Lluka 22:28–34, 54–61
“Unë Jam Lutur Për Ty, që Besimi Yt të Mos Mpaket”
Jezu Krishti sapo u kishte paraqitur sakramentin dishepujve të Tij kur ata nisën të flisnin për atë që do ta tradhtonte Mësuesin dhe se si shërbimi ndaj të tjerëve është më i madh sesa të të shërbejnë. Në mes të këtyre bisedave në dhomën e sipërme ku Jezusi dhe Apostujt hëngrën Darkën e Fundit, Jezusi e ndihmoi Pjetrin të kuptonte kundërshtimin që ai do të përjetonte gjatë gjithë jetës së tij. Shpëtimtari i mësoi Pjetrit se ai do të mund t’i ndihmonte të tjerët vetëm pasi të forconte besimin e tij te Jezu Krishti. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të dallosh nevojën tënde për t’u mbështetur te Jezu Krishti dhe për të forcuar vazhdimisht besimin tënd tek Ai.
Forcoje aftësinë tënde
Bëj një listë të zotësive ose aftësive që dikush mund të humbasë nëse nuk do t’i përdorte vazhdimisht ose nuk do t’i forconte ato aftësi (për shembull, aftësitë atletike ose aftësitë e të shkruarit).
-
Si mund të gjejë zbatim kjo edhe në aftësinë tënde për të pasur besim te Jezu Krishti?
Në mësimin e sotëm ti do të mësosh rreth mënyrës se si Jezu Krishti dëshiron që ti ta forcosh aftësinë tënde për të pasur besim tek Ai.
Gjej një çast për të përsiatur për atë që po bën aktualisht ose do të doje të bëje për ta rritur besimin tënd te Jezu Krishti. Mund të shkruash në ditarin tënd të studimit rreth asaj që bën çdo ditë, çdo javë ose edhe çdo muaj. Këto veprime mund të përfshijnë çdo synim për të cilin ti po punon aktualisht.
Teksa studion sot, kërko ndryshime ose përmirësime që mund të bësh për ta forcuar besimin tënd te Jezu Krishti në mënyrë që të mund të mbështetesh në Të pavarësisht nga rrethanat me të cilat përballesh në jetë.
Jezu Krishti i kupton nevojat tona dhe do të na ndihmojë
Jezu Krishti u tregoi dishepujve të Tij për mbretërinë e ardhshme që i priste ata për shkak se ata vazhduan të ecnin me besim me Të (shih te Lluka 22:28–30). Megjithatë, Zoti e ndihmoi edhe Simon Pjetrin të përgatitej për udhëtimin shpirtëror sfidues me të cilin do të përballej së shpejti.
Lexo te Lluka 22:31–34, duke kërkuar atë për të cilën Zoti donte që ta ndihmonte Pjetrin të kuptonte.
Për ta kuptuar më mirë se çfarë do të thotë që Satani dëshironte ta “shosh[te] [Pjetrin] ashtu siç shoshet gruri” (vargu 31), lexo shpjegimin te pjesa “Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?” në fund të mësimit.
-
Çfarë vë re për perceptimin që Shpëtimtari ka për Pjetrin? Ku ndryshon ai nga mënyra se si Pjetri e shihte veten?
-
Si mund të lidhet ajo që mësove për marrëdhënien e Pjetrit me Jezu Krishtin me marrëdhënien tënde me Shpëtimtarin?
-
Pasi Pjetri shpalli besimin dhe besnikërinë e tij ndaj Jezu Krishtit, çfarë zbuloi Shpëtimtari se do të bënte Pjetri?
Më vonë atë mbrëmje, kur Jezu Krishtin e arrestuan dhe e çuan në shtëpinë e kryepriftit për t’u gjykuar, Pjetri e ndoqi nga larg (shih te Lluka 22:54).
Lexo te Lluka 22:55–62 për të mësuar se si u përmbush profecia e Jezusit për Pjetrin.
-
Çfarë mësove rreth Shpëtimtarit nga ndërveprimi i Tij me Pjetrin që të lejon të kesh besim te Jezu Krishti?
Forcimi i besimit tonë te Jezu Krishti
Ashtu si Shpëtimtari e ndihmoi Pjetrin të kuptonte dëshirat e Satanit (shih te Lluka 22:31), Presidenti Rasëll M. Nelson na paralajmëroi se “kundërshtari po i rrit sulmet e tij mbi besimin dhe mbi ne dhe familjet tona me një shkallë eksponenciale” (Rasëll M. Nelson, “Fjalët e Hapjes”, Liahona, nëntor 2018, f. 7). Gjithashtu, ai dha mësim se “kundërshtari po i katërfishon përpjekjet e tij për t’i shkatërruar dëshmitë dhe për ta vonuar punën e Zotit” (Rasëll M. Nelson, “Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë”, Liahona, maj 2019, f. 68).
