“15–21 Korrik. Veprat e Apostujve 10–15: ‘Fjala e Perëndisë Rritej dhe Përhapej’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)
“15–21 Korrik. Veprat e Apostujve 10–15”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019
15–21 Korrik
Veprat e Apostujve 10–15
“Fjala e Perëndisë Rritej dhe Përhapej”
Studimi me lutje i Veprave të Apostujve 10–15 përpara leximit të këtij përvijimi të mësimit do t’ju ndihmojë të merrni mbresa nga Zoti. Idetë më poshtë janë vetëm sugjerime.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Ftojini anëtarët e klasës t’i tregojnë një personi që është ulur pranë tyre, një përvojë misionare nga Veprat e Apostujve 10–15 e cila u la mbresa. Ftojini disa studentë që t’ia tregojnë idetë e tyre tërë klasës.
Jepni Mësim Doktrinën
Veprat e Apostujve 10; 11:1–18; 15:1–25
Ati Qiellor na mëson rresht pas rreshti nëpërmjet zbulesës.
-
Disa anëtarë të klasës mund të kenë nocione të gabuara në lidhje me procesin e marrjes së zbulesës. Mund të jetë e dobishme për ta të diskutoni për mënyrën se si i erdhi zbulesa Pjetrit dhe për mënyrën se si mund të bëjnë përpara “pa asnjë ngurrim” (Veprat e Apostujve 10:20), kur zbulesa duket e paplotë apo e paqartë. Merrni parasysh të bëni një vizë në tabelë dhe të shkruani në njërin fund të vizës Ungjilli duhet t’u predikohet johebrenjve. Si klasë, shqyrtojini Veprat e Apostujve 10 dhe 11:1–18, dhe më pas shtoni pika çështjeje karshi vizës që tregojnë mënyrën se si Zoti ia zbuloi Pjetrit hap pas hapi se kishte ardhur koha për t’ia predikuar ungjillin johebrenjve. Për shembull, ju mund të filloni me një pikë të titulluar “Korneli pa një vegim” (Veprat e Apostujve 10:1–6) ose madje mund të filloni me urdhrin e Shpëtimtarit dhënë dishepujve të Tij që të “bëni[n] dishepuj nga të gjithë popujt” te Mateu 28:19. Çfarë mund të mësojmë rreth zbulesës nga përvoja e Pjetrit? Çfarë i shtojnë diskutimit mësimet e Nefit për zbulesën te 2 Nefi 28:30 dhe mësimet nga Plaku Dejvid A. Bednar dhe Plaku Dallin H. Ouks te “Burimet Shtesë”?
-
Si mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës të mendojnë më thellë për mënyrën se si e marrin zbulesën? Ju mund t’i studioni rastet te shkrimet e shenjta në të cilat Zoti i dha mësim njerëzve rresht pas rreshti. Përveç përvojës së Pjetrit te Veprat e Apostujve 10, anëtarët e klasës mund të shqyrtojnë përvojat e Nefit (1 Nefi 18:1–3), Almës (Alma 7:8; 16:20) dhe Mormonit (3 Nefi 28:17, 36–40). Për çfarë shembujsh të tjerë mund të mendojnë anëtarët e klasës, në të cilët njerëzit morën udhërrëfim shpirtëror “pak këtu dhe pak atje”? (2 Nefi 28:30). Përse mund të zgjedhë Zoti ndonjëherë që t’i zbulojë gjërat në këtë mënyrë në vend që të na i japë përgjigjet të gjitha njëherësh? (Shih DeB 50:40; 98:12.) Një analogji si kjo mund të vijë në ndihmë: Mendoni sikur dikush të sugjeronte që të bënit një lëndë mësimore për llogaritjet [e avancuara] përpara se të mësonit algjebër apo gjeometri. Si do të përgjigjeshit? Si lidhet kjo me modelin e Zotit për zbulimin e së vërtetës?
-
Ndonjëherë anëtarët kanë pyetje ose shqetësime rreth ndryshimeve në rregulloret dhe programet në Kishë. Kjo mund t’i ndihmojë të diskutojnë për mënyrën se si zbulesa për të filluar predikimin e ungjillit te johebrenjtë (shih Veprat e Apostujve 10) zëvendësoi udhëzimet e mëparshme të Zotit për dishepujt e Tij (shih Mateu 10:1, 5–6). Si mund t’i përgjigjeshin anëtarët e klasës një personi në kohën e Pjetrit, i cili nuk binte dakord me udhëzimin e Pjetrit ngaqë ajo binte ndesh me rregulloret e mëparshme? Si mund të na ndihmojë zbulesa te Veprat e Apostujve 10 që t’ia vëmë veshin zbulesës së vazhdueshme të Zotit përmes profetit të Tij?
-
Mund të jetë interesante ta shqyrtoni këshillimin e përbashkët që ndodhi mes Apostujve, siç përshkruhet te Veprat e Apostujve 15:1–22 dhe letrën që ata u shkruan shenjtorëve (shih vargjet 23–29). Ju mund të shfaqni materialin filmik “The Jerusalem Conference” [“Konferenca e Jerusalemit”] (LDS.org). Ç’pyetje kishin dishepujt? Si kërkuan përgjigje ata? Thënia nga Presidenti Gordon B. Hinkli te “Burimet Shtesë” mund të hedhë më shumë dritë në lidhje me mënyrën se si Zoti e udhëheq Kishën e Tij nëpërmjet zbulesës dhënë apostujve dhe profetëve.
“Perëndia nuk tregohet i anshëm.”
