Zotërimi Doktrinor – Gjoni 17:3
Arritja për të Njohur Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin
Në mësimin e mëparshëm, “Gjoni 17”, ti mësove se ne mund të përparojmë drejt jetës së përjetshme duke arritur që t’i njohim Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Ky mësim mund të të ndihmojë të mësosh përmendsh referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargun Gjoni 17:3, të shpjegosh doktrinën dhe të zbatosh në një situatë nga jeta reale parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore.
Mëso përmendsh dhe shpjego
Thuaj me zë të lartë disa herë referencën e zotërimit doktrinor Gjoni 17:3 dhe frazën e tij kyç nga shkrimi i shenjtë: “Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin”. Në një fletë letre tjetër shkruaj referencën nga Gjoni 17:3 dhe shkronjat e para të çdo fjale të vargut: Dh k ë j e p t t nj t t v P t v dh J K. Duke përdorur vetëm shkronjat e para të vargut, përpiqu ta thuash referencën dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë. Ndërsa bëhesh më i sigurt, përpiqu ta thuash përmendsh referencën dhe frazën.
Ushtroje vënien në zbatim
Përsëriti paragrafët 5–12 në pjesën “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2022). Mendo për mënyrën se si mund t’ia shpjegosh secilin nga këto parime dikujt që nuk i ka dëgjuar kurrë më parë.
Lexoje skenarin vijues:
Pas mbledhjes së agjërimit dhe dëshmive, ti vë re që mikesha jote, Xhulia, duket e trishtuar. Ndërsa kthehesh për në shtëpi me të, ajo thotë që gjatë mbledhjes së sotme e kuptoi se nuk e njeh Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin aq mirë sa dëshironte. Ajo përshkruan një ndjenjë vetmie dhe dëshirimi për llojin e marrëdhënies me Ta që ajo e ndjeu te disa nga ata që dhanë dëshmitë e tyre. Ti vendos që në ditët e ardhshme të mendosh dhe të lutesh me të vërtetë se si ta ndihmosh Xhulian.
Përdor parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore dhe pyetjet dhe veprimtaritë vijuese për të të ndihmuar të marrësh parasysh atë që mund të thuash dhe bësh për ta ndihmuar Xhulian. Ti mund të duash të shkruash atë që mëson dhe çdo mbresë që ndien ndërsa përgatitesh.
Shqyrtoji konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm
-
Si mendon, përse Ati Qiellor dëshiron që ne të arrijmë ta njohim Atë dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin?
-
Përse dëshiron që të arrish t’i njohësh Ata sa më mirë të mundesh gjatë kësaj jete?
Kërko kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore
-
Si mundet studimi i lutjes së Shpëtimtarit te Gjoni 17:3 ta ndihmojë Xhulian me dëshirat e saj?
Bëj një listë të disa burimeve të mira që mund ta ndihmojnë Xhulian të arrijë t’i njohë Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.
-
Si mund t’i përdorë Xhulia burimet në dispozicion që ta ndihmojnë të arrijë t’i njohë më mirë Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin? (Për shembull, cilat fjalë kyç mund të kërkojë ajo tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, tek Topical Guide [Udhëzuesi Tematik], në faqen ChurchofJesusChrist.org ose në programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]?)
Gjej disa minuta për të studiuar burimet e caktuara në mënyrë hyjnore për të mësuar më shumë rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit dhe se si të arrish t’i njohësh Ata më mirë.
Vepro me besim
-
Në ç’mënyrë është akt besimi të bësh përpjekje për t’i njohur Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?
-
Çfarë ke bërë ti ose dikush që njeh për të arritur që t’i njohë më mirë Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin që mund t’ia sugjerosh Xhulias?
-
Çfarë frazash gjen te paragrafët 5–7 në pjesën “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2022) që mund ta ndihmojë dikë që ka bërë gjërat e duhura, por ende nuk ndihet aq pranë Perëndisë sa do të donte të ndihej?
Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?
Çfarë është jeta e përjetshme?
“Jeta e përjetshme është fraza që përdoret në shkrimet e shenjta për të përkufizuar cilësinë e jetës që jeton Ati ynë i Përjetshëm. … Jeta e përjetshme, ose ekzaltimi, është të jetosh në praninë e Perëndisë dhe të vazhdosh si familje (shih te Doktrina e Besëlidhje 131:1–4).”
(Gospel Topics [Temat e Ungjillit], “Eternal Life” [“Jetë e Përjetshme”], topics.ChurchofJesusChrist.org)
Si mund ta njohim vetë Atin dhe Birin?
Plaku Robert D. Hejls (1932–2017), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i dha përgjigje kësaj pyetjeje.
“Nëpërmjet zbulesës personale. Zbulesa personale është mënyra nëpërmjet së cilës Ati Qiellor na ndihmon ta njohim Atë dhe Birin e Tij, të mësojmë të jetojmë ungjillin, të durojmë deri në fund në drejtësi dhe të cilësohemi për jetë të përjetshme – të kthehemi në praninë e Tyre.”
(Robert D. Hejls, “Zbulesa Personale: Mësimet dhe Shembujt e Profetëve”, Liahona, nëntor 2007, f. 87)
Çfarë duhet të bëj nëse nuk jam i/e sigurt as që besoj te Perëndia?
Plaku Robert D. Hejls (1932–2017), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha:
“Nëse nuk mund të kujtoni që besonit në Perëndi ose nëse keni pushuar së besuari, ose nëse besoni, por jo me bindje të vërtetë, unë ju ftoj të kërkoni tani një dëshmi prej Perëndisë. …
… Me vetë dëshminë tuaj për Perëndinë, ju do të jeni në gjendje të bekoni familjen tuaj, pasardhësit tuaj, miqtë tuaj, vetë jetën tuaj – të gjithë ata që i doni. Njohuria juaj vetjake për Perëndinë jo vetëm që është dhurata më e madhe që do të jepni ndonjëherë, por ajo do t’ju sjellë gëzimin më të madh që do të keni ndonjëherë.
… Unë ju premtoj se, nëse ju dhe ata që ju i doni do ta kërkoni Atë me gjithë përulësinë, sinqeritetin dhe zellin, ju gjithashtu do ta dini atë me siguri. Dëshmia juaj do të vijë.”
(Robert D. Hejls, “Në Kërkim të Njohjes së Perëndisë, Atit Tonë Qiellor, dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit”, Liahona, nëntor 2009, f. 32)