Zotërimi Doktrinor: Jakob 1:5–6
“Le të Kërkojë nga Perëndia”
Në një mësim të mëparshëm, “Jakob [Bibël] 1”, ti mësove se Perëndia na bekon me urtësi nëse ia kërkojmë Atij me besim. Ky mësim mund të të ndihmojë të mësosh përmendsh referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargjet te Jakob [Bibël] 1:5–6, të shpjegosh doktrinën dhe t’i zbatosh parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në situata nga jeta reale.
Mëso përmendsh dhe shpjego
Përfytyro një shok ose shoqe që po has vështirësi për të marrë një vendim të rëndësishëm në jetën e vet. Ti e di se ky shok ose kjo shoqe nuk është rritur me besimin se ne mund t’i flasim Perëndisë drejtpërdrejt në lutje.
Kujto që në mësimin e mëparshëm ti studiove të vërtetën vijuese nga Jakob [Bibël] 1:5–6: Perëndia do të na bekojë me urtësi nëse ia kërkojmë Atij me besim.
Të jesh i aftë për ta gjetur dhe shpjeguar këtë fragment të zotërimit doktrinor mund të të ndihmojë teksa ua shpërndan ungjillin të tjerëve gjatë gjithë jetës sate. Për të të ndihmuar ta mësosh përmendsh këtë fragment, shiko figurën e Vegimit të Parë të Jozef Smithit në fillim të mësimit ndërkohë që përsërit frazën kyç dhe referencën e shkrimit të shenjtë në vijim sa herë të mundesh brenda një minute: “Në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia” (Jakob [Bibël] 1:5–6).
Ushtroje vënien në zbatim
Jozef Smithi është një nga shembujt e shumtë në shkrimet e shenjta të njerëzve që janë bekuar nga ndjekja e parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore. Për ushtrimin vijues të vënies në zbatim, ti do të studiosh një shembull të mënyrës se si ai i zbatoi këto parime në jetën e tij. Para se të fillosh, gjej pak kohë për t’i shqyrtuar shkurtimisht këto parime në paragrafët 5–12 të pjesës “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2022).
-
Mendo për atë që ti di tashmë për përvojën e Jozef Smithit. Çfarë pyetjesh pati Jozefi? (Shih te Joseph Smith – Historia 1:8–10.)
-
Përse është e rëndësishme që ne të kërkojmë përgjigje nga Perëndia për pyetjet tona ashtu siç bëri Jozef Smithi?
Mendo për çdo pyetje që ke ose për urtësinë që po kërkon. Teksa e plotëson veprimtarinë vijuese, mendo se si shembulli i Jozefit për zbatimin e parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore mund të të ndihmojë në situata që kërkojnë urtësi nga Perëndia.
Studio vargjet te Joseph Smith – Historia 1:8, 11–17 dhe merre parasysh ta shenjosh çdo frazë që tregon se si Jozefi i ndoqi parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore si adoleshent. Ndonëse mund të kesh tashmë njohuri për historinë e tij, kërko në këto vargje hollësi që zbulojnë dëshirat, qëndrimet dhe besimin e Jozefit përtej asaj që mund të kesh vënë re më parë.
-
Çfarë shembujsh të Jozefit gjete që vepron me besim, duke mbajtur një këndvështrim të përjetshëm dhe duke përdorur burimet e caktuara në mënyrë hyjnore?