Seminari
Veprat e Apostujve 8


Veprat e Apostujve 8

Filipi i Jep Mësim Burrit Etiopas

Filipi (figurë e Dhiatës së Re) duke i mësuar ungjillin një etiopasi ndërsa janë në një koçi. Një burrë tjetër portretizohet duke ngarë kuajt dhe koçinë. Një liqen ose lumë mund të shihet në anë të rrugës ku po ecën karroca. Referencë nga Shkrimi i Shenjtë: Veprat e Apostujve 8:26–39

Filipi ishte një misionar entuziast dhe besnik, i cili shkoi në shkretëtirë me urdhër të Zotit. Shpirti e drejtoi Filipin te një burrë etiopas që po lexonte shkrimet e shenjta në karrocën e tij. Kur Filipi pyeti nëse burri e kuptonte atë që lexonte, ai u përgjigj: “E si do të mundja, po s’pata një që të më udhëzojë?” (Veprat e Apostujve 8:31.) Për shkak se Filipi i kuptonte dhe i donte shkrimet e shenjta, ai mundi t’i jepte mësim etiopasit rreth Jezu Krishtit në një mënyrë që e drejtoi atë të besonte dhe të pagëzohej. Teksa i studion vargjet te Veprat e Apostujve 8:26–40, përsiat se si mund t’i përdorësh shkrimet e shenjta për t’i ndihmuar të tjerët të besojnë te Jezu Krishti dhe të vijnë tek Ai.

Përdorimi i mjeteve të duhura

Përdorimi i mjetit të duhur mund të të ndihmojë të ndërtosh ose të riparosh objekte më shpejt dhe më lehtë. Përfytyro se sa e vështirë do të ishte të ndërtosh ose të riparosh objekte pa mjetet e duhura. Mendo se për çfarë përdoren mjetet vijuese.

Çekani
Sharra
Çelës Anglez
  • Kur janë të dobishme këto mjete?

  • Si mund t’i përdorësh ato në mënyrë të efektshme?

Në mënyrë të ngjashme, mjete dhe aftësi të caktuara mund të përdoren për të ndërtuar dhe riparuar dëshirën tonë për ta ndjekur Shpëtimtarin dhe për ta jetuar ungjillin e Tij.

  • Cilat janë disa mjete ose aftësi shpirtërore që të kanë ndihmuar të rritesh në ungjill?

  • Si mund t’i përdorësh këto mjete për të ftuar dikë tjetër të vijë te Shpëtimtari?

Njëri nga këto mjete është aftësia jonë për të kuptuar dhe përdorur shkrimet e shenjta, sidomos mësimet dhe dëshmitë e tyre rreth Jezu Krishtit. Përsiat për një çast se sa mirë ndihesh që t’i përdorësh shkrimet e shenjta për t’i ftuar të tjerët të vijnë te Jezu Krishti. Teksa e studion këtë mësim, kërko udhërrëfim nëpërmjet Frymës së Shenjtë për të ditur mënyrën se si mund t’i përdorësh më mirë shkrimet e shenjta si ndihmë për t’i sjellë të tjerët te Shpëtimtari.

Filipi thirret në shkretëtirë

Veprat e Apostujve 8 shënon disa përvoja të Filipit, një prej të shtatë vëllezërve të thirrur në shërbesë nga Apostujt (shih te Veprat e Apostujve 6:3–6). Për t’i shpëtuar përndjekjes në rritje në Jerusalem, Filipi udhëtoi drejt Samarisë për të vazhduar shpërndarjen e ungjillit. Gjatë priftërisë, ai kreu mrekulli, shëroi shumë njerëz dhe “u predikoi atyre Krishtin” (shih te Veprat e Apostujve 8:5–8). Ndërsa e studion rrëfimin vijues, kërko mjetet që Filipi përdori për të realizuar detyrën e paparashikuar që mori nga Zoti.

Lexo te Veprat e Apostujve 8:26–39 dhe përfytyroji ngjarjet e përshkruara në këtë rrëfim. Nëse dëshiron, mund të shënosh fjalët dhe frazat që janë kuptimplota për ty. (Vër re që eunuku [këtu] është një shërbëtor i mirëbesuar.)

Shkrimi në një copë letër me një stilolaps ose laps. 1. Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Në çfarë mënyrash e udhërrëfeu Zoti Filipin? Përse është e rëndësishme të ndjekim nxitjet e Zotit teksa përpiqemi t’i ndihmojmë të tjerët të vijnë tek Ai?

  • Si mundi Filipi të përdorte njohurinë e tij nga shkrimet e shenjta për të mësuar etiopasin rreth Jezu Krishtit?

  • Çfarë mësimesh të bëjnë përshtypje në këtë ndodhi?

