Eja, Më Ndiq
15–21 Qershor. Alma 13–16: “Hyni në Prehjen e Zotit”


“15–21 Qershor. Alma 13–16: ‘Hyni në Prehjen e Zotit’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“15–21 Qershor. Alma 13–16”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020

Alma dhe Amuleku duke dalë nga burgu

Ilustrim i Almës dhe Amulekut të çliruar nga burgu, nga Andrew Bosley

15–21 Qershor

Alma 13–16

“Hyni në Prehjen e Zotit”

Kthimi i qëndrueshëm në besim kërkon më shumë sesa një mësim frymëzues të Shkollës së të Dielës një herë në javë. Nxitini anëtarët e klasës që të kërkojnë përvoja vetjake shpirtërore gjatë gjithë javës.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Çfarë mund t’i nxitë anëtarët e klasës që t’ia tregojnë njëri-tjetrit përvojat e tyre lidhur me të mësuarit dhe të jetuarit e ungjillit? Ndoshta ju mund t’i ftoni ata të tregojnë një ide që e gjetën tek Alma 13–16 që i habiti ose për të cilën nuk kishin menduar më parë. Ndërkohë që tregojnë, pyetini se në ç’mënyrë mendojnë që kjo ide e re do të shkaktojë ndryshim në jetën e tyre.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

Alma 13:1–19

Ordinancat e priftërisë i ndihmojnë fëmijët e Perëndisë të marrin shëlbimin nëpërmjet Jezu Krishtit.

  • Disa anëtarë të klasës suaj, kur e studiuan Almën 13, mund të kenë gjetur diçka që e thelloi vlerësimin e tyre për priftërinë. Ftojini të tregojnë atë që gjetën. Ju mund të lexoni gjithashtu së bashku vargjet 2 e 16 dhe të bëni një pyetje si kjo: “Si ju ndihmon priftëria dhe ordinancat e saj ‘ta pris[ni] [me padurim] Birin e [Perëndisë] për shëlbim’?” Nëse është e dobishme, një listë e ordinancave mund të gjendet te Të Vërtetë ndaj Besimit, f. 105–106.

    të rinj tek tryeza e sakramentit

    Ordinancat e priftërisë na ndihmojnë të shohim te Jezu Krishti për shëlbim.

  • Shumë njerëz në Amoniha ishin pasues të Nehorit, i cili dha mësim ide të rreme për rolin e priftërinjve. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të mësojnë për natyrën e vërtetë të priftërisë, ju mund t’u kërkoni ta krahasojnë pikëpamjen e Nehorit për atë që duhet të bëjnë priftërinjtë (shih Alma 1:3–6) me atë që dha mësim Alma (shih Alma 13:1–12). Në çfarë mënyre janë mësimet e Nehorit të ngjashme me pikëpamjet e botës për fuqinë dhe udhëheqjen? Si janë të ndryshme mësimet e Almës?

  • Të lexuarit e Almës 13:1–19 mund të çojë në një diskutim rreth të qenit “të përgatitur, që nga krijimi i botës” për përgjegjësitë tona në punën e Zotit. Çfarë sugjeron Alma 13:3 rreth mënyrës se si duhet t’i shikojmë këto përgjegjësi apo t’u drejtohemi atyre? (Shih edhe DeB 138:56.)

Alma 13

Zoti na fton që të hyjmë në prehjen e Tij.

  • Alma dha mësim se priftëria na ndihmon që të “hy[jmë] në prehjen e Zotit” (Alma 13:16). Për të filluar një diskutim rreth kësaj ideje, ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës që ta lexojnë Almën 13:6, 12–13, 16 e 29 dhe të tregojnë se çfarë na mësojnë këto vargje për “prehjen e Zotit”. Ata gjithashtu mund të përcaktojnë tiparet e njerëzve që “hy[jnë] në prehjen e Zotit”. Çfarë mund të bëjmë që ta përjetojmë prehjen e Zotit gjatë jetës sonë në vdekshmëri?

