Eja, Më Ndiq
8–14 Korrik. Veprat e Apostujve 6–9: ‘Ç’Don Ti të Bëj Unë?’


“8–14 Korrik. Veprat e Apostujve 6–9: ‘Ç’Don Ti të Bëj Unë?’” Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)

“8–14 Korrik. Veprat e Apostujve 6–9”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019

Pali rrugës për në Damask

Jetofshim në Këtë Mënyrë, nga Sam Lawlor

8–14 Korrik

Veprat e Apostujve 6–9

“Ç’Don Ti të Bëj Unë?”

Studiojini Veprat e Apostujve 6–9 dhe shënojini mbresat tuaja. Kjo do t’ju ndihmojë të merrni zbulesë lidhur me mënyrën se si t’i ndihmoni anëtarët e klasës t’i afrohen më shumë Jezu Krishtit nëpërmjet studimit të tyre për këta kapituj.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Në tabelë, shkruajini emrat e disa prej njerëzve të përmendur te Veprat e Apostujve 6–9, të tillë si Stefani, Sauli, Filipi, Anania, Pjetri dhe Tabitha ose Gazela. Ftojini disa anëtarë të klasës të tregojnë diçka që mësuan nga njëri prej këtyre njerëzve në studimin e tyre këtë javë.

ikona e mësimdhënies

Jepni Mësim Doktrinën

Veprat e Apostujve 7

Të kundërshtuarit e Frymës së Shenjtë mund të çojë drejt mospranimit të Shpëtimtarit dhe të profetëve të Tij.

  • Çfarë të vërtetash mësuan anëtarët e klasës nga leximi i rrëfimit për Stefanin këtë javë? Merrni parasysh t’i ftoni anëtarët e klasës t’i studiojnë mësimet e Stefanit te Veprat e Apostujve 7:37–53, duke kërkuar atë se si udhëheqësit judeas ngjanin me izraelitët e lashtë, që nuk i pranuan profetët. Ju mund të përqendroheni te thënia e Stefanit rreth këtyre udhëheqësve te Veprat e Apostujve 7:51. Si i ndihmojnë anëtarët e klasës [vargjet te] 2 Nefi 28:3–6; 33:1–2; Mosia 2:36–37; Alma 10:5–6; dhe Alma 34:37–38 që ta kuptojnë këtë thënie? Përse mund ta “kundërshto[jmë] Frymën e Shenjtë”? Çfarë mund të bëjmë që t’i dallojmë dhe ndjekim më mirë nxitjet e Frymës së Shenjtë?

Veprat e Apostujve 8:9–24

Zemra jonë ka nevojë të jetë “e drejtë përpara Perëndisë”.

  • Studimi i rrëfimit për Simonin mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës që t’i vlerësojnë arsyet përse e jetojnë ungjillin. Për ta studiuar këtë rrëfim si klasë, ju mund t’i shkruani në tabelë pyetjet: Kush ishte Simoni? Çfarë dëshironte ai? dhe Si u përpoq ta merrte atë? Caktojeni secilin anëtar të klasës që t’i lexojë Veprat e Apostujve 8:9–24, duke kërkuar përgjigje për këto pyetje. Çfarë mësojmë nga përvoja e Simonit?

  • Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës tuaj ta kuptojnë se çfarë do të thotë që ta kenë zemrën e tyre të “drejtë përpara Perëndisë” (Veprat e Apostujve 8:21), ju mund t’i ftoni që ta studiojnë Doktrinën e Besëlidhjet 121:41–46, duke kërkuar fjalë ose fraza që përshkruajnë se si duhet të jetë zemra jonë ndërsa përpiqemi t’i shërbejmë Perëndisë dhe t’i marrim dhuratat e Tij. Anëtarët e klasës mund t’i krahasojnë këto ide me rrëfimin për Simonin, që gjendet te Veprat e Apostujve 8:9–24. Çfarë të vërtetash nuk i kuptonte ende Simoni? Si mund ta bëjmë zemrën tonë të “drejtë përpara Perëndisë”?

  • A i krahasuan anëtarët e klasës suaj Stefanin dhe Filipin me Simonin gjatë studimit të tyre vetjak, siç u sugjerua në përvijimin e mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet? Nëse po, çfarë mësuan ata? Ju mund t’i ftoni të gjejnë në këta kapituj prova që zemrat e njerëzve të tjerë ishin të drejta – të njerëzve si Filipi dhe njeriu nga Etiopia (Veprat e Apostujve 8:26–40) e Sauli (Veprat e Apostujve 9:1–22).

Veprat e Apostujve 8:26–39

Fryma e Shenjtë do të na ndihmojë që t’i udhërrëfejmë të tjerët për te Jezu Krishti.

  • Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës ta kuptojnë mënyrën se si mund t’i udhërrëfejnë të tjerët për te Jezu Krishti (shih Veprat e Apostujve 8:31), ju mund të ftoni dy anëtarë të klasës që të ulen përballë njëri-tjetrit dhe të lexojnë bisedën e Filipit dhe njeriut nga Etiopia te Veprat e Apostujve 8:26–39. Një anëtar i tretë i klasës mund të lexojë pjesët që nuk i përkasin bisedës. Çfarë mësojmë nga shembulli i Filipit rreth mësimdhënies së ungjillit ndaj të tjerëve?

  • Për të shqyrtuar shembuj të ditëve të sotme të rrëfimit te Veprat e Apostujve 8:26–39, anëtarët e klasës mund të tregojnë përvoja që kanë pasur në lidhje me shpërndarjen e ungjillit ose bashkimin me Kishën. Si i ndihmoi Fryma e Shenjtë ata? Si veproi dikush si udhërrëfyesi i tyre? Ftojini anëtarët e klasës të përsiatin se kë mund ta udhërrëfejnë për tek ungjilli.

