3
Sjellja Misionare
3.0
Hyrje
Kjo pjesë përshkruan standardet misionare të sjelljes dhe cilësitë si të Krishtit që pritet t’i ushtroni e zhvilloni gjatë misionit tuaj teksa bëheni një dishepull ose dishepulle më e përkushtuar e Jezu Krishtit. Siç dha këshillë profeti Moroni: “Mbaj mend fjalën e Perëndisë që thotë se ju do t’i njihni ata nga punët e tyre; pasi në qoftë se punët e tyre janë të mira, atëherë ata gjithashtu janë të mirë” (Moroni 7:5).
3.1
Sjellja si e Krishtit
Lutuni dhe punoni që të zhvilloni cilësi si të Krishtit, siç përshkruhen në shkrimet e shenjta dhe në manualin Predikoni Ungjillin Tim [Predikoni Ungjillin Tim], përfshirë mirënjohjen, mirësinë, dashurinë, përulësinë, durimin, empatinë dhe bindjen. Me ndihmën e Shpëtimtarit dhe vetë përpjekjet tuaja të sinqerta dhe të zellshme, ju mund të zhvilloni cilësi si të Krishtit (shihni te Mosia 3:19).
Jini dashamirës, pozitivë dhe lartësues. Jini të vëmendshëm për situatën e çdo njeriu, duke i bërë vetes pyetje të tilla si këto:
-
A është shumë vonë ose shumë herët për t’u vënë në kontakt me këtë person? A do të ndërpresë kjo në mënyrë të papërshtatshme kohën familjare ose vetjake?
-
A ka një mënyrë se si mund të jem i dobishëm në këtë situatë?
-
A mund ta vërë në siklet, frikësojë ose fyejë dikë ky veprim apo koment?
-
Çfarë është e përshtatshme për këtë kulturë?
Ju jeni vizitor në zonën ku shërbeni dhe duhet t’i trajtoni njerëzit dhe vendet me respekt e vlerësim. Respektojini traditat, bindjet dhe praktikat fetare, si dhe vendet e shenjta në zonën tuaj gjatë gjithë kohës. Jini të kujdesshëm që veprimet tuaja nuk do të fyejnë asnjë njeri. Mbani mend, ajo që thoni dhe ajo që bëni mund të dëgjohet, vëzhgohet dhe regjistrohet.
Për më shumë informacion shihni pjesën 7.3, “Respekti për të Tjerët” dhe te Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 38.6.14, “Paragjykimi”, te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
3.2
Denjësia për në Tempull
Zoti Jezu Krisht ju fton të “përgatiteni, dhe të shenjtëroheni; po, pastroni zemrat tuaja dhe pastroni duart e këmbët tuaja përpara meje, që unë të mund t’ju bëj të pastër” (Doktrina e Besëlidhje 88:74). Pjesë e kësaj përgatitjeje përfshin mbajtjen e besëlidhjeve tuaja të tempullit.
3.2.1
Besëlidhjet e Tempullit
Mbajtja e besëlidhjeve të tempullit për bindjen, sakrificën dhe përkushtimin do t’ju fuqizojnë ju dhe do t’ju ndihmojnë të bëheni më shumë si Shpëtimtari.
Edhe nëse nuk ka tempull në misionin tuaj, mbani një rekomandim aktual tempulli që t’ju ndihmojë të kujtoni besëlidhjet tuaja. Kërkojini presidentit tuaj të misionit një intervistë për rekomandim tempulli përpara se t’i mbarojë afati rekomandimit tuaj.
3.2.2
Adhurimi në Tempull
Nëse keni afër një tempull, presidenti juaj i misionit mund t’ju lejojë ju dhe misionarë të tjerë që ta frekuentoni me raste në ditën e përgatitjes.
Për më shumë informacion, shihni pjesën 7.4, “Frekuentimi i Tempullit”.
3.3
Ligji i Dëlirësisë
Një besëlidhje që keni bërë në tempull, është t’i bindeni ligjit të dëlirësisë. Bëni gjithçka mundeni për ta mbrojtur vetveten, shokun apo shoqen tuaj dhe njerëz të tjerë prej tundimit seksual që mund të çojë në shkelje të kësaj besëlidhjeje të shenjtë. Bërja e gjërave që e shkelin ligjin e dëlirësisë, mund të konsiderohet madje krim në disa zona.
