“25–31 Mars. Mateu 14–15; Marku 6–7; Gjoni 5–6: ‘Mos Kini Frikë’” Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)
“25–31 Mars. Mateu 14–15; Marku 6–7; Gjoni 5–6”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019
25–31 Mars
Mateu 14–15; Marku 6–7; Gjoni 5–6
“Mos Kini Frikë”
Ndërsa përgatiteni për të dhënë mësim nga Mateu 14–15; Marku 6–7; dhe Gjoni 5–6, kërkoni mesazhe që lidhen me klasën tuaj. Teksa e bëni këtë, merrni parasysh mënyrën se si t’i përfshini anëtarët e klasës në një përvojë kuptimplotë me shkrimet e shenjta.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Një mënyrë për të filluar një diskutim mbi këta kapituj është duke i ftuar disa anëtarë të klasës që të përzgjedhin secili një kapitull nga leximi dhe të vijnë të përgatitur për të dhënë një mesazh nga ai kapitull që ishte domethënës për ta. Ndërkohë që ata tregojnë, anëtarët e tjerë të klasës mund të bëjnë pyetje ose të shtojnë ide.
Jepni Mësim Doktrinën
Jezu Krishti Është Biri i Dashur i Atit Qiellor.
-
Te Gjoni 5, Jezusi dha disa ide rreth Vetes së Tij, Atit të Tij dhe marrëdhënies së Tij me Atin. Për ta ndihmuar klasën që t’i zbulojë këto ide, provojeni t’i ndani ata në grupe dhe t’u jepni atyre disa minuta për të renditur sa më shumë të vërteta që gjejnë te vargjet 16–47 rreth karakterit të Perëndisë, Jezu Krishtit dhe marrëdhënies së Tyre. Ftojini grupet që t’i lexojnë me radhë të vërtetat nga listat e tyre derisa të jetë treguar çdo e vërtetë në secilën listë. Si na ndihmojnë këto të vërteta për ta kuptuar më mirë Atin tonë Qiellor dhe Birin e Tij? Si mund ta ndjekim shembullin e Jezu Krishtit të bindjes ndaj Atit?
-
Një veprimtari në përvijimin e mësimit të kësaj jave tek Eja, më Ndiq – Për Individët dhe Familjet, i fton nxënësit të vënë re çdo herë që Jezusi e përdor fjalën Atë te Gjoni 5. Ftojini disa anëtarë të klasës që të tregojnë atë që mësuan ndërsa e përmbushën veprimtarinë. Çfarë idesh fituan rreth Atit Qiellor dhe Birit të Tij të Dashur? Çfarë na mëson ungjilli i rivendosur, i cili na ndihmon ta kuptojmë më mirë se kush është Ati ynë dhe përse ne e adhurojmë Atë? Disa ide mund të gjenden te pjesa e Udhëzuesit për Shkrimet e Shenjta për “Perëndi, Kokë e Perëndisë” dhe te pjesa “Perëndia Atë” në Të Vërtetë ndaj Besimit, f. 119–121. Si pjesë e këtij diskutimi, ju mund të këndoni, dëgjoni apo lexoni “O Ati Im”, Himne, nr. 190, si klasë.
Mateu 14:16–21; Marku 6:33–44; Gjoni 6:5–14
Shpëtimtari mund ta lartësojë ofertën tonë për t’i përmbushur qëllimet e Tij.
-
Çfarë mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës të gjejnë domethënie vetjake në mrekullinë e Jezusit kur ushqeu pesë mijë njerëz? Ju mund të pyetni se si leximi rreth mrekullisë e rrit besimin e tyre në aftësinë e Shpëtimtarit për t’i bekuar ata personalisht. A kanë ndier ata ndonjëherë se mjetet apo aftësitë e tyre ishin të pamjaftueshme për ta përmbushur një synim apo një urdhërim nga Perëndia? A kanë ndier ata ndonjëherë se Shpëtimtari i lartësoi apo i shumoi përpjekjet e tyre, që t’i ndihmonte ata të arrinin diçka e cila dukej e pamundur?
-
Materiali filmik “The Feeding of the 5,000” [“Të Ushqyerit e 5.000 Njerëzve”] (LDS.org) mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës që të përsiatin mbi mrekullinë e përshkruar në këto fragmente. Çfarë hollësish mund të gjejmë në këtë rrëfim që e shtojnë besimin tonë te Shpëtimtari? Në çfarë mënyrash mund të na ushqejë shpirtërisht Shpëtimtari? Kur jemi ushqyer dhe përkrahur nga Jezu Krishti? Si shembull të një mrekullie në kohën tonë që është i ngjashëm me mrekullinë e bukëve dhe të peshqve, shihni materialin filmik “Pure and Simple Faith” [“Besim i Kulluar dhe i Thjeshtë”] (LDS.org) ose Paul VanDenBerghe, “Power in Prayer” [“Fuqi në Lutje”], New Era, korrik 2012, f. 34–36.
Jezu Krishti na fton t’i lëmë mënjanë frikën dhe dyshimet tona në mënyrë që të vijmë më plotësisht tek Ai.
