Seminari
Jakob 3


Jakob 3

Fjalët që Themi

Tri të reja adoleshente duke buzëqeshur dhe duke qeshur së bashku.

Fjalët që themi, kanë fuqi. A mund të mendosh për përvoja në jetën tënde ku e ke ndier fuqinë e fjalëve, qoftë për mirë ose për keq? Në letrën e tij, Jakobi dha mësim për rëndësinë e kontrollimit të të folurit tonë. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë t’i vlerësosh fjalët që thua dhe mënyrën se si fjalët e tua ndikojnë në përpjekjet e tua për t’u bërë më i ngjashëm me Shpëtimtarin.

Fuqia e fjalëve

Vështroji figurat më poshtë dhe përfytyro bisedën që individët mund të jenë duke zhvilluar. Mendo për ndikimin që mund të kenë fjalët që dëgjojmë dhe përdorim.

Një nënë grindet me të birin adoleshent ndërsa qëndrojnë në kuzhinën e tyre.
Një e re dhe nëna e saj duke përdorur një kompjuter dore dhe mbase duke studiuar shkrimet e shenjta dhe duke bërë një bashkëbisedim.
  • Cila është gjëja e fundit që mund të mbash mend të ta ketë thënë dikush që ose të ndihmoi, ose të lëndoi?

  • Cila është gjëja e fundit që i the dikujt që e forcoi ose inkurajoi atë?

Merr parasysh a ke thënë ndonjë gjë kohët e fundit që mund të ketë pasur një ndikim negativ te dikush. Teksa i studion mësimet e Jakobit, kërko të vërteta që mund të të ndihmojnë ta kuptosh më mirë fuqinë e fjalëve. Kushtoju vëmendje ndjenjave, mendimeve dhe përshtypjeve që të motivojnë të flasësh më shumë si Shpëtimtari.

Gjuha është si …

Jakobi theksoi fuqinë e fjalëve që dëgjojmë dhe flasim, dhe e krahasoi gjuhën me shumë gjëra të ndryshme. Lexo te Jakob [Bibël] 3:2–12, duke kërkuar se me çfarë e krahasoi atë Jakobi. Vizato një variant të thjeshtë të një ose dy prej krahasimeve të Jakobit në ditarin tënd të studimit, duke përsiatur se si fjalët tona mund të jenë si ajo që po vizaton.

Lexoje listën vijuese për të parë a përcaktove të njëjtat krahasime.

Shkrimi në një copë letër me një stilolaps ose laps. 1. Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Si mund të na ndihmojnë këto krahasime ta kuptojmë më mirë fuqinë e fjalëve që dëgjojmë dhe themi?

  • Çfarë krahasimesh të tjera mund të shtosh për të përshkruar ndikimin e fjalëve që themi?

Duke iu referuar mësimeve të fuqishme të Jakobit, Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha sa vijon:

Portreti Zyrtar i Plakut Xhefri R. Holland. Fotografuar në janar 2018.

“Është e dukshme se Jakobi nuk do të thotë se gjuha jonë është gjithmonë e paudhë dhe as se gjithçka që themi është ‘plot me helm vdekjeprurës’. Por ai thotë qartë se të paktën disa gjëra që themi mund të jenë shkatërrimtare, madje helmuese – dhe kjo është një fjalë drithëruese për një shenjtor të ditëve të mëvonshme! Zëri që jep një dëshmi të thellë, që shqipton lutje të zjarrta dhe këndon himne të Sionit mund të jetë i njëjti zë që qorton dhe kritikon, turpëron dhe poshtëron, që shkakton dhembje dhe shkatërron shpirtin e dikujt dhe të të tjerëve gjatë procesit. …

… U përpjekshim për të qenë burra dhe gra ‘të përsosur[a]’ tani, në të paktën këtë mënyrë – duke mos [fyer] me fjalë ose e thënë më [pozitivisht], duke folur me një gjuhë të re, me gjuhën e engjëjve. Fjalët tona, ashtu si veprat tona, duhet të mbushen me besim, shpresë dhe dashuri hyjnore, … që nevojiten aq shumë në botën tonë sot. Me fjalë të tilla, të thëna nën ndikimin e Shpirtit, lot mund të thahen, zemra mund të shërohen, jetë mund të inkurajohen, shpresa mund të kthehet dhe besimi në vetvete mund të [triumfojë].”

(Xhefri R. Holland, “Gjuha e Engjëjve”, Liahona, maj 2007, f. 16, 18; Konferenca e Përgjithshme, prill 2007, f. 15–18)

  • Çfarë mësove nga krahasimet e Jakobit dhe thënia e Plakut Holland?

Një e vërtetë që mund të mësojmë, është se ndjekësit e Perëndisë përpiqen ta përdorin gjuhën e tyre për qëllime të drejta, jo për të përhapur të ligën.

Reflekto për një çast për mënyrën se si ti e ke parë gjuhën të përdoret si për mirë edhe për keq në situatat vijuese:

  • në dërgimin e mesazheve ose në media shoqërore

  • në kishë të dielave

  • në shkollë me shokët

  • në një ekip ose në një klub

  • në shtëpi me familjen tënde

  • Çfarë përvojash ke pasur që e ilustrojnë efektin e fuqishëm që fjalët mund të kenë te njerëzit, për mirë ose për keq?

