Eja, Më Ndiq
16–22 Nëntor. Ethëri 6–11: “Që e Keqja të Mund të Zhduket”


“16–22 Nëntor. Ethëri 6–11: ‘Që e Keqja të Mund të Zhduket’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“16–22 Nëntor. Ethëri 6–11”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020

maunet jaredite në det

Unë do t’ju Nxjerr Përsëri nga Thellësitë, nga Jonathan Arthur Clarke

16–22 Nëntor

Ethëri 6–11

“Që e Keqja të Mund të Zhduket”

Mbani mend se analet që përfshihen në Librin e Mormonit u shkruan për kohën tonë. Ndërsa përgatiteni për të dhënë mësim, këqyrini me vëmendje këto rrëfime të shkrimeve të shenjta për parime që mund t’i forcojnë anëtarët e klasës për t’u përballur me sfidat në jetën e tyre.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të tregojnë diçka që e gjejnë kuptimplote tek Ethëri 6–11, ju mund t’i ftoni ata të përfytyrojnë sikur këta kapituj janë duke u bërë film; çfarë fraze nga Ethëri 6–11 do të sugjeronin si titull? Jepuni kohë të mendojnë për këtë gjë dhe ftojini të thonë titujt e tyre e të shpjegojnë pse i zgjodhën ato.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

Ethëri 6:1–12

Zoti do të na udhërrëfejë gjatë udhëtimit tonë në vdekshmëri.

  • Përvijimi i kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet sugjeron krahasimin e udhëtimit të jareditëve përmes detit me udhëtimin tonë nëpër vdekshmëri. Kërkojuni anëtarëve të klasës që e provuan këtë veprimtari në shtëpi të thonë idetë që morën nga kjo analogji. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të bëjnë krahasime të mëtejshme në klasë, ftojini ata që të shohin tek Ethëri 6:1–12 për hollësi rreth udhëtimit, të cilat mund të kenë kuptim simbolik (të tillë si gurët e shndritshëm, maunet dhe era) dhe t’i renditin ato në tabelë. Më pas anëtarët e klasës mund të kalojnë disa minuta kohë duke punuar në dyshe ose në grupe të vogla për t’i studiuar vargjet dhe për të diskutuar se çfarë mund të përfaqësojnë këto simbole në jetën tonë. Për shembull, cila është “tok[a jonë] e premtuar”? (Vargu 8.) Si na udhëheq Perëndia në udhëtimin tonë?

  • Ju mund t’i përdorni vargjet tek Ethëri 6:1–12 për të frymëzuar një diskutim se si kthimi te Perëndia na ndihmon të rritemi përmes sprovave tona. Për shembull, citimi te “Burimet Shtesë” mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës ta krahasojnë “erë[n] e tmerrshme” të përmendur te vargjet 5–8 me fatkeqësitë e jetës. Çfarë bënë jareditët kur “[u] rrethua[n] nga shumë ujë”? (Vargu 7.) Anëtarët e klasës mund të tregojnë përvoja në të cilat vështirësitë e tyre i ndihmuan që të shkonin përpara. Si i ndihmoi mënyra se si reaguan ndaj sprovave të tyre që të përparonin drejt “tokës së [tyre të] premtuar”? Si i ndihmoi Zoti gjatë vështirësive të tyre? Nxitini ata që të përmendin fjalë dhe fraza nga Ethëri 6 kur tregojnë përvojat dhe mendimet e tyre.

    jareditë duke udhëtuar me kafshë

    Udhëtimi i Jareditëve përmes Azisë, nga Minerva Teichert

Ethëri 6:7–18, 30; 9:28–35; 10:1–2

Zoti na bekon kur jemi të përulur.

  • Megjithëse pjesa më e madhe e historisë së jareditëve ilustron pasojat negative të krenarisë dhe ligësisë, ajo gjithashtu përfshin periudha përulësie dhe përparimi nga të cilat mund të mësojmë. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të mësojnë nga këta shembuj pozitivë, ju mund ta ndani klasën në dy grupe dhe ta caktoni një grup të lexojë vargjet tek Ethëri 6:7–18 dhe 30, ndërsa grupin tjetër të lexojë vargjet tek Ethëri 9:28–35 dhe 10:1–2. Kërkojuni atyre të shohin te këto vargje për prova se jareditët e kishin përulur veten e tyre – ose u përulën nga rrethanat e tyre – dhe mënyrën se si i bekoi Zoti si rrjedhojë e kësaj. Kur anëtarët e klasës të kenë pasur kohë të mjaftueshme, ftoni anëtarë nga secili grup që të thonë atë që mësuan. Si na ndihmon të qenit të përulur që të afrohemi më shumë me Perëndinë? Këndimi ose dëgjimi i një himni rreth përulësisë, të tillë si “Çdo Or’ më Duhesh Ti” (Himne nr. 51), mund t’i shtojë vlerë kësaj veprimtarie.

Ethëri 7–11

Udhëheqësit e drejtë i drejtojnë njerëzit për te Perëndia.

