Eja, Më Ndiq
2–8 Shtator. 1 Korintasve 14–16: ‘Perëndia Nuk Është Perëndi Trazimi, por Paqtimi’


“2–8 Shtator. 1 Korintasve 14–16: ‘Perëndia Nuk Është Perëndi Trazimi, por Paqtimi’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)

“2–8 Shtator. 1 Korintasve 14–16”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019

vaskë pagëzimi në tempull

2–8 Shtator

1 Korintasve 14–16

“Perëndia Nuk Është Perëndi Trazimi, por Paqtimi”

Përpara se ta shqyrtoni këtë përvijim të mësimit, lexojini 1 Korintasve 14–16. Shënojini mbresat tuaja fillestare rreth asaj se cilat të vërteta do të jenë të dobishme për anëtarët e klasës suaj dhe kërkoni në mënyrë të vazhdueshme për udhërrëfim plotësues nga Shpirti gjatë javës.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Jepuni pak minuta kohë anëtarëve të klasës që t’i përsëritin 1 Korintasve 14–16 dhe të gjejnë një varg që ata ndiejnë se është posaçërisht domethënës për ta. Ftojini që të gjejnë dikë në klasë të cilit mund t’ia tregojnë vargun e tyre dhe të shpjegojnë arsyen përse e zgjodhën atë.

ikona e mësimdhënies

Jepni Mësim Doktrinën

1 Korintasve 14

Kur shenjtorët mblidhen së bashku, ata duhet të përpiqen ta lartësojnë njëri-tjetrin.

  • Merrni parasysh t’i përdorni mësimet e Palit te 1 Korintasve 14 për t’u kujtuar anëtarëve të klasës që ne të gjithë mund ta lartësojmë – apo mbështetim e ngremë moralisht – njëri-tjetrin në kishë. Një mënyrë e thjeshtë për ta shqyrtuar këtë kapitull, mund të jetë që të shkruani një pyetje në tabelë, të tillë si: Cili duhet të jetë qëllimi ynë kur mblidhemi së bashku? Ftojini anëtarët e klasës të kërkojnë përgjigje të mundshme te 1 Korintasve 14. Ide të tjera mund të gjenden te Moroni 6:4–5 dhe Doktrina e Besëlidhje 50:17–23. Ndërsa anëtarët e klasës tregojnë atë që zbulojnë, merrni parasysh t’i pyesni se si mendojnë se po ecën klasa juaj në përmbushjen e këtyre qëllimeve. Ata mund të tregojnë gjithashtu përvoja në të cilat ata u ndien të lartësuar moralisht nga diçka që tregoi një anëtar i klasës.

  • Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës ta kuptojnë këshillën e Palit që anëtarët duhet të përpiqen të profetizojnë, merrni parasysh t’u kërkoni që të sugjerojnë përkufizime për fjalën profetizoj. Ju ose anëtarët e klasës mund ta shkruani secilin përkufizim në tabelë dhe ta shqyrtoni së bashku përkufizimin e fjalës profetizoj tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta [f. 157] dhe këshillën e Palit te 1 Korintasve 14:3, 31, 39–40. Çfarë mund t’i shtojmë përkufizimeve tona nga këto burime? (Shih edhe Zbulesa 19:10.) Çfarë jemi të frymëzuar të bëjmë në kishë dhe në shtëpi si rrjedhojë e mësimeve të Palit?

1 Korintasve 15

Për shkak se Jezu Krishti u ringjall, ne të gjithë do të ringjallemi.

  • Si mund ta përdorni dëshminë e Palit te 1 Korintasve 15 për t’i forcuar dëshmitë e anëtarëve të klasës suaj për Ringjalljen? Një mënyrë mund të jetë që ta ndani klasën në dy grupe dhe t’i kërkoni njërit grup të shikojë te 1 Korintasve 15 për pasojat me të cilat ne do të përballeshim nëse Jezu Krishti nuk do të ishte ringjallur. Grupi tjetër mund të kërkojë bekimet që marrim për shkak të Ringjalljes së Tij. Më pas, secili grup mund ta shkruajë në tabelë atë çfarë mësoi. Çfarë mund t’u shtojnë ata listave të tyre pasi e lexojnë thënien nga Plaku D. Tod Kristoferson te “Burimet Shtesë”? Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës ta ndiejnë Shpirtin gjatë këtij diskutimi, merrni parasysh të paraqitni një figurë të Shpëtimtarit të ringjallur (shih përvijimin e mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet).

  • Për shkak se Pali po u përgjigjej njerëzve që nuk besonin në ringjallje, mund të jetë e dobishme për klasën tuaj që ta interpretojnë me role një situatë të ngjashme. Për shembull, si mund ta përforcojnë ata besimin e një njeriu të dashur për Ringjalljen? Çfarë gjejnë anëtarët e klasës te 1 Korintasve 15 që do t’i ndihmonte ta shpjegonin nevojën për Ringjalljen e Jezu Krishtit dhe provat për të? Çfarë shkrimesh të tjera të shenjta mund të përdorin ata? (Shih, për shembull, Lluka 24:1–12, 36–46; Alma 11:42–45.)

