Eja, Më Ndiq
8–14 Qershor. Alma 8–12: Jezu Krishti do të Vijë për të Shëlbuar Popullin e Tij


“8–14 Qershor. Alma 8–12: Jezu Krishti do të Vijë për të Shëlbuar Popullin e Tij”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“8–14 Qershor. Alma 8–12”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020

Alma duke predikuar

Duke Dhënë Mësim Doktrinën e Vërtetë, nga Michael T. Malm

8–14 Qershor

Alma 8–12

Jezu Krishti do të Vijë për të Shëlbuar Popullin e Tij

Fillojeni përgatitjen tuaj për të dhënë mësim duke studiuar kapitujt tek Alma 8–12. Më pas, shqyrtojeni këtë përvijim për ide shtesë që do t’i nxitin anëtarët e klasës të tregojnë atë që mësuan në studimin e tyre.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Jepuni anëtarëve të klasës disa minuta kohë që të reflektojnë mbi studimin e tyre vetjak ose familjar të shkrimeve të shenjta këtë javë. Si ka ndikuar studimi i tyre në zgjedhjet që bënë gjatë javës? Ftojini disa anëtarë të klasës që të japin mendimet e tyre.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

Alma 8

Përpjekjet tona për ta përhapur ungjillin mund të kërkojnë këmbëngulje dhe durim.

  • Shumë njerëzve u duket e vështirë ta përhapin ungjillin – veçanërisht kur kanë ndier mospranim, ashtu siç ndjeu Alma. Shembulli i Almës mund t’i ndihmojë që t’i mirëbesojnë Perëndisë dhe të gjejnë kurajë për të vazhduar t’ua japin dëshmitë e tyre të tjerëve. Merrini parasysh këto pyetje për diskutim: Çfarë mësojmë nga mesazhi i engjëllit për Almën tek Alma 8:15? Çfarë na frymëzon nga reagimi i Almës ndaj mesazhit, i cili gjendet tek Alma 8:14–32, që të vazhdojmë ta përhapim ungjillin kur përjetojmë mospranim? Çfarë këshille do t’i jepnim dikujt që u përpoq ta përhapte ungjillin, por nuk u pranua? Këshilla e Plakut Xhefri R. Holland te pjesa “Burime Shtesë” mund të ndihmojë në lidhje me këtë bashkëbisedim.

  • Historia e Almës dhe Amulekut tregon se sa të rëndësishme janë për punën misionare përpjekjet e anëtarëve. Çfarë mësojnë anëtarët e klasës nga Alma 8:19–30 për marrëdhënien ndërmjet anëtarëve vendorë dhe misionarëve kohëplotë? (Shih edhe Alma 10:1–12.)

    dy familje duke u takuar

    Të folurit për ungjillin me ata që duam, mund të jetë një përvojë e gëzueshme.

Alma 9:18–30

Perëndia i gjykon fëmijët e Tij në përputhje me dritën dhe njohurinë që kanë.

  • Ka një paralajmërim serioz në këto vargje për të gjithë anëtarët e Kishës – pasi të kemi marrë dritë dhe njohuri, nga ne pritet ta çmojmë atë si thesar, ta ushqejmë, ta jetojmë dhe ta përdorim për të bekuar të tjerët. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës ta analizojnë këtë pritshmëri, ju mund t’u kërkoni që të lexojnë mësimet e Almës tek Alma 9:18–30 dhe të tregojnë mesazhet që gjejnë rreth përgjegjësisë që kanë për shkak të asaj që dinë. Përse mund të ketë dënim më të madh kur mëkatojmë kundër dritës më të madhe? Jepuni kohë anëtarëve të klasës të përsiatin se çfarë mund të bëjnë që të jenë më të vërtetë ndaj dritës dhe njohurisë që kanë marrë. Ju mund të sugjeroni që të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 50:24 ndërsa përsiatin.

Alma 11–12

Plani i Perëndisë është një plan shëlbimi.

  • Ju mund të filloni një diskutim për këtë doktrinë duke e ftuar një anëtar të klasës që të vizatojë në tabelë një skicë të planit të shëlbimit. Më pas, ju mund t’i ndani midis anëtarëve të klasës pjesët nga Alma 11–12 dhe t’i ftoni të kërkojnë të vërteta që do t’ia shtonin skicës. Për shembull, nga çfarë na shëlbon plani i Perëndisë? (Shih Alma 11:38–45.) Si e bekon jetën tonë njohja e këtyre të vërtetave për planin e shëlbimit?

  • Për t’i ndihmuar anëtarët të tregojnë atë që na mëson Alma 11–12 për planin e shëlbimit, ju mund të shkruani në tabelë titujt vijues: Rënia, Shëlbuesi, Pendimi, Vdekja, Ringjallja dhe Gjykimi. Anëtarët e klasës mund të zgjedhin një nga këto tema dhe të kërkojnë tek Alma 11–12 të vërtetat që mësojnë rreth temës. Ftojini anëtarët e klasës t’i shkruajnë të vërtetat që gjejnë, bashkë me një referencë të shkrimit të shenjtë, nën titullin e duhur në tabelë. Si klasë, diskutoni se si njohja e këtyre të vërtetave ndikon në jetën tonë dhe në vendimet që marrim.

  • Anëtarët e klasës suaj mund të përfitojnë nga një diskutim i përqendruar tek Alma 12:31–32, ku Alma dha mësim se pas Rënies, Perëndia u dha Adamit dhe Evës urdhërime – por vetëm pasi u mësoi atyre planin e Tij. Si ndikon njohuria për planin në mënyrën se si i shohim urdhërimet apo se çfarë mendojmë rreth tyre? Ndofta ju mund të flisni për disa urdhërime të veçanta; për shembull, si na ndihmon njohuria për planin e Perëndisë që ta mbajmë ditën e Shabatit të shenjtë ose që t’i bindemi ligjit të dëlirësisë?