  • Edhe ata që nuk kanë mbajtur kurrë një pozicion udhëheqjeje zyrtar, mund të mësojnë nga shembujt e mbretërve të drejtë dhe të ligj të jareditëve; këto rrëfime mund të na ndihmojnë të bëhemi udhëheqës më të mirë në shtëpitë tona, në komunitetet tona dhe në kishë. Ndoshta ju mund të filloni një diskutim mbi këtë temë duke u kërkuar anëtarëve të klasës të mendojnë për dikë që ata e konsiderojnë se është një udhëheqës i mirë. Ftojini ata të thonë shkurtimisht disa nga cilësitë e atij personi dhe të bëjnë një listë në tabelë. Pastaj ju mund t’i caktoni secilit anëtar të klasës të mësojë rreth njërit prej mbretërve jareditë tek Ethëri 7–11. (Një listë e mbretërve, me referenca nga shkrimet e shenjta që përshkruajnë mbretërimin e tyre, gjendet në përvijimin e kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet.) Anëtarët e klasës mund të thonë atë që mësojnë nga këta mbretër për udhëheqjen, duke i shtuar cilësi të tjera që gjejnë listës në tabelë. Cilësitë e tjera pozitive të një udhëheqësi janë të renditura te “Burimet Shtesë”. Si mund t’i zhvillojmë këto cilësi dhe të jemi udhëheqës, edhe nëse nuk kemi një detyrë të posaçme udhëheqjeje?

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Për të nxitur interesin e anëtarëve të klasës që të lexojnë tek Ethëri 12–15, ju mund të përmendni se në këta kapituj Moroni i shprehu Zotit disa nga pasiguritë e tij rreth analit që po mbante. Përgjigjja e Zotit mund të na ndihmojë kur kemi ndjenja të ngjashme papërshtatshmërie.

ikona e burimeve

Burimet Shtesë

Sprovat tona na përgatitin që të marrim jetë të përjetshme.

Duke folur në një konferencë të përgjithshme gjatë viteve të vështira të Luftës II Botërore, Plaku Çarls A. Kallis, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Na thuhet se kur jareditët në maunet e tyre u nisën drejt kësaj toke premtimi, pati shtrëngata të furishme e të tmerrshme. Erërat frynin dhe ata qenë në një rrezik të pashmangshëm gjatë gjithë kohës që ishin në atë udhëtim të rrezikshëm. Perëndia i mbështeti ata. Dhe ne lexojmë që, megjithëse këto tufane dhe shtrëngata frynë me tërbim, gati për të shkatërruar, era frynte vazhdimisht në drejtim të Tokës së Premtuar. Dhe këto fatkeqësi nëpër të cilat po kalojmë, këto luftëra të tmerrshme dhe të gjitha gjërat e frikshme që po mbizotërojnë, janë në fuqinë e Perëndisë. Ai mund t’i ndalë ato kur Ai të dojë, kur të përmbushen qëllimet e Tij hyjnore. Por, le të mos harrojmë se përmes këtij deti mundimesh, fatkeqësitë tona, përvojat përmes të cilave kalojmë dhe të cilat Perëndia do t’i bëjë të veprojnë së bashku për të mirën tonë, në qoftë se ne do t’i bindemi Atij – të gjitha këto po na çojnë përpara drejt strehës së prehjes, drejt një të ardhmeje të lavdishme, drejt jetës së përjetshme” (në Conference Report, prill 1943, f. 62).

Cilësitë e udhëheqësve të drejtë.

“Në mbretërinë e Perëndisë, madhështi dhe udhëheqje do të thotë t’i shohim të tjerët siç janë në të vërtetë – siç i sheh Perëndia – dhe më pas t’iu afrohemi e t’u japim shërbesë atyre. Do të thotë të gëzohemi me ata që janë të lumtur, të vajtojmë me ata që hidhërohen, të ngremë moralisht ata që vuajnë dhe ta duam të afërmin tonë sikurse na do Krishti. …

… Udhëheqja në Kishë nuk ka të bëjë dhe aq me drejtimin e të tjerëve, sesa ka të bëjë me gatishmërinë tonë për t’u drejtuar nga Perëndia” (Diter F. Uhtdorf, “Më i Madhi prej Jush”, Ensign ose Liahona, maj 2017, f. 79–80).

“Vetëm ata që janë të shëndetshëm shpirtërisht, e kanë kapacitetin për ta lartësuar dhe për ta nxitur njëri‑tjetrin për shërbim më të madh, arritje më të mëdha, forcë më të madhe” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson [2014], f. 260).

“Bota jep mësim që udhëheqësit duhet të jenë të fuqishëm; Zoti na mëson që ata duhet të jenë zemërbutë. Udhëheqësit e botës fitojnë fuqi dhe ndikim nëpërmjet talentit, aftësisë dhe pasurisë së tyre. Udhëheqësit si Krishti fitojnë fuqi dhe ndikim ‘nëpërmjet bindjes, nëpërmjet durimit, nëpërmjet mirësjelljes dhe zemërbutësisë dhe nëpërmjet dashurisë së pashtirur’ [DeB 121:41]” (Stiven W. Ouen, “Udhëheqësit më të Mëdhenj Janë Ndjekësit më të Mëdhenj”, Ensign ose Liahona, maj 2016, f. 70).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Nxitni një mjedis plot respekt. A mendoni se çdo njeri në klasë ndihet rehat për t’i shprehur mendimet dhe ndjenjat e tyre? “Ndihmojini anëtarët e klasës suaj për të kuptuar që secili prej tyre e ndikon shpirtin e klasës. Nxitini që t’ju ndihmojnë të krijoni një mjedis të hapur, të dashur dhe të respektueshëm, me qëllim që çdo njeri të ndihet i sigurt për të treguar përvoja, për të bërë pyetje dhe për të dhënë dëshmitë e veta” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 15).