Marku 5:24–34; Mateu 9:20–22
Marrja nga Fuqia e Jezu Krishtit
Jezusi shëroi një grua me fluks gjaku gjatë rrugës për të shëruar vajzën e Jairit. Qëllimi i këtij mësimi është të të ndihmojë të kuptosh se si të marrësh nga fuqia e Shpëtimtarit në jetën tënde duke ushtruar besimin tënd tek Ai.
Zgjatja shpirtërore
Merr një minutë për t’u ngritur dhe për të bërë një ushtrim me zgjatje. Kur të përfundosh, përgjigjju këtyre pyetjeve në mendjen tënde:
-
A ndjeve ndonjë ndryshim në trupin tënd?
-
Si mendon se mund të të ndihmojë zgjatja e rregullt fizike?
Zgjatja e trupit duke u tendosur ka përfitime të ndryshme. Kur atletët e zgjatin trupin duke e tendosur, ata veprojnë më mirë dhe kanë më pak gjasa të pësojnë lëndime. Po kështu, kur nxënësit i tendosin mendjet e tyre dhe shkojnë përtej shprehive të tyre të zakonshme të studimit, ata e rritin të mësuarit e tyre.
-
Çfarë do të thotë për ty të zgjatesh shpirtërisht?
Ngjashëm me përfitimet e zgjatjes fizike, shpirtshmëria jonë rritet ndërsa ushtrojmë besimin tonë te Shpëtimtari dhe marrim nga fuqia e Tij. Në mësimin e sotëm do të mësoni për një grua që kishte besim të jashtëzakonshëm te Jezu Krishti dhe zgjati dorën e saj drejt Shpëtimtarit dhe mori nga fuqia e Tij për t’u shëruar.Gjatë rrugës për të shëruar vajzën e një njeriu të quajtur Jair, Jezu Krishti u ndoq nga një turmë (shih Marku 5:22–24). Mes turmës ishte dhe një grua e sëmurë.
Lexo te Marku 5:25–26 , duke kërkuar sëmundjen dhe nevojat e gruas.
Shkrimet e shenjta nuk e përcaktojnë natyrën e “fluks[it të] gjaku[t]” të gruas ( Marku 5:25). Ne e dimë se kjo i sillte probleme në mënyra të ndryshme në jetën e saj. Ajo “shpenz[oi] gjithë pasurinë e vet” duke kërkuar një kurë nga mjekët ( Marku 5:26). Sipas ligjit të Moisiut, dikush me fluks gjaku konsiderohej i papastër për ritet (shih Levitiku 15:19–33). Kjo me gjasë nënkuptonte që gruaja qe e përjashtuar nga shoqëria në disa mënyra gjatë 12 viteve të sëmundjes së saj.
-
Për çfarë ndien se ke nevojë për ndihmën e Shpëtimtarit në jetën tënde?
Lexo te Marku 5:27–29 , për të parë se çfarë bëri kjo grua për të marrë ndihmën e Shpëtimtarit (shih edhe te Mateu 9:20–22). Fraza “u fut në turmë dhe pas shpinës” i referohet përpjekjes së saj për të çarë përmes turmës së njerëzve që të mund të prekte rrobën e Jezusit ( Marku 5:27).
-
Çfarë të bën përshtypje tek ajo që bëri kjo grua për të marrë nga fuqia e Shpëtimtarit?
-
Në këtë rrëfim gruaja vërtet e zgjati krahun për të prekur Shpëtimtarin. Cilat janë disa mënyra që ti mund të “zgjatesh” për të arritur te Shpëtimtari?
-
A beson se Shpëtimtari mund të të shërojë edhe pse nuk mund ta prekësh Atë fizikisht? Përse?
Lexo te Marku 5:30–34 , duke kërkuar përgjigjen e Shpëtimtarit ndaj aktit të besimit të kësaj gruaje.
-
Çfarë vure re rreth Shpëtimtarit në këto vargje?
Me gjithë nevojën e menjëhershme të Jairit për ta sjellë Jezusin në shtëpinë e tij për të shëruar vajzën, Jezusi ndaloi dhe e ndihmoi këtë grua.
-
Çfarë mëson nga kjo për Shpëtimtarin?
-
Në çfarë mënyrash ndikon kjo në dëshirën tënde për t’iu drejtuar Atij për ndihmë me nevojat e tua?
Presidenti Rasëll M. Nelson e zbatoi këtë rrëfim për jetën tonë. Mund të duash të shikosh materialin filmik “Marrja e Fuqisë së Jezu Krishtit në Jetën Tonë”, nga kodi kohor 11:30 deri në 13:20, ose të lexosh tekstin më poshtë. Teksa e bën, kërko parimet që dha mësim Presidenti Nelson për të marrë nga fuqia e Shpëtimtarit.
“A ju kujtohet tregimi biblik i gruas që vuajti për 12 vjet me një problem ligështues? [Shih Lluka 8: 43–44 ]. Ajo ushtroi besim të madh te Shpëtimtari, duke thirrur: ‘Nëse vetëm ia prek rroben e tij, do të shërohem’ [ Marku 5:28 ].