  • Disa anëtarë të klasës mund të kenë pyetje rreth vargjeve tek Alma 11:26–39, ku Amuleku tha se ka vetëm një Perëndi. Shkrimet e shenjta vijuese sqarojnë se si anëtarët e Kreut‑Perëndi janë “një Perëndi” ndërkohë që ende janë qenie të veçanta: Gjoni 17:20–23; 2 Nefi 31:21 dhe 3 Nefi 19:29. Kjo thënie nga Plaku Xhefri R. Holland mund të ndihmojë gjithashtu: “Ne besojmë që Ata janë një në çdo aspekt të rëndësishëm dhe të përjetshëm që [mund të] përfytyrohet, përjashtuar besimin që Ata të jenë tre persona të kombinuar në një substancë” (“I Vetmi Perëndi i Vërtetë dhe Jezu Krishti të Cilin Ai Ka Dërguar”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 40).

Alma 12:9–14

Nëse vërtet nuk do ta ngurtësojmë zemrën tonë, ne mund të marrim më shumë nga fjala e Perëndisë.

  • Një nga mesazhet që Alma dhe Amuleku e dhanë mësim disa herë, ishte mënyra se si gjendja e zemrës sonë ndikon në masën e së vërtetës që mund të marrim nga Zoti. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës ta zbulojnë të vërtetën e këtij parimi, ju mund t’i ftoni të lexojnë tek Alma 12:9–14 në dyshe ose grupe të vogla dhe të diskutojnë për rrjedhojat e pasjes së një zemre të ngurtë. (Ju mund t’u kërkoni gjithashtu të lexojnë tek Alma 8:9–11; 9:5, 30–31 dhe 10:6, 25.) Çfarë do të thotë të kesh një zemër të butë? (Shih Jeremia 24:7; Alma 16:16; Helamani 3:35.) Si na ndihmon një zemër e butë që ta kuptojmë më mirë fjalën e Perëndisë?

  • Alma dha mësim se kur e ngurtësojmë zemrën tonë, ne marrim “pjesën më të vogël” të fjalës së Perëndisë (Alma 12:10). Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë përvoja nga shkrimet e shenjta që e ilustrojnë këtë parim. Si e zbut Zoti zemrën tonë që ne të mund të vazhdojmë të mësojmë më shumë prej Tij? Çfarë përvojash vetjake mund të tregojmë?

  • Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës ta kuptojnë se çfarë do të thotë të kesh një zemër të butë, ju mund të tregoni disa prej shembujve të renditur te pjesa “Burime Shtesë”.

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Për t’i frymëzuar anëtarët e klasës të lexojnë tek Alma 13–16 këtë javë, ju mund t’u thoni atyre që do të zbulojnë se si u përmbushën fjalët e Almës në jetën e Zizromit dhe të popullit të Amonihës.

ikona e burimeve

Burime Shtesë

Mbani një qëndrim të guximshëm.

Plaku Xhefri R. Holland u dha nxitjen vijuese atyre që keqtrajtohen për shkak të përhapjes së ungjillit apo mbrojtjes së tij:

“Në qoftë se nuk e keni përjetuar tashmë, ju një ditë do ta gjeni veten të thirrur për ta mbrojtur besimin tuaj apo ndoshta për të duruar njëfarë abuzimi vetjak, thjesht ngaqë jeni anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Çaste të tilla do të kërkojnë si kurajë edhe mirësjellje nga ana juaj.

… Ju mund të pyesni veten nëse ia vlen të mbani një qëndrim moral të guximshëm në shkollën e mesme apo të shkoni në një mision, vetëm që t’i shihni bindjet tuaja më të vyera të fyhen ose të ndeshen me shumë gjëra në një shoqëri e cila ndonjëherë e përqesh një jetë përkushtimi fetar. Po, ia vlen. …

Miq, veçanërisht miqtë e mi të rinj, merrni zemër. Dashuria e pastër si e Krishtit, duke rrjedhur nga drejtësia e vërtetë, mund ta ndryshojë botën. …

Jini të fortë. Jetojeni ungjillin me besnikëri edhe pse të tjerët përreth jush nuk e jetojnë. Mbrojini bindjet tuaja me mirësjellje dhe me dashamirësi, por mbrojini ato” (“Çmimi – dhe Bekimet – e të Qenit Dishepull”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 6–9).

Zemrat e tyre u zbutën.

Bisedat vijuese nga konferenca të përgjithshme japin shembuj të njerëzve, zemrat e të cilëve u zbutën nga Zoti:

  • Historia e familjes Hetfilld në mesazhin e Presidentit Rasëll M. Nelson “Çmimi i Fuqisë së Priftërisë”, (Ensign ose Liahona, maj 2016, f. 66–67).

  • Historia e familjes Gallaçer në mesazhin e Presidentit Tomas S. Monson, “Thirrja e Shenjtë e Shërbimit” (Ensign ose Liahona, maj 2005, f. 55; Konferenca e Përgjithshme, prill 2005; f. 67).

  • Historia e Dejvidit në mesazhin e Presidentit Diter F. Uhtdorf “Mësoni nga Alma dhe Amuleku”, (Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 73–74).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Shihni me sytë e Perëndisë. Përpiquni t’i shihni anëtarët e klasës suaj siç i sheh Perëndia dhe Shpirti do t’ju tregojë vlerën dhe potencialin e tyre hyjnor. Kur e bëni këtë, ju do të udhërrëfeheni në përpjekjet tuaja për t’i ndihmuar ata (shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 6).