Alma 14

Në kohë sprove dhe tragjedie ne duhet t’i mirëbesojmë Zotit.

  • Alma 14 mund të jetë një mundësi për të diskutuar për mënyrën se si mund të reagojmë me besnikëri kur ne apo njerëzit tanë të dashur hasin përndjekje apo sprova edhe kur jemi duke u përpjekur që të jemi të drejtë. Ju mund të filloni duke i ftuar anëtarët e klasës që të përfytyrojnë sikur janë gazetarë që po njoftojnë një ngjarje nga Alma 14. Çfarë lloj pyetjesh mund t’i bëjnë ata Almës apo Amulekut rreth ngjarjes? Për shembull, “Përse lejoi Zoti që ju dhe njerëz të tjerë të drejtë të vuajnë?” ose “Çfarë këshille keni për ata që po përjetojnë sprova të vështira?” Bazuar tek ajo që dimë nga Alma 14, si mund t’u përgjigjeshin këtyre pyetjeve Alma ose Amuleku?

  • Shumica prej nesh mund ta kuptojnë paksa se si u ndie Amuleku kur dëshmoi vuajtjen e njerëzve besnikë në Amoniha: “vuaj[më] edhe” ne (Alma 14:10) dhe do të donim të bënim diçka rreth asaj. Çfarë mësojmë ne nga ajo që tha Alma në këtë situatë? (Shih Alma 14:8–13.) Ju mund të tregoni thënien nga Presidenti Spenser W. Kimbëll te “Burimet Shtesë”. Ndoshta anëtarët e klasës mund ta përmbledhin mesazhin kryesor të thënies së Presidentit Kimbëll me vetë fjalët e tyre.

Alma 15:16, 18

Dishepullimi kërkon sakrificë.

  • Përvijimi i mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet sugjeron që të renditni se nga çfarë hoqi dorë Amuleku dhe se çfarë fitoi ai kur e përqafoi ungjillin. Ndoshta anëtarët e klasës do të ishin të gatshëm t’i tregonin listat që krijuan, ose ata mund t’i bëjnë këto lista në klasë. Këto shkrime të shenjta mund të ndihmojnë: Alma 10:4–5; 15:16, 18; 16:13–15 dhe 34:8. Përse ishte Amuleku i gatshëm të bënte sakrifica të tilla? Përse jemi ne të gatshëm të bëjmë po ashtu? Si mund ta ndjekim shembullin e Almës, i cili “e fuqizoi [Amulekun] në Zotin”?

Alma 16:1–10

Fjalët e profetëve do të përmbushen.

  • Alma 16 jep shembuj të një personi që i mirëbesoi një profeti, dhe të njerëzve që nuk i mirëbesuan. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të mësojnë nga këta shembuj, ju mund të shkruani në tabelë dy tituj: Zorami dhe Populli i Amonihës. Anëtarët e klasës mund të lexojnë Almën 16:1–10 dhe të shkruajnë nën secilin titull fjalë dhe fraza që përshkruajnë qëndrimin që mbajtën këta njerëz ndaj fjalëve të profetit Alma. Çfarë po bëjmë ne që t’i tregojmë Atit Qiellor se kemi besim në fjalët e profetëve të gjallë?

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Merrni parasysh t’i pyesni anëtarët e klasës nëse kanë dëshiruar ndonjëherë që të mund të përmirësoheshin në përhapjen e ungjillit. Të lexuarit e Almës 17–22 mund t’i frymëzojë ata me ide për t’i ndihmuar që ta përmbushin këtë synim.

ikona e burimeve

Burime Shtesë

Perëndia nuk e parandalon përherë tragjedinë.

