“16–22 Shtator. 2 Korintasve 8–13: ‘Perëndia Do një Dhurues të Gëzuar’” Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)
“16–22 Shtator. 2 Korintasve 8–13”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019
16–22 Shtator
2 Korintasve 8–13
“Perëndia Do një Dhurues të Gëzuar”
Ndërsa lexoni 2 Korintasve 8–13, mendoni për njerëzit të cilëve u jepni mësim dhe planifikoni veprimtari që do t’i ndihmonin ata t’i zbulonin parimet në këta kapituj. Më pas, rishikojeni këtë përvijim të mësimit për ide shtesë.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Kjo është një mënyrë se si t’i ftoni anëtarët e klasës të tregojnë atë që kanë mësuar nga 2 Korintasit 8–13. Kërkojuni disave prej tyre që të shkruajnë në tabelë një frazë të parapëlqyer nga leximi i tyre dhe më pas kërkojini pjesës tjetër të klasës që ta gjejë atë në shkrimet e shenjta. Ftojini anëtarët e klasës të tregojnë përse këto fraza janë domethënëse për ta.
Jepni Mësim Doktrinën
Shenjtorët e ndajnë me gëzim atë që kanë për t’i bekuar të varfrit dhe nevojtarët.
-
Perëndia i ka urdhëruar shenjtorët e Tij që të ndihmojnë për t’u kujdesur për ata në nevojë, dhe fragmentet te 2 Korintasve 8–9 mund t’i frymëzojnë anëtarët e klasës suaj në përpjekjet e tyre. Për t’i ndihmuar ata që t’i gjejnë këto fragmente, ju mund të shkruani në tabelë pyetje të tilla si Përse japim? dhe Si duhet të japim? Gjysma e klasës mund t’i kërkojë përgjigjet te 2 Korintasve 8:1–15 dhe gjysma tjetër mund të kërkojë te 2 Korintasve 9:6–15. (Ju mund të shpjegoni se te kapitulli 8, vargjet 1–5, Pali foli për shenjtorët maqedonas si shembuj të dhënies me bujari.) Si mund të na ndihmojnë parimet e dhëna mësim nga Pali që të kujdesemi më mirë për të varfrit dhe nevojtarët?
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që ta kuptojnë më mirë mënyrën e Zotit në plotësimin e nevojave materiale të shenjtorëve të Tij, ka shumë burime të renditura te “Burimet Shtesë”. Ndoshta ju mund t’u caktoni disa anëtarëve të klasës të rishikojnë një ose më shumë prej këtyre burimeve dhe të tregojnë atë që u bën përshtypje. A mund të gjejnë ide anëtarët e klasës te 2 Korintasve 8:1–15; 9:6–15, të cilat tregojnë se shenjtorët në kohën e Palit kujdeseshin për të varfrit në të njëjtat mënyra që ne kujdesemi sot?
Profetët e rremë përpiqen të mashtrojnë.
-
Për shkak se ne, ashtu si shenjtorët korintas, jemi të gjithë të prekshëm nga mësimet e rreme, ne mund të përfitojmë nga rishikimi i paralajmërimeve të Palit drejtuar korintasve rreth “apostuj[ve] të rremë”. Në mesazhin e Plakut Kuentin L. Kuk “Të Guximshëm në Dëshminë e Jezusit” (Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 40–43), anëtarët e klasës mund të gjejnë shembuj të mësimeve të rreme që ndikojnë te ne sot. Ndoshta mund të caktoni dikë që ta lexojë këtë mesazh paraprakisht dhe t’i tregojë klasës atë që na mëson rreth mënyrës se si mund t’i shmangim “blloqet penguese” që na largojnë nga ungjilli. Cilat mësime të tjera të zakonshme në botë sot mund të na largojnë nga të vërtetat e ungjillit? Ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës që të rishikojnë 2 Korintasve 11:21–33 dhe të tregojnë atë që mësojnë nga këto vargje rreth “shërbëtorë[ve të vërtetë] të Krishtit”.
Ne duhet ta “analizo[jmë]” besnikërinë tonë në ungjillin e Jezu Krishtit.
-
Ndonjëherë anëtarët e Kishës ndihen të mbingarkuar nga kërkesat e jetës – përfshirë nga ato që ata mund t’i shohin si kërkesat e të qenit një shenjtor i ditëve të mëvonshme. Këshilla e Palit për ta “analiz[uar] veten tuaj a jeni në besim”, mund t’ju ndihmojë juve dhe anëtarët e klasës suaj që të përqendroheni te “thjeshtësia ndaj Krishtit” (2 Korintasve 13:5; 11:3). Ndoshta ju mund të lexoni së bashku 2 Korintasve 11:3 dhe të diskutoni atë që mund të nënkuptojë fraza “thjeshtësia ndaj Krishtit”. Ju mund t’u kërkoni gjithashtu anëtarëve të klasës që të përfytyrojnë sikur u ftuan të shkruajnë një përshkrim të ungjillit të Jezu Krishtit për një gazetë, me një kufi prej 100 fjalësh. Jepuni kohë që t’i shkruajnë përshkrimet e tyre dhe lërini t’ia tregojnë njëri-tjetrit atë që shkruan. Nëse kanë nevojë për ndihmë, ata mund t’i referohen Gjonit 3:16–17; 3 Nefit 27:13–21; dhe Të Vërtetë ndaj Besimit, f. 187–188. Ftojini anëtarët e klasës të përsiatin nëse janë duke qëndruar të vërtetë ndaj parimeve themelore të ungjillit.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që ta “analizo[jnë]” mënyrën se si mund ta thjeshtojnë jetën e tyre për të qenë dishepuj më të mirë, ju mund të ndani me ta thënien e Presidentit Diter F. Uhtdorf te “Burimet Shtesë”. Anëtarët e klasës mund të diskutojnë mbi mënyrën se si mund ta vënë në zbatim ftesën e Presidentit Uhtdorf për t’u “përqendr[uar] te doktrinat, parimet dhe zbatimet themelore të ungjillit”. Çfarë idesh të tjera kanë anëtarët e klasës rreth mënyrës se si mund ta analizojmë veten tonë për t’u siguruar se po qëndrojmë të vërtetë ndaj besimit?