Ju duhet të shmangni çdo mendim ose veprim që do t’ju largonte nga Shpirti i Perëndisë. Kjo përfshin, por nuk kufizohet vetëm me, shkeljen e kurorës; kurvërinë; ndërveprimin seksual brenda së njëjtës gjini; seksin gojor; nxitjen e ndjenjave seksuale; prekjen e papërshtatshme; dërgimin ose marrjen e mesazheve, figurave apo materialeve filmike që janë imorale ose seksuale nga natyra; masturbimin dhe shikimin ose përdorimin e pornografisë (shihni te 7.5.3). Shihni broshurën Për Forcën e Rinisë, “Trupi juaj është i shenjtë”, f. 22–29, për informacion shtesë.
Zoti ka dhënë mësim: “Satani kërkon të shkatërrojë” (Doktrina e Besëlidhje 132:57) dhe t’ju bëjë “të mjeruar sikurse është ai vetë” (2 Nefi 2:27). Ai do të përdorë njerëz, media të papërshtatshme dhe tundime të tjera për t’ju mashtruar, zënë në grackë, kërcënuar e turpëruar. Për shembull, jini veçanërisht të kujdesshëm ndaj atyre që mund të kërkojnë pagesë financiare në shkëmbim të mosshfaqjes së figurave dhe mesazheve komprometuese apo të papërshtatshme që mund t’iu keni dërguar.
Nëse po hasni vështirësi në mbajtjen e këtyre standardeve ose nëse dikush ju kërcënon, kërkojini Zotit ndihmë dhe flisni menjëherë me presidentin tuaj të misionit.
3.4
Ndershmëria
Denjësia për në tempull përfshin të qenit i ndershëm në të gjitha marrëdhëniet tuaja me të tjerët. Në shërbimin misionar, kjo përfshin:
-
T’i tregoni të vërtetën, veçanërisht presidentit tuaj të misionit lidhur me sjelljen, dëshminë, zakonet e punës dhe shëndetin tuaj emocional e fizik.
-
Të jepni në raportet tuaja javore të dhëna të sakta të punës suaj dhe mënyrës se si e keni shpenzuar kohën tuaj gjatë gjithë javës.
-
T’i përdorni fondet e misionit me përgjegjësi dhe të dorëzoni fatura të sakta.
-
Të jeni të besueshëm dhe kurrë të mos jepni raportim të rremë apo informacion të rremë rreth një personi, përfshirë shokun apo shoqen tuaj misionare.
-
Të respektoni të tjerët duke mos marrë borxh, duke mos marrë ose përdorur pa leje gjërat personale të dikujt (përfshirë veshjet, librat, pajisjet elektronike dhe bizhuteritë).
3.5
Ndërveprimet me të Tjerët
Shpëtimtari dha mësim: “Ky është urdhërimi im: ta doni njëri‑tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur juve” (Gjoni 15:12). Zgjidhni të ndiqni shembullin e Shpëtimtarit dhe të veproni në mënyra që janë të sjellshme, të sigurta dhe të përshtatshme për situatën.
3.5.1
Standarde të Përgjithshme për Ndërveprimin me Personat në Moshë Madhore
Ndërtoni mirëbesim dhe marrëdhënie kuptimplota me njerëzit të cilëve u shërbeni, përfshirë njerëzit që u jepni mësim, misionarë të tjerë dhe anëtarë vendorë. Jini kompetentë e të sjellshëm dhe respektojini këto standarde:
-
Gjithmonë qëndroni me shokun ose shoqen tuaj misionare.
-
Mos u jepni këshillë njerëzve në moshë madhore rreth problemeve vetjake. Referojini anëtarët te peshkopi i tyre nëse u nevojitet këshillim. Nëse e ndieni se dikush nga një fe tjetër ka nevojë për ndihmë për probleme vetjake, flisni me presidentin tuaj të misionit.
-
Shmangini situatat që mund të bëhen të rrezikshme fizikisht apo shpirtërisht ose që mund të keqkuptohen.