Ndër shumë të vërteta në këtë rrëfim, ti mund të kesh përcaktuar një parim si ky në vijim: Kur i kuptojmë shkrimet e shenjta dhe mësojmë prej tyre rreth Shpëtimtarit, ne mund t’i ndihmojmë të tjerët të vijnë tek Ai.

Përdorimi i shkrimeve të shenjta për të dhënë mësim rreth Jezu Krishtit

Kur etiopasi pyeti nëse shkrimi i shenjtë që po lexonte, ishte rreth profetit Isaia ose “ndonjë tjetër”, vër re që njohuria e Filipit për shkrimet e shenjta i dha atij mundësinë të fillonte menjëherë “nga ky Shkrim dhe [t’i predikonte për] Jezusin” (Veprat e Apostujve 8:34–35).

Fragmenti i shkrimit të shenjtë që lexoi etiopasi, gjendet tek Isaia 53, një profeci e bukur për Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin. Nëse dëshiron, mund t’i shënosh si referenca-kryq ose t’i lidhësh vargjet nga Veprat e Apostujve 8:32–33 me vargjet nga Isaia 53:7–8.

Përfytyro sikur je në pozicionin e Filipit dhe ke mundësinë t’i tregosh një shoku dëshminë tënde për Jezu Krishtin. Lexo tek Isaia 53:3–9, duke i kushtuar vëmendje asaj çfarë ti mendon dhe ndien për Shpëtimtarin ndërsa lexon.

Shkrimi në një copë letër me një stilolaps ose laps. 2. Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Çfarë do të doje që shoku yt të dinte, ndiente apo kuptonte rreth Jezu Krishtit nga ky fragment? Përse?

  • Si mund ta përdorësh atë që di dhe ndien për Jezu Krishtin, për ta nxitur shokun tënd ta ndjekë më mirë Atë?

Të forcuar nëpërmjet përgatitjes

Për shkak të përpjekjeve të Filipit, etiopasi u kthye në besim dhe u pagëzua (shih te Veprat e Apostujve 8:36–38). Ashtu si Filipi, ne mund t’i frymëzojmë dhe t’i nxitim të tjerët ta ndjekin Jezu Krishtin dhe të bëhen si Ai. Plaku Ulises Soares, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se përgatitja jonë vetjake mund të na ndihmojë t’i frymëzojmë të tjerët të afrohen më pranë Perëndisë:

Portreti zyrtar i Plakut Ulises Soares, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

“Kur kërkojmë ta mësojmë e t’ia japim mësim njëri‑tjetrit ungjillin e Jezu Krishtit me zell, përzemërsisht, vendosmërisht dhe çiltërsisht, me qëllim të vërtetë dhe nën ndikimin e Shpirtit, këto mësime mund t’i shndërrojnë zemrat dhe të ndezin një dëshirë për të jetuar sipas të vërtetave të Perëndisë”.

(Ulises Soares,“Si Mund ta Kuptoj Unë?”, Liahona, maj 2019, f. 8)

Shkrimi në një copë letër me një stilolaps ose laps. 3. Përgjigju për njërin prej dy grupeve vijuese të pyetjeve në ditarin tënd të studimit:

  • Çfarë përshtatjesh mund të bësh në studimin vetjak të shkrimeve të shenjta që do të të përgatitin t’i ndihmosh të tjerët të vijnë te Krishti? Në çfarë mënyrash mund ta forcojë ky ndryshim sigurinë tënde në përdorimin e shkrimeve të shenjta?

  • Cila pjesë e studimit të sotshëm të shkrimeve të shenjta të ndihmoi të ndihesh më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit? Si mendon, përse ajo pjesë ndikoi më thellësisht sesa të tjerat?

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?

Veprat e Apostujve 8:27. Çfarë është një eunuk?

Eunukët ishin burra të tredhur që shërbenin në shumë shoqëri të lashta të Lindjes së Afërt dhe të Mesme. Ata shërbenin si ushtarë, ruanin haremet mbretërore dhe shpesh mbanin pozicione të besuara brenda oborrit. Eunuku etiopas te Veprat e Apostujve 8:26–39 ishte përgjegjës për thesarin e oborrit të Etiopisë. (Shih Bible Dictionary, “Eunuch”.)

Një nxënës besnik mund të bëhet një mësues i frymëzuar

Plaku Ulises Soares, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Portreti zyrtar i Plakut Ulises Soares, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

“Në kontekstin e të mësuarit dhe mësimdhënies së ungjillit, ne nganjëherë jemi si etiopasi – kemi nevojë për ndihmën e një mësuesi besnik dhe të frymëzuar dhe nganjëherë jemi si Filipi – kemi nevojë që t’i mësojmë e t’i forcojmë të tjerët gjatë kthimit të tyre në besim”.

(Ulises Soares,“Si Mund ta Kuptoj Unë?”, Liahona, maj 2019, f. 6)