Eja, Më Ndiq
23–29 Nëntor. Ethëri 12–15: “Me Anë të Besimit të Gjitha Gjërat Plotësohen”


“23–29 Nëntor. Ethëri 12–15: ‘Me Anë të Besimit të Gjitha Gjërat Plotësohen’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“23–29 Nëntor. Ethëri 12–15”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020

Ethëri duke u futur në shpellë

Ethëri Duke u Fshehur në Zgavrën e një Shkëmbi, nga Gary Ernest Smith

23–29 Nëntor

Ethëri 12–15

“Me Anë të Besimit të Gjitha Gjërat Plotësohen”

Qëllimi i këtij përvijimi është që të mos përshkruajë se çfarë do të ndodhë në klasë. Ai është një shtesë – jo një zëvendësues – për zbulesën vetjake. Le ta udhëheqë Shpirti studimin dhe përgatitjen tuaj vetjake, dhe pastaj shihni nëse veprimtaritë në këtë përvijim mund t’i ndihmojnë anëtarët e klasës të zbulojnë dhe thonë parimet e rëndësishme tek Ethëri 12–15.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të tregojnë gjërat që mësuan nga studimi i tyre vetjak ose familjar i shkrimeve të shenjta, ju mund të shkruani në tabelë fraza si: “Kam mësuar se …”, “Kam një dëshmi të …” dhe “Kam përjetuar …”. Ftojini anëtarët e klasës të tregojnë diçka nga Ethëri 12–15 që mund të plotësojë një nga thëniet në tabelë.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

Ethëri 12:2–22

Ne do të marrim një dëshmi të së vërtetës kur ushtrojmë besim te Jezu Krishti.

  • Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të përsiatin se çfarë do të thotë të ushtrosh besim te Jezu Krishti, ju mund t’i pyetni se çfarë figurash ose fjalësh u vijnë në mendje kur dëgjojnë fjalën ushtroj. (Ju madje mund ta shikoni fjalën në një fjalor.) Çfarë ndikimi ka ushtrimi fizik në trupin tonë? Si mund ta zbatojmë këtë parim me besimin? Në çfarë mënyrash mund të “ushtrojmë besim” te Krishti? Anëtarët e klasës mund ta shqyrtojnë Ethërin 12:2–22 dhe të diskutojnë se si ushtruan besim njerëzit e përmendur në këto vargje. Si mund t’i ndjekim ne shembujt e tyre? Sipas këtyre vargjeve, cilat janë rezultatet e ushtrimit të besimit në Jezu Krisht?

  • Shembujt e besimit tek Ethëri 12:7–22 japin një pasqyrë të mirë të historive frymëzuese që i keni studiuar së bashku në Librin e Mormonit. Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë shembuj të tjerë të besimit dhe çfarë mësojnë prej tyre (të tjerë mund të gjenden te Hebrenjve 11). Ata gjithashtu mund të tregojnë shembuj besimtarësh nga historia e tyre familjare ose nga vetë jeta e tyre. Si e kanë forcuar këta shembuj besimin e tyre te Jezu Krishti dhe Ati Qiellor?

  • Ethëri 12 është plot me ide dhe të vërteta rreth besimit. Anëtarët e klasës mund të gjejnë vargje në këtë kapitull që u mësojnë atyre rreth besimit. Pastaj ata mund të shkruajnë në tabelë atë që zbulojnë.

Ethëri 12:1–9, 28, 32

Besimi çon te “shpres[a] … për një botë më të mirë”.

  • A mundet që dikush në klasën tuaj të përshkruajë përse spiranca është e rëndësishme për një anije? Ju mund të tregoni një figurë të një anijeje dhe të një spirance (ose vizatoni një të tillë në tabelë) dhe diskutoni se çfarë do t’i ndodhte një anijeje që nuk ka spirancë. Çfarë ndodh me ne kur nuk kemi shpresë? Anëtarët e klasës më pas mund të lexojnë tek Ethëri 12:4 dhe të shkruajnë rreth mënyrës se si shpresa është si “një spirancë për shpirtrat [tanë]”. Ata mund të lexojnë gjithashtu tek Ethëri 12:1–9, 28 e 32, dhe të tregojnë idetë që marrin rreth shpresës. Për çfarë duhet të shpresojmë? (Shih Ethëri 12:4; Moroni 7:41; shih edhe Gjoni 16:33.)

Ethëri 12:23–29

Nëpërmjet hirit të Jezu Krishtit, gjërat e dobëta mund të bëhen të forta.

  • Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që t’i personalizojnë të vërtetat që mori mësim Moroni rreth dobësisë dhe forcës tek Ethëri 12, ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të mendojnë për dikë që mund të ndihet i shkurajuar për shkak të dobësive të veta. Më pas nxitini anëtarët e klasës që të kërkojnë tek Ethëri 12:23–29, për të gjetur mesazhe që mund ta ndihmojnë atë person. Nëse Moroni do të ishte këtu sot, çfarë do të thoshte ai për t’i dhënë zemër atij ose asaj? Anëtarët e klasës mund të tregojnë gjithashtu përvoja nga vetë jeta e tyre, kur Shpëtimtari ka ndihmuar që “gjërat e dobëta, të bëhen të forta në ta” (Ethëri 12:27). Si është ky ndryshim ndryshe nga përpjekjet vetëpërmirësuese që një person mund të bëjë pa u mbështetur te Shpëtimtari? Për më shumë informacion mbi këtë temë, shihni thënien e Presidentit Henri B. Ajring te “Burimet Shtesë”.

