“4–10 Shkurt. Mateu 4; Lluka 4–5: ‘Fryma e Zotit Është mbi Mua’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)
“4–10 Shkurt. Mateu 4; Lluka 4–5”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019
4–10 Shkurt
Mateu 4; Lluka 4–5
“Fryma e Zotit Është mbi Mua”
Teksa e studioni Mateun 4 dhe Llukën 4–5, shënojini mbresat tuaja shpirtërore. Kjo do të ftojë frymëzim për mënyrën se si t’i plotësoni më së miri nevojat e klasës suaj. Ju mund të merrni parasysh gjithashtu të përdorni Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet, si edhe këtë përvijim të mësimit për të gjetur ide të mëtejshme.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Leximi i kësaj jave përfshin këtë thënie: “Ata habiteshin nga mësimi i tij, sepse fjala e tij ishte me autoritet” (Lluka 4:32; shih edhe Marku 1:22). Cilat vargje nga këta kapituj mund të tregojnë anëtarët e klasës, të cilat i ndihmuan ata ta ndiejnë vetë fuqinë doktrinore?
Jepni Mësim Doktrinën
Ati Qiellor na ka dhënë fuqinë dhe mjetet për t’i bërë ballë tundimit.
-
Rrëfimi për Shpëtimtarin që i bën ballë Satanit, mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës të dallojnë mënyrat në të cilat Satani përpiqet t’i tundojë ata. Anëtarët e klasës mund të zgjedhin një prej tundimeve te Mateu 4:1–11 ose Lluka 4:1–13 dhe të mendojnë për një tundim të ngjashëm modern (thëniet te “Burime Shtesë” mund të vijnë në ndihmë). Përse është e dobishme të dimë që Shpëtimtari hasi tundime të ngjashme me ato që hasim ne sot? Përse Krishti qe në gjendje t’i bënte ballë tundimit? Për shembuj të tjerë nga shkrimi i shenjtë të njerëzve që i bënë ballë Satanit, shih Zanafilla 39:7–20; 2 Nefi 4:16–35; dhe Moisiu 1:10–22.
-
Një mënyrë për të nxitur diskutim rreth Mateut 4:1–11 dhe Llukës 4:1–13 mund të jetë që të shkruani dy pyetje në tabelë: Çfarë mësojmë për Krishtin nga kjo histori? dhe Çfarë mësojmë për Satanin? Më pas, ftojini anëtarët e klasës t’i këqyrin fragmentet për të gjetur përgjigjet për këto pyetje, dhe t’i shkruajnë përgjigjet e tyre në tabelë.
-
Çfarë mund ta ndihmojë klasën tuaj t’i bëjë ballë tundimit? Ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës që t’i rishikojnë rastet te Mateu 4:1–11 ose Lluka 4:1–13, në të cilat njohuria e Shpëtimtarit për shkrimet e shenjta e ndihmoi që t’i përgjigjej Satanit (duke thënë: “Është shkruar”). Jepuni kohë anëtarëve të klasës që të gjejnë e tregojnë shkrimet e shenjta, të cilat mund t’i forcojnë e fortifikojnë ata kur ndihen të tunduar. (Për ide, ata mund të shikojnë pjesën “Tundoj, Tundim” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, [f. 191].)
Jezu Krishti është Mesia i premtuar.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës suaj ta kuptojnë më mirë këtë rrëfim, ju mund të shpjegoni që të dy titujt, Mesia dhe Krisht, kanë kuptimin “i vajosuri”. Ndërsa e lexojnë Llukën 4:18–21, kërkojuni atyre të mendojnë se ç’do të thotë që Jezusi është Krishti, Mesia apo i Vajosuri. Atyre gjithashtu mund t’u duket e dobishme të lexojnë “Vajosur(I) I” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, [f. 202]. Si e shpall sot Jezusi se Ai është Mesia? Ftojini anëtarët e klasës të tregojnë se si arritën ta merrnin dijeninë që Jezu Krishti është Shpëtimtari i tyre.
-
Mund të merren disa mësime të dobishme kur e studiojmë arsyen përse njerëzit e Nazaretit nuk e pranuan që Jezusi ishte Mesia për të cilin ishte profetizuar. Një mënyrë për ta bërë këtë mund të jetë duke vërejtur ndryshimin ndërmjet qëndrimit të tyre me atë të vejushës së Sareptës dhe Naamanit në Dhiatën e Vjetër. Ju mund të komunikoni me disa anëtarë të klasës që më parë dhe t’u kërkoni atyre që të vijnë të përgatitur për ta përmbledhur secilin prej këtyre rrëfimeve (shih 1 Mbretërve 17:8–24; 2 Mbretërve 5:1–17; Lluka 4:16–30). Çfarë na mësojnë këto rrëfime rreth mrekullive dhe reagimit kundrejt shërbëtorëve të Perëndisë? A shikojnë pjesëtarët e klasës ndonjë mesazh për anëtarët e Kishës sot në fjalët e Shpëtimtarit drejtuar popullit të Nazaretit?
Zotimi për ta ndjekur Krishtin nënkupton pranimin e vullnetit të Tij dhe heqjen dorë nga vullneti ynë.
