“28 Janar – 3 Shkurt. Mateu 3; Marku 1; Lluka 3: ‘Përgatitni Udhën e Zotit’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)
“28 Janar – 3 Shkurt. Mateu 3; Marku 1; Lluka 3”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019
28 Janar – 3 Shkurt
Mateu 3; Marku 1; Lluka 3
“Përgatitni Udhën e Zotit”
Teksa e lexoni dhe përsiatni Mateun 3; Markun 1; dhe Llukën 3, mbajini shënim mbresat që merrni. Kjo do ta ftojë Shpirtin teksa përgatiteni. Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet dhe idetë në vijim mund t’ju ndihmojnë që t’i frymëzoni njerëzit në klasën tuaj ta kuptojnë dhe ta zbatojnë doktrinën në këto shkrime të shenjta.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të tregojnë se si të mësuarit nga Dhiata e Re po e bekon jetën e tyre, ju mund ta shkruani pyetjen vijuese në tabelë: Çfarë bëtë ndonjë gjë për shkak të asaj që lexuat në Dhiatën e Re këtë javë?
Jepni Mësim Doktrinën
Dishepujt e përgatitin veten dhe të tjerët për ta pranuar Jezu Krishtin.
-
Si përgatitemi ne për vizitën e një të ftuari të rëndësishëm? Një pyetje si kjo mund t’ju ndihmojë të nisni një diskutim për mënyrën se si Gjon Pagëzori i përgatiti njerëzit ta pranonin Jezu Krishtin. Më pas, ju mund ta ndani klasën në tre grupe që të lexojnë Mateun 3:1–6; Mateun 3:7–12; dhe Llukën 3:10–15, duke këqyrur mënyrën se si Gjon Pagëzori i përgatiti njerëzit ta pranonin Jezu Krishtin në jetën e tyre. Lëreni secilin grup që me radhë të tregojë atë çfarë gjetën.
-
Ashtu siç veproi Gjon Pagëzori, profetët e gjallë na ndihmojë që të përgatitemi për ta pranuar Shpëtimtarin në jetën tonë. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të krijojnë lidhjen midis profetëve të ditëve të sotme dhe Gjon Pagëzorit, ju mund të rishikoni mësimet e Gjon Pagëzorit te Mateu 3:1–12 dhe Lluka 3:2–18 dhe disa këshilla nga konferenca e përgjithshme më e fundit. Si na ndihmon bindja ndaj kësaj këshille profetike që të përgatitemi për ta pranuar Shpëtimtarin?
-
Përkthimi prej Joseph Smith-it, Lluka 3:4–11 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, f. 230) siguron ide lidhur me misionin e Jezu Krishtit përtej asaj çfarë gjendet te Lluka 3:4–6. Çfarë mësojnë anëtarët e klasës nga këto vargje rreth Shpëtimtarit dhe nevojës sonë për t’u penduar?
Ne kemi nevojë të japim “fryte të denja pendimi”.
-
Te Lluka 3:8, Gjon Pagëzori u dha mësim njerëzve që përpara se të mund të pagëzoheshin, ata duhet të shfaqnin “fryte” apo prova të pendimit të tyre. Si mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës t’i dallojnë provat e pendimit të tyre vetjak? Ju mund t’u kërkoni atyre ta shqyrtojnë Llukën 3:8–14 dhe të kërkojnë se çfarë quajti “fryte” të pendimit Gjoni. Ata mund të rishikojnë edhe Moronin 6:1–3 dhe Doktrina e Besëlidhjet 20:37. Ju mund të vizatoni një pemë me fruta në tabelë dhe t’i lini anëtarët e klasës t’i emërtojnë frutat në pemë me “fryte[t]” e pendimit që do të gjejnë. Kjo mund të jetë gjithashtu një kohë e mirë për të folur rreth asaj çfarë do të thotë të pendohesh me të vërtetë. Nxirrni në pah që një mënyrë se si ne mund t’i “drejto[jmë] shtigjet e tij” (Lluka 3:4), është duke u penduar për çfarëdo pengese që do ta ndalonte Shpirtin të na prekte neve.
-
Të kënduarit e himnit “Më Shum’ Shenjtëri m’Jep”, Himne, nr. 69, mund të nxitë diskutim lidhur me mënyrën se si pendimi mund të na ndihmojë të bëhemi më shumë si Shpëtimtari. Për një material filmik muzikor të këtij himni, shih mormontabernaclechoir.org.
Ne e ndjekim Jezu Krishtin kur pagëzohemi dhe marrim Frymën e Shenjtë.
-
Për ta rishikuar historinë e pagëzimit të Jezu Krishtit, provojeni këtë ide: Pyetini anëtarët e klasës për mënyrën se si mund ta përdorin Mateun 3:13–17 për t’i dhënë mësim dikujt, si p.sh. një fëmije ose një personi të një besimi tjetër fetar, rreth pagëzimit. (Ata mund të përdorin edhe figurën në përvijimin e mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet.) Cilat elemente të rëndësishme të pagëzimit do të theksonin ata? Ata mund t’i vënë në zbatim idetë e tyre duke i dhënë mësim njëri-tjetrit.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës ta kujtojnë pagëzimin e vet dhe të reflektojnë mbi rëndësinë e të jetuarit të besëlidhjeve të tyre të pagëzimit, ju mund t’i ftoni ata ta lexojnë Mateun 3:13–17 dhe thënien e Plakut Robert D. Hejls te “Burime Shtesë”. Anëtarët e klasës mund të gëzohen duke folur rreth ndjenjave të tyre për vetë pagëzimin e tyre dhe besëlidhjen e tyre të pagëzimit. Ata mund të këndojnë edhe “Eja, Më Ndiq”, Himne, nr. 60.