Hiri i Shpëtimtarit është i mjaftueshëm për të na ndihmuar të gjejmë forcë në dobësinë tonë.
-
Çfarë do t’i thoshit një miku i cili është lutur që të gjejë lehtësim nga një sëmundje fizike, por ndien se kjo lutje nuk po merr përgjigje? Merreni parasysh që t’i ftoni anëtarët e klasës ta përsiatin këtë pyetje ndërsa lexojnë në heshtje 2 Korintasve 12:5–10. Më pas ata mund të japin ide nga këto vargje, të cilat mund të ndihmojnë në këtë situatë. Ata mund të tregojnë gjithashtu përvoja kur, nëpërmjet hirit të Jezu Krishtit, gjetën forcë në dobësi. Si ndikoi ajo përvojë në jetën e tyre?
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
Për t’i nxitur anëtarët e klasës që të lexojnë Galatasve, ju mund t’i pyetni ata nëse njohin dikë që është larguar nga ungjilli. Nëse po, ata do të duan të lexojnë mbi mënyrën se si i ftoi Pali galatasit që ishin larguar nga ungjilli të ktheheshin në të.
Burime Shtesë
Mënyra e Zotit për të siguruar për të varfrit dhe nevojtarët.
-
Mosia 4:16–27; Alma 34:27–29; Doktrina e Besëlidhje 104:14–18.
-
Manuali 2: Administrimi i Kishës (2010), 6.1.
-
“Të Dhjetat dhe Ofertat”, Për Forcën e Rinisë (2011), f. 38–39.
-
Himne: “Sepse Mua Shum’ m’Ësht’ Dhën’”, “Zot, Un’ Ty do të t’Ndjek” “A Kam Bër’ Ndonjë të Mir’?” (Himne, nr. 67, 137, 139).
-
Materiale filmike në LDS.org: “Welfare Facilities––Bishops’ Storehouse” [“Ndërtesat e Mirëqenies – Depoja e Peshkopit”] “The Labor of His Hands” [“Puna e Duarve të Tij”], “Thanks Be to God” [“Faleminderit Perëndisë”] dhe “Fast Offerings: Are We All Not Beggars” [“Ofertat e Agjërimit: A Nuk Jemi Të Gjithë Lypësa”].
-
Ne mund ta thjeshtojmë qasjen tonë ndaj të jetuarit të ungjillit.
Presidenti Diter F. Uhtdorf, dha mësim:
“Vëllezër e motra, të jetuarit e ungjillit nuk nevojitet të jetë i koklavitur.
Në të vërtetë ai është i drejtpërdrejtë. Mund të përshkruhet kështu:
-
Dëgjimi i fjalës së Perëndisë me qëllimin më të zellshëm na çon që të besojmë te Perëndia dhe t’i mirëbesojmë premtimeve të Tij.
-
Sa më shumë që i mirëbesojmë Perëndisë, aq më shumë zemrat tona mbushen me dashuri për Të dhe për njëri-tjetrin.
-
Për shkak të dashurisë sonë për Perëndinë, ne dëshirojmë ta ndjekim Atë dhe i sjellim veprimet tona në përputhje me fjalën e Tij.
-
Ngaqë e duam Perëndinë, ne dëshirojmë t’i shërbejmë Atij, dëshirojmë ta bekojmë jetën e të tjerëve dhe t’i ndihmojmë të varfrit e nevojtarët.
-
Sa më shumë që ecim në këtë shteg të dishepullimit, aq më shumë dëshirojmë ta mësojmë fjalën e Perëndisë.
Dhe kështu vazhdon, çdo hap duke çuar drejt hapit pasues dhe duke na mbushur me besimin, shpresën dhe dashurinë hyjnore që vijnë duke u shtuar.
Është tërësisht e thjeshtë dhe funksionon tërësisht.
Vëllezër e motra, nëse mendoni se ungjilli nuk po funksionon aq mirë për ju, unë ju ftoj të bëni një hap pas, ta shihni jetën tuaj nga një nivel më i lartë dhe ta thjeshtoni metodën tuaj të dishepullimit. Përqendrohuni te doktrinat, parimet dhe zbatimet themelore të ungjillit. Ju premtoj se Perëndia do t’ju udhërrëfejë e bekojë në shtegun tuaj drejt një jete të suksesshme dhe ungjilli sigurisht do të funksionojë më mirë për ju” (“Funksionon në Mënyrë të Mrekullueshme”, Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 22).