-
Mos flirtoni, as mos u shoqëroni në mënyrë të papërshtatshme me askënd. Kufizojeni kontaktin fizik me dikë të gjinisë së kundërt në një shtrëngim duarsh.
-
Gjithmonë sigurohuni që një person tjetër në moshë madhore i së njëjtës gjini me ju, të jetë i pranishëm me ju dhe shokun/shoqen tuaj kur e vizitoni personalisht, i jepni mësim personalisht, udhëtoni apo hani vakte me një person të gjinisë së kundërt. Kërkoni miratimin e presidentit tuaj të misionit për çdo përjashtim.
-
Mbani të folur dinjitoz dhe shmangeni përdorimin e zhargoneve. Përdorni tituj të përshtatshëm kur u drejtoheni të tjerëve. Për shembull, përdorni titullin “Plaku” [“Eldër”] ose “Motra” kur u drejtoheni misionarëve të tjerë që të tregoni respekt për thirrjen e tyre.
3.5.2
Standarde të Përgjithshme për Ndërveprimin me Fëmijët
Për sigurinë tuaj, si dhe sigurinë e fëmijëve, respektojini rreptësisht orientimet vijuese:
-
Gjithmonë qëndroni me shokun ose shoqen tuaj misionare.
-
Kurrë mos jini vetëm me dikë më të vogël se 18 vjeç/e.
-
Jini të kujdesshëm kur luani me grupe fëmijësh, të tilla si kur luani në një lojë futbolli ose një lojë tjetër. Mos bëni asgjë atje ku veprimet tuaja mund të keqinterpretohen.
-
Kurdoherë që është e mundur, merrni lejen e një prindi që të keni ndërveprim me një fëmijë.
-
Mos i gudulisni fëmijët, mos ua ndërroni pelenat, mos i mbani në duar ose mos i përqafoni fëmijët, as mos i lejoni fëmijët të ulen në prehrin tuaj. Këto veprime mund të duken të papërshtatshme ose të keqinterpretohen.
-
Me mirësjellje mos pranoni të kujdeseni për fëmijë të çfarëdo moshe.
-
Mos merrni pjesë në veprimtari shërbimi ku ju do të jeni vetëm me fëmijët (shihni te 7.2.2).
3.6
Argëtimi
Ju mund të mësoni t’i doni më plotësisht njerëzit të cilëve u shërbeni, duke treguar interesim të sinqertë për kulturën, historinë, vendin dhe traditat e tyre nëpërmjet vizitave në vende lokale me interes, në përgjithësi në ditën e përgatitjes (shihni te 2.5).
Kërkojuni njerëzve që takoni që t’ju rekomandojnë vende të përshtatshme dhe të sigurta për t’u vizituar. Zgjidhni veprimtari që janë lartësuese dhe që ju ndihmojnë të çlodheni. Vendet e përshtatshme për t’u vizituar mund të përfshijnë (por nuk kufizohen vetëm te) sa vijojnë:
-
Vendet historike dhe kulturore
-
Muzetë dhe galeritë
-
Parqet zoologjike dhe botanike
3.6.1
Standarde të Përgjithshme për Argëtimin
Shmangeni grumbullimin në grupe të mëdha misionarësh në vende publike. Normalisht, kjo do të thotë që ju nuk duhet të mblidheni në grupe më të mëdha sesa madhësia e distriktit tuaj. Bërja e kësaj gjëje mund të tërheqë vëmendje të panevojshme ose t’i bëjë njerëzit të ndihen të trembur.
Përdorini automjetet e misionit vetëm për veprimtari që autorizohen nga presidenti juaj i misionit.
Bëni ushtrime fizike dhe jini aktivë që ta mbani trupin tuaj të aftë për punë misionare. Merrni pjesë në sporte në mënyra që i shmangin lëndimet dhe lodhjen e tepërt.