Veprat e Apostujve 9

Kur i nënshtrohemi vullnetit të Zotit, ne mund të bëhemi mjete në duart e Tij.

  • Anëtarët e klasës duke e studiuar përvojën e Saulit, mund të mësojnë të vërteta të fuqishme rreth kthimit të tyre vetjak në besim, përfshirë të vërtetën që nëse është i gatshëm, secili mund të pendohet e ndryshojë. Ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës ta krahasojnë përvojën e Saulit me përvojat e Almës (shih Mosia 17:1–418; 26:15–21) dhe Lamanit e Lemuelit (shih 1 Nefi 3:28–31). Cilat karakteristika vetjake e ndihmuan Saulin dhe Almën të pendoheshin dhe të ndryshonin? Cilat karakteristika i penguan Lamanin dhe Lemuelin që të ndryshonin? Çfarë ndikimi patën Sauli dhe Alma pasi u kthyen në besim? Cilat mesazhe gjejmë për vetë jetën tonë nga këto rrëfime?

  • Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës ta zbatojnë te vetja përvojën e Saulit, ju mund të ftoni disa anëtarë të klasës që të vijnë të përgatitur, për të treguar atë që mësojnë nga secila prej pjesëve të bisedës së Presidentit Diter F. Uhtdorf “Duke Pritur në Rrugën për Damask” (Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 70–77). Po ne, si presim ndonjëherë në vetë rrugën tonë për Damask? Sipas Presidentit Uhtdorf, çfarë mund të na ndihmojë që t’ia vëmë më shumë veshin zërit të Perëndisë? Ju mund të merrni parasysh gjithashtu të shikoni materialin filmik “The Road to Damascus” [“Rruga për në Damask”] (LDS.org). Për t’i frymëzuar anëtarët e klasës ta ndjekin shembullin e Saulit dhe ta pyesin Zotin: “Ç’don ti të bëj unë?” merrni parasysh të diskutoni rreth përvojës së Presidentit Tomas S. Monson që gjendet te “Burimet Shtesë”. Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë përvojat e tyre në lidhje me të kërkuarit e vullnetit të Perëndisë dhe zbatimin e tij.

ikona e të mësuarit

Nxitni të Mësuarin në Shtëpi

Për t’i nxitur anëtarët e klasës t’i lexojnë Veprat e Apostujve 10–15 gjatë javës vijuese, ju mund të tregoni disa prej ngjarjeve dramatike në këta kapituj – dalja e mrekullueshme nga burgu, të ngatërruarit e misionarëve me perënditë romake dhe vrasja me gurë e një Apostulli e lënia e tij i vdekur – më pas rikthimi i tij në jetë.

ikona e burimeve

Burime Shtesë

Veprat e Apostujve 6–9

“Ç’Don Ti të Bëj Unë?”

Ndërkohë që Presidenti Tomas S. Monson po merrte pjesë në një konferencë kunji, presidenti i kunjit e pyeti nëse do të shkonte për vizitë te një vajzë 10-vjeçare e quajtur Kristal Metvin, e cila po vdiste prej kancerit. Familja e vajzës jetonte 129 kilometra larg nga vendi i konferencës. Presidenti Monson tregoi sa vijon:

“Shqyrtova programin e mbledhjeve. … Thjesht nuk kishte kohë në dispozicion. Më erdhi në mendje një sugjerim i ndryshëm. A nuk mund ta kujtonim vajzën e vogël në lutjet tona publike në konferencë? …

… [Gjatë njërës prej mbledhjeve] po rregulloja shënimet e mia, duke u përgatitur që të dilja në foltore, kur dëgjova një zë që i foli shpirtit tim. Mesazhi ishte i shkurtër, fjalët të njohura: ‘I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë’. (Marku 10:14.) Shënimet e mia u mjegulluan. Mendimet e mia u kthyen drejt një vajze të vogël që kishte nevojë për një bekim. Vendimi u mor. Programi i mbledhjes u ndryshua. …

… [Në shtëpinë Metvin], ia ngula sytë një fëmije që ishte tepër e sëmurë për t’u ngritur – pothuaj tepër e dobët për të folur. Sëmundja e kishte verbuar atë tani. Kaq i fortë ishte shpirti sa rashë në gjunjë, e mora dorën e saj të brishtë në duart e mia dhe thjesht thashë, ‘Kristal, jam këtu’. Ajo lëvizi buzët dhe pëshpëriti, ‘Vëlla Monson, e dija se do të vije’” (“The Faith of a Child”, Ensign, nëntor 1975, f. 20–22).

Vite më vonë, Presidenti Diter F. Uhtdorf e tregoi këtë histori, duke na ftuar që “të përpiqemi fort të jemi mes atyre tek të cilët Zoti mund të mbështetet që të dëgjojnë pëshpëritjet e Tij dhe të përgjigjen, ashtu si bëri Sauli në rrugën e tij për Damask: ‘Zot, ç’don ti të bëj unë?’” (“Duke Pritur në Rrugën për Damask”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 75).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Udhërrëfejini nxënësit tuaj. Si mësues, ju mund t’i udhërrëfeni nxënësit tuaj nëpër shkrimet e shenjta, ashtu si Filipi e udhërrëfeu njeriun etiopas duke e mësuar nga Isaia (shih Veprat e Apostujve 8:26–37). Për ta bërë këtë, ju duhet të “kërkoni të mësoni, madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit” (DeB 109:7). Njohuria që fitoni, mund të jetë një forcë e fuqishme në të ndihmuarin e anëtarëve të klasës që të duan ta zbulojnë vetë të vërtetën dhe ta jetojnë atë.