Joseph Smith – Mateu
Rrini Zgjuar për Ardhjen e Zotit
Në një bisedë private në Malin e Ullinjve, Jezu Krishti iu përgjigj pyetjeve të dishepujve të Tij për ardhjen e Tij të Dytë. Ky mësim mund të të ndihmojë të kuptosh atë që dha mësim Shpëtimtari për shenjat e ardhjes së Tij, dhe të presësh me padurim ditën kur Ai do të kthehet në tokë.
Përfytyrimi i ardhjes së Jezu Krishtit
Mendo për atë që di rreth Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit dhe shenjave që do ta paraprijnë atë. Përfytyro se si do të jetë.
-
Çfarë përfytyron kur mendon për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit?
-
Çfarë ndjenjash ke kur mendon për ardhjen e Shpëtimtarit?
Ndërsa studion sot, dëgjoji nxitjet nga Fryma e Shenjtë që të ndihmojnë të dish atë që mund të bësh për ta pritur me padurim ditën kur Jezu Krishti do të kthehet përsëri.
Shenjat që i paraprijnë Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit
Kur dishepujt e pyetën Shpëtimtarin: “Cila është shenja e ardhjes sate?” ( Joseph Smith – Mateu 1:4), Ai u dha atyre mësim për ngjarjet që do të ndodhin deri në Ardhjen e Tij të Dytë. Megjithëse askush përveç Atit Qiellor nuk e di ditën ose orën e saktë kur kjo do të ndodhë, Jezusi shpjegoi rëndësinë e të qenit syçelë për shenja të ndryshme që Ai dha (shih te Joseph Smith – Mateu 1:40, 46).
Një vend në shkrimet e shenjta ku përvijohen shenjat e ardhjes së Zotit është te Joseph Smith – Mateu . Ky është përkthim prej Jozef Smithit, ose rishikim i Mateu 24 , që gjendet te Perla me Vlerë të Madhe.
-
Cilat janë disa shenja që ti e di se do t’i paraprijnë Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit?
Për të gjetur disa nga shenjat që zbuloi Zoti dhe një arsye përse i zbuloi ato, lexo te Joseph Smith – Mateu 1:22–23, 28–36, 48 . Ti mund të shohësh gjithashtu “ Shenj(a) të Kohërave ” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, që gjendet në scriptures.ChurchofJesusChrist.org.
1. Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:
-
Çfarë të bën përshtypje për shenjat që dha Shpëtimtari për Ardhjen e Tij të Dytë?
-
Çfarë mund të mësojmë për Jezu Krishtin duke ditur që Ai i zbuloi këto shenja shumë kohë përpara Ardhjes së Tij të Dytë?
-
Si ndihesh ndërsa përfytyron ungjillin që “predikohet në të gjithë botën” ( Joseph Smith – Mateu 1:31) dhe Shpëtimtarin “duke ardhur në retë e qiellit, me fuqi dhe lavdi të madhe”? ( Joseph Smith – Mateu 1:36 .) Përse?
Përzgjidh të paktën njërën nga frazat vijuese dhe merre parasysh ta shënosh atë në shkrimet e shenjta. Ndërsa i shenjon fjalët, mendo për mesazhin e Jezu Krishtit. Shiko se çfarë mund të të mësojnë fjalët e Shpëtimtarit për Të dhe për dëshirat e Tij për ty.“Ruhuni të mos shqetësoheni” ( Joseph Smith – Mateu 1:23).“Ai që nuk do të dorëzohet, do të shpëtohet” ( Joseph Smith – Mateu 1:30).“Fjalët e mia nuk do të kalojnë, por do të përmbushen” ( Joseph Smith – Mateu 1:35).“Jini edhe ju gati” ( Joseph Smith – Mateu 1:48).
-
Çfarë qëndrimi mendon se Shpëtimtari do që ti të kesh për ardhjen e Tij?
-
Cilat fjalë të Jezu Krishtit të ndihmojnë ty ta duash dhe t’i mirëbesosh Atij?
Përgjatë kësaj jave ti do të studiosh më tepër për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit dhe mënyrën se si ti mund të jesh gati për të.
Pritja e kthimit të Zotit
Teksa e lexon thënien vijuese nga Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përfytyroje atë që ai thotë, dhe mendo për qëndrimin tënd për Ardhjen e Dytë.
