“22–28 Qershor. Alma 17–22: ‘Unë do t’Ju Bëj një Mjet’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“22–28 Qershor. Alma 17–22”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020
22–28 Qershor
Alma 17–22
“Unë do t’Ju Bëj një Mjet”
Përpara se të mund t’i ndihmoni të tjerët të zbulojnë të vërtetat në shkrimet e shenjta, ju keni nevojë të zbuloni të vërteta për veten tuaj. Lexoni tek Alma 17–22 duke pasur në mendje klasën tuaj.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Për t’u dhënë mundësi anëtarëve të klasës të tregojnë diçka që mësuan në studimin e tyre vetjak ose familjar, ju mund t’i ftoni që të zgjedhin një person që përshkruhet tek Alma 17–22 dhe që të plotësojnë një fjali si kjo në vijim: “Abishi më mësoi ” ose “Lamoni më mësoi ”.
Jepeni Mësim Doktrinën
Besimi ynë forcohet kur përpiqemi me zell ta dimë të vërtetën.
-
Anëtarët e klasës ndoshta mund të kenë dëgjuar shumë herë për rëndësinë e zakoneve të thjeshta, të lidhura me ungjillin. Alma 17:1–4 mund t’i ndihmojë të kuptojnë ndikimin e fuqishëm që këto zakone mund të kenë në jetën tonë. Ju mund t’i kërkoni gjysmës së klasës që të kërkojë në këto vargje atë çfarë bënë bijtë e Mosias dhe gjysmës tjetër të kërkojë rrjedhojat e asaj që bënë ata. Cilat kanë qenë rrjedhojat e bërjes së këtyre gjërave në jetën tonë?
-
Për një diskutim më të thellë mbi disa prej zakoneve që i forcuan bijtë e Mosias, ju mund të shkruani në tabelë Shqyrtimi i Shkrimeve të Shenjta, Lutja dhe Agjërimi. Më pas, anëtarët e klasës mund të kërkojnë shkrime të shenjta që na mësojnë për bekimet që vijnë nga studimi i shkrimeve të shenjta, lutja dhe agjërimi (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta mund t’ju vijë në ndihmë). Ata mund ta shkruajnë në tabelë atë që gjejnë, dhe t’i tregojnë njëri‑tjetrit ide për mënyrën se si ta përmirësojnë studimin e tyre të shkrimeve të shenjta, lutjen dhe agjërimin e tyre në një mënyrë që i afron më shumë me Perëndinë.
Dashuria jonë mund t’i ndihmojë të tjerët të përgatiten për ta pranuar ungjillin.
-
Ka shumë mënyra për ta përhapur ungjillin dhe të gjitha ato janë më të efektshme kur shtysë është dashuria. Ndoshta anëtarët e klasës mund të përcaktojnë vargje tek Alma 17–18 që tregojnë se si Amoni u shty nga dashuria për ta përhapur ungjillin. Çfarë të vërtetash të tjera mësojmë rreth përhapjes së ungjillit nga shembulli i tij? Anëtarët e klasës mund të jenë në gjendje të tregojnë përvoja në të cilat dashuria e sinqertë e zbuti zemrën e një personi dhe e lejoi atë që të ishte më pranues/e ndaj mesazhit të ungjillit. Thënia nga Presidenti Dallin H. Ouks te pjesa “Burime Shtesë” mund t’i ndihmojë gjithashtu anëtarët ta kuptojnë rëndësinë që ka të sigurohemi se përpjekjet tona bazohen te dashuria.
Mësimdhënia dhe të mësuarit e të vërtetave të ungjillit mund të çojnë me efektshmëri në një ndryshim të zemrës.
-
Sapo Amoni dhe Aaroni e fituan mirëbesimin e mbretit Lamoni dhe atit të tij, ata qenë në gjendje t’i ndihmonin që t’i kuptonin të vërtetat thelbësore të ungjillit. Ndoshta do të ishte e dobishme nëse anëtarët e klasës do të bënin një listë me të vërtetat që Amoni ia dha mësim Lamonit (shih Alma 18:24–39) dhe ta krahasonin atë me një listë të të vërtetave që Aaroni ia dha mësim atit të Lamonit (shih Alma 22:1–16). Gjysma e klasës mund të punojë me njërën listë, ndërsa gjysma tjetër punon me listën tjetër. Përse të kuptuarit e këtyre të vërtetave mund ta ketë bërë Lamonin dhe atin e tij që të besonin dhe mirëbesonin tek Ati Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti?
-
Rrëfimet për Aaronin dhe Amonin duke u dhënë mësim mbretit Lamoni dhe atit të tij, japin një mundësi të shkëlqyer për të diskutuar për mësimdhënien dhe të mësuarit me efektshmëri të ungjillit. Çfarë parimesh për mësimdhënien vënë re anëtarët e klasës? (Shih, për shembull, Alma 18:24–28 dhe Alma 22:7–13.) Çfarë parimesh për të mësuarit gjejnë ata te shembujt e mbretit Lamoni dhe atit të tij? (Shih, për shembull, Alma 18:25–31; 22:17–18.)