  • Pali i referohet disa herë në letrat e tij tri shkallëve të lavdisë në ringjallje (shih 1 Korintasve 15:40–42 dhe 2 Korintasve 12:1–2). Për ta ndihmuar klasën tuaj të zbulojë se si zbulesa moderne i shpjegon në mënyrë të mëtejshme mësimet e Palit, ju mund ta ndani klasën në tri grupe dhe t’i jepni secili grup një copë letër me formën e diellit (DeB 76:50–70), hënës (DeB 76:71–80) apo yllit (DeB 76:81–89). Ftojini që t’i lexojnë shkrimet e shenjta të bashkëlidhura nga Doktrina e Besëlidhje 76 dhe të tregojnë atë që kemi nevojë të bëjmë për t’i marrë lavditë e ndryshme që përshkruan Pali. Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 131:1–4; 137:7–10.

    agim

    “Tjetër është lavdia e diellit” (1 Korintasve 15:41).

  • 1 Korintasve 15 është një prej vendeve të pakta në shkrimet e shenjta ku përmenden pagëzimet për të vdekurit (shih vargun 29; shih edhe DeB 128:18). Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë përvoja që kanë pasur me kryerjen e pagëzimeve apo ordinancave të tjera për paraardhësit e tyre. Merrni parasysh të tregoni përvojën e Uilford Udrafit te “Burimet Shtesë” si pjesë e diskutimit. Përse mund t’u referohet Pali pagëzimeve për të vdekurit si provë e Ringjalljes?    

ikona e të mësuarit

Nxitni të Mësuarin në Shtëpi

Kërkojuni anëtarëve të klasës të mendojnë rreth sprovave që po hasin apo dobësive që kanë. U thoni që ndërsa i lexojnë 2 Korintasve, ata do të mësojnë se çfarë e ndihmoi Palin t’i duronte sprovat dhe se si i shihte ai dobësitë e tij.

ikona e burimeve

Burime Shtesë

1 Korintasve 14–16

Rëndësia e Ringjalljes.

Plaku D. Tod Kristoferson dha mësim:

“Merrni parasysh për një çast rëndësinë e Ringjalljes për zgjidhjen një herë e mirë të identitetit të vërtetë të Jezusit të Nazaretit dhe për përplasjet filozofike dhe pyetjet e mëdha të jetës. Nëse Jezusi në fakt u ringjall me kuptimin e plotë të fjalës, kjo ndiqet patjetër nga fakti se Ai është një qenie hyjnore. Asnjë i vdekshëm i thjeshtë nuk e ka fuqinë brenda vetes që të vijë në jetë përsëri pasi vdes. Për shkak se u ringjall, Jezusi nuk mund të ketë qenë vetëm një marangoz, një mësues, një rabbi apo një profet. Për shkak se u ringjall, Jezusi duhej të ishte një Perëndi, madje Biri i Vetëmlindur i Atit.

Prandaj, ajo që Ai dha mësim është e vërtetë; Perëndia nuk mund të gënjejë.

Prandaj, Ai ishte Krijuesi i tokës, sikurse Ai tha.

Prandaj, qielli dhe ferri janë të vërtetë, sikurse Ai dha mësim.

Prandaj, ka një botë shpirtrash që Ai e vizitoi pas vdekjes së Tij.

Prandaj, Ai do të vijë përsëri sikurse thanë engjëjt dhe ‘do të mbretërojë personalisht mbi tokë’.

Prandaj, ka një ringjallje dhe një gjykim përfundimtar për të gjithë” (“Ringjallja e Jezu Krishtit”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 113).

Ordinancat për të vdekurit: “Një rreze drite nga froni i Perëndisë”.

Plaku Uillford Udraf tha se kur mësoi se anëtarët e Kishës që janë gjallë, mund t’i merrnin ordinancat shpëtuese në emër të paraardhësve të tyre që kishin ndërruar jetë: “Ajo ishte si një rreze drite nga froni i Perëndisë drejt zemrave tona. Ajo hapi një fushëpamje aq të gjerë sa përjetësia në mendjet tona.” Ai gjithashtu komentoi: “Mu duk se Perëndia që ia kishte zbuluar atë parim njeriut, ishte i urtë, i drejtë dhe i vërtetë, që zotëronte si cilësitë më të mira edhe një arsye të shëndoshë dhe dituri. Ndjeva se Ai ishte në harmoni si me dashurinë, mëshirën, drejtësinë edhe me gjykimin, dhe ndjeva dashuri për Zotin më shumë se kurrë më parë në jetën time. … Ndjeva të thosha aleluja kur erdhi zbulesa që na bëri të ditur pagëzimin për të vdekurit. …”

“Gjëja e parë që më erdhi në mendje”, tha ai, “ishte që kisha një nënë në botën e shpirtrave. Ajo vdiq kur unë isha 14 muajsh. …” Më vonë, ai foli për kohën kur pati mundësinë që ta vuloste nënën e tij me të atin: “Ajo do të ketë pjesë në ringjalljen e parë; dhe vetëm kjo gjë do të më shpërblente për të gjitha punët e jetës sime” (Teachings of Presidents of the Church: Wilford Woodruff, [2011], f. 185–186).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Arrini t’i njihni ata të cilëve u jepni mësim. Nuk ka [qoftë edhe] dy njerëz që të jenë pikërisht njësoj; çdo person që mësoni, ka një formim, perspektivë dhe gamë unike talentesh. Lutuni që të dini se si t’i përdorni ato, që t’i përfshini nxënësit tuaj. Ndërsa i kuptoni më mirë ata të cilëve u jepni mësim, ju mund të krijoni çaste domethënëse dhe të paharrueshme mësimdhënie për ta (shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 7).