Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 6
Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë t’i vlerësosh synimet që ke vendosur dhe rritjen vetjake që ke përjetuar gjatë studimit tënd të Dhiatës së Re.
Duaje Perëndinë me gjithë zemër
Në ditarin tënd të studimit, vizato skicën e një zemre. Rendit brenda ose rreth zemrës gjëra që ke mësuar ose ndier rreth Shpëtimtarit, që e kanë shtuar dashurinë tënde për Të. Nëse është e mundur, pyet një mik apo pjesëtar të familjes se çfarë i pëlqen atij te Shpëtimtari dhe shtoje atë në listën tënde. Përgjigju për pyetjet vijuese poshtë vizatimit të zemrës.
-
Si të ka dhënë shtysë shtimi i njohurive rreth dashurisë që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kanë për ty, që të mundohesh t’i duash ata më shumë?
-
Si të ka ndihmuar të kuptuarit e dashurisë së Tyre që ta rritësh dashurinë tënde për njerëzit e tjerë?
Kujto që Shpëtimtari na mësoi se ne tregojmë dashuri për Të duke zbatuar urdhërimet (shih te Gjoni 14:15). Jezu Krishti dha shembullin e përsosur të shfaqjes së dashurisë ndaj Atit Qiellor duke iu bindur të gjitha urdhërimeve (shih te Gjoni 14:31).
Kur studiove vargun te Gjoni 14:15, mund të kesh shkruar në ditarin tënd të studimit dëshirat e tua për t’i zbatuar urdhërimet dhe shtysat apo arsyet e tua për ta bërë këtë gjë. Nëse po, rishikoje atë që shkrove.
Shlyerja e Jezu Krishtit: Si do të ishte jeta jote pa të?
Mendo për atë që ke mësuar rreth flijimit shlyes të Jezu Krishtit nga Dhiata e Re. Përsiat për një çast për domethënien që Jezu Krishti dhe flijimi i Tij shlyes kanë për ty personalisht. Merre parasysh se si do të ishte jeta jote pa asnjërin.
Tani që ke gjetur kohën për të përsiatur, shënoji disa nga mendimet e tua duke u përgjigjur për pyetjet në vijim. Përfshi hollësi kuptimplota në përgjigjet e tua dhe përfshi fragmente të shkrimeve të shenjta për flijimin e Jezu Krishtit, të cilat kanë ndikuar tek ti.
Presidenti M. Rasëll Ballard, Presidenti Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Fatmirësisht, Jezu Krishti me guxim e përmbushi këtë flijim në Jerusalemin e lashtë. … Jezusi vuajti me gatishmëri në mënyrë që ne të gjithë të mund të kemi mundësinë të pastrohemi tërësisht – duke pasur besim tek Ai, duke u penduar për mëkatet tona, duke u pagëzuar nga autoriteti i duhur i priftërisë, duke marrë dhuratën pastruese të Frymës së Shenjtë përmes konfirmimit dhe duke pranuar të gjitha ordinancat e tjera thelbësore. Pa Shlyerjen e Zotit, asnjë nga këto bekime nuk do të ishte në dispozicionin tonë dhe ne nuk do të bëheshim të denjë dhe të përgatitur për t’u kthyer që të jetojmë në praninë e Perëndisë.”
(M. Russell Ballard, “The Atonement and the Value of One Soul”, Liahona, maj 2004, f. 85)
Përhapja e lajmit të mirë të Jezu Krishtit
Tani që ke reflektuar për rëndësinë e flijimit shlyes të Jezu Krishtit, lexo thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson.
“Fjala ungjill do të thotë ‘lajm i mirë’. Lajmi i mirë është Zoti Jezu Krisht dhe mesazhi i Tij i shpëtimit. Jezusi e njësoi ungjillin me misionin e Tij dhe me shërbesën e Tij në vdekshmëri.”
(Rasëll M. Nelson, “Misionarët e Moshuar dhe Ungjilli”, Liahona, nëntor 2004, f. 81; Konferenca e Përgjithshme, tetor 2004, f. 81)