“11–17 Shkurt. Gjoni 2–4: ‘Duhet të Lindni Përsëri’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)
“11–17 Shkurt. Gjoni 2–4”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019
11–17 Shkurt
Gjoni 2–4
“Duhet të Lindni Përsëri”
Leximi i Gjonit 2–4 është mënyrë e mirë për ta filluar përgatitjen për të dhënë mësim. Mbajeni shënim çfarëdo mbrese shpirtërore që merrni, dhe përdoreni këtë përvijim të mësimit për të gjetur këndvështrime të mëtejshme dhe ide për mësimdhënien.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Shkruani tri tituj në tabelë: Gjoni 2, Gjoni 3 dhe Gjoni 4. Jepuni anëtarëve të klasës disa minuta kohë që t’i përsëritin këta kapituj, dhe pastaj kërkojuni që të shkruajnë nën secilin titull një varg që i ka ndihmuar ta kuptojnë doktrinën dhe ngjarjet në atë kapitull. Diskutoni për vargjet që shkruan.
Jepni Mësim Doktrinën
Jeta jonë ndryshon kur e ndjekim Jezu Krishtin.
-
Ndonjëherë ne mund të marrim ide shpirtërore duke i kushtuar vëmendje hollësive në një rrëfim të shkrimit të shenjtë. Merrni parasysh t’i ftoni anëtarët e klasës ta lexojnë Gjonin 2:1–11 dhe t’i renditin hollësitë që e thellojnë vlerësimin e tyre për mrekullinë te festa e dasmës. Si e manifestoi kjo mrekulli lavdinë e Perëndisë? (shih vargun 11).
-
Ajo që mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës ta kuptojnë këtë histori, është nëse e gjykojnë mrekullinë nga këndvështrimet e pashoqe të atyre që e dëshmuan atë. Si është qëndrimi ynë ndaj mrekullive ndonjëherë i ngjashëm me qëndrimet e njerëzve te festa e dasmës – për shembull, ashtu si i Maries, e cila e dinte se mund të ndodhte një mrekulli, ose si e të parit të festës, i cili nuk ishte në dijeni se kishte ndodhur një mrekulli? Merreni parasysh t’i ftoni disa anëtarë të klasës që të japin një rrëfim të festës sikur të ishin një prej njerëzve të pranishëm.
Ne mund t’i mbrojmë vendet dhe gjërat e shenjta.
-
Si mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës të mësojnë nga rrëfimi për Jezusin kur i dëboi këmbyesit e parave nga tempulli? Si mund t’i mbrojnë ata vendet dhe gjërat e shenjta, të tilla si shtëpitë, kishat, tempujt dhe shkrimet e shenjta? Kjo thënie nga Presidenti Dejvid O. Mek-Kei mund të jetë e dobishme: “‘Mos e bëni shtëpinë e Atit tim shtëpi tregtie!’ (Gjoni 2:16.) Fitimi dhe shpenzimi i parave, … të kritikuarit dhe veçanërisht përgojimi i fqinjëve në një shtëpi adhurimi, janë në thelb shkelje të këtij urdhri të dhënë afro dy mijë vjet më parë” (në Conference Report, tetor 1956, f. 7). Si mund ta ruajmë shenjtërinë e tempullit dhe të vendeve të tjera të shenjta?
Ne duhet të lindim përsëri që të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës ta kuptojnë ftesën e Jezusit për të lindur përsëri (shih Gjoni 3:3), ju mund t’i ftoni ata që të tregojnë idetë që marrin nga ajo që Shpëtimtari i mësoi Nikodemit në këto vargje. Çfarë fjalësh dhe frazash përdori Ai? Çfarë shkrimesh të tjera të shenjta apo thëniesh të tjera nga udhëheqës të Kishës mund ta rritin shkallën e të kuptuarit të anëtarëve të klasës për këtë ftesë? (Shih Topical Guide [Tema të Ungjillit], “Man, New, Spiritually Reborn” [“Njeri, Ri (I), Rilindur Shpirtërisht (I)”]; [“Lindur (I) Përsëri, Lindur (I) Nga Perëndia”, Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, f. 105] për shembuj të shkrimeve të shenjta; shih “Burimet Shtesë” për thënie nga udhëheqës të Kishës.)
-
Si mund t’ia shpjegojnë anëtarët e klasës një personi të një besimi tjetër fetar se çfarë do të thotë të lindësh përsëri? Si do ta përfshinin ata pendimin, pagëzimin dhe konfirmimin në këtë bisedë? Merrni parasysh t’i ftoni anëtarët e klasës që ta praktikojnë me personin ulur pranë tyre, se si do t’i përgjigjeshin kësaj pyetjeje. Citati nga Profeti Jozef Smith te “Burimet Shtesë” mund të kontribuojë në këtë diskutim.
-
Disa njerëz besojnë se një njeri në të vërtetë nuk mund të ndryshojë; Nikodemi, sidoqoftë, është shembull i një personi që në të vërtetë ndryshoi si rezultat i ndjekjes së ungjillit të Jezu Krishtit. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që ta kuptojnë këtë, ju mund t’i ftoni të shqyrtojnë Gjonin 3:1–2; Gjonin 7:40–52; dhe Gjonin 19:39–40. Çfarë mësojmë nga këto fragmente rreth qëndrimeve dhe bindjeve të Nikodemit? Si ndryshoi ai me kalimin e kohës? Çfarë shembujsh të njerëzve që njohim mund të tregojmë, të cilët kanë ndryshuar për shkak të ungjillit?
-
Të shikuarit e një foshnjeje apo figure të një foshnjeje mund t’i japë klasës suaj një mundësi të mirë për t’i krahasuar cilësitë e një të porsalinduri me cilësitë e dikujt që ka rilindur shpirtërisht.
