Lluka 22:47–71; Gjoni 18:1–27
“A Nuk do ta Pi Unë Kupën që më Ka Dhënë Ati?”
Jezu Krishti ishte plotësisht i zotuar që të bënte vullnetin e Atit Qiellor. Kjo është veçanërisht e dukshme në vuajtjen e Tij në Kopshtin e Gjetsemanit, në arrestimin që erdhi më pas dhe në ngjarjet para Kryqëzimit të Tij dhe gjatë tij. Ky mësim mund të të ndihmojë të ndjekësh shembullin e Jezu Krishtit duke zgjedhur vullnetin e Atit Qiellor në jetën tënde.
Vendosja e vullnetit të Atit Qiellor mbi vullnetin tonë
Përfytyro sikur je duke qëndruar përpara dy dyerve. Duke zgjedhur të hysh në derën e parë, ti do të ndiqje vullnetin e Atit Qiellor, por do të përballeshe me një sprovë të vështirë. Nëse zgjodhe të kalosh nëpër derën e dytë, ti do t’i shpëtoje sprovës, por nuk do të bëje atë që Ati Qiellor dëshironte për ty.
-
Përse do të zgjidhte dikush derën e parë? Po derën e dytë?
-
Çfarë di ti rreth Atit Qiellor që mund të të ndihmojë të zgjedhësh të hysh përmes derës së parë?
Gjej një çast për të reflektuar për jetën e Jezu Krishtit dhe mënyrën se si zgjedhja e derës së parë është e ngjashme me mënyrën se si Ai zgjodhi të jetonte. Në mësimin e sotëm ti do të kesh mundësinë të lexosh rreth zgjedhjeve që Shpëtimtari bëri afër fundit të jetës së Tij në vdekshmëri. Teksa studion, kërko atë që të frymëzon rreth veprimeve të Jezu Krishtit.
Jezu Krishtin e tradhtojnë dhe e arrestojnë në Gjetseman
Në Kopshtin e Gjetsemanit, Jezu Krishti i kërkoi Atit të Tij: “Largoje këtë kupë nga unë”, por Ai e bëri të qartë se ishte i zotuar që të bënte vullnetin e Atit kur tha: “Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti” (Lluka 22:42). Kupa për të cilën foli Jezusi i referohet vuajtjes dhe vdekjes së Tij.
Lexo te Gjoni 18:1–4, duke kërkuar mënyrën se si Shpëtimtari vazhdoi ta tregonte zotimin e Tij për të bërë vullnetin e Atit Qiellor.
Bëj një listë të disa prej gjërave të vështira që Jezusi e dinte se “do t’i ndodh[nin]” në orët në vazhdim, por që Ai i pranoi (vargu 4).
Lexo te Gjoni 18:5–11, duke kërkuar mënyrën se si Shpëtimtari iu përgjigj turmës së armatosur që kishte ardhur ta merrte Atë.
Për hollësi të mëtejshme të pashënuara nga Gjoni që tregojnë dashurinë e mrekullueshme dhe vendosmërinë e Jezu Krishtit, lexo te Mateu 26:52–54 dhe Lluka 22:50–51. Nëse dëshiron, mund të shohësh edhe “The Savior Suffers in Gethsemane” [“Shpëtimtari Vuan në Gjetseman”], nga kodi kohor 5:55 deri në 8:30, në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.
-
Çfarë të ka lënë mbresë rreth takimit të Jezusit me turmën e armatosur?
-
Çfarë të ndihmon shembulli i Jezu Krishtit të kuptosh rreth përballjes me kundërshtimin?
-
Si mendon, përse Shpëtimtari ishte në gjendje t’i përballonte këto situata në mënyrën se si i përballoi? Çfarë të mëson kjo për Të?
Jezu Krishti nxirret përpara gjyqit
Pas arrestimit, Jezusin e nxorën përpara kryepriftit, Kajafës dhe udhëheqësve të tjerë judeas. Lexo te Lluka 22:63–65 për të zbuluar rreth disa prej trajtimeve të padrejta që iu bënë Jezusit prej tyre. Nëse dëshiron, mund të shohësh edhe materialin filmik “Jesus Is Tried by Caiaphas, Peter Denies Knowing Him” [“Jezusi Gjykohet nga Kajafa, Pjetri Mohon që e Njeh Atë”], nga kodi kohor 0:00 deri në 1:39, në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.
-
Si mendon, përse Shpëtimtari ishte i gatshëm të duronte të tillë trajtim të ashpër dhe të padrejtë?
Te Libri i Mormonit, Nefi dhe Abinadi dhanë mësim rreth arsyes përse Shpëtimtari iu nënshtrua me gatishmëri një trajtimi të tillë. Lexo te 1 Nefi 19:8–9 dhe Mosia 15:5–7 për të zbuluar se cilat arsye renditën ata.
Në ditarin tënd të studimit, shkruaji ato mësime që mund të mësosh rreth Jezu Krishtit ose prej Tij nga këto vargje.
Ti mund të duash të shkruash disa arsye përse të kuptuarit e këtyre mësimeve është e vyer apo personalisht kuptimplotë për ty.
Një mësim që është i rëndësishëm për t’u kuptuar nga këto vargje është që Jezu Krishti iu nënshtrua vullnetit të Atit të Tij në të gjitha gjërat.