-
Cilat janë disa nga mënyrat se si Satani po mundohet sot ta shkatërrojë besimin tonë te Jezu Krishti?
-
Çfarë të ka ndihmuar ta forcosh besimin tënd te Jezu Krishti?
Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi disa nga mënyrat se si ne mund ta forcojmë besimin tonë te Jezu Krishti.
“Besimi juaj nuk do të rritet rastësisht, por nga zgjedhja.
Mënyra se si e jetojmë jetën tonë e shton ose e zvogëlon besimin tonë. Lutja, bindja, ndershmëria, pastërtia e mendimit dhe veprimit dhe vetëmohimi e shtojnë besimin. Pa këto, besimi zvogëlohet. Përse Shpëtimtari i tha Pjetrit: ‘Jam lutur për ty, që besimi yt të mos mpaket?’ (Lluka 22:32.) Sepse ka një kundërshtar që kënaqet me shkatërrimin e besimit tonë! Jini të papërkulshëm në mbrojtjen e besimit tuaj.”
(Nil L. Andersen, “Besimi Nuk Vjen nga Rastësia, por nga Zgjedhja”, Liahona, nëntor 2015, f. 66)
Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?
Lluka 22:31. Çfarë nënkuptoi Shpëtimtari kur i tha Pjetrit se Satani donte ta “shosh[te atë] ashtu siç shoshet gruri”?
Për të shoshur grurin, kokrrat e vyera të grurit ndahen nga pjesët që nuk përdoren të bimës. Jezusi e përdori këtë analogji për ta ndihmuar Pjetrin (dhe secilin prej nesh) të njihte përpjekjet e Satanit për të shkatërruar besimin tonë dhe për të mos lejuar që ne të bëhemi një pjesë e rëndësishme e mbretërisë së Perëndisë.
Çfarë mund ta forcojë besimin tim te Jezu Krishti?
Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Besimi ynë përqendrohet te Perëndia, Ati ynë, dhe te Biri i Tij, Jezu Krishti, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Përkrahet nga dija që plotësia e ungjillit është rivendosur në tokë, që Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë dhe që profetët e apostujt mbajnë sot çelësat e priftërisë. Ne e çmojmë besimin tonë, punojmë për ta forcuar besimin tonë, lutemi për besim të zhvilluar dhe bëjmë gjithçka që kemi fuqi, për ta ruajtur dhe mbrojtur besimin tonë. …
… Zhyteni pikërisht në gjërat që ju ndihmuan të zhvilloni bërthamën tuaj të besimit: ju ushtroni besim te Krishti, ju luteni, ju mendoheni thellë për shkrimet e shenjta, ju pendoheni, ju zbatoni urdhërimet dhe ju u shërbeni të tjerëve.”
(Nil L. Andersen, “Prova e Besimit Tuaj”, Liahona, nëntor 2012, f. 39, 40)
Çfarë mund ta shkatërrojë besimin tim te Jezu Krishti?
Ahmad S. Korbit, Këshilltar i Parë në Presidencën e Përgjithshme të Të Rinjve, dha mësim:
“Miqtë e mi, përfytyrimi ose shikimi me dashje i gjërave që bien ndesh me atë që ju jeni në të vërtetë, veçanërisht pornografia, do ta dobësojë besimin tuaj te Krishti dhe, pa pendim, mund ta shkatërrojë atë”.
(Ahmad S. Korbit, “Ju Mund ta Mblidhni Izraelin!”, Liahona, maj 2021, f. 63)
Lluka 22:32. Çfarë mund të mësojmë rreth kthimit në besim nga të kuptuarit e thënies së Shpëtimtarit që sugjeron se Pjetri nuk ishte ende plotësisht i kthyer në besim?
Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Është interesante se ky Apostull i madh pati folur dhe pati ecur me Mësuesin, kishte dëshmuar mrekulli të shumta dhe kishte një dëshmi të fortë për hyjnueshmërinë e Shpëtimtarit. Prapëseprapë madje edhe Pjetri kishte nevojë për udhëzim shtesë nga Jezusi rreth kthimit në besim dhe fuqisë shenjtëruese të Frymës së Shenjtë dhe përgjegjësisë së tij për të shërbyer me besnikëri.
Thelbi i ungjillit të Jezu Krishtit përfshin një ndryshim themelor e të qëndrueshëm në vetë natyrën tonë që u bë i mundur përmes Shlyerjes së Shpëtimtarit. Kthimi i vërtetë në besim sjell një ndryshim në bindjet, zemrën dhe jetën e dikujt për t[a] pranuar dhe për t’iu bindur vullnetit të Perëndisë (shih Veprat e Apostujve 3:19; 3 Nefi 9:20) dhe përfshin një zotim të ndërgjegjshëm për t’u bërë një dishepull i Krishtit.”
(Dejvid A. Bednar, “Të Kthyer në Besim te Zoti”, Liahona, nëntor 2012, f. 107)