“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 25: Përpjekja për të Qenë një Dishepull Besnik i Jezu Krishtit”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)
“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 25”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm
Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 25
Përpjekja për të Qenë një Dishepull Besnik i Jezu Krishtit
Çdo ditë, ne kemi një mundësi për ta nderuar besëlidhjen tonë të pagëzimit duke qenë një dishepull i vërtetë i Jezu Krishtit. Si dishepujt e Tij, ne zotohemi ta ndjekim Shpëtimtarin dhe të jetojmë në përputhje me mësimet e Tij (shih te Doktrina e Besëlidhje 41:5). Për fat të mirë, dishepullimi nuk është një garë as një konkurs. Përkundrazi është një rrugëtim sa një jetë e tërë që e bëjmë me përkrahjen e Jezu Krishtit dhe dishepujve të tjerë (shih te Mosia 18:8–10). Ndërsa i studioni të vërtetat që jepen mësim në këtë njësi të fundit, merreni parasysh ndihmën dhe bekimet që mund të merrni ndërsa përpiqeni të jeni një dishepull besnik i Jezu Krishtit.
Pjesa 1
Çfarë mund të mësoj rreth dishepullimit nga shembulli i Shpëtimtarit?
Një dishepull është një ndjekës i përkushtuar. Dhe askush nuk është shembull i dishepullimit aq mirë sa Jezu Krishti. Dishepullimi i Tij teksa e zbatoi vullnetin e Atit të Tij, dhe dashuria e Tij për të tjerët, janë shembuj të mrekullueshëm për ne. Pak orë përpara se Shpëtimtari të vuante në Kopshtin e Gjetsemanit për të përmbushur vullnetin e Atit të Tij, Ai ndali për t’u larë këmbët Apostujve me dhimbsuri. Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e përshkroi këtë rast:
“Ndërsa po përgatitej darka e shenjtë e asaj Pashke judease të fundit, Jezusi kishte peshën e një emocioni të thellë e të skajshëm. Vetëm Ai e dinte se ç’e priste menjëherë pas saj. …
Mes këtij vakti dhe mendimeve të tilla, Krishti u ngrit qetësisht, i përveshi krahët sikurse një skllav ose një shërbëtor do t’i përvishte dhe ra në gjunjë që të lante këmbët e Apostujve. … Ai deri në orën e fundit – dhe përtej saj – do të ishte shërbëtori i tyre mbështetës.” (“He Loved Them unto the End”, Ensign, nëntor 1989, f. 25)
Pas këtij shërbimi të shenjtë, Jezusi u mësoi Apostujve të Vet të vërteta që mund të na udhërrëfejnë të gjithëve ndërsa kërkojmë të jemi dishepujt e Tij.
Motra Silvia H. Ollred, një ish-këshilltare në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, tha:
“Ne duhet ta duam njëri-tjetrin dhe t’i shërbejmë njëri-tjetrit. Ky është, në fakt, thelbi i të qenit dishepull në Kishën e vërtetë të Jezu Krishtit.” (“Thelbi i të Qenit Dishepull”, Liahona, maj 2011, f. 84)
Pjesa 2
Çfarë mund të kërkohet nga unë si një dishepull i Jezu Krishtit?
Jezusi vendosi standardin vijues për dishepullimin: “Nëse dikush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, ta marrë çdo ditë kryqin e vet dhe të më ndjekë” (Lluka 9:23). Ai shpjegoi: “Për një njeri të marrë kryqin e tij, do të thotë t’i mohojë vetes gjithë paperëndishmërinë e çdo lakmi të botës dhe të zbatojë urdhërimet e mia” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 16:26 [në variantin në anglisht]; shih edhe vargun 25 [te shtojca e kombinimit tresh]).