-
Gjon Pagëzori dha mësim se Shpëtimtari do të pagëzonte “me Frymën e Shenjtë dhe me zjarrin” (Mateu 3:11). Pagëzimi me zjarr ndodh kur ne konfirmohemi dhe marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë. Përse duhet ta kemi dhuratën e Frymës së Shenjtë që të përparojmë në mbretërinë e Perëndisë? Çfarë ndikimi ka pagëzimi me zjarr dhe me Frymën e Shenjtë në ne? (shih Alma 5:14). Materiali filmik “Baptism of the Holy Ghost” [“Pagëzimi me Frymën e Shenjtë”] (LDS.org) mund të ndihmojë në këtë diskutim.
-
Këtu është një veprimtari që do t’i ndihmojë anëtarët e klasës të diskutojnë më tepër për doktrinën e pagëzimit. Shkruajini pyetjet vijuese në tabelë dhe referencat e shkrimit të shenjtë në shirita letre. Ftojini anëtarët e klasës të zgjedhin shiritat dhe më pas ta lexojnë secilin shkrim të shenjtë së bashku si klasë. Diskutoni se cila pyetje merr përgjigjen më të mirë nga secili shkrim i shenjtë. A ka shkrime të tjera të shenjta ose ide të tjera që mund të ndihmojnë për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve?
-
Çfarë na mësojnë shkrimet e shenjta rreth domosdoshmërisë për t’u pagëzuar? (3 Nefi 11:38)
-
Çfarë simbolizon pagëzimi me anë të zhytjes? (Romakëve 6:3–5)
-
Si duhet ta ndryshojnë besëlidhjet e mia të pagëzimit mënyrën se si jetoj? (Mosia 18:8–10)
-
Përse nuk i pagëzojmë foshnjat? (Moroni 8:8–12)
-
Përse është e rëndësishme që pagëzimi të kryhet nga dikush me autoritet, jo thjesht me qëllim të çiltër? (Hebrenjve 5:4)
-
Nëse jam pagëzuar tashmë në një kishë tjetër, përse kam nevojë që të pagëzohem sërish? (DeB 22:1–4)
-
Përse pagëzimi duhet të pasohet nga marrja e dhuratës së Frymës së Shenjtë? (Gjoni 3:5)
-
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
Për t’i nxitur anëtarët e klasës ta studiojnë Mateun 4 dhe Llukën 4–5 në shtëpi, ftojini të mendojnë për një tundim me të cilin po përballen, dhe u thoni se këta kapituj do t’u mësojnë atyre se çfarë bëri Shpëtimtari kur u përball me tundime.
Burime Shtesë
Kuptimi i besëlidhjeve tona të pagëzimit.
Plaku Robert D. Hejls dha mësim:
“Kur ne e kuptojmë besëlidhjen tonë të pagëzimit dhe dhuratën e Frymës së Shenjtë, ajo do të ndryshojë jetën tonë dhe do të krijojë besnikërinë tonë të plotë ndaj mbretërisë së Perëndisë. … Hyrja në mbretërinë e Perëndisë është aq e rëndësishme sa Jezusi u pagëzua për të na treguar ‘ngushtimin e shtegut’ [2 Nefi 31:9]. …
Kur ndjekim shembullin e Jezusit, ne gjithashtu tregojmë se do të pendohemi dhe do të jemi të bindur në mbajtjen e urdhërimeve të Atit tonë në Qiell. Ne e përulim veten me një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar kur i pranojmë mëkatet tona dhe kërkojmë falje për shkeljet tona [shih 3 Nefi 9:20]. Ne besëlidhim se jemi të gatshëm të marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit dhe ta kujtojmë gjithmonë Atë. …
Duke zgjedhur të jemi në mbretërinë [e Perëndisë], ne e veçojmë – nuk e izolojmë – vetveten nga bota. Veshja jonë do të jetë e thjeshtë, mendimet tona të dëlira, të folurit tonë i pastër. Filmat dhe televizioni që shohim, muzika që dëgjojmë, librat, revistat dhe gazetat që lexojmë, do të jenë lartësuese. Ne do të zgjedhim miq që na i nxitin synimet tona të përjetshme dhe do t’i trajtojmë të tjerët me mirësi. Ne do t’i shmangim veset e imoralitetit, bixhozit, duhanit, pijeve alkoolike dhe drogave të paligjshme. Veprimtaritë tona të së dielës do të pasqyrojnë urdhërimin e Perëndisë që ta kujtojmë ditën e Shabatit dhe ta mbajmë atë të shenjtë. Ne do ta ndjekim shembullin e Jezu Krishtit në mënyrën se si i trajtojmë të tjerët. Ne do të jetojmë të denjë për të hyrë në shtëpinë e Zotit” (“The Covenant of Baptism: To Be in the Kingdom dhe of the Kingdom”, Ensign, nëntor 2000, f. 7–8).