“‘Historia e Kishës’, 1 Mars 1842 (Letra për Uentuorthin)” Rrëfime të Jozef Smithit për Vegimin e Parë (2020)
“‘Historia e Kishës’, 1 Mars 1842 (Letra për Uentuorthin)” Rrëfime të Jozef Smithit për Vegimin e Parë
“Historia e Kishës”, 1 Mars 1842 (Letra për Uentuorthin)
Kur isha rreth katërmbëdhjetë vjeç, fillova të mendohem mbi rëndësinë e të qenit i përgatitur për një gjendje të ardhshme dhe, duke pyetur mbi planin e shpëtimit, zbulova se ekzistonte një mospërputhje e madhe në pikëpamjet fetare; nëse shkoja tek një sekt fetar ata më tregonin një plan dhe një tjetër sekt një tjetër plan; duke aluduar secili për besimin e vet të veçantë si summum bonum [e mira më e lartë] e përsosurisë. Duke menduar se nuk mund të ishin të gjitha të drejta dhe se Perëndia nuk mund të ishte autori i kaq shumë ngatërrese, vendosa ta hetoj çështjen më plotësisht, duke besuar që, nëse Perëndia kishte një kishë, ajo nuk do të ndahej në fraksione dhe, nëse ai e kishte mësuar një sekt të adhuronte në një mënyrë dhe të administronte një komplet ordinancash, ai nuk do t’i mësonte një tjetri parime që ishin diametralisht të kundërta. Duke e besuar fjalën e Perëndisë, pata siguri në deklaratën e Jakobit: “Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet”.
Unë u tërhoqa në një vend të veçuar në një korije dhe fillova t’i thërras Zotit. Ndërsa isha përfshirë me gjithë shpirt në përgjërim, mendja ime u hoq nga objektet me të cilat isha i rrethuar dhe u mbështolla në një vegim qiellor, dhe pashë dy personazhe të lavdishëm, të cilët i ngjanin ekzaktësisht njëri-tjetrit në tipare dhe paraqitje, të rrethuar nga një dritë e shkëlqyer që ishte më e shkëlqyer se dielli në mesditë. Ata më thanë se gjithë besimet fetare po besonin në doktrina të pasakta dhe se asnjëri prej tyre nuk pranohej nga Perëndia si Kisha dhe mbretëria e Tij. Dhe mua më urdhëruan shprehimisht të “mos shkoja pas tyre” duke marrë në të njëjtën kohë një premtim se plotësia e ungjillit në një kohë të ardhme do të më bëhej e njohur.