“10–16 Gusht. Alma 53–63: ‘Ruheshin nga Fuqia e Tij Mrekulluese’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“10–16 Gusht. Alma 53–63”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020
10–16 Gusht
Alma 53–63
“Ruheshin nga Fuqia e Tij Mrekulluese”
Ndërsa i shqyrtoni idetë e mësimdhënies në këtë përvijim, mendoni se çfarë do të funksionojë për klasën tuaj dhe përshtatini ose përgatitini veprimtaritë që të përmbushin nevojat e anëtarëve të klasës.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Për t’i nxitur anëtarët e klasës që të tregojnë atë që mësuan nga Alma 53–63, ju mund t’u kërkoni atyre që t’i hedhin një sy të shpejtë kapitujve dhe të kërkojnë një varg që mund t’ia thonë dikujt, i cili po përballet me sfida. Ftojini ata që t’ia thonë këto vargje dikujt që nuk është pjesë e klasës.
Jepeni Mësim Doktrinën
Alma 53:17–21; 56:43–48, 55–56; 57:20–27; 58:39–40
Kur ushtrojmë besim dhe mirëbesim te Perëndia, Ai do të na forcojë.
-
Ju mund ta pasuroni diskutimin tuaj në klasë për luftëtarët e Helamanit duke u bazuar në atë që anëtarët e klasës mësuan në shtëpi. Një mënyrë për ta bërë këtë do të ishte që t’i ftoni anëtarët e klasës të thonë karakteristikat e luftëtarëve djalosharë që u bëjnë përshtypje (disa prej këtyre mund të gjenden tek Alma 53:17–21; 56:45–48; 57:20–21, 26–27; 58:40). Si i ndihmuan këto karakteristika luftëtarët djalosharë gjatë betejave të tyre? Si mund të na ndihmojnë ato gjatë betejave tona shpirtërore? Anëtarët e klasës mund të tregojnë gjithashtu histori të “luftëtarëve djalosharë” të kohës së sotme.
-
Prindërit në klasën tuaj ndoshta shpresojnë që fëmijët e tyre do të zhvillojnë një besim si luftëtarët e rinj të Helamanit. Për t’i ndihmuar prindërit [e tanishëm] dhe të ardhshëm në klasën tuaj që të mësojnë nga historia e tyre, ju mund të organizoni një grup prej disa individësh, të cilët mund të japin ide për ndërtimin e besimit te fëmijët. Kërkojuni këtyre anëtarëve të grupit të lexojnë paraprakisht vargjet tek Alma 56:47–48 dhe 57:20–27, dhe të përgatiten për të shprehur ide rreth asaj që i ndihmoi luftëtarët djalosharë të zhvillonin besim. Jepuni kohë anëtarëve të klasës që t’i shprehin idetë e tyre ndërkohë që anëtarët e grupit paraqesin ide. Burime të tjera që mund ta përmirësojnë këtë diskutim përfshijnë fjalët e Motrës Xhoi D. Xhons te “Burimet Shtesë” dhe mesazhin e Presidentit Rasëll M. Nelson “Një Lutje drejtuar Motrave të Mia” (Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 95–98). Në fund të diskutimit, ju mund t’u jepni anëtarëve të klasës disa çaste që të përsiatin pyetje si ato që vijojnë: Kush mund të jetë duke u mbështetur te dëshmia juaj? Çfarë mund të thoni dhe bëni ju për t’i forcuar ata?
Ne mund të zgjedhim të mendojmë më të mirën për të tjerët dhe të mos fyhemi.
-
Reagimi i Helamanit kur ushtritë e tij nuk po merrnin mbështetje, mund të jetë një shembull i fuqishëm për ne kur mendojmë se na është bërë padrejtësi. Për të nxitur një diskutim rreth shembullit të tij, ju mund ta ftoni një anëtar të klasës që të vijë i përgatitur për të përmbledhur situatën e Helamanit dhe arsyet përse qeveria nuk po u përgjigjej nevojave të tij (shih Alma 58:1–9, 30–37; 61:2–8). Ju mund të shkruani në tabelë: Përgjigjja e Helamanit dhe Përgjigje të tjera të mundshme. Më pas ftojeni klasën të shqyrtojnë vargjet tek Alma 58:1–12 e 30–37, dhe të shkruajnë nën secilin titull përshkrimet e asaj që mendoi, tha dhe bëri Helamani në përgjigje të situatës së tij dhe, në dallim, atë që ai mund të kishte menduar, thënë ose bërë. Çfarë mund të bëjmë ne për ta ndjekur shembullin e Helamanit kur mendojmë se na është bërë padrejtësi apo jemi lënë pas dore?
-
Kur Moroni e kritikoi Pahoranin tek Alma 60, Pahorani mund të kishte zgjedhur të fyhej. Në vend të kësaj ai u përgjigj se “nuk [ishte i] zemëruar” dhe “gëzohe[j] nga zemërmadhësia [e Moronit]” (Alma 61:9). Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të mësojnë nga shembulli i Pahoranit, ju mund t’u kërkoni atyre të përfytyrojnë sikur u është kërkuar të shkruajnë një artikull për një revistë të Kishës që bazohet në shembullin e Pahoranit tek Alma 61, për t’u mësuar se si ta shmangin të qenit të fyer nga të tjerët. Më pas ju mund t’i ndani anëtarët e klasës në grupe dhe t’u kërkoni atyre të lexojnë vargjet tek Alma 61:3–14 dhe të renditin disa pika që mund t’i përfshijnë në artikujt e tyre. Këshilla e Plakut Dejvid A. Bednar te “Burimet Shtesë” mund të japë gjithashtu ndihmesë.
