Mateu 26:36–46; Lluka 22:39–46, Pjesa 2
Si Mund të Ndikojë Vuajtja e Shpëtimtarit në Gjetseman në Jetën Time?
Kjo është pjesa e dytë e një mësimi me dy pjesë rreth vuajtjes së Shpëtimtarit në Gjetseman dhe domethënies së saj doktrinore. Si pjesë e Shlyerjes së Tij, Jezu Krishti mori mbi Vete mëkatet, dhembjet, sëmundjet dhe dobësitë tona. Për shkak të flijimit të Tij shlyes, Ai është në gjendje të na ndihmojë me sfidat me të cilat përballemi në vdekshmëri. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të ndiesh një nevojë më të madhe për forcën dhe ndihmën që Jezu Krishti mund të të ofrojë nëpërmjet Shlyerjes së Tij.
Përse duhej që Jezu Krishti të vuante kaq shumë?
Përfytyro skenarin vijues.
Në muajt e fundit, miku yt, Joni ka treguar interes për të mësuar më tepër rreth Kishës. Ai ka kaluar shumë kohë në shtëpinë tënde duke mësuar më shumë rreth ungjillit dhe madje ka marrë pjesë në studimin e shkrimeve të shenjta me familjen tënde disa herë. Një mbrëmje, pas studimit të ngjarjeve që lidhen me vuajtjen e Shpëtimtarit në Gjetseman, Joni pyet: “Përse duhej që Jezusi të vuante kaq shumë?”
-
Si do t’i përgjigjeshe pyetjes së Jonit?
Mendo për ndjenjat e tua për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij. Çfarë pyetjesh ke kur mendon për flijimin e Tij shlyes? Si ndikon njohuria që Ai vuajti për ty në ndjenjat e tua për Të? Mësimi i mëparshëm (“Mateu 26:36–46; Lluka 22:39–46, Pjesa 1”) theksoi shumë nga hollësitë e vuajtjes së Shpëtimtarit në Gjetseman. Gjej një çast për të studiuar përsëri vargjet te Mateu 26:36–39 dhe Lluka 22:41–44. Kërko fjalë ose fraza specifike, duke përfshirë ato që mund të kesh theksuar më parë, që janë kuptimplota për ty rreth Shpëtimtarit dhe që përshkruajnë atë që Ai përjetoi në Gjetseman.
Përdorimi i zbulesës moderne për të kuptuar më mirë vuajtjen e Shpëtimtarit
Pa bekimin e zbulesës moderne që Profeti Jozef Smith mori për Shpëtimtarin dhe Shlyerjen e Tij, do të kishte shumë gjëra që nuk do t’i kuptonim rreth asaj që Jezu Krishti vuajti, si në Gjetseman ashtu edhe në kryq, si pjesë e Shlyerjes së Tij dhe rreth arsyes përse Ai i vuajti këto gjëra.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 19:16–19, duke kërkuar atë që Jezu Krishti dha mësim rreth vuajtjes së Tij.
-
Çfarë të ndihmuan të kuptosh këto vargje rreth arsyes përse Jezu Krishti vuajti kaq shumë?
-
Çfarë të ndihmojnë të kuptosh këto vargje rreth dashurisë së Shpëtimtarit për ty?
Lexo tek Alma 7:11–13 dhe plotësoje tabelën e mëposhtme në ditarin tënd të studimit. Mund të jetë e dobishme të dish se folja ndihmojë te vargu 12 do të thotë “të ofrosh lehtësim” (Dallin H. Ouks, “Të Forcuar nga Shlyerja e Jezu Krishtit”, Liahona, nëntor 2015, f. 61).
Çfarë vuajti Shpëtimtari ose çfarë mori mbi Vete? |
Çfarë është Jezu Krishti në gjendje të bëjë për ne për shkak të Shlyerjes së Tij? |
---|---|
Çfarë vuajti Shpëtimtari ose çfarë mori mbi Vete? | Çfarë është Jezu Krishti në gjendje të bëjë për ne për shkak të Shlyerjes së Tij? |
Çfarë vuajti Shpëtimtari ose çfarë mori mbi Vete? | Çfarë është Jezu Krishti në gjendje të bëjë për ne për shkak të Shlyerjes së Tij? |
Çfarë vuajti Shpëtimtari ose çfarë mori mbi Vete? | Çfarë është Jezu Krishti në gjendje të bëjë për ne për shkak të Shlyerjes së Tij? |
-
Çfarë mësove nga këto vargje për atë që Jezu Krishti vuajti dhe përse Ai i vuajti ato?
-
Si e bekojnë secilin prej nesh vuajtjet e Zotit në Gjetseman?
Një e vërtetë që mund të mësojmë nga Alma 7:11–13 është që Jezu Krishti vuajti për të na shpëtuar nga mëkati e vdekja dhe për të na ndihmuar përmes sfidave të vdekshmërisë. Ti mund të duash ta shkruash këtë të vërtetë në shkrimet e tua të shenjta. Ti mund ta shkruash gjithashtu këtë të vërtetë dhe përgjigjet e tua për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit.
-
Cilat prej bekimeve të renditura në kolonën e dytë të tabelës do të ishin më kuptimplota për ty për t’i përjetuar pikërisht tani? Përse?