-
Si mendon, çfarë kuptoi Jezusi rreth Atit Qiellor që do ta bënte atë përsosurisht të përulur ndaj vullnetit të Tij?
Mendo për një rast kur zgjodhe të ndiqje atë që Ati Qiellor donte në vend të parapëlqimit personal.
-
Ku qëndronte vështirësia në zgjedhjen e asaj që dëshiron Perëndia në vend të asaj që mund të kishe dashur ti?
-
Çfarë bekimesh ke marrë duke zgjedhur që të ndjekësh vullnetin e Atit Qiellor edhe kur ishte e vështirë?
Presidenti Rasëll M. Nelson bëri një sërë pyetjesh rreth gatishmërisë sonë për t’iu nënshtruar vullnetit të Perëndisë. Gjej pak kohë për të përsiatur rreth mënyrës se si ti mund t’u përgjigjesh me sinqeritet këtyre pyetjeve. Mendo për atë që mund të duhet që ti të jesh në gjendje të thuash “po” për çdo pyetje.
“A jeni ju të gatshëm ta lejoni Perëndinë të triumfojë në jetën tuaj? A jeni ju të gatshëm ta lejoni Perëndinë të jetë ndikimi më i rëndësishëm në jetën tuaj? A do t’i lejoni fjalët e Tij, urdhërimet e Tij dhe besëlidhjet e Tij që të ndikojnë tek ajo që bëni çdo ditë? A do ta lejoni zërin e Tij të ketë përparësi mbi çdo zë tjetër? A jeni të gatshëm ta lejoni çfarëdo gjëje që Ai ka nevojë që ju të bëni, që të ketë përparësi mbi çdo ambicie tjetër? A jeni të gatshëm që vullneti juaj të shkrihet me të Tijin?”
(Rasëll M. Nelson “Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”, Liahona, nëntor 2020, f. 94)
Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?
Çfarë mund të mësojmë rreth Shpëtimtarit nga gatishmëria e Tij për t’iu nënshtruar Atit Qiellor?
Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se zemërbutësia e Shpëtimtarit ishte cilësia kryesore që e lejoi Atë t’ia nënshtronte vullnetin e Tij vullnetit të Atit Qiellor.
“Qëndrueshmëria e aftësisë së Zotit për t’u nënshtruar me gatishmëri dhe për t’u vetëpërmbajtur me fuqi është për ne të gjithë mbresëlënëse dhe frymëzuese. Kur një grup i armatosur i rojave të tempullit dhe i ushtarëve romakë mbërritën në Gjetseman për ta kapur dhe arrestuar Jezusin, Pjetri nxori shpatën e vet dhe ia preu veshin e djathtë shërbëtorit të kryepriftit [shih te Gjoni 18:10]. Atëherë Shpëtimtari e preku veshin e shërbëtorit dhe e shëroi [shih te Lluka 22:51]. Ju lutem, vini re që Ai e shtriu dorën dhe e bekoi robëruesin e Tij të mundshëm, duke përdorur të njëjtën fuqi qiellore që mund të mos e kishte lejuar Atë të zihej rob dhe të kryqëzohej.
… Zemërbutësia e Shpëtimtarit dëshmohet në përgjigjen e Tij të disiplinuar, vetëpërmbajtjen e fuqishme dhe mungesën e dëshirës për ta ushtruar fuqinë e Tij të pafundme për përfitim vetjak.”
(Dejvid A. Bednar, “Zemërbutë dhe të Përulur nga Zemra”, Liahona, maj 2018, f. 33)
Përse do të dëshiroja t’ia nënshtroja vullnetin tim Perëndisë?
Plaku Nil A. Maksuell (1926–2004), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Kaq shumë prej nesh … mendojmë në mënyrë të gabuar se, në njëfarë mënyre, duke lejuar që vullneti ynë të shkrihet në vullnetin e Perëndisë, ne humbasim individualitetin tonë (shih te Mosia 15:7). Sigurisht, ajo për të cilën jemi vërtet të shqetësuar nuk është se do të heqim dorë nga vetja, por nga gjërat egoiste – si rolet tona, koha jonë, epërsia jonë dhe zotërimet tona. Nuk është çudi që Shpëtimtari na ka udhëzuar ta humbasim vetveten (shih te Lluka 9:24). Ai po na kërkon vetëm të humbasim njeriun tonë të vjetër për të gjetur njeriun e ri. Nuk është çështje e humbjes së identitetit personal, por e gjetjes së identitetit të vërtetë! …
… Nënshtrimi i vullnetit të një njeriu është në të vërtetë e vetmja gjë krejtësisht vetjake dhe e pashoqe që kemi për ta vendosur mbi altarin e Perëndisë. Shumë gjëra të tjera që ne ‘japim’, vëllezër e motra, janë aktualisht gjërat që Ai tashmë na i ka dhënë ose që na i ka dhënë hua. Megjithatë, kur unë dhe ju më në fund e nënshtrojmë veten, duke e lënë vullnetin tonë të përpihet në vullnetin e Perëndisë, atëherë ne me të vërtetë po i japim diçka Atij! Është i vetmi zotërim që mund të japim i cili është me të vërtetë i yni!”
(Neal A. Maxwell, “Swallowed Up in the Will of the Father”, Ensign, nëntor 1995, f. 23, 24)