“26 Tetor – 1 Nëntor. Mormoni 1–6: ‘Unë do të Doja që t’ju Bindja të Gjithëve … të Pendoheni’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“26 Tetor – 1 Nëntor. Mormoni 1–6”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020
26 Tetor – 1 Nëntor
Mormoni 1–6
“Unë do të Doja që t’ju Bindja të Gjithëve … të Pendoheni”
Ndërsa e lexoni Mormonin 1–6, kërkoni të vërteta që mund t’i ndihmojnë anëtarët e klasës suaj të qëndrojnë besnikë në kohë ligësie, ashtu siç bëri Mormoni.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Ndonjëherë anëtarët stepen për t’i shprehur idetë e tyre ngaqë nuk kanë pasur kohë për t’i organizuar mendimet e tyre. Për t’i ndihmuar ata me këtë gjë, jepuni disa minuta kohë për t’i shkruar idetë që fituan nga studimi në shtëpi i Mormonit 1–6; pastaj kërkojuni që t’i shprehin ato.
Jepeni Mësim Doktrinën
Ne mund të jetojmë me drejtësi pavarësisht nga ligësia që është përreth nesh.
-
Shumë nga anëtarët e klasës suaj mund ta kuptojnë përvojën e Mormonit që u përpoq fort të jetonte me drejtësi në një botë të ligë. Ndoshta ata mund të tregojnë se çfarë mësojnë nga shembulli i Mormonit. Për ta bërë këtë diskutim më të lehtë, ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të gjejnë vargje që përcaktojnë cilësitë e Mormonit dhe të bëjnë një listë të atyre cilësive në tabelë (shih, për shembull, Mormoni 1:2–3, 15–16; 2:1, 23–24; 3:1–3, 12, 17–22). Si do ta kenë ndihmuar Mormonin këto cilësi që të qëndronte i fortë shpirtërisht? Si mund të na ndihmojnë ato të jemi më shumë si Mormoni?
-
Mormoni shpesh u shkroi drejtpërdrejt njerëzve në kohën tonë. Çfarë mund të mësojmë nga fjalët e tij drejtuar neve te Mormoni 3:17–22 dhe 5:10–24? Jepini secilit anëtar të klasës një fletë letre me frazën “Këshillat e Mormonit për Ne” të shkruar në krye dhe nxitini ata të gjejnë mesazhe në këto vargje që lidhen me kohën tonë. Si mund ta zbatojmë këshillën e Mormonit për të na ndihmuar të qëndrojmë të fortë shpirtërisht në botën e sotme?
-
Nëse u jepni mësim të rinjve, ju mund ta përdorni shembullin e Mormonit për t’i ndihmuar ata të kuptojnë se mund të jenë udhëheqës të drejtë kur janë të rinj në moshë. Nëse u jepni mësim të rriturve, ju mund ta përdorni shembullin e tij për të nxitur një diskutim rreth mundësive për t’i ndihmuar të rinjtë të jenë udhëheqës të mirë. Për ta nisur diskutimin, ju mund t’u kërkoni disa anëtarëve të klasës që të shqyrtojnë Mormonin 1 dhe të tjerëve që të shqyrtojnë Mormonin 2, duke vënë në dukje mundësitë që iu dhanë Mormonit për të udhëhequr gjatë viteve të tij të hershme. Çfarë cilësish kishte ai që e bënë një udhëheqës të madh? Anëtarët e klasës mund të tregojnë për shembuj që kanë parë të ndikimit të fuqishëm të fëmijëve dhe të të rinjve të drejtë. Ata gjithashtu mund të diskutojnë mbi mundësitë që kanë ata – ose të rinjtë që ata njohin – për të qenë udhëheqës me cilësitë që kishte Mormoni.
Pendimi kërkon një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar.
-
Për të mësuar rreth dallimit midis keqardhjes që çon në pendim, dhe keqardhjes që nuk çon në pendim, merreni parasysh të lexoni së bashku te Mormoni 2:10–15 dhe të diskutoni për pyetje si këto: Cili është roli i “keqardhj[es]” që çon në pendim? Cili është dallimi mes “keqardhj[es] … [që] nuk … çon në pendim” dhe “dhimbj[es së] të mallkuarve”? Cilat qëndrime dhe sjellje mund të na ndihmojnë të kemi “zemra të thyera dhe … shpirtra të penduar”?
Ne mund t’i duam të tjerët, edhe nëse nuk pajtohemi me zgjedhjet e tyre.
-
Ashtu si Mormoni, shumë anëtarë të klasës suaj shoqërohen ngushtë me njerëz që nuk kanë të njëjtat bindje. Si mund ta përdorni përvojën e Mormonit për t’u mësuar anëtarëve të klasës që t’i duan të tjerët pavarësisht nga ndryshimet e tyre? Merreni parasysh që të lexoni së bashku te Mormoni 3:12 dhe të diskutoni për rastet kur Mormoni tregoi dashuri për ata që nuk e pranuan mesazhin e tij dhe ngritën krye me dëshirë kundër Perëndisë (shih, për shembull, Mormoni 1:16–17, 2:12). Çfarë përvojash mund të tregojnë anëtarët e klasës nga vetë jeta e tyre kur treguan dashuri për ata që nuk kishin bindjet ose vlerat e tyre? Thënia nga Presidenti Dallin H. Ouks te “Burimet Shtesë” jep këshilla shtesë.
Jezu Krishti qëndron krahëhapur për të na pranuar.
