Seminari
1 Pjetër 1–5


1 Pjetër 1–5

“Më i Çmuar nga Ari”

Pasi Pjetrin dhe Gjonin i rrahën, ata vazhduan t’u predikonin njerëzve në emrin e Krishtit.

Mund të të kujtohet se mësove rreth besimit dhe zellit të Apostullit Pjetër teksa studiove gjysmën e parë të Dhiatës së Re. Letra e parë e Pjetrit u shkrua aty nga fundi i jetës së Pjetrit, shumë vjet pasi ai eci dhe foli me Jezu Krishtin gjatë shërbesës në vdekshmëri të Shpëtimtarit. Në letrën e tij të parë, Pjetri, i cili ishte Kryeapostulli, u përqendrua në mënyrat se si shenjtorët mund të forcoheshin nëpërmjet sprovave të mëdha që ata po përjetonin për shkak të romakëve. Ky mësim mund të të ndihmojë t’i kuptosh më mirë qëllimet e Perëndisë që të lejon të përjetosh sprova dhe mund të forcojë vendimin tënd për t’i duruar sprovat me besnikëri.

Përse përjetojmë vështirësi në jetë?

Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se si të gjithë ne do të kemi përvoja që duken të padrejta. Shiko materialin filmik “Padrejtësia Ndërkryese”, që gjendet në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 3:19 deri në 4:12, ose lexo thënien vijuese:

14:51

Padrejtësia Ndërkryese

Plaku Renland jep mësim se ne nuk duhet ta lëmë padrejtësinë që të na bëjë të hidhur ose ta gërryejë besimin tonë, por duhet t’i kërkojmë ndihmë Perëndisë dhe ta rritim mbështetjen tonë te Shpëtimtari.

Portreti zyrtar i Plakut Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i janarit 2016.

“Disa lloje padrejtësish nuk mund të shpjegohen; padrejtësia e pashpjegueshme është ndërkryese. Padrejtësia vjen ngaqë jetojmë me trupa që janë të papërsosur, të dëmtuar ose të sëmurë. Jeta në vdekshmëri në mënyrë të natyrshme është e padrejtë. Disa njerëz lindin në kamje; të tjerë jo. Disa kanë prindër që i duan; të tjerë jo. Disa jetojnë për shumë vjet; të tjerë për pak. E kështu me radhë. Disa individë bëjnë gabime që lëndojnë edhe kur përpiqen të bëjnë mirë. Disa zgjedhin të mos e lehtësojnë padrejtësinë kur munden. Në mënyrë shqetësuese, disa individë e përdorin lirinë e tyre të zgjedhjes, të dhënë nga Perëndia, për t’i dëmtuar të tjerët kur nuk duhet ta bëjnë asnjëherë këtë gjë.”

(Dejll G. Renland, “Padrejtësia Ndërkryese”, Liahona, maj 2021, f. 42)

  • Si mendon, përse Plaku Renland përdori fjalën “ndërkryese” për të përshkruar disa nga gjërat e padrejta që përjetojmë në jetë?

  • Kë njeh ti që po përjeton ose ka përjetuar një sprovë që ndihet padrejtësisht ndërkryese? Si mendon, përse e lejon Zoti këtë të ndodhë?

Në vitin 64 ps.K., pjesë të mëdha të qytetit të Romës u shkatërruan nga zjarri. Romakë të rëndësishëm i akuzuan anëtarët e Kishës për ndezjen e zjarrit, që çoi në përndjekje të madhe të të krishterëve kudo në perandorinë romake. Ka të ngjarë që Pjetri e shkroi letrën e tij të parë dikur pas kësaj ngjarjeje për të forcuar besimin e shenjtorëve dhe për t’u kujtuar atyre shpërblimin e përjetshëm për durimin e sprovave me besnikëri. Teksa studion, kushtoju vëmendje nxitjeve të Frymës së Shenjtë që mund të të ndihmojnë të kuptosh disa nga arsyet e sprovave të tua dhe mënyrën se si mund të mbështetesh te Jezu Krishti për të të ndihmuar t’i durosh me besnikëri ato.

