë për ta përhapur ungjillin. Ftojini të veprojnë sipas planeve të tyre dhe në një orë të ardhshme mësimore ju mund t’i nxitni ata që të flasin rreth përpjekjeve të tyre.
-
Kur Alma i ndihmoi të tjerët të pendohen, atij iu kujtua mirësia e Perëndisë (shih Alma 29:10–13). Ndoshta ju mund t’u jepni anëtarëve të klasës disa çaste për t’i studiuar këto vargje dhe për të renditur atë që iu kujtua Almës. Çfarë na e kujton mirësinë e Perëndisë? Si e kemi parë mirësinë e Perëndisë në jetën tonë?
Ne mund të jemi mjete në duart e Perëndisë.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të hulumtojnë se çfarë do të thotë të jenë “mjete në duart e Perëndisë” (Alma 26:3), ju mund të tregoni lloje të ndryshme mjetesh apo veglash. Ju gjithashtu mund t’i ftoni anëtarët e klasës të sjellin disa mjete që ata i përdorin. Në ç’mënyrë janë të dobishme këto mjete? Në ç’mënyrë jemi ne si mjete në punën e Perëndisë? Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të përcaktojnë mënyrat se si Amoni dhe shokët e tij misionarë ishin mjete në duart e Perëndisë (shih, për shembull, Alma 26:1–5, 11–12). Çfarë idesh marrim nga Doktrina e Besëlidhje 4 rreth të qenit mjete në duart e Tij? Anëtarët e klasës mund të tregojnë gjithashtu përvoja kur ata kanë ndier gëzimin që vjen nga të qenit një mjet në duart e Perëndisë.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Shumë prej këtyre ideve të rreme që i çojnë në udhë të gabuar fëmijët e Perëndisë sot, ishin të zakonshme edhe në kohën e Almës. Dëftojuni anëtarëve të klasës se tek Alma 30–31, ata do të shohin mënyrën se si iu përgjigjën Alma dhe të tjerët këtyre mësimeve të rreme.
Burimet Shtesë
Të Kthyer në Besim te Zoti.
Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim:
“Thelbi i ungjillit të Jezu Krishtit përfshin një ndryshim themelor e të qëndrueshëm në vetë natyrën tonë që u bë i mundur përmes Shlyerjes së Shpëtimtarit. Kthimi i vërtetë në besim sjell një ndryshim në bindjet, zemrën dhe jetën e dikujt për ta pranuar dhe për t’iu bindur vullnetit të Perëndisë (shih Veprat e Apostujve 3:19; 3 Nefi 9:20) dhe përfshin një zotim të ndërgjegjshëm për t’u bërë një dishepull i Krishtit.”
Pasi citoi Almën 23:6–8, Plaku Bednar vazhdoi të shpjegonte:
“Në këto vargje përshkruhen dy elemente kryesore: 1) njohuria e së vërtetës, që mund të kuptohet se është një dëshmi, dhe 2) të kthyerit në besim te Zoti, që unë e kuptoj se është kthimi në besim te Shpëtimtari dhe ungjilli i Tij. Kështu, kombinimi i fuqishëm i dëshmisë ashtu edhe i kthimit në besim te Zoti solli vendosmërinë e palëkundshmërinë dhe siguroi mbrojtje shpirtërore.
Ata nuk hoqën dorë kurrë nga besimi i tyre dhe i ulën ‘armët e rebelimit të tyre që ata nuk luftuan më kundër Perëndisë’. Mënjanimi i ‘armëve’ të dashura ‘të rebelimit’ të tilla si egoizmi, krenaria dhe mosbindja kërkon më shumë se sa thjesht të besosh e të dish. Bindja e patundur, përulësia, pendimi dhe nënshtrimi u paraprijnë armëve tona të rebelimit. A zotërojmë ende ju dhe unë armë rebelimi që na pengojnë të kthehemi në besim te Zoti? Nëse po, atëherë duhet të pendohemi tani.
Vini re se lamanitët nuk u kthyen në besim prej misionarëve që u dhanë mësim atyre, ose prej programeve të shkëlqyera të Kishës. Ata nuk u kthyen në besim prej personalitetit të udhëheqësve të tyre apo prej ruajtjes së një trashëgimie kulturore ose traditave të etërve të tyre. Ata u kthyen në besim te Zoti – tek Ai si Shpëtimtar dhe hyjnueshmëria dhe doktrina e Tij – dhe ata nuk hoqën dorë kurrë nga besimi i tyre” (“Të Kthyer në Besim te Zoti”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 107–109).