Plaku Ulises Soares, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Marrja mbi vete e kryqit tonë dhe ndjekja e Shpëtimtarit kërkojnë prej nesh që të ndjekim shembullin e Tij dhe të përpiqemi fort të bëhemi si Ai, duke u bërë ballë me durim rrethanave të jetës, duke mohuar dhe përbuzur orekset e njeriut natyror dhe duke pritur për Zotin.” (“Ta Marrim Kryqin Tonë”, Liahona, nëntor 2019, f. 115–116)
Një i ri pasanik e pyeti dikur Shpëtimtarin se çfarë duhej të bënte për të trashëguar jetën e përjetshme.
Plaku Leri R. Lorens, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim se si mund ta zbatojmë në jetën tonë këtë ndodhi nga shkrimi i shenjtë:
“Do të doja të sugjeroja që secili prej nesh të marrë pjesë në një ushtrim shpirtëror së shpejti, ndoshta edhe sonte ndërsa thoni lutjet tuaja. Me përulësi i bëni Zotit pyetjen në vijim: ‘Çfarë po më pengon të përparoj?’ Me fjalë të tjera: ‘Çfarë më mungon tjetër?’ Më pas prisni në qetësi për një përgjigje. Nëse jeni të sinqertë, përgjigjja shpejt do të bëhet e qartë. Do të ketë zbulesë të synuar veç për ju.” (“Çfarë më Mungon Tjetër?”, Liahona, nëntor 2015, f. 35)
Shkrimet e shenjta na mësojnë se, fatkeqësisht, i riu pasanik në atë ndodhi “iku i trishtuar, sepse kishte pasuri të madhe” (Mateu 19:22). Do të kërkohen gjithnjë sakrifica për të qenë një dishepull i Zotit. Por Presidenti Xhejms E. Faust, ndërkohë që shërbente në Presidencën e Parë, shpjegoi:
“Duke marrë parasysh premtimin e madh të Shpëtimtarit për paqe në këtë jetë dhe jetë të përjetshme në jetën që vjen, të jesh dishepull është një çmim që ia vlen të paguhet. Është një çmim që s’mund ta lëmë pa e paguar. Po të krahasohen, kërkesat për të qenë dishepull janë shumë, shumë më të vogla në krahasim me bekimet e premtuara.” (“Të Jesh Dishepull”, Konferenca e Përgjithshme, tetor 2006, f. 26)
Pjesa 3
Si mund të forcohem dhe të gjej mbështetje ndërsa përballem me sfidat e dishepullimit?
Nëse nganjëherë e pyetni veten a ia vlen çmimi për bekimet e premtuara të dishepullimit, mbajeni mend këtë: “Udha e [Zotit] është shtegu që të çon drejt lumturisë në këtë jetë dhe jetës së përjetshme në botën që vjen” (“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, ChurchofJesusChrist.org). Profeti Jakob dëshmoi: “Të drejtët, shenjtorët e të Shenjtit të Izraelit, ata që kanë besuar në të Shenjtin e Izraelit, ata që kanë duruar kryqet e botës … do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë, … dhe gëzimi i tyre do të jetë i plotë përgjithnjë” (2 Nefi 9:18).
Mund t’i bëni vetes pyetjet që Shpëtimtari u bëri dishepujve të Tij kohë më parë: Ç’përfitim ka njeriu nëse fiton gjithë botën dhe pastaj e humb shpirtin e vet? Ose çfarë do të japë njeriu si shkëmbim të shpirtit të vet?” (Mateu 16:26.)
Zoti jo vetëm u premton dishepujve të Tij shpërblime të përjetshme, por edhe na bekon teksa përpiqemi ta ndjekim Atë. Një nga ato mënyra në të cilat Ai na bekon, është duke na dhënë gëzim që zgjat në këtë jetë. Por ka edhe bekime të tjera që marrim. Në një letër drejtuar romakëve, Apostulli Pal reflektoi për disa nga mënyrat se si Zoti i përkrah ata që e ndjekin Atë, madje edhe në sfidat e tyre.