Kjo grua besnike dhe e përqendruar, duhej të zgjatej aq sa mundej për ta përdorur fuqinë e Tij. Zgjatja e saj fizike ishte simbol i zgjatjes së saj shpirtërore. …
Kur ju zgjateni për [ta marrë] fuqinë e Zotit në jetën tuaj me të njëjtin intensitet që ka një njeri që po mbytet, kur kapet dhe gulçon për ajër, fuqitë nga Jezu Krishti do të jenë tuajat. Kur Shpëtimtari e di se ju me të vërtetë doni të zgjateni drejt Tij – kur Ai mund ta ndiejë se dëshira më e madhe e zemrës suaj është që ta merrni fuqinë e Tij në jetën tuaj – ju do të udhëhiqeni nga Fryma e Shenjtë për të ditur saktësisht atë që duhet të bëni [shih Doktrina e Besëlidhje 88:63 ].
Kur ju zgjateni shpirtërisht përtej çdo gjëje që keni bërë ndonjëherë, atëherë fuqia e Tij do të vërshojë brenda jush.”
(Rasëll M. Nelson, “Marrja e Fuqisë së Jezu Krishtit në Jetën Tonë”, Ensign ose Liahona, maj 2017, f. 41–42.)
-
Cilat janë disa parime që ke përcaktuar nga thënia e Presidentit Nelson?
-
Në cilat mënyra mendon se këto parime mund të të ndihmojnë të zgjatesh shpirtërisht për të marrë nga fuqia e Shpëtimtarit?
-
Si i ke përjetuar këto parime në vetë jetën tënde?
1. Mendo për nevojat e tua personale dhe përgjigjju të paktën tri prej pyetjeve vijuese në ditarin tënd të studimit.
-
Çfarë mund të bësh për të treguar se marrja e ndihmës së Shpëtimtarit është dëshira jote më e madhe?
-
Si do të ishte jeta jote ndryshe po të merrje më shpesh nga fuqia e Jezu Krishtit?
-
Çfarë pengesash mund të të duhet të kapërcesh teksa zgjatesh për te Shpëtimtari me besim?
-
Çfarë mund të bësh për ta njohur udhëzimin nga Fryma e Shenjtë për t’u zgjatur drejt Shpëtimtarit?
Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?
Mateu 9:20. Cila është domethënia e veprimit të gruas që prek cepin e rrobës së Shpëtimtarit?
“Cepi [i] rrobes së tij” i referohet “një pjese të rëndësishme të veshjes së një izraeliti”. Thekët lidheshin me kordon blu, që simbolizonte qiellin (shih Numrat 15:38–40). Theku që varej mbi sup në pjesën e shpinës ishte ai që preku gruaja. Veprimi i saj që zgjatej për të prekur thekun përfaqëson një zgjatje për të marrë nga fuqia qiellore e Shpëtimtarit. Profeti Malakia profetizoi se Shpëtimtari do të “[ngrihej] me shërimin në krahët e tij” ( Malakia 4:2).
Si ta marr shërimin e Shpëtimtarit?
Presidentja Xhin B. Bingham, Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, tha:
“Kur e studioni jetën dhe mësimet e Krishtit në një mori mënyrash, besimi juaj në Të do të rritet. Ju do të arrini të dini se Ai ju do individualisht dhe ju kupton përsosurish. …
Pavarësisht nga ajo që kemi vuajtur, Ai është burimi i shërimit. Atyre që kanë përjetuar ndonjë lloj dhune, humbje shkatërrimtare, sëmundje kronike apo vuajtje gjymtuese, akuza të pavërteta, përndjekje të egër ose dëmtim shpirtëror nga mëkati apo keqkuptimet, të gjitha mund të shërohen nëpërmjet Shëlbuesit të botës. Gjithsesi, Ai nuk do të hyjë pa u ftuar. Ne duhet të vijmë tek Ai dhe ta lejojmë Atë t’i kryejë mrekullitë e Tij.”
(Xhin B. Bingham, “Që Gëzimi Juaj të Jetë i Plotë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2017, f. 86.)
Motra Reina I. Aburto, Këshilltare e Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, dha mësim:
“Gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri, Jezu Krishti i shëroi të sëmurët dhe të pikëlluarit, por çdo njeri duhej të ushtronte besim tek Ai dhe të vepronte me qëllim që të merrte shërimin e Tij. Disa ecën me kilometra të tëra, të tjerë e shtrinë dorën e tyre që ta preknin rrobën e Tij dhe të tjerë duhej të mbarteshin për t’u çuar tek Ai me qëllim që të shëroheshin. Kur vjen puna te shërimi, a nuk kemi të gjithë nevojë për Të me kaq ngulm?”
(Reina I. Aburto, “N’Qoft Shi a Diell, Zot, me Mua Rri!”, Ensign ose Liahona, nëntor 2019, f. 58.)