-
Tregimi te Mateu 14:22–33 mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës që ta shtojnë besimin e tyre te Shpëtimtari dhe dëshirën e tyre për ta ndjekur Atë. Ftojini anëtarët e klasës që ta lexojnë këtë tregim, duke i kushtuar vëmendje të veçantë fjalëve të thëna nga Krishti, Pjetri dhe Apostujt e tjerë. Si mund ta kenë ndihmuar fjalët e Jezusit Pjetrin që të kishte besim për ta lënë barkën dhe për të ecur mbi ujë? Si zbatohen për ne sot këshillat e Jezusit që të “qetësoh[emi]” dhe të “mos k[emi] frikë” (vargu 27)? Çfarë mund të mësojmë nga Pjetri për atë se çfarë do të thotë të jesh një dishepull i Jezu Krishtit dhe t’i mirëbesosh Atij?
-
Mateu 14:22–33 përmban fjalë dhe fraza të cilat mund t’i frymëzojnë anëtarët e klasës që të ushtrojnë besim më të madh te Shpëtimtari. Kërkojuni atyre që të shohin për fjalë dhe fraza të tilla frymëzuese, t’i shkruajnë ato në tabelë dhe të diskutojnë mbi ato që shkruan. A mund të bëjnë një lidhje anëtarët e klasës me përvojën e Pjetrit? Ju mund t’i nxitini ata që të mendojnë dhe të tregojnë përvoja në të cilat ata, ashtu si edhe Pjetri, ndërmorën veprime për ta ndjekur Shpëtimtarin, edhe kur rezultati ishte i pasigurt. Çfarë mësuan ata nga përvoja? Si u ka ardhur Jezu Krishti në ndihmë në çastet e tyre të frikës dhe dyshimit?
Si dishepuj të Krishtit, ne duhet të jemi të gatshëm ta besojmë të vërtetën dhe ta pranojnë atë edhe kur është e vështirë për ta bërë këtë gjë.
-
Ngjarjet te Gjoni 6 mund të sigurojnë një këndvështrim të dobishëm kur njerëzit e vënë në dyshim doktrinën, historinë apo rregullat e Kishës së Krishtit. Në këtë kapitull, disa ndjekës të Jezusit refuzuan që t’i pranonin mësimet e Tij se Ai ishte Buka e Gjallë dhe se mund të shpëtoheshin vetëm nëpërmjet sakrificës së mishit e gjakut të Tij. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që ta zbatojnë këtë tregim në jetën e tyre, ju mund të shkruani në tabelë pyetje si ato që vijojnë dhe t’u kërkoni anëtarëve të klasës që t’i kërkojnë përgjigjet në vargjet 22–71: Çfarë prisnin njerëzit? (shih vargun 26). Në vend të kësaj, çfarë u ofroi Krishti atyre? (shih vargun 51). Çfarë keqkuptuan njerëzit? (shih vargjet 41–42, 52). Cilat janë disa nga mënyrat se si mund të zgjedhim të ecim me Krishtin edhe kur kemi pyetje? Ftojini ata të përsiatin mbi pyetjen e Shpëtimtarit dhe përgjigjen e Pjetrit te vargjet 67–69. Cilat janë disa doktrina, ordinanca apo “fjalë jete të përjetshme” të tjera që mund të gjenden vetëm në Kishën e rivendosur të Krishtit? Ftojini anëtarët e klasës që të tregojnë mënyrën se si i kanë bekuar këto doktrina dhe ordinanca ata dhe familjet e tyre. Për ide nga një Apostull i ditëve të sotme, ftojeni një anëtar të klasës të lexojë thënien e Plakut M. Rasëll Ballard te “Burimet Shtesë”.
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
Anëtarët e klasës mund të ndihen të frymëzuar që t’i lexojnë fragmentet për orën e ardhshme mësimore, nëse vini në dukje se ngjarjet për të cilat ata lexojnë, mund ta pasurojnë përvojën e tyre të të dëgjuarit të konferencës së përgjithshme. Nxitini ata të vijnë në orën e ardhshme të mësimit gati për t’i treguar idetë e tyre.
Burime Shtesë
“A doni edhe ju të largoheni?”
Pasi citoi Gjonin 6:68–69, Plaku M. Rasëll Ballard dha mësim:
“Për disa, ftesa e Krishtit për të besuar dhe qëndruar vazhdon të jetë e rëndë – ose e vështirë për t’u pranuar. Disa dishepuj kanë vështirësi të kuptojnë një rregullore apo mësim të caktuar të Kishës. Disa gjejnë probleme te historia jonë ose te papërsosuritë e disa anëtarëve dhe udhëheqësve, të mëparshëm e të tanishëm. Ende, të tjerë e quajnë të vështirë të jetojnë një fe që kërkon kaq shumë. Së fundmi, disa janë ‘lodhur së bëri mirë’ [DeB 64:33]. Për këto arsye dhe të tjera, disa anëtarë të Kishës lëkunden në besimin e tyre, duke e pyetur veten nëse ndoshta duhet të ndjekin ata që ‘u tërhoqën dhe nuk shkuan më’ me Jezusin.
Nëse ndonjëri prej jush po luhatet në besimin e vet, unë ju bëj të njëjtën pyetje që bëri Pjetri: ‘Te kush do të shkoni?’ …
… Para se ta bëni atë zgjedhje shpirtërisht të rrezikshme për t’u larguar, unë ju nxit të ndaloni e të mendoni me kujdes përpara se të hiqni dorë nga çfarëdo gjëje që ju solli së pari te dëshmia juaj për Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit. Ndaloni dhe mendoni për atë që keni ndier këtu dhe arsyen përse e ndiet atë. Mendoni për ato raste kur Fryma e Shenjtë ju ka dhënë dëshmi për të vërtetën e përjetshme” (“Te Kush të Shkojmë?” Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 90–91).