“Burime Shtesë”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2023 (2022)
“Burime Shtesë”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2023
Burime Shtesë
Këto burime mund të gjenden në programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] dhe te faqja ChurchofJesusChrist.org.
Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet
Ju mund t’i përshtatni veprimtaritë nga manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet për përdorim në klasën tuaj të Shkollës të së Dielës. Nëse anëtarët e klasës i kanë përdorur këto veprimtari në studimin e tyre vetjak ose familjar të shkrimeve të shenjta, nxitini të tregojnë përvojat dhe idetë e tyre.
Libri Himne dhe Libri i Këngëve të Fëmijëve
Muzika e shenjtë e fton Shpirtin, na ndihmon të ndiejmë dashurinë e Perëndisë dhe na e mëson doktrinën në një mënyrë të paharrueshme. Përveç përdorimit të varianteve të botuara të librit Himne dhe Libri i Këngëve të Fëmijëve, ju mund të gjeni regjistrime pamore dhe zanore të shumë himneve dhe këngëve të fëmijëve te music.ChurchofJesusChrist.org dhe në programet kompjuterike Sacred Music [Muzika e Shenjtë] dhe Gospel Media [Mjete Informimi për Ungjillin].
Manualet e Seminarit dhe të Institutit
Manualet e seminarit dhe të institutit japin sfondin historik dhe komente doktrinore për parime dhe rrëfime që gjenden te shkrimet e shenjta. Ato mund të frymëzojnë gjithashtu ide për mësimdhënien në klasat e Shkollës të së Dielës.
Revistat e Kishës
Revistat Liahona dhe Për Forcën e Rinisë sigurojnë artikuj dhe veçori të tjera që mund t’i plotësojnë parimet që po jepni mësim nga materiali Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës.
Tema të Ungjillit
Te Gospel Topics [Tema të Ungjillit] (topics.ChurchofJesusChrist.org) ju mund të gjeni informacion bazë rreth një larmie temash të ungjillit, së bashku me hallkat lidhëse që çojnë te burime të dobishme, të tilla si mesazhe nga konferencat e përgjithshme, artikuj, shkrime të shenjta dhe materiale filmike që lidhen me temën. Ju mund të gjeni gjithashtu ese [në anglisht] te Gospel Topics Essays [ose disa ese në shqip tek “Ese mbi Temat e Ungjillit”], të cilat ofrojnë informacion të thellësishëm për çështje doktrinore dhe historike, si edhe përgjigje ndaj pyetjeve të ndryshme për Kishën dhe mësimet e saj.
Predikoni Ungjillin Tim
Ky udhëzues për misionarët jep një vështrim të përgjithshëm të parimeve bazë të ungjillit.
Për Forcën e Rinisë (broshurë)
Ky burim përvijon standardet e Kishës që mund të na ndihmojnë ta jetojmë ungjillin dhe të gëzojmë shoqërimin e Shpirtit. Merrni parasysh t’i referoheni shpesh, veçanërisht nëse jeni duke u dhënë mësim të rinjve dhe të rejave.
Materiale Filmike dhe Artistike
Veprat e artit, materialet filmike dhe materialet e tjera pamore e zanore mund t’i ndihmojnë njerëzit të cilëve u jepni mësim, që ta kuptojnë doktrinën dhe të përfytyrojnë historitë që lidhen me shkrimet e shenjta. Vizitoni Gospel Media [Mjete Informimi për Ungjillin] te faqja GospelMedia.ChurchofJesusChrist.org për të shfletuar koleksionin e Kishës për burimet e mjeteve të informimit. Gospel Media [Mjete Informimi për Ungjillin] është gjithashtu në dispozicion si program për telefona celularë. Shumë figura që mund t’i përdorni në klasë gjenden te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit.
Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit
Materiali Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit mund t’ju ndihmojë që të mësoni rreth parimeve të mësimdhënies si të Krishtit dhe t’i zbatoni ato. Këto parime diskutohen dhe ushtrohen në mbledhjet e këshillit të mësuesve.