-
Kur e ke përjetuar shpresën, paqen, ngushëllimin apo forcën që mund të të vijë përmes vuajtjeve shlyese të Jezu Krishtit?
Për të parë një shembull që ilustron ndihmën hyjnore që mund të marrim nëpërmjet flijimit shlyes të Shpëtimtarit, merr parasysh të shohësh ose materialin “Atonement – Not a One-Time Thing” [“Shlyerja – Jo një Gjë Njëherëshe”] (03:00) ose “Alek’s Story” [“Historia e Alekut”] (06:26). Të dyja materialet filmike mund të gjenden në ChurchofjesusChrist.org.
Për të mësuar më tepër rreth mënyrës se si Shpëtimtari mund ta bekojë jetën tonë për shkak të Shlyerjes së Tij, studioni disa nga mësimet e udhëheqësve të Kishës sonë te pjesa “Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?” që gjendet në fund të këtij mësimi.
Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?
Në çfarë mënyrash mund të ndikojë Shlyerja e Shpëtimtarit në jetën tonë?
Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë:
“Mundësia që të marrim falje për mëkatet tona është domethënia kryesore e Shlyerjes së Jezu Krishtit. …
Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë duroi vuajtje të papërfytyrueshme për t’u bërë fli për mëkatet e të gjithë të vdekshmëve që do të pendoheshin. Ky flijim shlyes ofroi të mirën më të lartë, qengjin e dëlirë pa të meta, për masën më të lartë të ligësisë, mëkatet e tërë botës. Flijimi i hapi portën secilit prej nesh që të pastroheshim nga vetë mëkatet tona, me qëllim që të mund të ripranoheshim në praninë e Perëndisë, Atit tonë të Amshuar. Kjo portë e hapur është në dispozicion të të gjithë fëmijëve të Perëndisë.”
(Dallin H. Ouks, “Çfarë Ka Bërë Shpëtimtari Ynë për Ne?”, Liahona, maj 2021, f. 76)
Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Në situata të padrejta, njëra nga detyrat tona është që të mirëbesojmë se ‘gjithçka që është e padrejtë në jetë, mund të ndreqet nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit’ [Preach My Gospel: A Guide to Missionary Service (2018), f. 52]. Jezu Krishti e mundi botën dhe e ‘përthithi’ gjithë padrejtësinë. Për shkak të Tij, ne mund të kemi paqe në këtë botë dhe mund të marrim zemër. Nëse e lejojmë Atë, Jezu Krishti do ta shenjtërojë padrejtësinë për të mirën tonë. Ai jo vetëm do të na ngushëllojë dhe do të rivendosë atë që humbëm; Ai do ta përdorë padrejtësinë për përfitimin tonë.”
(Dejll G. Renland, “Padrejtësia Ndërkryese”, Liahona, maj 2021, f. 43)
Plaku Ulises Soares, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Unë ju dëshmoj se kur pendohemi me të vërtetë për mëkatet tona, ne e lejojmë flijimin shlyes të Krishtit të bëhet plotësisht i efektshëm në jetën tonë. Ne do të çlirohemi nga skllavëria e mëkatit, do të gjejmë gëzim në udhëtimin tonë në tokë dhe do të kemi të drejtën për të marrë shpëtim të përjetshëm, i cili u përgatit që nga krijimi i botës për të gjithë ata që besojnë te Jezu Krishti dhe vijnë tek Ai.”
(Ulises Soares, “Jezu Krishti: Kujdestari i Shpirtit Tonë”, Liahona, maj 2021, f. 83)
Plaku Majkëll Xhon U. Teh, i Të Shtatëdhjetëve:
“Të kuptuarit gjithnjë e më tepër se Shlyerja e Jezu Krishtit gjen zbatim për ne personalisht dhe individualisht, do të na ndihmojë ta njohim Atë. Shpeshherë e kemi më të lehtë të mendojmë e flasim për Shlyerjen e Krishtit në terma të përgjithshëm sesa ta pranojmë domethënien e saj vetjake në jetën tonë. Shlyerja e Jezu Krishtit është e pafundme, e përjetshme dhe gjithëpërfshirëse për nga gjerësia dhe thellësia e saj, por tërësisht vetjake dhe individuale për nga efektet e saj. Për shkak të flijimit të Tij shlyes, Shpëtimtari ka fuqinë të na pastrojë, të na shërojë e të na forcojë një e nga një.”
(Majkëll Xhon U. Teh, “Shpëtimtari Ynë Vetjak”, Liahona, maj 2021, f. 99–100)
Motra Reina I. Aburto, këshilltare e dytë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës:
“Nëpërmjet Shlyerjes shëlbuese dhe Ringjalljes së lavdishme të Jezu Krishtit, zemrat e thyera mund të shërohen, ankthi mund të bëhet paqe dhe shqetësimi mund të bëhet shpresë. Ai mund ta përqafojë secilin prej nesh me krahët e Tij të mëshirës, ngushëllimit, fuqizimit dhe shërimit.”
(Reina I. Aburto, “Varri Nuk Ka Fitore”, Liahona, maj 2021, f. 86)