Gjoni 18:33–40; Lluka 23:8–11
Jezusi Gjykohet dhe Fshikullohet
Pasi Jezusi u arrestua dhe u gjykua në mënyrë të rreme përpara udhëheqësve judeas, Ai u dërgua që të gjykohej përpara Pilatit, i cili kishte juridiksionin romak. Shpëtimtari iu nënshtrua me zemërbutësi romakëve dhe u fshikullua në mënyrë të dhimbshme e u dënua me vdekje. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të mësosh më shumë rreth dashurisë së Shpëtimtarit për të gjithë dhe karakterit të Tij të përsosur dhe se si ti mund ta ndjekësh më mirë shembullin e Tij.
Ndjenja e të qenit i keqtrajtuar
-
Cilat janë disa situata të zakonshme në të cilat një adoleshent mund ta tallin, ta akuzojnë në mënyrë të rreme apo ta keqtrajtojnë?
-
Cilat janë disa mënyra se si një adoleshent i zakonshëm mund t’i përgjigjet një keqtrajtimi të tillë?
Zoti mund të jetë me ne dhe të na ndihmojë të rritemi nëpërmjet përvojave të vështira. Ai mund të na ndihmojë t’u përgjigjemi vështirësive dhe kundërshtimit në mënyra të ngjashme me të Krishtit. Mendo për përvojat e tua personale të të qenit i tallur, i akuzuar në mënyrë të rreme ose i keqtrajtuar, duke përfshirë mënyrën se si je përgjigjur dhe përse.
Teksa Jezu Krishti iu afrua ngjarjeve të fundit të jetës së Tij, Atë e tallën, e akuzuan në mënyrë të rreme dhe e keqtrajtuan. Teksa i studion këto ngjarje të fundit të jetës së Shpëtimtarit, kërko cilësitë e karakterit të Tij që e ndihmuan Atë të duronte besnikërisht dhe të përfundonte misionin e Tij. Gjithashtu, mendoje me lutje mënyrën se si mund ta ndjekësh shembullin e Tij.
Jezusi gjykohet padrejtësisht dhe dënohet me vdekje
Pasi Jezusi vuajti në Kopshtin e Gjetsemanit, Atë e arrestuan dhe udhëheqësit judeas (sinedri) e gjykuan padrejtësisht dhe e dënuan me vdekje. Megjithatë, për shkak se Izraeli ishte nën sundimin romak, ekzekutimi mund të autorizohej vetëm nga romakët. Për këtë arsye, judenjtë e dërguan Jezusin te Pilati, udhëheqësi romak i Judesë, duke e akuzuar Atë për rebelim kundër qeverisë romake ngaqë pretendonte se ishte “mbreti i Judenjve” (shih te Marku 15:2). Pilati e dërgoi Jezusin te Herod Antipa, i cili ndodhej në Jerusalem për Festën e Pashkës, duke shpresuar që Herodi do ta gjykonte Atë në Galile, por Herodi e ktheu Jezusin te Pilati.
Lexo dy ose më shumë nga ndodhitë vijuese, që tregojnë se si Jezusi u akuzua padrejtësisht dhe në fund u dënua. Ndërsa lexon, shiko mënyrën se si Jezusi u përgjigj në secilën prej këtyre situatave. Kujto që Ai kishte fuqinë ta lironte Veten nga këto rrethana (shih te Mateu 26:52–54).
-
Jezusi merret në pyetje nga sinedri. Lexo te Mateu 26:57–68 ose shih materialin filmik “Jesus Is Tried by Caiaphas, Peter Denies Knowing Him” [“Jezusi Gjykohet nga Kajafa, Pjetri Mohon që e Njeh Atë”] nga kodi kohor 0:00 te 1:39. Ky material filmik është në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.
-
Jezusi merret në pyetje nga Pilati. Lexo te Gjoni 18:33–40 ose shih “Jesus Is Condemned Before Pilate” [“Jezusi Dënohet Përpara Pilatit”] (3:19), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, për një portretizim të gjyqit përpara Pilatit.
-
Jezusi del përpara Herodit. Lexo te Lluka 23:8–11.
-
Jezusi fshikullohet nga ushtarët romakë dhe më pas merret në pyetje nga Pilati për herë të dytë. Lexo te Gjoni 19:1–16 ose shih “Jesus Is Scourged and Crucified” [“Jezusi Fshikullohet dhe Kryqëzohet”] nga kodi kohor 0:00 deri në 2:03, që është në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org. Mund të jetë e dobishme të dish që fshikulli ishte një kamxhik që shpesh përmbante objekte të mprehta (si për shembull, copa guri, metali ose kocke) të ndërthurura në disa pjesë të fijeve. Shumë njerëz nuk i mbijetonin fshikullimit për shkak të traumës së rëndë fizike që shkaktonte.
Karakteri i Jezu Krishtit
Lexo te 1 Nefi 19:9 dhe pohimet vijuese, duke kërkuar këndvështrime për karakterin e Shpëtimtarit.