-
A do të ishte i dobishëm për anëtarët e klasës suaj një diskutim rreth kuptimit të frazës “nuk tregohet i anshëm”? Ju mund të filloni duke e ftuar klasën që të lexojë shkrimet e shenjta që na mësojnë se Perëndia nuk tregohet i anshëm, të tilla si Romakëve 2:1–11; 1 Nefi 17:34–40; 2 Nefi 26:32–33; Alma 5:33; Moroni 8:12; dhe Doktrina e Besëlidhje 1:34–35. Kërkojuni anëtarëve të klasës të shkruajnë përkufizime të mundshme të frazës “nuk tregohet i anshëm”, bazuar tek ajo që lexojnë dhe më pas të tregojnë atë që shkruan. Juve mund t’ju duhet t’i ndihmoni anëtarët e klasës të kuptojnë se [fakti] që Perëndia “nuk tregohet i anshëm”, nuk do të thotë që Ai e bekon gjithkënd njëlloj pavarësisht nga veprimet tona. Ai do që të gjithë fëmijët e Tij ta pranojnë ungjillin e Tij, por plotësia e bekimeve të ungjillit rezervohet për ata që i bëjnë dhe i mbajnë besëlidhjet me Të. Si tregojnë ngjarjet dhe parimet te Veprat e Apostujve 10:34–48 që Perëndia nuk tregohet i anshëm? Si mund të “pran[ohen]” dhe “favoriz[ohen]” të drejtët nga Perëndia edhe ndonëse Ai nuk tregohet i anshëm? (Shih Veprat e Apostujve 10:34–35; 1 Nefi 17:35.)
Lutjet e të drejtëve mund të sjellin mrekulli të mëdha.
-
Rrëfimi për çlirimin e Pjetrit nga burgu te Veprat e Apostujve 12:1–17 mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës për ta ngritur besimin e tyre te fuqia e lutjes. Ndoshta një anëtar i klasës mund të vijë i përgatitur për të treguar hollësitë e kësaj historie dhe dëshminë e vet për lutjen. Ose ju mund të ftoni një apo më shumë anëtarë të lagjes apo degës të tregojnë përvoja në të cilat ata e ndien apo e dëshmuan fuqinë e lutjeve të bashkuara të anëtarëve. Ju mund të këndoni edhe himne rreth lutjes (të tilla si “Lutjen a e The?” Himne, nr. 78) dhe të diskutoni për atë që na mësojnë himnet rreth fuqisë së lutjes.
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
Ftojini anëtarët e klasës të përsiatin arsyet përse ne ndonjëherë dështojmë që të flasim për ungjillin me të tjerët. Sugjeroni që studimi i Veprave të Apostujve 16–21 mund t’i ndihmojë t’i mposhtin pengesat që mund t’ua vështirësojnë shpërndarjen e ungjillit.
Burime Shtesë
Marrja e zbulesës rresht pas rreshti.
Plaku Dejvid A. Bednar paraqiti vëzhgimet në vijim rreth modelit të Zotit për zbulesën: “Shumë prej nesh zakonisht supozojnë se do të marrim një përgjigje apo një mbresë për lutjet dhe përgjërimet tona më të zellshme. Dhe ne gjithashtu shpesh presim që një përgjigje apo mbresë e tillë do të vijë menjëherë dhe e gjitha njëherësh. Kështu që ne priremi të besojmë se Zoti do të na japë një përgjigje të madhe shpejt dhe të gjithën njëherësh. Sidoqoftë, modeli i përshkruar në mënyrë të përsëritur në shkrimet e shenjta sugjeron që ne marrim ‘rresht pas rreshti, parim pas parimi’ ose me fjalë të tjera, shumë përgjigje të vogla për gjatë një periudhe kohe. Të dalluarit dhe të kuptuarit e këtij modeli është një çelës i rëndësishëm për marrjen e frymëzimit dhe ndihmës nga Fryma e Shenjtë” (“Line upon Line, Precept upon Precept”, New Era, shtator 2010, f. 3–4).
Plaku Dallin H. Ouks dha këtë këshillë: “Ne duhet t’i studiojmë gjërat tërësisht në mendjen tonë, duke përdorur fuqitë arsyetuese që Krijuesi ynë ka vendosur brenda nesh. Më pas ne duhet të lutemi për udhërrëfim dhe nëse e marrim atë, të veprojmë sipas tij. Nëse nuk marrim udhërrëfim, ne duhet të veprojmë sipas gjykimit tonë më të mirë” (“Our Strengths Can Become Our Downfall”, Ensign, tetor 1994, f. 13–14).
Presidenti Gordon B. Hinkli duke shërbyer në këshillat kryesues të Kishës, tregoi këndvështrimin e tij:
“Kur parashtrohen çështje të rëndësishme, mund të ketë mendime të ndryshme. Këto janë të pritshme. Këta burra vijnë nga rrethana të ndryshme. Këta janë burra që kanë një mendje të tyren. …
… Nga i gjithë ky proces ku burrat kanë thënë atë që mendojnë, ka ndodhur një shoshitje dhe shqyrtim i ideve dhe i koncepteve. Por kurrë nuk kam parë mospërputhje të rënda apo armiqësi vetjake midis Vëllezërve të mi. Përkundrazi, kam vërejtur një gjë të bukur dhe të mrekullueshme – ardhjen së bashku, nën ndikimin udhëzues të Shpirtit të Shenjtë dhe nën fuqinë e zbulesës, të pikëpamjeve të ndryshme derisa të ketë harmoni tërësore dhe pajtim të plotë. Vetëm atëherë vjen zbatimi. Kjo, dëshmoj unë, përfaqëson shpirtin e zbulesës të shfaqur herë pas here në drejtimin e kësaj pune të Zotit” (“God Is at the Helm”, Ensign, maj 1994, f. 54, 59).