Historia e Kishës
Histori rreth Verës së Vitit 1832


“Histori rreth Verës së Vitit 1832”, Rrëfime të Jozef Smithit për Vegimin e Parë (2020)

“Histori rreth Verës së Vitit 1832”, Rrëfime të Jozef Smithit për Vegimin e Parë

Histori rreth Verës së Vitit 1832

Rreth moshës dymbëdhjetë vjeç, m’u ngulitën seriozisht në mendje çështjet shumë të rëndësishme për mirëqenien e shpirtit tim të pavdekshëm, gjë që më çoi te kërkimi në shkrimet e shenjta – duke besuar, siç më kishin mësuar, se ato përmbanin fjalën e Perëndisë dhe kështu duke iu kushtuar me zell studimit të tyre. Njohja ime nga afër me njerëz të grupeve të ndryshme fetare më bëri që të habitesha tej mase, sepse zbulova se ata nuk e zbukuronin atë që shpallnin, me një mënyrë të shenjtë jetese dhe sjellje të perëndishme në përputhje me atë që gjeta se përmbante ai libër i shenjtë. Kjo ma pikëlloi shpirtin.

Kështu, prej moshës dymbëdhjetë vjeç deri në pesëmbëdhjetë, përsiata shumë gjëra në zemër lidhur me gjendjen e botës së njerëzimit, grindjet dhe përçarjet, ligësitë dhe neveritë, si dhe errësirën që pushtoi mendjen e njerëzimit. Mendja ime u shqetësua jashtë mase sepse u binda për mëkatet e mia dhe, duke kërkuar në shkrimet e shenjta, zbulova se njerëzimi nuk iu afrua Zotit, por se ata e kishin braktisur besimin e vërtetë dhe të gjallë dhe se nuk kishte shoqëri apo grup të krishterë që ishte ndërtuar mbi ungjillin e Jezu Krishtit siç shënohet në Dhiatën e Re. Unë e ndjeva se duhet të vajtoja për vetë mëkatet e mia dhe për mëkatet e botës, sepse në shkrimet e shenjta mësova se Perëndia ishte i njëjtë dje, sot dhe përgjithmonë, se ai ishte i paanshëm, sepse ai ishte Perëndi.

Sepse unë pashë diellin, ndriçuesin e lavdishëm të tokës, dhe gjithashtu hënën, duke u rrotulluar në madhështinë e tyre në qiej, si dhe yjet që shkëlqejnë në orbitat e tyre; si edhe tokën ku unë qëndroja, dhe bishat e fushës, dhe shpendët e qiellit, dhe peshqit e ujërave, dhe gjithashtu njeriun që ecën mbi faqen e tokës në madhështi dhe në forcën e bukurisë, me pushtet dhe inteligjencë për qeverisjen e gjërave që janë kaq tejet madhështore e të mrekullueshme, madje në ngjashmëri me atë që i krijoi ato. Dhe kur i mendova thellë këto gjëra, zemra ime thirri: “Ka thënë mirë i mençuri: ‘Është i pamend ai që thotë në zemër të vet që Perëndi nuk ka’”. Zemra ime thirri: “Të gjitha, të gjitha këto japin dëshmi dhe tregojnë një forcë të plotfuqishme e të gjithëpranishme, një qenie që bën ligjet dhe i dekreton, dhe iu vë caqe të gjitha gjërave brenda kufijve të tyre, që e mbush përjetësinë, që ishte, dhe është, dhe do të jetë nga gjithë përjetësia në përjetësi”. Dhe unë i mendova thellë të gjitha këto gjëra dhe se ajo qenie kërkon që ta adhurojnë ata, që e adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën.

Prandaj, i thirra Zotit për mëshirë, sepse nuk ishte askush tjetër tek i cili të mund të shkoja dhe të merrja mëshirë. Dhe Zoti e dëgjoi thirrjen time në vendin e shkretë dhe ndërkohë që isha duke i thirrur Zotit, në vitin e gjashtëmbëdhjetë të jetës sime, një shtyllë drite më e shkëlqyeshme se dielli në mesditë, zbriti nga lart dhe qëndroi mbi mua. U mbusha me shpirtin e Perëndisë dhe Zoti i hapi qiejt mbi mua dhe unë pashë Zotin.

Dhe ai më foli duke thënë: “Jozef, biri im, mëkatet e tua të janë falur. Shko në udhën tënde, ec sipas statuteve të mia dhe zbatoji urdhërimet e mia. Vër re, unë jam Zoti i lavdisë. Unë u kryqëzova për botën, që të gjithë ata që besojnë në emrin tim, të mund të kenë jetë të përjetshme. Vër re, bota prehet në mëkat në këtë kohë dhe askush nuk bën të mirën, jo, as edhe një. Ata janë larguar nga ungjilli dhe nuk i zbatojnë urdhërimet e mia. Ata më afrohen me buzët e tyre, por zemrat e tyre janë larg prej meje. Dhe zemërimi im po ndizet kundër banorëve të tokës, që t’i vizitoj sipas paperëndishmërisë së tyre dhe që të bëj të ndodhë atë që është thënë nga goja e profetëve dhe apostujve. Vër re dhe shiko, unë vij shpejt, siç është shkruar për mua, në një re, i mbuluar me lavdinë e Atit tim.”

Shpirti im u mbush me dashuri dhe për shumë ditë mund të ngazëllehesha me gëzim të madh. Zoti ishte me mua, por nuk mund të gjeja asnjë që do ta besonte vegimin qiellor. Megjithatë, i përsiata këto gjëra në zemrën time.