Jezu Krishti na ofron ujin e gjallë dhe “ushqim[in]” e bërjes së punës së Perëndisë.
-
Trupat tanë kanë nevojë për ushqim dhe ujë përditë. Jezusi iu referua këtyre nevojave universale si kur mësoi gruan samaritane ashtu edhe dishepujt e Tij. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës ta kuptojnë atë çfarë po jepte mësim Shpëtimtari, ju mund të vendosni figura ushqimi dhe uji në tabelë dhe t’i ftoni anëtarët e klasës të shkruajnë nën secilën figurë të vërtetat shpirtërore që dha mësim Jezusi. Si mund ta shuajë etjen tonë shpirtërore adhurimi i Perëndisë në shpirt e të vërtetë? Si kënaqet uria jonë shpirtërore nga bërja e vullnetit të Perëndisë?
-
Reflektimi mbi përparimin e dëshmisë së gruas samaritane për Jezu Krishtin mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës suaj që të përsiatin mënyrën se si kanë arritur ta dinë se Ai është Mesia. Si klasë, kërkoni termat që përdori gruaja samaritane për t’iu referuar Shpëtimtarit te Gjoni 4:6–30. Çfarë lënë të kuptojnë këto terma rreth dijenisë së saj për atë se kush ishte Jezusi? Si jemi rritur ne në dëshminë tonë se Ai është Shpëtimtari ynë?
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
Për t’i frymëzuar anëtarët e klasës që ta lexojnë Mateun 5 dhe Llukën 6, u thoni atyre se këta kapituj përmbajnë atë që Presidenti Jozef Filding Smith e quajti “[predikimi] më [i] shkëlqyer që u predikua ndonjëherë, për aq sa ne dimë” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Filding Smith [2013], f. 239).
Burime Shtesë
Materiale filmike për veprat dhe mësimet e Jezusit.
“Jesus Turns Water into Wine” [“Jezusi Shndërron Ujin në Verë”], “Jesus Cleanses the Temple” [“Jezusi Pastron Tempullin”], “Jesus Teaches of Being Born Again” [“Jezusi Jep Mësim për Lindjen Përsëri”], “Jesus Teaches a Samaritan Woman” [“Jezusi Mëson një Grua Samaritane”] (LDS.org).
Çfarë do të thotë të lindesh përsëri?
Profeti Jozef Smith dha mësim: “Ju do të mund të pagëzonit njëlloj një thes me rërë në vend të një njeriu dhe do të kishte të njëjtën pasojë, nëse nuk do të bëhej nga pikëpamja e heqjes së mëkateve dhe marrjes së Frymës së Shenjtë. Pagëzimi me ujë është vetëm gjysmë pagëzim dhe nuk vlen për asgjë pa gjysmën tjetër – që është pagëzimi i Frymës së Shenjtë” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 99).
Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim: “Kthimi [në besim] … është i fuqishëm, jo i pakët – një rilindje shpirtërore dhe ndryshim themelor i asaj që ndiejmë dhe dëshirojmë, i asaj që mendojmë dhe bëjmë si dhe i asaj që jemi. Në të vërtetë, thelbi i ungjillit të Jezu Krishtit shkakton një ndryshim themelor e të përhershëm në vetë natyrën tonë, i mundësuar nga mbështetja mbi ‘merita[t] dhe mëshirë[n] dhe hiri[n e] Mesias së Shenjtë’ (2 Nefi 2:8). Kur zgjedhim ta ndjekim Mësuesin, ne zgjedhim të ndryshojmë – të rilindim shpirtërisht” (“Ye Must Be Born Again”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 20; [“Duhet të Lindni Sërish”, Konferenca e Përgjithshme, prill 2007, f. 20]).
Plaku D. Tod Kristoferson dha mësim: “Ju mund të pyesni: ‘Përse nuk ndodh më shpejt ky ndryshim i madh me mua?’ Ju duhet të kujtoni se shembujt mbresëlënës të popullit të mbretit Beniamin, të Almës dhe të disa të tjerëve në shkrimin e shenjtë, janë pikërisht të tillë – mbresëlënës dhe jo tipikë. Për shumicën prej nesh, ndryshimet janë më graduale dhe ndodhin me kalimin e kohës. Të lindurit rishtas, ndryshe nga lindja jonë fizike, është më shumë një proces sesa një ngjarje. Dhe angazhimi në këtë proces është qëllimi kryesor i jetës në vdekshmëri” (“I Lindur Përsëri”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 78).
Plaku Dallin H. Ouks dha mësim:
“Ne u lindëm përsëri kur hymë në një marrëdhënie besëlidhjeje me Shpëtimtarin tonë duke u lindur nga uji dhe nga Shpirti dhe duke marrë mbi vete emrin e Jezu Krishtit. Ne mund ta ripërtërijmë atë rilindje çdo ditë Shabati, kur marrim sakramentin.
Shenjtorët e ditëve të mëvonshme pohojnë se ata që kanë lindur përsëri në këtë mënyrë, janë bij dhe bija të lindura shpirtërisht të Jezu Krishtit (shih Mosia 5:7; 15:9–13; 27:25). Megjithatë, me qëllim që t’i marrim bekimet e caktuara për këtë gjendje të lindjes-përsëri, ne prapëseprapë duhet t’i mbajmë besëlidhjet tona dhe të durojmë deri në fund. Ndërkohë, nëpërmjet hirit të Perëndisë, ne kemi lindur përsëri si krijesa të reja me prindërim të ri shpirtëror dhe perspektivën e një trashëgimie të lavdishme” (“Have You Been Saved?” Ensign, maj 1998, f. 56).