-
Ndonjëherë, udhërrëfimi që na jep Zoti, duket pa kuptim në fillim. Anëtarët e klasës mund ta shqyrtojnë Llukën 5:1–11, duke kërkuar atë çfarë Shpëtimtari i kërkoi Pjetrit dhe arsyen përse Pjetri mund të ketë pasur dyshim në udhëzimet e Tij. Si mund të ketë ndikuar kjo përvojë në pikëpamjet e Pjetrit për Shpëtimtarin dhe veten? Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të tregojnë përvoja në të cilat ata e shfaqën besimin e tyre te udhëheqja hyjnore, pavarësisht se nuk kishin një kuptueshmëri të plotë. Cili qe rezultati i ushtrimit të besimit nga ana e tyre?
-
Ashtu sikurse peshkatarët “lanë çdo gjë” për ta ndjekur Jezu Krishtin (Lluka 5:11), ka gjëra të cilat ne duhet t’i lëmë që të bëhemi dishepujt e Tij. Çfarë nënkupton Mateu 4:18–22 rreth qëndrimeve dhe besimit të Pjetrit, Andreas, Jakobit dhe Gjonit? Mund të jetë e dobishme të sillni një rrjetë peshkimi në klasë dhe t’i ftoni anëtarët e klasës të shkruajnë gjërat të cilat ata janë të gatshëm t’i lënë ose të cilat i kanë lënë tashmë për ta ndjekur Krishtin, dhe t’i vendosin brenda rrjetës. Merrni parasysh t’i ftoni disa anëtarë të klasës të tregojnë se si ka ndryshuar jeta e tyre, kur kanë zgjedhur të lënë çdo gjë për ta ndjekur Shpëtimtarin.
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
Për t’i frymëzuar anëtarët e klasës që ta lexojnë Gjonin 2–4 gjatë javës në vijim, ju mund t’u kërkoni të përsiatin atë se çfarë mendojnë ata se do të thotë të “lindni përsëri”. U thoni se leximi i javës së ardhshme do t’i ndihmojë ata që t’i përgjigjen kësaj pyetjeje.
Burime Shtesë
Jezusi është Mesia.
“Jesus Declares He Is the Messiah” [“Jezusi Shpall se Ai Është Mesia”] (video, LDS.org)
Llojet e tundimit.
Pasi foli për llojet e tundimit me të cilat u përball Shpëtimtari në shkretëtirë, Presidenti Dejvid O. Mek-Kei dha mësim:
“Pothuajse çdo tundim që më vjen mua dhe juve, vjen në një nga tre format:
1) Një tundim oreksi apo pasioni;
2) Një dorëzim ndaj krenarisë, modës apo sqimës;
3) Një dëshirë për pasuritë apo pushtetin e kësaj bote dhe për sundim mbi vende apo zotërime tokësore të njerëzve” (Teachings of Presidents of the Church: David O. McKay [2003], f. 82).
Duke folur për përvojën e Jezusit te Mateu 4, Plaku Xhefri R. Holland dha mësim:
“‘Në qoftë se je Biri i Perëndisë, thuaj që këta gurë të bëhen bukë.’ …
Tundimi nuk është te ngrënia. … Tundimi, të paktën pjesa tek e cila dëshiroj të përqendrohem, është që ta bënte atë në këtë mënyrë, ta merrte bukën e Tij – kënaqësinë e Tij trupore, lehtësimin për urinë e Tij njerëzore – në mënyrën e lehtë, me anë të shpërdorimit të fuqisë dhe pa qenë i gatshëm për të pritur kohën e duhur dhe mënyrën e duhur. …
‘Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu poshtë’ nga maja e këtij tempulli. …
Tundimi këtu është edhe më i stërholluar sesa i pari. Ai është një tundim i shpirtit, i një urie vetjake më reale sesa nevoja për bukë. A do ta shpëtonte Perëndia Atë? … Përse të mos e merrte konfirmimin shpirtëror, të ftonte një grupim engjëjsh besnikë dhe t’i përgjigjej këtij demoni të vogël që ta ha shpirtin me pyetje – gjithçka vetëm me një thirrje të fuqisë së Perëndisë? …
Por Jezusi e refuzoi tundimin e shpirtit. Refuzimi dhe vetëpërmbajtja janë gjithashtu pjesë e përgatitjes hyjnore. … Edhe Biri i Perëndisë duhet të presë. Shëlbuesi, i cili kurrë nuk do t’i jepte hir të pavlerë të tjerëve, as që nuk kishte gjasa të kërkonte sadopak nga ai për vete. …
… ‘Unë do të t’i jap të gjitha këto, nëse ti bie përmbys para meje dhe më adhuron.’
Satani … [pyet]: ‘Cili është çmimi yt? Bukës së pavlerë i reziston. Dramës së rëndomtë mesianike i reziston, por asnjë njeri nuk mund t’i rezistojë kësaj pasurie të botës. Thuaje çmimin tënd.’ Satani vijon me nenin e tij të parë të mosbesimit fetar – bindjen e plotë se mund të blesh çdo gjë në këtë botë me para.
Jezusi një ditë do të sundojë botën. Ai do të qeverisë çdo principatë e pushtet në të. Ai do të jetë Mbret i Mbretërve dhe Zot i Zotëve. Por jo në këtë mënyrë” (“The Inconvenient Messiah”, Ensign, shkurt 1984, f. 68–71).