Presidenti Spenser W. Kimbëll njëherë vërejti lidhur me shumë prej tragjedive në dukje të pashpjegueshme që ndodhin në botë:

“A mund t’i kishte parandaluar Zoti këto tragjedi? Përgjigjja është: ‘Po’. Zoti është i plotfuqishëm, me të gjithë fuqinë për ta kontrolluar jetën tonë, për të na kursyer dhembje, për të parandaluar të gjitha aksidentet, … madje [dhe për të na mbrojtur] nga vdekja, nëse vërtet do [ta bëjë atë]. Por Ai në të vërtetë nuk do [ta bëjë atë]. …

Nëse të gjithë të sëmurët për të cilët lutemi do të shëroheshin, nëse të gjithë të drejtët do të mbroheshin dhe të ligjtë do të shkatërroheshin, i gjithë plani i Atit do të anulohej dhe parimi bazë i ungjillit, liria e zgjedhjes, do të mbaronte. Asnjë njeriu nuk do t’i duhej të jetonte sipas besimit. …

… Nëse do t’ia mbyllnim dyert dëshpërimit dhe brengës, ne mund të ishim duke përjashtuar miqtë dhe mirëbërësit tanë më të mëdhenj. Vuajtja mund t’i bëjë shenjtorë njerëzit kur ata mësojnë durimin, vuajtjen dhe vetëpërmbajtjen. …

… Jam mirënjohës që edhe nëpërmjet priftërisë, unë nuk mund t’i shëroj të gjithë të sëmurët. Unë mund të shëroja njerëz që duhet të vdesin. Unë mund t’ua lehtësoja vuajtjen njerëzve që duhet të vuajnë. Unë kam frikë se do të pengoja qëllimet e Perëndisë.

Po të kisha fuqi të pakufizuar dhe prapëseprapë largpamësi e kuptueshmëri të kufizuar, unë mund ta kisha shpëtuar Abinadin nga flakët e zjarrit kur u dogj në turrën e drunjve, dhe duke e bërë atë mund t’i kisha bërë dëm të pandreqshëm atij. Ai vdiq martir dhe mori shpërblimin e martirit – ekzaltimin.

Ka të ngjarë që do të kisha mbrojtur Palin prej mjerimeve të tij nëse fuqia ime do të ishte e pakufishme. Me siguri do ta kisha shëruar ‘gjëmb[in] në mish[in]’ e tij. [2 Korintasve 12:7.] Dhe duke e bërë atë, unë mund të kisha penguar planin e Zotit. …

Kam frikë se po të kisha qenë në Burgun e Kartixhit më 27 qershor të vitit 1844, unë mund t’i kisha devijuar plumbat që shpuan trupin e Profetit [Jozef Smith] dhe të Patriarkut [Hajrëm Smith]. Unë mund t’i kisha shpëtuar ata nga vuajtjet dhe agonia, por prej meje do të kishin humbur vdekjen dhe shpërblimin e martirit. …

Me fuqi të tilla të pakontrolluara, me siguri do të kisha dashur ta mbroja Krishtin nga agonia në Gjetseman, nga fyerjet, kurora me gjemba, poshtërimet në gjyq, lëndimet fizike. Do të isha kujdesur për plagët e Tij e do t’i kisha shëruar ato, duke i dhënë ujë freskues në vend të uthullës. Unë mund ta kisha shpëtuar Atë nga vuajtja dhe vdekja dhe t’i kisha humbur botës flijimin e Tij shlyes. …

Përballë tragjedisë së dukshme, ne duhet ta vendosim mirëbesimin tonë te Perëndia, duke e ditur se pavarësisht nga largpamësia jonë e kufizuar, qëllimet e Tij nuk do të dështojnë” (Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball [2006], f. 14–17, 20).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ftoni të mësuarit me zell. “Kur përgatiteni të jepni mësim, në vend që të mendoni ‘Çfarë do të bëj që të jap mësim?’, pyesni veten ‘Çfarë do të bëjnë anëtarët e klasës sime që të mësojnë?’” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 29).