-
Për ata që nuk kanë shpresë se mund të falen për mëkatet e tyre, përshkrimi i Mormonit për Shpëtimtarin duke qëndruar “krahëhapur për t’ju pranuar ju” mund të jepte siguri. Merreni parasysh të lexoni së bashku te Mormoni 6:17 dhe të tregoni një figurë të Jezu Krishtit me krahë të shtrira (të tillë si Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 66). Çfarë na mëson ky varg për padurimin e Shpëtimtarit për të na ndihmuar? Ju gjithashtu mund të merrni parasysh të këndoni së bashku një himn që jep mësim një mesazh të ngjashëm, të tillë si “Te Jezusi t’Vini” (Himne, nr. 61). Ju gjithashtu mund të tregoni përvojën e Presidentit Rasëll M. Nelson te “Burimet Shtesë” dhe t’u kërkoni anëtarëve të klasës të diskutojnë se si mund t’i ndihmojmë të tjerët që të kuptojnë se pendimi është i mundur.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës të mendojnë se çfarë do t’u shkruanin në një letër njerëzve në të ardhmen. Te Mormoni 7–9, ne lexojmë atë që Mormoni dhe Moroni, shekuj më parë, u shkruan njerëzve në kohën tonë.
Burimet Shtesë
T’i duam të tjerët që besojnë në mënyrë të ndryshme.
Presidenti Dallin H. Ouks shpjegoi:
“Të gjithë ne duhet t’i ndjekim mësimet e ungjillit që ta duam fqinjin tonë dhe ta shmangim grindjen. Pasuesit e Krishtit duhet të jenë shembuj të mirësjelljes. Ne duhet t’i duam të gjithë njerëzit, të jemi dëgjues të mirë dhe të tregojmë shqetësim për bindjet e tyre të sinqerta. Megjithëse mund të mos pajtohemi, ne nuk duhet të jemi fyes. Qëndrimet dhe komunikimi ynë mbi tema të diskutueshme nuk duhet të shkaktojnë grindje. Ne duhet të jemi të mençur në shpjegimin dhe ndjekjen e pikëpamjeve tona dhe në ushtrimin e ndikimit tonë. Duke e bërë këtë, ne kërkojmë që të tjerët të mos fyhen nga bindjet tona të sinqerta fetare dhe nga ushtrimi i lirë i fesë sonë. E nxitim çdonjërin prej nesh të ushtrojë Rregullin e Artë të Shpëtimtarit: ‘Gjithçka, pra, që ju dëshironi t’ju bëjnë njerëzit, ua bëni edhe ju atyre’ (Mateu 7:12).
Kur pikëpamjet tona nuk fitojnë, ne duhet t’i pranojmë me hir rezultatet e pafavorshme dhe të ushtrojmë mirësjellje me kundërshtarët tanë” (Dallin H. Ouks, “Dashuria për të Tjerët dhe të Jetuarit me Ndryshimet”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 26–27).
Pendimi është i mundshëm.
Presidenti Rasëll M. Nelson tregoi përvojën vijuese:
“Vitin e kaluar, ndërsa Plaku Dejvid S. Bakster dhe unë po udhëtonim me makinë për në një konferencë kunji, u ndalëm në një restorant. Më vonë, kur po ktheheshim në makinën tonë, na u afrua një grua e cila po na thërriste. … Ajo na pyeti nëse ishim pleq në Kishë. I thamë se po. Pothuajse pa u rezervuar në fjalor, ajo na tregoi historinë e jetës së saj tragjike, përplot me mëkat. Tashmë, veçse 28‑vjeçare, ishte në gjendje të mjerë. Ndihej e pavlerë, pa pasur më asgjë për të cilën të jetonte. Ndërsa fliste, filloi të dukej ëmbëlsia e shpirtit të saj. Me lutje të përlotur, na pyeti nëse kishte për të ndonjë shpresë, ndonjë mënyrë për të dalë jashtë batakut të saj të pashpresë.
‘Po’, iu përgjigjëm, ‘ka shpresë. Shpresa lidhet me pendimin. Ju mund të ndryshoni. Ju mund “[të vini] te Krishti dhe [të përsoseni] në të”’ [Moroni 10:32]. E nxitëm të mos e shtynte për më vonë [shih Alma 13:27, 34:33]. Ajo qau me përulje dhe na falënderoi sinqerisht.
Ndërsa Plaku Bakster dhe unë vazhduam të udhëtonim, mendonim për atë përvojë. Na u kujtua këshilla që i dha Aaroni një shpirti të pashpresë, duke thënë që: ‘Në qoftë se ti do të pendohesh për të gjitha mëkatet e tua dhe do të përulesh para Perëndisë dhe të thërrasësh emrin e tij me besim, … atëherë do të marrësh shpresën që dëshiron’ [Alma 22:16]. …
… Për atë grua 28‑vjeçare të zhytur në batakun e mëkatit dhe për secilin nga ne, unë shpall se bekimi i ëmbël i pendimit është i mundur. Ai vjen nëpërmjet kthimit të plotë në besim te Zoti dhe te puna e Tij e shenjtë.”
Përveç kësaj, Presidenti Nelson vëzhgoi: “Ne gjithashtu kujtojmë njerëzit mëkatarë që ishin nën kujdesin e udhëheqësit të tyre të shqetësuar, Mormonit, i cili shkruante: ‘Unë isha pa shpresë, pasi i dija gjykimet e Zotit që do të binin mbi ta; meqë ata nuk ishin penduar për paudhësitë e tyre, por po luftonin për jetën e tyre pa i bërë thirrje asaj Qenieje që i kishte krijuar’ (Mormoni 5:2)” (“Pendimi dhe Kthimi në Besim”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 102, 104; Konferenca e Përgjithshme, prill 2007, f. 127, 130).