Eja, Më Ndiq
23–29 Shtator. Galatasve: ‘Ecni sipas Frymës’


“23–29 Shtator. Galatasve: ‘Ecni sipas Frymës’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)

“23–29 Shtator. Galatasve”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019

Krishti i shfaqet Palit në burg

23–29 Shtator

Galatasve

“Ecni sipas Frymës”

Ndërsa lexoni dhe përsiatni plot lutje Letrën drejtuar Galatasve, Zoti do t’ju mësojë atë që duhet t’i tregoni klasës suaj. Shënimi i mbresave tuaja tregon mirënjohje ndaj Perëndisë për ndihmën e Tij (shih Pol B. Pajper, “Ta Mbajmë të Shenjtë”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 109).

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Studimi i shkrimit të shenjtë shpesh çon drejt diskutimeve kuptimplota me familjen apo miqtë. A ndodhi kjo për anëtarët e klasës suaj këtë javë? Ftojini ata që të tregojnë përvojat e tyre.

ikona e mësimdhënies

Jepni Mësim Doktrinën

Galatasve 1:6–7; 3:1–5; 4:8–21; 5:1, 13–14

Ungjilli i Jezu Krishtit ofron liri.

  • Studimi i çfarëdo libri të shkrimit të shenjtë është më i lehtë kur ne e dimë përse u shkrua. Për këtë arsye, mund të jetë mirë ta filloni diskutimin tuaj rreth Galatasve me një pyetje të tillë: “Si mendoni ju, cili ishte qëllimi për të cilin Pali e shkroi këtë letër?” ose “Çfarë problemi po përpiqej Pali të zgjidhte?” Ftojini anëtarët e klasës të kërkojnë të dhëna te Galatasve 1:6–7; 3:1–5; 4:8–21. Si lidhet mesazhi i Palit me ne sot?

  • Disa shenjtorë galatas mendonin se duhej të vazhdonin ta jetonin ligjin e Moisiut. Për Palin, kjo ishte si të jetoje me “zgjedhën e skllavërisë” krahasuar me lirinë e ofruar në ligjin e Krishtit (Galatasve 5:1). Ndërkohë që nuk e hasim zakonisht këtë problem sot, të gjithë ne përballemi me një zgjedhje të ngjashme midis skllavërisë shpirtërore dhe lirisë nëpërmjet Jezu Krishtit. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës suaj që t’i shqyrtojnë mësimet e Palit rreth lirisë dhe skllavërisë, ju mund t’u kërkoni atyre të përmendin qëndrime dhe veprime që mund të çojnë drejt skllavërisë shpirtërore (të tilla si praktika kulturore, zakone të këqija, bindje të rreme apo përqendrimi te veprimet e jashtme në vend të kthimit të brendshëm në besim). Sipas Galatasve 5:1, 13–14, si gjejmë ne liri nga skllavëria shpirtërore? Si e kanë përjetuar anëtarët e klasës lirinë e premtuar në ungjillin e Krishtit? Ju mund t’i ftoni gjithashtu anëtarët e klasës që të tregojnë mënyrën se si mund të reagojnë ndaj dikujt që mendon se të jetuarit e ungjillit e kufizon lirinë vetjake.

Galatasve 5:16–26

Nëse “ecim sipas Frymës”, ne do ta marrim “fryti[n e] Frymës”.

  • Shumë njerëz hasin vështirësi për ta dalluar ndikimin e Shpirtit. Galatasve 5 mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës suaj që ta dallojnë frytin e Frymës. Ndoshta ju mund të filloni duke u kërkuar atyre të kontrollojnë te Galatasve 5:22–25 për të gjetur fjalët që përdori Pali për ta përshkruar frytin e Frymës. Përse është fryti një metaforë e mirë për mënyrën se si Shpirti ndikon te ne? Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë mënyrën se si ky fryt ka qenë i dukshëm në jetën e tyre apo në jetën e njerëzve që ata njohin. Disa burime të tjera për t’u hulumtuar përfshijnë Mateun 7:16–18; Gjonin 14:26–27; Moronin 7:13–17; Doktrinën e Besëlidhjet 11:12–13 dhe thënien nga Presidenti Gordon B. Hinkli te “Burimet Shtesë”.

    mollë në pemë

    Ne mund ta marrim “frytin e Frymës” teksa e kërkojmë atë.

  • Ndonjëherë ne mund të mësojmë rreth një parimi duke mësuar rreth të kundërtës së tij. Për shembull, te Galatasve 5:16–26, Pali i krahasoi “veprat e mishit” me “fryti[n e] Frymës”. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të përsiatin se në çfarë mase “ec[in] sipas Frymës”, ju mund t’u sugjeroni që të lexojnë Galatasve 5:16–26 dhe më pas të krijojnë një vlerësim vetjak të ngjashëm me Aktivitetin e Cilësive në faqen  130 te Predikoni Ungjillin Tim. Për shembull, për çdo zë të renditur në vargjet 19–23, ata mund të shkruajnë një pyetje të tillë si, “A i kam zili bashkëmoshatarët e mi?” ose “A ndjej dashuri çdo ditë?” Përgjigjet e anëtarëve të klasës në vetëvlerësimet e tyre nuk duhet të tregohen, por ju mund t’i ftoni ata që të japin ide ose mendime për ta ndihmuar njëri-tjetrin të “ec[in] në Frymë”. Nëse nuk keni kohë ta përfundoni këtë veprimtari në klasë, ju mund të sugjeroni që anëtarët e klasës ta përfundojnë atë në shtëpi.