3.6.2
Veprimtaritë e Paautorizuara
Gjithmonë jini të sigurt dhe përdorni logjikën e shëndoshë kur merrni pjesë në veprimtari argëtuese. Ngaqë misionarët janë lënduar rëndë teksa merrnin pjesë në veprimtari të rrezikshme, ju nuk duhet të merrni pjesë gjatë misionit tuaj në veprimtari që përfshijnë rrezik të shtuar. Këto veprimtari përfshijnë sa vijon, por nuk kufizohen vetëm në to:
-
Sportet me kontakt fizik, gjimnastikën, sportet dimërore dhe ujore (përfshirë notin)
-
Ngjitjen në male dhe nëpër shkëmbinj
-
Udhëtimin me motoçikleta e kuaj
-
Udhëtimin me anije apo avionë privatë
-
Mbajtjen në duar të armëve
-
Përdorimin e fishekzjarrëve ose eksplozivëve të çfarëdo lloji
Shikoni këtë material filmik për më shumë informacion rreth sigurisë në veprimtaritë argëtuese.
3.6.3
Mediat
Zgjidhni media të miratuara dhe të përshtatshme për ta ftuar Shpirtin dhe për t’ju ndihmuar që të përmbushni qëllimin tuaj misionar. Kjo përgjithësisht nënkupton:
-
Të përdorni mediat shoqërore, programe kompjuterike dhe mediat në internet që janë të miratuara për misionin tuaj për të dhënë mësim ungjillin dhe për të komunikuar me familjen e miqtë tuaj (shihni te 3.9).
-
Të shmangni televizorin, filmat, lojërat kompjuterike dhe materialet filmike të paautorizuara.
-
Të zgjidhni libra zanorë, muzikë dhe materiale leximi që e rritin besimin tuaj te Jezu Krishti. Ato duhet të jenë të shenjta, ta ftojnë Shpirtin dhe të jenë lartësuese (shihni te Manuali i Përgjithshëm, 19.1).
Referojuni standardeve të misionarëve për teknologjinë për më shumë informacion (shihni te 7.5). Diskutojini pyetjet rreth mediave me udhëheqësit tuaj të misionit.
3.6.4
Veglat Muzikore
Nëse miratohet nga presidenti juaj i misionit, ju mund të sillni një vegël muzikore në fushën e misionit. Nuk duhet të jetë e shtrenjtë, duhet të jetë e lehtë për t’u transportuar dhe në gjendje që të plotësojë kërkesat për bagazhet. Lloji i veglës duhet të jetë i përshtatshëm për mbledhjet e së dielës (shihni te Manuali i Përgjithshëm, 19.3.6).
Ju mund të bëni praktikë me veglën në ditën e përgatitjes dhe në raste të tjera që i përcakton presidenti juaj i misionit. Kur luani në veglën muzikore, mbani parasysh fqinjët tuaj dhe misionarët e tjerë, dhe si mund të ndikohen ata. Lloji i muzikës që luani me veglën muzikore, duhet të jetë i shenjtë, me dinjitet dhe i përshtatshëm për punën misionare.
3.7
Fotografitë dhe Materialet Filmike
Fotografitë mund t’ju ndihmojnë që t’u tregoni për përvojën tuaj të misionit njerëzve në shtëpi dhe mund të jenë kujtime domethënëse për misionin tuaj. Kur bëni fotografi ose regjistroni materiale filmike, jini të kujdesshëm që të mos bezdisni njeri, përfshirë misionarë të tjerë dhe njerëz të cilët ndeshen me sfida ekonomike, shoqërore ose fizike. Disa njerëz mund të mos duan që ju ose njerëz të tjerë të shihni, tregoni apo kujtoni atë që është treguar në një fotografi. Kërkoni leje përpara se të bëni dhe tregoni fotografi ose materiale filmike. Në disa misione, ju mund të mos lejoheni që publikisht të përhapni fotografi të njerëzve që po mësoni, për shkak të ligjeve vendore për privatësinë.
Bërja e fotografive të caktuara mund të jetë fyese ose e jashtëligjshme në disa kultura dhe vende. Disa shembuj përfshijnë bërjen e fotografive të:
-
Ndërtesave qeveritare dhe ushtarake të caktuara.
-
Zonave të sigurisë në aeroporte, vendeve të kontrollit të pasaportave, kalimeve të kufijve, konsullatave dhe ambasadave.
-
Personelit të zbatimit të ligjit ose të ushtrisë.
-
Njerëzve, godinave apo aktiviteteve të besimeve të tjera fetare.
-
Subjekteve të ndjeshëm nga ana kulturore, përfshirë njerëzit me veshje tradicionale.