Jezu Krishti ishte “[një] njeri i përsosur” (Jakob [Bibël] 3:2) dhe shembulli ynë në të gjitha gjërat, duke përfshirë fjalët që Ai tha. Duke kujtuar atë që di rreth Tij, përfytyro se si Shpëtimtari mund t’i përdorë fjalët e Tij nëse Ai do të ishte në situatat e renditura më parë.

Shkrimi në një copë letër me një stilolaps ose laps. 2. Përgjigju për pyetjen vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Çfarë ndryshimesh mund të vësh re ndërmjet mënyrës se si e përfytyron që Shpëtimtari do t’i përdorte fjalët dhe asaj që sheh dhe dëgjon zakonisht në këto mjedise sot?

Fjalët që dëgjojmë dhe përdorim

Zoti na ka mësuar nëpërmjet profetëve të Tij atë që duhet dhe nuk duhet të themi.

Përsiat për komunikimin tënd (në çdo formë: dërgimi i mesazheve, media shoqërore, të folurit me të tjerët dhe kështu me radhë) teksa lexon 10 pohimet vijuese të përshtatura nga materiali Për Forcën e Rinisë ([broshurë, 2011], f. 20–21). Vlerësoje gjuhën tënde duke përdorur një shkallë nga 1 te 5, ku 1 do të thotë “Kam shumë nevojë për ndihmë” dhe 5 do të thotë “Po eci shumë mirë”.

  1. Përpiqem të përdor një gjuhë të pastër dhe inteligjente.

  2. Përdor gjuhë optimiste, inkurajuese dhe përgëzuese.

  3. Flas mirë dhe pozitivisht për të tjerët.

  4. Nuk i shaj të tjerët ose t’i poshtëroj ata, as me shaka.

  5. Përpiqem t’i shmang thashethemet e çfarëdo lloji dhe ta shmang të folurit me zemërim.

  6. Kur tundohem të them gjëra të vrazhda ose lënduese, i lë ato pa thënë.

  7. E përdor me nderim dhe respekt emrin e Perëndisë dhe të Jezu Krishtit.

  8. I drejtohem Atit në Qiell duke përdorur gjuhë nderuese dhe respektuese.

  9. Nuk përdor gjuhë apo gjeste blasfemuese, vulgare ose pa takt.

  10. Nuk tregoj barsoleta ose ndodhi rreth veprimeve imorale.

Mendo për gjuhën që zgjedh të përdorësh, dhe përsiat për atë që mund të përmirësosh.

Shkrimi në një copë letër me një stilolaps ose laps. 3. Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Cilat janë një ose dy gjëra që mund të të ndihmojnë t’i zgjedhësh më me kujdes fjalët që thua dhe dëgjon?

  • Në cilat situata dëshiron veçanërisht të përmirësohesh?

  • Cilat strategji mund të të ndihmojnë?

  • Si mund të të ndihmojnë përpjekjet e tua të bëhesh më i ngjashëm me Shpëtimtarin?

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?

Si e pasqyrojnë fjalët tona se kush jemi si individë?

Plaku Robert S. Ud, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim sa vijon:

Portreti i fundit zyrtar i Plakut Robert S. Ud, i Kuorumit të Dytë të Të Shtatëdhjetëve, i vitit 1999. U thirr si president i Tempullit të Masaçusetsit në Boston, 2009. U lirua nga Kuorumi i Dytë i Të Shtatëdhjetëve më 3 tetor 2009 në konferencën e përgjithshme.

“Fjalët tona dhe shprehjet tona të jashtme nuk janë asnjanëse, sepse ato pasqyrojnë si atë që jemi edhe formën që po marrim. …

Ajo që themi dhe mënyra se si e paraqesim veten tonë, jo vetëm që e tradhtojnë personin tonë të brendshëm, por edhe e formojnë atë person, ata që janë përreth nesh dhe përfundimisht, të gjithë shoqërinë tonë. Çdo ditë, secili prej nesh përfshihet në errësimin e dritës apo në largimin e errësirës. Ne jemi thirrur ta ftojmë dritën dhe të jemi një dritë, për ta shenjtëruar veten tonë dhe për t’i lartësuar të tjerët. …

Kur flasim e veprojmë, ne duhet të bëjmë pyetjen nëse fjalët dhe shprehjet tona kanë për qëllim që të ftojnë fuqitë e qiellit në jetën tonë dhe t’i ftojnë të gjithë të vijnë te Krishti. Ne duhet t’i trajtojmë gjërat e shenjta me nderim. Ne duhet ta largojmë nga bisedat tona të paturpshmen dhe të ndyrën, të dhunshmen dhe kërcënuesen, poshtëruesen dhe të rremen. Ashtu siç shkroi Apostulli Pjetër: ‘Por ashtu si është i shenjtë ai që ju thirri, të jini edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj’ [1 Pjetër 1:15]. Shprehja ‘sjellje’ këtu i referohet jo vetëm të folurit, por edhe gjithë qëndrimit tonë.”

(Robert S. Wood, “The Tongue of Angels”, Ensign, nëntor 1999, f. 83–84)

Si mund ta ndryshojmë për mirë gjuhën që përdorim dhe dëgjojmë?

Materiali filmik “No Cussing Club” [“Klubi Pa Sharje”] (4:56), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, tregon përpjekjet e një të riu për t’i ndihmuar të tjerët të shmangnin fjalorin e keq.

4:56

No Cussing Club

One boy’s crusade to encourage clean language has far-reaching effects.