Galatasve 6:7–10

Kur mbjellim “për Frymë”, ne do t’i korrim bekimet në kohën e duhur.

  • Studimi i Galatasve 6:7–10 mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës që të mendojnë më thellësisht rreth pasojave afatgjata të zgjedhjeve të tyre. Për t’i ndihmuar ata, ju mund të sillni fara të llojeve të ndryshme, së bashku me bimë, fruta ose perime që rriten nga secila prej këtyre farave (ose ju mund të sillni figura të këtyre gjërave). Anëtarët e klasës mund të punojnë së bashku për ta përputhur secilën farë me gjënë që ajo prodhon. Më pas ata mund të lexojnë vargjet 7–10 dhe të bisedojnë rreth asaj se çfarë do të thotë të mbjellësh “për mish” dhe “për Frymë”. (Mesazhi nga Plaku Ulises Soares te “Burimet Shtesë” mund të ndihmojë.) Çfarë korrim kur mbjellim për mish? Çfarë korrim kur mbjellim për Frymë? (shih Galatasve 5:22–23). Merreni parasysh që t’i ftoni anëtarët e klasës të përsiatin mbi bekimet shpirtërore që shpresojnë të marrin. Çfarë “mbjellje” mund të bëjnë tani që të jenë të përgatitur për t’i marrë ato bekime? Ju madje mund t’i ftoni ata që t’i shkruajnë mendimet e tyre dhe, nëse ndihen rehat, t’i shprehin ato.

  • Disa anëtarë të klasës mund të ndihen të “lodh[ur] duke bërë të mirën” (Galatasve 6:9) – ndoshta ngaqë nuk janë të sigurt se përpjekjet e tyre po japin fryt. Një diskutim rreth Galatasve 6:7–10 mund të jetë i dobishëm. Për t’i paraqitur këto vargje, ju mund ta ftoni dikë në klasë që të flasë shkurtimisht rreth një rasti kur atij ose asaj i nevojitej durim ndërkohë që përpiqej të rriste diçka. Çfarë mund të na mësojë përvoja e këtij personi, së bashku me Galatasve 6:7–10, rreth përpjekjeve tona për të “ec[ur] në Frymë”? (Galatasve 5:25).

ikona e të mësuarit

Nxitni të Mësuarin në Shtëpi

Për t’i nxitur anëtarët e klasës suaj që ta lexojnë Letrën drejtuar Efesianëve, ju mund t’u thoni atyre se në këtë letër ata do të mësojnë se si mund të “qëndro[jnë] kundër kurtheve të djallit” (Efesianëve 6:11).

ikona e burimeve

Burime Shtesë

Galatasve

Frytet e të jetuarit të ungjillit.

Presidenti Gordon B. Hinkli dha mësim: “Si mund t’i njohim gjërat e Shpirtit? Si mund ta dimë se vjen nga Perëndia? Përmes fryteve të saj. Nëse ju drejton për te rritja dhe zhvillimi, nëse ju drejton për te besimi dhe dëshmia, nëse ju drejton për te një mënyrë më e mirë për t’i bërë gjërat; nëse ju drejton për te perëndishmëria, atëherë është nga Perëndia. Nëse na shkatërron, nëse na çon në errësirë, nëse na pështjellon dhe na shqetëson, nëse na drejton për te mungesa e besimit, atëherë është prej djallit.”

Në një rast tjetër, Presidenti Hinkli tha: “Ju mund t’i dalloni nxitjet e Shpirtit nëpërmjet fryteve të Shpirtit – ajo që ndriçon, ajo që ndërton, ajo që është e mirë e pozitive dhe frymëzuese dhe që na drejton drejt mendimeve, fjalëve dhe veprave më të mira, vjen nga Shpirti i Perëndisë. Ajo që na rrëzon, që na çon në shtigje të ndaluara – ajo vjen nga kundërshtari. Unë mendoj se është pikërisht aq e qartë, pikërisht aq e thjeshtë” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Gordon B. Hinkli [2016], f. 126).

Mbillni në Frymë.

Plaku Ulises Soares shpjegoi: “Të mbjellësh në Frymë do të thotë se të gjitha mendimet, fjalët dhe veprimet tona duhet të na ngrenë në nivelin e hyjnueshmërisë së prindërve tanë qiellorë. Megjithatë, shkrimet e shenjta i referohen mishit si natyra fizike apo trupore e njeriut të natyrshëm, që i lejon njerëzit të ndikohen nga pasioni, dëshirat, orekset dhe shtytjet e mishit, në vend të kërkimit për frymëzim nga Fryma e Shenjtë. Nëse nuk jemi të kujdesshëm, ato ndikime të ndërthurura me trysninë e së keqes në botë, mund të na nxisin të praktikojmë sjellje të vrazhdë dhe të pamatur, që mund të bëhet pjesë e karakterit tonë” (“Qëndroni në Territorin e Zotit!” Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 39).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ndihmojini nxënësit ta lartësojnë njëri-tjetrin. “Çdo individ në klasën tuaj është një burim i pasur i dëshmisë, ideve dhe përvojave lidhur me të jetuarin e ungjillit. Ftojini të ndajnë me njëri-tjetrin dhe ta lartësojnë njëri-tjetrin” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtaritf. 5).