-
Njerëzve që po ndeshen me varfëri, sëmundje apo aftësi të kufizuara.
Si orientim i përgjithshëm, mos i bëni fotografi objekteve, vendeve apo njerëzve të renditur më lart. Diskutojeni çdo pyetje që mund të keni, me udhëheqësit tuaj të misionit.
Kisha gjithashtu ka rregullore të veçanta rreth bërjes së fotografive në shtëpitë e mbledhjeve:
-
Mos bëni fotografi ose regjistroni materiale filmike në sallat e sakramentit të shtëpive të mbledhjeve.
-
Mos nxirrni fotografi, mos dërgoni ose filmoni ordinanca të shenjta, përfshirë sakramentin, pagëzimet dhe konfirmimet.
Shikoni këtë material filmik për më shumë informacion rreth orientimeve për bërjen e fotografive dhe të materialeve filmike.
3.8
Përdorimi i Teknologjisë
Zoti shpalli: “Vini re, unë do ta përshpejtoj veprën time në këtë kohë” (Doktrina e Besëlidhje 88:73). Teknologjia mund të jetë një mjet për të përhapur mësimet e ungjillit të Jezu Krishtit dhe duhet të përdoret me drejtësi.
Për më shumë informacion, shihni pjesën 7.5, “Teknologjia”.
3.9
Komunikimi me Familjen, Udhëheqësit e Misionit dhe Miqtë
Familja, udhëheqësit e misionit dhe miqtë tuaj mund të jenë përkrahje e madhe për ju gjatë misionit tuaj. Komunikoni në ditën e përgatitjes me familjen tuaj dhe me njerëz nga zona të tjera, përfshirë anëtarët dhe ata të cilëve u keni dhënë mësim. Forcojini ata ndërsa tregoni përvoja shpirtërore dhe dëshmi.
Kur komunikoni me njerëz të tjerë (përveç familjes suaj), duhet ta kufizoni komunikimin tuaj duke përdorur postën elektronike ose dërgimin e letrave dhe jo me telefon ose bashkëbisedim me video, veç nëse miratohet nga presidenti juaj i misionit.
Jepini përparësi kohës në ditën tuaj të përgatitjes duke komunikuar së pari me prindërit tuaj dhe së dyti me presidentin tuaj të misionit.
Jini të mençur kur përcaktoni kohëzgjatjen e komunikimit tuaj. Kur merrni këto vendime, jini të kujdesshëm ndaj shokut apo shoqes suaj dhe mbani në mendje qëllimin e shërbimit tuaj misionar.
Ju mund të lexoni çfarëdo komunikimi që merrni gjatë javës, kurdoherë që keni kohë të përshtatshme për ta bërë këtë gjë. Duhet t’u përgjigjeni komunikimeve vetëm në ditën e përgatitjes, përveçse kur është urgjente (shihni te 3.9.7).
3.9.1
Familja
Ju mund të komunikoni me familjen ditën tuaj të përjavshme të përgatitjes me letra, mesazhe me anë të postës elektronike, mesazhe në celular, mesazhe në internet, telefonata dhe bashkëbisedim me video.
Përdorni metodën e miratuar të komunikimit që funksionon më mirë për ju dhe familjen tuaj dhe që është me kosto të leverdishme, që të mund të qëndroni brenda buxhetit tuaj mujor. Kjo do të ndryshojë sipas rrethanave, vendndodhjes dhe programit.
Nëse prindërit tuaj jetojnë në vende të ndryshme, ju mund të viheni në kontakt me secilin prind veças në ditën e përgatitjes.
Ju nxiteni gjithashtu të viheni në kontakt me familjen tuaj në raste të tjera të veçanta, të tilla si Krishtlindja, Dita e Nënës, Dita e Babait, datëlindjet e prindërve dhe festa të tjera që janë të rëndësishme në vendlindjen apo kulturën tuaj.
Ju duhet t’i filloni të gjitha llojet e bashkëbisedimeve me mesazhe në celular, mesazhe në internet, telefonata dhe bashkëbisedim me video. Nëse familja juaj ka nevojë që t’ju kontaktojë, së pari ajo duhet të vihet në kontakt me presidentin e misionit.
