Gjoni 14:1–6; 15:1–11
“Unë Jam Udha, e Vërteta dhe Jeta”
Gjatë mbrëmjes së Tij të fundit me dishepujt e Tij, Jezu Krishti iu dha mësim atyre për natyrën dhe misionin e Tij. Ai dha mësim se Ai është rruga për t’u kthyer tek Ati Qiellor dhe Ai e krahasoi marrëdhënien e dishepujve të Tij me Të me atë të shermendeve në një hardhi. Ky mësim mund të të ndihmojë të mendosh për marrëdhënien tënde me Jezu Krishtin dhe se si mund ta ndjekësh Atë dhe të marrësh forcën dhe mbështetjen e Tij.
Disa nga mësimet e fundit të Shpëtimtarit për dishepujt e Tij kishin për qëllim t’i ndihmonin ata të kuptonin marrëdhënien e tyre me Të dhe varësinë tek Ai. Shpëtimtari e krahasoi Veten me një shteg, si edhe me një hardhi ose pemë me degë. Gjej një çast për të menduar për fushat e jetës sate në të cilat mund të të nevojitet ndihmë. Mbase ti e ndien se të nevojitet ndihmë teksa përpiqesh fort të kthehesh tek Ati Qiellor. Ti mund të ndiesh nevojën për forcë më të madhe për t’u përballur me sfidat në jetën tënde. Ndërsa studion mësimet e Shpëtimtarit, kërko atë që mëson rreth Tij dhe se si Ai mund të të ndihmojë.
Studio njërën ose të dyja pjesët vijuese. Kujto të përsiatësh se si Shpëtimtari mund të të ndihmojë në jetën tënde të përditshme.
Jezu Krishti është “udha, e vërteta dhe jeta” (Gjoni 14:6)
Lexo te Gjoni 14:1–6, duke kërkuar se si Shpëtimtari premtoi se do t’i ndihmonte ata që e ndjekin Atë.
-
Çfarë të vërtetash dha mësim Shpëtimtari në këto vargje?
-
Si e quajti Shpëtimtari Veten te vargu 6?
-
Çfarë të mëson secili nga këta tituj për Jezu Krishtin dhe marrëdhënien tënde me Të?
Nëse krijove një listë të titujve dhe roleve të ndryshme të Jezu Krishtit në një mësim të mëparshëm, mund të duash t’i shtosh asaj atë që zbulove te Gjoni 14.
Libri i Mormonit mund ta rritë kuptueshmërinë tënde për atë që po studion në Dhiatën e Re. Lexo te Mosia 3:17 dhe mendo se si ky varg na ndihmon ta kuptojmë më mirë vargun Gjoni 14:6.
Presidenti Diter F. Uhtdorf, asokohe i Presidencës së Parë, dha mësim:
“Perëndia dëshiron që ju ta gjeni udhën e kthimit tek Ai dhe Shpëtimtari është udha [shih te Gjoni 14:6]. Perëndia dëshiron që ju të mësoni për Birin e Tij, Jezu Krishtin, e të përjetoni paqen dhe gëzimin e thellë që vijnë nga ndjekja e shtegut të dishepullimit hyjnor.”
(Diter F. Uhtdorf, “Marrja e një Dëshmie për Dritën dhe të Vërtetën”, Liahona, nëntor 2014, f. 21)
-
Kur ke përjetuar ti ose një person që ti njeh, paqen dhe gëzimin e thellë që vijnë nga ndjekja e Jezu Krishtit?
Për të parë një shembull të dikujt që e gjeti Shpëtimtarin dhe u bekua duke e ndjekur Atë, nëse është e mundur, shih materialin filmik “Jesus Christ Is the Way” [“Jezu Krishti Është Udha”] (05:02), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.
-
Cilat janë disa mënyra se si ne mund ta ndjekim Shpëtimtarin për tʼu kthyer tek Ati Qiellor?
-
Si mund ta kuptojmë nëse jemi në rrugën e duhur?
Jezu Krishti është “hardhia” (Gjoni 15:5)
Jezu Krishti përdori një krahasim për t’i mësuar dishepujt e Tij për marrëdhënien e tyre me Të. Lexo te Gjoni 15:1–11, duke e kërkuar këtë krahasim.
Nëse krijove një listë të titujve dhe roleve të ndryshme të Jezu Krishtit në një mësim të mëparshëm, mund të dëshirosh t’i shtosh asaj atë që zbulove te Gjoni 15.
-
Çfarë mendon se po na mëson Jezu Krishti me këtë krahasim?
-
Cilat të vërteta mund të mësosh nga ky krahasim për marrëdhënien tonë me Jezu Krishtin?
Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi që ftesa e Shpëtimtarit për të qëndruar në Të është një ftesë që ne “të mbetemi, të … qëndrojmë përgjithmonë” (“Abide in Me”, Liahona, maj 2004, f. 32). Plaku Holland shpjegoi se përse është kaq shumë e rëndësishme që ne ta pranojmë ftesën e Shpëtimtarit për të qëndruar në Të. Nëse dëshiron, mund të shohësh materialin filmik “Abide in Me” [“Qëndroni në Mua”] nga kodi kohor 13:26 deri në 14:23 ose lexo pohimin vijues.
“Jezusi tha: ‘Pa mua nuk mund të bëni asgjë’ [Gjoni 15:5]. Unë dëshmoj se ajo është e vërteta e Perëndisë. Krishti është gjithçka për ne dhe ne duhet të ‘qëndrojmë’ në Të në mënyrë të përhershme, të patundur, të qëndrueshme, përgjithmonë. Që fryti i ungjillit të lulëzojë dhe ta bekojë jetën tonë, ne duhet të bashkohemi në mënyrë të palëkundshme me Të, Shpëtimtarin e të gjithëve ne, dhe me këtë Kishë të Tij, e cila mban emrin e Tij të shenjtë. Ai është hardhia që është burimi ynë i vërtetë i forcës dhe i vetmi burim i jetës së përjetshme. Në Të ne jo vetëm do të durojmë, por edhe do të dalim ngadhënjimtarë e triumfues në këtë kauzë të shenjtë që kurrë nuk do të na bëjë të dështojmë.”
(Jeffrey R. Holland, “Abide in Me”, Liahona, maj 2004, f. 32)
Libri i Mormonit mund të të ndihmojë ta rritësh kuptueshmërinë tënde për atë që po studion në Dhiatën e Re. Lexo tek Alma 26:12 dhe mendo se si ajo lidhet me vargjet te Gjoni 15:1–11.
-
Cilët janë disa nga frytet (rezultatet ose bekimet) që ke parë në jetën tënde teksa je përpjekur të qëndrosh në Jezu Krishtin?
-
Cilat janë disa veprime që mund të ndërmarrësh për të të ndihmuar të qëndrosh në Jezu Krishtin?
Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?
Çfarë do të thotë që në shtëpinë e Atit Qiellor ka shumë banesa?
Profeti Jozef Smith (1805–1844) dha mësim:
“[Thënia] ‘në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa’ [Gjoni 14:2] … duhet të jetë – ‘në mbretërinë e Atit tim ka shumë mbretëri’, në mënyrë që ju të mund të jeni trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë me mua. … Ka banesa për ata që i binden një ligji qiellor dhe ka banesa të tjera për ata që nuk i binden ligjit, çdo njeri sipas rendit të vet.”
(Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 230)