Zjarri i rafinuesit

Lexo vargjet te 1 Pjetër 1:3–9, duke kërkuar atë që Apostulli Pjetër dha mësim rreth bekimeve që i presin ata që i durojnë me besnikëri sprovat e tyre. Fjala prova te vargu 6 u referohet sprovave dhe pikëllimeve.

  • Çfarë fjalësh apo frazash nga këto vargje mendon se mund të jenë të dobishme për t’i kujtuar kur ti ose të tjerët përjetoni sprova? Përse?

  • Si mendon, përse Pjetri e krahasoi sprovën e besimit të shenjtorëve me arin që rafinohet nga zjarri?

Në vijim është figura e një poçeje furre. Poçja e furrës është një enë në të cilën rafinohen metalet si ari. Kur metalet rafinohen, ato nxehen dhe shkrihen për të hequr papastërtitë dhe për të përmirësuar produktin përfundimtar.

Ilustrim i një poçeje furre me një metal të shkrirë që po hidhet në një kallëp
  • Në ç’mënyra besimi i sprovuar apo i vënë në provë mund të jetë “më i çmuar nga ari”? ( 1 Pjetër 1:7.)

Një e vërtetë që mund të përcaktohet nga vargjet që sapo studiove, është se ndërsa i durojmë sprovat me besnikëri, besimi ynë te Jezu Krishti rafinohet dhe forcohet. Merre parasysh ta regjistrosh këtë të vërtetë në shkrimet e tua të shenjta ose në ditarin tënd të studimit.

  • Çfarë ka përjetimi i sprovave të vështira që mund ta forcojë besimin tonë te Jezu Krishti?

Ndërkohë që përjetimi i vështirësive mund të rafinojë shpirtërisht shumë njerëz, ka të tjerë që mund të hidhërohen ose që i ngurtësojnë zemrat e tyre pas një sprove të vështirë (shih tek Alma 62:41).

  • Si mendon, çfarë mund të na ndihmojë t’i kthejmë sprovat tona në bekime dhe jo në përvoja që e zvogëlojnë besimin tonë?

  • Çfarë përvojash ke pasur, apo çfarë përvojash di, kur besimi yt ose besimi i dikujt tjetër u forcua nga durimi me besnikëri i sprovave të vështira?

  • Çfarë të mësojnë këto përvoja rreth Zotit?

Shiko materialin filmik “The Refiner’s Fire” [“Zjarri i Rafinuesit”] (5:02), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, për të parë një shembull të një individi që u forcua nga Shpëtimtari ndërsa i duroi me besnikëri sprovat e saj.

5:2

The Refiner's Fire

The refiner’s fire is not a comfortable place to be. It involves intense heat and repeated hammering. But it is in the refiner’s fire we are purified and prepared to meet God.

Pjetri këshillon shenjtorët

Një temë që gjendet në të gjithë letrën e parë të Pjetrit, është mënyra se si dishepujt e Jezu Krishtit mund ta durojnë me besnikëri vuajtjen dhe përndjekjen. Këshilla e Pjetrit mund t’i ofrojë shpresë, nxitje dhe forcë kujto që po përjeton një sprovë të jetës në vdekshmëri.

Shkrimi në një copë letër me një stilolaps ose laps. 1. Plotësoje veprimtarinë vijuese në ditarin tënd të studimit:

Vizato një figurë të thjeshtë të një poçeje furre, si ajo që pe në fillim të mësimit. Brenda poçes së furrës rendit disa nga sprovat dhe pikëllimet që ke përjetuar ose po përjeton aktualisht.

Teksa studion më shumë nga fjalët e Pjetrit, kërko mësimet që mund të të ndihmojnë për sprovat që rendite në figurën tënde. Shënoji këto mësime jashtë figurës sate të poçes së furrës.

Zgjidh të paktën dy nga grupet vijuese të vargjeve për t’i studiuar ndërsa kërkon parime që mund t’ia shtosh figurës sate. Ndërsa e bën, përsiat për pyetjen vijuese: Si mund të më ndihmojnë këto mësime mua apo dikë tjetër që po përjeton një sprovë të vështirë?