  • Përvoja e Moronit është një nga përvojat e shumta në shkrimet e shenjta që tregojnë se si hiri i Shpëtimtarit mund t’i kthejë dobësitë tona në anë të forta. Mund të jetë e dobishme që ta ndani klasën në grupe, t’i caktoni secilit grup të zgjedhë dikë në shkrimet e shenjta që ka pasur një dobësi dhe të diskutojnë se si Zoti e bëri atë njeri të fortë. Te “Burimet Shtesë” sugjerohen disa shembuj. Ju gjithashtu mund të sugjeroni që anëtarët e klasës të shqyrtojnë përkufizimin e fjalës “hir” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta ose te libri Të Vërtetë ndaj Besimit (faqet 60–62). Si e ilustrojnë fuqinë e hirit të Shpëtimtarit shembujt e shkrimeve të shenjta të cilët ata i studiuan? Si e ftojmë ne këtë fuqi në jetën tonë?

  • Është e zakonshme që t’i krahasojmë dobësitë tona me anët e forta të perceptuara të një individi tjetër; edhe Moroni mendoi se dilte keq kur krahasohej me vëllanë e Jaredit (shih Ethëri 12:24). Përse është e rrezikshme që ta krahasojmë veten tonë me të tjerët? Sipas Ethërit 12:26–27, si dëshiron Zoti që ne t’i shohim dobësitë tona? (Shih edhe thënien nga Presidenti Henri B. Ajring te “Burimet Shtesë”.) Si dëshiron Ai që ne t’i shohim dobësitë e të tjerëve? (Shih Ethëri 12:26.)

Ethëri 13–15

Mospranimi i profetëve sjell rrezik shpirtëror.

  • Duke pasur parasysh të vërtetat e rëndësishme që na mësohen tek Ethëri 12, ju mund të zgjidhni të mos shpenzoni shumë kohë në klasë për kapitujt 13–15. Megjithatë, mund të jetë e dobishme që t’i kërkoni një anëtari të klasës të përmbledhë shkurtimisht atë që ndodh në këta kapituj. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të gjejnë mesazhe kuptimplota në këtë rrëfim, ju mund t’u kërkoni atyre që të plotësojnë frazën “kështu ne shohim …” me një mësim që ata e mësojnë nga rënia e jareditëve. Si ishte rënia e tyre e ngjashme me rënien e nefitëve? (Shih, për shembull, Ethëri 15:19 dhe Moroni 8:28.) Çfarë dëshiron Zoti që ne të mësojmë nga këto rrëfime dhe çfarë mund të bëjmë ne për ta shmangur fatin e jareditëve? Anëtarët e klasës mund të shqyrtojnë gjithashtu mënyrën se si lidhet fundi i librit të Ethërit me vargjet tek Omni 1:19–22; Mosia 8:8 dhe Mosia 28:11–18.

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Javën e ardhshme anëtarët e klasës do të fillojnë të studiojnë librin e Moronit. Mund të jetë interesante për ta të dinë se Moroni nuk e kishte planifikuar fillimisht që të shkruante më shumë pas librit të Ethërit, por ai mbeti gjallë më shumë nga ç’e priste. Këtë javë ata do të fillojnë të lexojnë mesazhet e fundit që Moroni u frymëzua të shkruante para se të vdiste.

ikona e burimeve

Burimet Shtesë

Përparimi shpirtëror kërkon që ne t’i shohim dobësitë tona.

Presidenti Henri B. Ajring, duke komentuar për Ethërin 12:27, dha mësim: “Moroni tha se kur ‘i dëgjo[i] këto fjalë’, ‘u ngushëll[ua]’ (Ethëri 12:29). Ato mund të jenë një ngushëllim për të gjithë ne. Ata të cilët nuk i shohin dobësitë e tyre, nuk përparojnë. Dijenia juaj për dobësitë vetjake është një bekim pasi ju ndihmon të qëndroni të përulur dhe ju bën të ktheheni te Shpëtimtari. Shpirti jo vetëm që ju ngushëllon, por Ai është gjithashtu mjeti nëpërmjet të cilit Shlyerja bën një ndryshim pikërisht në karakterin tuaj. Më pas gjërat e dobëta bëhen të forta” (“Unë Po Ju Lë Paqen”, Ensign ose Liahona, maj 2017, f. 16).

Shembuj: Gjërat e dobëta bëhen të forta.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Jepni mësim arsyen “përse”. “Nganjëherë nxënësit – veçanërisht rinia – pyesin veten se si parimet e ungjillit lidhen me ta ose përse ata duhet t’u binden urdhërimeve të caktuara. Megjithatë, nëse e kuptojnë planin e përjetshëm të Atit Qiellor për lumturinë e fëmijëve të Tij, arsyet për parimet e ungjillit dhe urdhërimet bëhen më të qarta dhe rritet shtytja për t’u bindur” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 20).