“2–8 Nëntor. Mormoni 7–9: ‘Unë Ju Flas sikur të Ishit të Pranishëm’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“2–8 Nëntor. Mormoni 7–9”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020
2–8 Nëntor
Mormoni 7–9
“Unë Ju Flas sikur të Ishit të Pranishëm”
Shqyrtojini mbresat që shënuat gjatë studimit tuaj vetjak të Mormonit 7–9 këtë javë. Cilat fragmente nga këta kapituj mendoni se do të jenë më domethënëse për t’i shqyrtuar me klasën tuaj?
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Që t’u jepni anëtarëve të klasës një mundësi për të treguar diçka që mësuan nga studimi i tyre vetjak ose familjar, ju mund t’i nxitni ata që t’i hedhin një sy të shpejtë Mormonit 7–9 dhe të thonë një fjali (apo varg) për të cilin janë mirënjohës që Mormoni ose Moroni zgjodhi ta përfshinte te fletët.
Jepeni Mësim Doktrinën
Mormoni 7:8–10; 8:12–22; 9:31–37
Libri i Mormonit ka vlerë të madhe.
-
Një mënyrë për të nisur një diskutim për vlerën e madhe të Librit të Mormonit është të flasim për mënyrën se si e përcaktojmë vlerën e një sendi. Si e ndryshon njohuria për vlerën e diçkaje mënyrën se si e përdorim atë? Anëtarët e klasës mund ta shqyrtojnë Mormonin 8:12–22 dhe të thonë atë që tha Moroni për vlerën e Librit të Mormonit (“këtë anal”). Ata gjithashtu mund të tregojnë përvoja vetjake që u kanë treguar atyre vlerën e Librit të Mormonit. Si mund ta tregojmë se ne e vlerësojmë Librin e Mormonit?
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që ta dinë mënyrën se si Libri i Mormonit dhe Bibla e mbështetin njëra‑tjetrën, ju mund t’i ftoni ata të lexojnë te Mormoni 7:8–10 dhe të përmbledhin me fjalët e tyre përshkrimin e Mormonit për të dy analet (“anali që do t’u vijë Johebrenjve nga Judenjtë” i referohet Biblës). Merreni parasysh që të vizatoni në tabelë dy rrathë të mbivendosur dhe emërtojeni njërin Bibla dhe tjetrin Libri i Mormonit. Anëtarët e klasës mund të renditin ngjashmëritë midis të dy librave të shkrimit të shenjtë në pjesën e mbivendosur dhe ndryshimet në pjesët e tjera. Ose, merrni parasysh të renditni disa të vërteta të ungjillit në tabelë dhe t’i ftoni anëtarët e klasës që të shohin tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta për të gjetur vargje nga Libri i Mormonit dhe Bibla, të cilat i ndihmojnë ata t’i kuptojnë të vërtetat.
Ne mund të jemi besnikë edhe kur jemi vetëm.
-
Disa njerëz në klasën tuaj mund të ndihen të vetmuar në përpjekjet e tyre për ta jetuar ungjillin. Çfarë mund të mësojnë nga shembulli i Moronit që mund t’i ndihmojë ata? Merreni parasysh t’i ftoni anëtarët e klasës të lexojnë te Mormoni 8:1–11 dhe të mendojnë për pyetjet që do të donin t’i bënin Moronit, për të mësuar se si qëndroi besnik pavarësisht nga rrethanat e tij të vështira. Çfarë i frymëzon ata nga shembulli i tij? Teksa shprehin mendimet e tyre, nxitini anëtarët e klasës të tregojnë përvoja vetjake kur ata ose të tjerë që i njohin, qëndruan besnikë edhe kur u ndien të vetmuar. Si i ndihmoi Zoti ata?
Libri i Mormonit u shkrua për kohën tonë.
-
Ndërsa i afroheni fundit të studimit të Librit të Mormonit këtë vit, ndoshta anëtarët e klasës mund të reflektojnë mbi arsyen përse mendojnë se ky libër u shkrua për kohën tonë. Ju mund ta filloni diskutimin duke lexuar thënien e Presidentit Ezra Taft Benson te “Burimet shtesë”. Më pas anëtarët e klasës mund të përdorin pyetjet e Presidentit Benson për vargjet te Mormoni 8:26–41. Pse Zoti e frymëzoi Moronin që t’i përfshinte këto fjalë në anal? Si na ndihmojnë ato në kohën tonë?
-
Siç u dha mësim në përvijimin e kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet, Mormoni 9:1–30 përmban mesazhin e Moronit në përgjigje të mungesës së besimit te Jezu Krishti në kohën tonë. Ndoshta ju mund ta ndani klasën në tri grupe dhe ta ftoni secilin grup të gjejë këshillat që janë të dobishme për ta në vargjet vijuese: 1–6 (pasojat e mosbesimit në Krisht), 7–20 (rëndësia e të besuarit në një Perëndi zbulese dhe mrekullish) dhe 21–30 (këshilla e Moronit për ne).