Kur komunikoni me familjen tuaj me telefon ose bashkëbisedim me video, tregoni mençuri në përcaktimin e kohëzgjatjes së telefonatave tuaja. Kur merrni këto vendime, jini të kujdesshëm ndaj shokut apo shoqes suaj dhe mbani në mendje qëllimin e shërbimit tuaj misionar.
3.9.2
Presidenti i Misionit
Shkruajini një letër presidentit tuaj të misionit çdo javë në ditën e përgatitjes. Përgjithësisht, ju do t’ia dërgoni letrën duke përdorur Portalin e Misionarëve.
Vetëm presidenti juaj i misionit do ta shqyrtojë letrën tuaj të përjavshme. Jini të hapur dhe të ndershëm që ai të mund ta kuptojë çfarëdo shqetësimi që keni, dhe të japë këshillë e përshtypje domethënëse. Ju lutemi, jini të vetëdijshëm që ai do ta lexojë çdo letër, por nuk do të jetë në gjendje t’i përgjigjet çdo letre.
Nëse merrni lajme të rëndësishme nga shtëpia, që kërkojnë vëmendje të menjëhershme, njoftoni presidentin tuaj të misionit dhe bisedoni me të përpara se të viheni në kontakt me familjen në ditët që nuk janë dita e përgatitjes apo raste të veçanta.
3.9.3
Komunikimi me Njerëzit në Misionin Tuaj
Kur viheni në kontakt me njerëz nga zona të tjera të misionit tuaj, sigurohuni që komunikimi juaj të përqendrohet te përmbushja e qëllimit tuaj si misionar/e. Ndiqni standardet te pjesa 3.5.1, “Standarde të Përgjithshme për Ndërveprimin me të Rriturit” dhe te pjesa Masat Mbrojtëse për Përdorimin e Teknologjisë dhe mbani mend ta përfshini shokun/shoqen tuaj misionar/e teksa merrni pjesë në këto komunikime.
3.9.4
Pakot dhe Letrat
Disa misione mund të përdorin adresën e zyrës së misionit për të marrë letra e pako dhe si adresën tuaj të dërgimit. Kjo praktikë mund ta mbrojë sigurinë tuaj dhe ndihmon që të parandalohet vjedhja dhe humbja e postës për shkak të transferimeve. Ju lutemi t’i ndiqni të gjitha orientimet që merrni në raste të tilla.
3.9.5
Përvojat Misionare me Njerëz nga Vendi Juaj
Mund të njihni një person nga vendi juaj, përvoja personale e të cilit/ës mund ta ndihmojë dikë që po i jepni mësim në misionin tuaj. Duhet t’i kërkoni leje presidentit tuaj të misionit që ai person të tregojë përvojën dhe të japë dëshminë e vet. Këshillohuni me personin rreth teknologjisë më të mirë të komunikimit që duhet përdorur.
Nëse familja ose miqtë tuaj nga vendi juaj dëshirojnë të mësojnë më shumë rreth ungjillit të Jezu Krishtit, presidenti juaj i misionit mund t’ju lejojë t’u jepni mësim duke përdorur teknologjinë (shihni te 7.5.4).
3.9.6
Vizitat Personale nga Familja dhe Miqtë
Në përgjithësi, familja dhe miqtë nuk duhet t’ju vizitojnë gjatë misionit tuaj. Sidoqoftë, në rrethana të veçanta, presidenti juaj i misionit mund ta miratojë një përjashtim. Këto vizita duhet të jenë të shkurtra dhe të mos bien ndesh me detyrat tuaja misionare. Një vizitë nuk duhet të jetë bezdi për shokun ose shoqen tuaj, misionarët e tjerë ose njerëzit të cilëve u jepni mësim. Tregoni kujdes që cilado vizitë e tillë nuk jua largon vëmendjen nga shërbimi juaj apo krijon problem financiar për familjen tuaj.
3.9.7
Urgjencat
Nëse familja juaj ju tregon për një urgjencë në shtëpi, ua bëni të ditur udhëheqësve tuaj të misionit që të mund t’ju japin përkrahje. Udhëheqësit e misionit do të vihen në kontakt me familjen tuaj, në qoftë se ju keni një situatë urgjence.