Ne kemi përgjegjësi për t’i lartësuar njerëzit përreth nesh.
-
Moroni shkroi se Perëndia do ta mbante Pahoranin përgjegjës nëse ai me dashje i shpërfillte nevojat e ushtrive nefite. Merreni parasysh që t’i ftoni anëtarët e klasës të lexojnë së bashku tek Alma 60:7–14 dhe më pas kërkojuni atyre të mendojnë për dikë që e njohin, i cili mund të jetë në nevojë dhe ndihet i lënë pas dore. Çfarë mund të bëjmë ne që të jemi në dijeni për nevojat e të tjerëve dhe t’i plotësojmë ato? Si janë plotësuar nevojat tona nga të tjerët, përfshirë vëllezërit dhe motrat tona shërbestare?
Ne duhet ta kujtojmë Zotin gjatë kohëve të fatkeqësisë dhe begatisë.
-
Reagimet e nefitëve si ndaj kohëve të vështira edhe ndaj kohëve të begata (shih Alma 62:39–41, 48–51), tregon se ne mund të zgjedhim të jemi të përulur pavarësisht nëse po përjetojmë fatkeqësi apo begati. Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës që t’i lexojnë këto vargje dhe të tregojnë se çfarë u bëri përshtypje. Ju mund t’i ftoni ata që të diskutojnë për mendimet e tyre në dyshe, përpara se t’u kërkoni disave prej tyre që t’ia thonë ato të gjithë klasës.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Për të frymëzuar interes për Helamanin 1–6, ju mund t’i shpjegoni klasës se në këta kapituj nefitët bëhen të ligj dhe lamanitët të drejtë. Ky ndryshim i roleve mbart mësime të rëndësishme për ne në këto ditë të mëvonshme të rrezikshme.
Burimet Shtesë
T’i bëjmë fëmijët tanë që t’i bëjnë ballë mëkatit.
Motra Xhoi D. Xhons, Presidente e Përgjithshme e Fillores, dha çelësat vijues për të rritur “një brez që i bën ballë mëkatit”:
“Si fillim,… duhet t’i ndihmojmë [fëmijët tanë] të dinë pa asnjë dyshim se janë bij e bija të një Ati të dashur Qiellor dhe se Ai pret gjëra hyjnore prej tyre.
Së dyti, të kuptuarit e doktrinës së pendimit është thelbësor që t’i bëjmë ballë mëkatit. T’i bësh ballë mëkatit nuk do të thotë të jesh pa mëkat, por nënkupton që të jesh vazhdimisht i penduar, vigjilent dhe i guximshëm. Ndoshta bërja ballë mëkatit merret si bekim kur i bëjmë ballë mëkatit në mënyrë të përsëritur. …
… Një zgjidhje e tretë për t’i ndihmuar fëmijët që t’i bëjnë ballë mëkatit, është ta fillojmë me dashuri, që në moshat më të vogla, për t’iu mësuar doktrinat dhe parimet bazë të ungjillit – nga shkrimet e shenjta, Nenet e Besimit, broshura Për Forcën e Rinisë, këngët e Fillores, himnet dhe vetë dëshmitë tona vetjake – që do t’i udhëheqin fëmijët drejt Shpëtimtarit. …
… Ndihma ndaj fëmijëve që të kuptojnë, bëjnë e mbajnë besëlidhje të shenjta është një tjetër zgjidhje. … Të mësuarit e fëmijëve se si t’i mbajnë premtimet e thjeshta kur janë të vegjël, do t’i fuqizojë ata që të mbajnë besëlidhje të shenjta më vonë në jetë” (“Një Brez që i Bën Ballë Mëkatit”, Ensign ose Liahona, maj 2017, f. 88–89).
Si ta shmangim të qenit të fyer.
Në mesazhin e tij “Dhe Nuk Ka Asgjë që Mund t’i Rrëzojë” (Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 89–92; Konferenca e Përgjithshme, tetor 2006, f. 121, 123), Plaku Dejvid A. Bednar dha këshillën vijuese:
-
Pranojeni se të qenit të fyer është një zgjedhje. “Të besosh që dikush ose diçka mund të na bëjë të ndihemi të fyer, të mërzitur, të lënduar, ose të hidhëruar, e zvogëlon lirinë e zgjedhjes sonë të moralshme dhe na shndërron në objekte që pësojnë. Megjithatë, si veprues, ju dhe unë kemi fuqinë të veprojmë dhe të zgjedhim se si do t’i përgjigjemi një rrethane fyese apo lënduese.”
-
Shihni te Shpëtimtari. “Shpëtimtari është shembulli më i madh se si duhet të përgjigjemi ndaj ngjarjeve apo rrethanave që janë mundësisht fyese” [shih 1 Nefi 19:9].
-
Jini të kuptueshëm ndaj dobësive të të tjerëve. “Një nga treguesit më të mëdhenj të pjekurisë sonë shpirtërore, vetjake shfaqet në mënyrën se si i përgjigjemi dobësisë, mungesës së përvojës dhe veprimeve të të tjerëve të cilat mund të shkaktojnë fyerje.”
-
Komunikoni në mënyrë të drejtpërdrejtë. “Nëse një person thotë ose bën diçka që e gjykojmë fyese, detyrimi ynë i parë është të mos pranojmë të fyhemi, dhe pastaj të bisedojmë veçan, me ndershmëri dhe drejtpërdrejt me atë njeri. Një qasje e tillë fton frymëzim nga Fryma e Shenjtë dhe lejon që keqkuptimet të qartësohen dhe qëllimi i vërtetë të kuptohet.”