-
Që të mësojnë për mënyrën se si doktrina e ungjillit mund të ndikojë në jetën tonë, anëtarët e klasës mund të kërkojnë tek Alma 18:40–41; 20:1–15 dhe Alma 22:15–18, 25–27, për të zbuluar se si u ndien dhe se si vepruan mbreti Lamoni dhe ati i tij pasi i kuptuan të vërtetat e ungjillit dhe u kthyen në besim. Si na ndihmojnë këto të vërteta që të vijmë te Krishti? Çfarë mund të bëjmë për ta ndihmuar veten dhe njerëzit tanë të dashur që t’i kuptojnë dhe jetojnë këto të vërteta?
Dëshmitë tona mund të kenë ndikim të thellë tek të tjerët.
-
Gjatë studimit të tyre vetjak të kapitujve tek Alma 19–22, anëtarët e klasës mund të kenë përsiatur për ndikimin mjaft të gjerë që mund të ketë dëshmia e një personi tek të tjerët. Nxitini të tregojnë atë që mësuan. Çfarë sugjerojnë rrëfimet tek Alma 19–22 rreth përpjekjeve tona vetjake për ta përhapur ungjillin? Historia e Presidentit Gordon B. Hinkli te pjesa “Burime Shtesë” mund të ndihmojë për ta theksuar këtë pikë.
-
Cilat janë disa analogji të mira që mund të tregoni për ta ilustruar atë që mund të ndodhë kur ne u japim dëshminë tonë të tjerëve? Shembuj të mundshëm janë një guralec që krijon valëzime në liqen ose majaja që ndihmon në fryrjen e brumit. Pasi të keni shqyrtuar disa shembuj të njerëzve që japin dëshmitë e tyre tek Alma 19–22, anëtarët e klasës mund të tregojnë se si kanë ndikuar dëshmitë e të tjerëve tek ata.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ju mund t’i pyesni anëtarët e klasës nëse e kanë pyetur ndonjëherë veten se si ta bëjnë kthimin e të tjerëve në besim më të patundur dhe më të qëndrueshëm. Tek Alma 23–29 ata do të lexojnë për një grup njerëzish që e pranuan ungjillin dhe “nuk hoqën dorë kurrë” (Alma 23:6) prej tij.
Burime Shtesë
Përhapeni ungjillin nisur nga dashuria.
Presidenti Dallin H. Ouks foli për një mësim me vlerë që mori nga një përvojë që e pati kur ishte djalë i ri:
“Më kishin caktuar të vizitoja një anëtar më pak aktiv, një profesionist të suksesshëm shumë vite më të madh se unë në moshë. Duke vështruar pas te veprimet e mia, e kuptoj se kisha fare pak interesim dashamirës për burrin që vizitoja. Unë veproja nisur nga detyra, me dëshirën që të raportoja 100 përqind për mësimin tim të shtëpisë. Një mbrëmje, aty nga fundi i muajit, e mora në telefon për të pyetur nëse unë dhe shoqëruesi im mund të shkonim fill në atë kohë dhe ta vizitonim. Përgjigjja e tij qortuese më dha një mësim të paharrueshëm.
‘Jo, nuk besoj se dua që të vini këtë mbrëmje’, tha ai. ‘Jam i lodhur. Tashmë jam veshur për të shkuar në shtrat. Jam duke lexuar dhe thjesht nuk dëshiroj që të më ndërpresin, me qëllim që ju të mund ta raportoni 100 përqind mësimin tuaj të shtëpisë këtë muaj.’ Ajo përgjigje ende më thumbon ngaqë e dija se ai e kishte kuptuar shtysën time egoiste.
Shpresoj që asnjë njeri, të cilit i drejtohemi me një ftesë për ta dëgjuar mesazhin e ungjillit të rivendosur, të mos mendojë se ne po veprojmë për ndonjë arsye tjetër përveçse nga një dashuri e çiltër për ta dhe një dëshirë jo egoiste për të treguar diçka që e dimë se është e çmueshme” (“Sharing the Gospel”, Ensign, nëntor 2001, f. 8).
Ndikimi ynë shpesh është i panjohur.
Presidenti Gordon B. Hinkli tregoi një histori në të cilën një misionar i raportoi presidentit të tij të misionit në përfundim të shërbimit të tij. Misionari tha:
“Nuk kam pasur asnjë rezultat nga puna ime. Kam harxhuar më kot kohën time dhe paratë e atit tim. Ka qenë kohë e harxhuar më kot. … Unë pagëzova vetëm një person gjatë dy viteve që kam qenë këtu. Ai ishte një djalë dymbëdhjetëvjeçar lart në luginat e largëta bujqësore të Tenesisë.”
Presidenti i misionit vendosi ta ndiqte ecurinë e djalit që pagëzoi ky misionar. Ai u rrit, u martua dhe u shpërngul në Ajdaho. Fëmijët e tij shkuan në misione dhe fëmijët e tyre shkuan në misione. Presidenti i misionit udhëtoi për në Ajdaho dhe i pyeti anëtarët e asaj familjeje për misionet e tyre. Më vonë ai tha: “Unë zbulova se, si rrjedhojë e pagëzimit të atij djali të vetëm, të vogël në luginat e largëta bujqësore të Tenesisë nga një misionar që mendonte se kishte dështuar, mbi 1 100 njerëz kanë ardhur në Kishë” (Teachings of Gordon B. Hinckley [1997], f. 360–361).