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?

1 Pjetër 2:20. Përse Pjetri dha mësimin se ne duhet t’i durojmë sprovat tona me durim?

Plaku Nil A. Maksuell (1926–2004), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim sa vijon:

Portreti i fundit zyrtar i Plakut Nil A. Maksuell, i vitit 1992.

“Durimi është i lidhur shumë ngushtë me besimin tek Ati ynë Qiellor. Në fakt, kur jemi tepër të paduruar, ne po sugjerojmë se e dimë se cila është më e mira – më mirë nga sa e di Perëndia. Ose, të paktën, po pohojmë se kalendari ynë është më i mirë se i Tiji. … Pra, siç u tregua më parë, durimi është një virtyt jetik në vdekshmëri që lidhet me besimin tonë, lirinë tonë të zgjedhjes, qëndrimin tonë kundrejt jetës, përulësinë tonë dhe vuajtjen tonë. … Thjesht nuk ka mënyrë tjetër që rritja e vërtetë të ndodhë.”

(Neal A. Maxwell, “Patience” [takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 27 nëntor 1979], f. 1, 4, speeches.byu.edu)

Si mund t’i kapërcej sprovat me të cilat po përballem?

Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim sa vijon:

Portreti zyrtar i Plakut Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i gushtit të vitit 2010.

“Në [poçen e furrës së] sprovave tokësore me durim shkoni përpara dhe fuqia shëruese e Shpëtimtarit do t’ju sjellë dritë, kuptueshmëri, paqe dhe shpresë. Lutuni me gjithë zemër. Forcojeni besimin tuaj te Jezu Krishti, te qenia reale e Tij, te hiri i Tij. … Vështroni para. Telashet dhe pikëllimet tuaja janë shumë reale, por nuk do të zgjatin përgjithmonë. Nata juaj e errët do të kalojë, sepse ‘Biri … do të ngrihet me shërim në krahët e tij’.”

(Nil L. Andersen, “Të Plagosur”, Liahona, nëntor 2018, f. 85)

Si mund të gjej lumturi ndërkohë që vuaj përgjatë provave?

Plaku Jozef B. Uirthlin (1917–2008), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, foli për gjetjen e lumturisë gjatë fatkeqësisë dhe se si e kujtoi këshillën e nënës së tij që i thoshte: “Le të ndodhë ç’të ndodhë, duaje atë”.

Portreti i fundit zyrtar i Plakut Jozef B. Uirthlin, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i vitit 2004. Vdiq më 1 dhjetor 2008.

“Si mund t’i duam ditët që janë të mbushura me hidhërim? Ne nuk mundemi – të paktën jo në atë çast. Unë nuk mendoj që nëna ime po sugjeronte që të ndrydhim shkurajimin ose të mohojmë realitetin e dhimbjes. Unë nuk mendoj që ajo po sugjeronte që ne t’i mbulonim të vërtetat e pakëndshme nën një mantel lumturie të shtirur. Por unë vërtet besoj se mënyra si reagojmë ndaj fatkeqësisë, mund të jetë një faktor madhor në atë se sa të lumtur dhe të suksesshëm do të jemi në jetë. Nëse ne u afrohemi me mençuri fatkeqësive, periudhat tona më të vështira mund të jenë periudhat e rritjes më të madhe, të cilat nga ana tjetër mund të na çojnë drejt periudhave të lumturisë më të madhe. …

Ndërsa kërkojmë të qeshim, synojmë të ardhmen e përjetshme, kuptojmë parimin e kompensimit dhe i afrohemi Atit tonë Qiellor, ne mund t’i durojmë vështirësitë dhe sprovat. Ne mund të themi ashtu si tha nëna ime: ‘Le të ndodhë ç’të ndodhë, duaje atë’.”

(Jozef B. Uirthlin, “Le të Ndodhë Ç’të Ndodhë, Duaje Atë”, Liahona, nëntor 2008, f. 26–28)