-
Edhe pse Mormoni 9:1–6 u shkrua për “ata që nuk besojnë në Krisht”, është e dobishme për të gjithë ne të përfytyrojmë sikur një ditë do të qëndrojmë përpara Perëndisë për t’u gjykuar. Vërini anëtarët e klasës t’i shqyrtojnë këto vargje, duke kërkuar fjalë ose fraza që përshkruajnë mënyrën se si do të ndihen të ligjtë atë ditë. Çfarë mund të bëjmë ne për t’i shmangur këto ndjenja? Anëtarët e klasës mund të gjejnë ide të dobishme në historinë e treguar nga Presidenti Bojd K. Paker te “Burimet Shtesë”.
-
Shumë njerëz sot besojnë se mrekullitë kanë pushuar. Si mund të përdorni mësimet e Moronit për t’i ndihmuar anëtarët e klasës tuaj të besojnë në një “Perëndi mrekullish?” Ju mund të filloni duke u kërkuar anëtarëve të klasës të shqyrtojnë Mormonin 9:7–26 dhe të kërkojnë mrekullitë në të cilat Moroni na nxit të besojmë. Çfarë mësojmë nga këto vargje rreth Perëndisë dhe veprës së Tij në kohën tonë? Çfarë duhet të bëjmë ne që Perëndia të bëjë mrekulli? (Shih Mormoni 9:20–21.) Çfarë mrekullish kemi parë ne?
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
A e pyesin veten anëtarët e klasës suaj se si mund ta rritin besimin e tyre tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti? Nëse është kështu, ftojini ata të kërkojnë tek Ethëri 1–5 mënyra që ndihmojnë në rritjen e besimit të tyre.
Burimet Shtesë
Libri i Mormonit u shkrua për kohën tonë.
Presidenti Ezra Taft Benson tha:
“Nefitët nuk e patën kurrë librin; as lamanitët e kohëve të lashta. Ai ishte caktuar për ne. …
Secili nga shkruesit e mëdhenj të Librit të Mormonit dëshmoi se ai shkroi për brezat e ardhshëm [shih 2 Nefi 25:21; Jakobi [LiM] 1:3; Mormoni 7:1; 8:34–35]. …
Nëse ata e panë kohën tonë dhe zgjodhën ato gjëra që do të kishin më shumë vlerë për ne, a nuk mjafton kjo që ta studiojmë Librin e Mormonit? Ne duhet ta pyesim veten tonë vazhdimisht: ‘Përse Zoti e frymëzoi Mormonin (ose Moronin apo Almën) që ta përfshinte këtë gjë në analin e tij? Çfarë mësimi mund të nxjerr unë nga ajo, që të më ndihmojë të jetoj në këtë kohë dhe epokë?’” (“The Book of Mormon – Keystone of Our Religion”, Ensign, nëntor 1986, f. 6).
Ne mund të jemi të panjollë.
Presidenti Bojd K. Paker rrëfeu se udhëtoi për gjashtë ditë kur ishte i ri me një ekuipazh ushtarak në një tren të nxehtë e të tymosur mallrash, duke mos pasur asnjë mënyrë për t’u larë ose për të ndërruar rrobat. Në një stacion treni, ekuipazhi i uritur shkoi në një restorant.
“Ishte plot me njerëz dhe kështu iu bashkuam një radhe të gjatë pritjeje për t’u ulur. Unë isha i pari, pikërisht mbrapa disa grave të veshura mirë. Edhe pa u kthyer për të parë, gruaja hijerëndë përpara meje shpejt u bë e vetëdijshme që ne ishim atje.
Ajo u kthye dhe na vështroi. Pastaj ajo u kthye dhe më vështroi nga koka te këmbët. Isha atje në këmbë me atë uniformë të djersitur, të papastër, të nxirë e të rrudhosur. Ajo tha me një ton neverie: ‘Ua, ç’burra shkatarraqë!’ Të gjithë sytë u kthyen drejt nesh.
Pa dyshim ajo dëshironte që ne të mos ishim atje; unë dëshiroja të njëjtën gjë. Ndihesha aq i pistë sa ç’isha, në siklet dhe i turpëruar.”
Më pas Presidenti Paker citoi Mormonin 9:4 dhe e krahasoi përvojën e tij me të qenit shpirtërisht i papastër në praninë e Perëndisë. Duke dëshmuar se Shlyerja e Jezu Krishtit ishte e vetmja mënyrë që ai të bëhej i pastër shpirtërisht, më pas ai tha:
“A mund ta përfytyroni se si u ndjeva kur më në fund e kuptova se po të ndiqja çfarëdo kushtesh që kishte vendosur Shëlbuesi, nuk do të më duhej kurrë të duroja agoninë e të qenit i papastër shpirtërisht? Përfytyrojeni ndjenjën ngushëlluese, çliruese dhe ekzaltuese që do t’ju vijë kur ta kuptoni realitetin e Shlyerjes dhe vlerën praktike të përditshme të saj për ju individualisht” (“Washed Clean”, Ensign, maj 1997, f. 9–10).