“Mendimi i ardhjes së Tij ma emocionon shpirtin. Do të jetë marramendëse! Qëllimi e madhështia, gjerësia e mrekullia do ta kapërcejnë çdo gjë që sytë njerëzorë e kanë parë ose përjetuar ndonjëherë.
Në atë ditë … Ai do të shfaqet ‘në retë e qiellit, i mbuluar me fuqi dhe lavdi të madhe; me gjithë engjëjt e shenjtë’ [ Doktrina e Besëlidhje 45:44 ]. … Dielli dhe hëna do të shndërrohen dhe ‘yjet [do të] flaken nga vendet e tyre’ [ Doktrina e Besëlidhje 133:49 ]. …
… Ne do të biem në gjunjë me nderim ‘dhe Zoti do ta lëshojë zërin e tij dhe gjithë fundet e dheut do ta dëgjojnë atë’ [ Doktrina e Besëlidhje 45:49 ]. …
Në atë ditë skeptikët do të jenë të heshtur, ‘sepse çdo vesh do ta dëgjojë … dhe çdo gju do të përkulet e çdo gjuhë do të rrëfejë’ [ Doktrina e Besëlidhje 88:104 ] se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i botës.
… U përgatitshim për ardhjen e Tij duke i përsëritur këto ngjarje të lavdishme herë pas here në vetë mendjen tonë dhe me njerëzit që i duam.”
(Nil L. Andersen, “Ardhtë Mbretëria Jote”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 122)
-
Çfarë mendimesh apo ndjenjash pate ndërsa përfytyrove atë që përshkroi Plaku Andersen?
-
Si ndikoi ky mësim në mendimet ose ndjenjat që kishe në fillim të orës së mësimit për Ardhjen e Dytë?
2. Shpenzo një minutë për të shënuar në ditarin tënd të studimit disa nga hollësitë që mund të përfytyrosh për kthimin e Zotit. Mundohu ta përfytyrosh veten duke parë Zotin dhe duke e dëgjuar zërin e Tij. Më pas përgjigju për pyetjet vijuese:
-
Çfarë mund të të ndihmojë ta përfytyrosh ardhjen e Zotit si një ngjarje të lavdishme?
-
Kush është ai me të cilin mund të flasësh për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit?
Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?
Joseph Smith – Mateu 1:36–37 . Si do të jetë kur Shpëtimtari të vijë sërish?
Në një rast tjetër, Plaku Nil L. Andersen dha mendimet e tij për kohën kur Jezu Krishti do të kthehet në tokë me lavdi:
“Asgjë nuk e nxit dëshirën time për të folur për Krishtin më shumë sesa përfytyrimi i kthimit të Tij. Ndonëse nuk e dimë se kur do të vijë Ai, ngjarjet e kthimit të Tij do të jenë mahnitëse! Ai do të vijë në retë e qiellit, në madhështi dhe lavdi, me të gjithë engjëjt e Tij të shenjtë. Jo thjesht disa engjëj por të gjithë engjëjt e Tij të shenjtë. Këta nuk janë kerubinët me faqe si qershi të pikturuar nga Rafaeli, që gjenden në kartolinat tona të Shën Valentinit. Këta janë engjëj të shekujve, engjëjt e dërguar për t’u mbyllur gojën luanëve [shih te Daniel 6:22 ], për të hapur dyert e burgut [shih Veprat e Apostujve 5:19 ], për të lajmëruar lindjen e shumëpritur të Tij [shih te Lluka 2:2–14 ], për ta ngushëlluar Atë në Gjetseman [shih te Lluka 22:42–43 ], për të siguruar dishepujt për Ngritjen e Tij [shih Veprat e Apostujve 1:9–11 ] dhe për të hapur Rivendosjen e lavdishme të ungjillit.
A mund ta përfytyroni të rrëmbeheni për ta takuar Atë, qoftë në këtë anë të velit apo në tjetrën? [Shih 1 Thesalonikasve 4:16–17 ; Doktrina e Besëlidhje 88:96–98 .] Ky është premtimi i Tij për të drejtët. Kjo përvojë mahnitëse do ta shenjojë shpirtin tonë përgjithmonë.”
(Nil L. Andersen, “Ne Flasim për Krishtin”, Ensign ose Liahona, nëntor 2020, f. 91)