Plaku Robert D. Hejls (1932–2017), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi sa vijon:
“Të reagosh në një mënyrë si e Krishtit, nuk mund të shkruhet apo bazohet te një formulë. Shpëtimtari reagoi ndryshe në çdo situatë. Kur Ai u përball nga i ligu mbreti Herod, Ai qëndroi i heshtur. Kur Ai qëndroi përpara Pilatit, Ai dha një dëshmi të thjeshtë dhe të fuqishme të hyjnisë dhe qëllimit të Tij. …
Disa njerëz gabimisht mendojnë se qetësia, butësia, zemërgjerësia dhe sjellja e një dëshmie të përulur janë pasive apo të dobëta. Por, të ‘[duam] armiqtë [tanë], [të bekojmë] ata që [na] mallkojnë, [t’u bëjmë] mirë atyre që [na] urrejnë dhe [të lutemi] për ata që [na] keqtrajtojnë dhe [na] përndjekin’ (Mateu 5:44) kërkon besim, forcë dhe mbi të gjitha kurajë të krishterë.”
(Robert D. Hejls, “Kuraja e Krishterë: Çmimi i Qenies Dishepull”, Liahona, nëntor 2008, f. 72)
Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Merrni gjithashtu parasysh mënyrën se si Mësuesi u akuzua dhe u dënua përpara Pilatit që të kryqëzohej [shih te Mateu 27:2,11–26]. … Zemërbutësia e Shpëtimtarit dëshmohet në përgjigjen e Tij të disiplinuar, vetëpërmbajtjen e fuqishme dhe mungesën e dëshirës për ta ushtruar fuqinë e Tij të pafundme për përfitim vetjak.”
(Dejvid A. Bednar, “Zemërbutë dhe të Përulur nga Zemra”, Liahona, maj 2018, f. 33)
Është e rëndësishme të dallosh që në shumë raste Shpëtimtari u ka kërkuar llogari me guxim të tjerëve për veprimet e tyre (shih te Marku 11:15–17, Gjoni 2:13–16, Doktrina e Besëlidhje 133:48–51). Si ndjekës të Jezu Krishtit, ne duam t’i përgjigjemi talljes, akuzave të rreme ose keqtrajtimit me dashuri, kurajë dhe zemërbutësi. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ne duhet t’i lejojmë të tjerët të na keqtrajtojnë apo lëndojnë. “Zoti e dënon sjelljen keqtrajtuese të çfarëdo forme – duke përfshirë lënien pas dore dhe abuzimin fizik, seksual apo verbal” (Letër e Presidencës së Parë, “Parandalimi dhe Përgjigjja ndaj Keqtrajtimit”, 26 mars 2018). Nëse jemi keqtrajtuar, është e rëndësishme që të kërkojmë menjëherë ndihmë nga një i rritur i besuar.
Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?
Gjoni 18:36. Çfarë është mbretëria për të cilën po fliste Jezusi?
Plaku D. Tod Kristoferson dha mësim:
“Kur Danieli e interpretoi ëndrrën e mbretit të Babilonisë, Nebukadnetsarit, duke i bërë të njohur mbretit ‘atë që do të ndodhë ditët e fundit’ [Daniel 2:28], ai shpalli se ‘Perëndia i qiellit do të nxjerrë një mbretëri, që nuk do të shkatërrohet kurrë; kjo mbretëri nuk do t’i lihet një populli tjetër, por do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë … mbretëri[të e tjera], dhe do të ekzistojë përjetë’ [Daniel 2:44]. Kisha është ajo mbretëri e profetizuar e ditëve të mëvonshme, jo e krijuar nga njeriu, por e ngritur nga Perëndia i qiellit dhe që rrokulliset si guri që ‘shkëputet nga mali, jo nga dora e njeriut’ për të mbushur tokën [Daniel 2:45; shih edhe vargun 35].
Fati i saj është të krijojë Sionin si përgatitje për kthimin dhe sundimin mijëvjeçar të Jezu Krishtit. Përpara asaj dite, nuk do të jetë një mbretëri në ndonjë kuptim politik – siç tha Shpëtimtari: ‘Mbretëria ime nuk është e kësaj bote’ [Gjoni 18:36; theksimi i shtuar]. Përkundrazi, ajo është burimi i autoritetit të Tij në tokë, administruesja e besëlidhjeve të Tij të shenjta, kujdestarja e tempujve të Tij, mbrojtësja dhe shpallësja e së vërtetës së Tij, vendi i mbledhjes për Izraelin e shpërndarë dhe një ‘mbrojtje e … strehim nga stuhia dhe nga zemërimi, kur të derdhen pa u zvogëluar mbi tërë dheun’ [Doktrina e Besëlidhje 115:6].”
(D. Tod Kristoferson, “Përse Kisha”, Liahona, nëntor 2015, f. 111)