Mateu 1:18–25; Lluka 1:26–35
Jezu Krishti: Biri i Perëndisë dhe i Marisë
Marisë iu tha nga engjëlli Gabriel se fëmija të cilin do ta lindte do të ishte “Biri i Shumë të Lartit” (Lluka 1:32). Ky mësim mund të të ndihmojë të kuptosh se si karakteristikat që Jezusi trashëgoi nga një nënë e vdekshme dhe një Atë i pavdekshëm e bëjnë Atë veçanërisht të aftë për të na ndihmuar t’i kapërcejmë të gjitha sfidat e vdekshmërisë.
Kapërcimi i sfidave
Vështroje vizatimin e mëposhtëm dhe mendo se ku drejtohesh kur dalin sfida ose vështirësi.
-
Cilat do të thoshe se janë disa nga sfidat më të zakonshme me të cilat përballen njerëzit në moshën tënde?
-
Ku drejtohen të rinjtë e të rejat teksa përpiqen të përballen me këto sfida?
Plaku Ronald A. Rasband, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha dëshminë e mëposhtme rreth Jezu Krishtit:
“Jezu Krishti është gjithmonë përgjigjja. Duke e kuptuar misionin e Tij dhe ungjillin e Tij, dashuria jonë për Të dhe bindja jonë për Të dhe mbështetja jonë tek Ai, na japin forcë.”
(Ronald A. Rasband, “Jezu Krishti Është Përgjigjja”, [mbrëmje me një Autoritet të Përgjithshëm, 8 shkurt 2019], broadcasts.ChurchofJesusChrist.org.)
-
Si mendon, pse Jezu Krishti është gjithmonë përgjigjja kur përballemi me sfida apo pyetje në jetë?
Shpenzo një çast duke menduar për besimin dhe sigurinë tënde te Jezu Krishti. Sa shpesh mbështetesh tek Ai për forcë dhe përkrahje?Ndërsa studion sot, kërko frymëzim nga Fryma e Shenjtë që të të ndihmojë të mësosh të vërtetat rreth Jezu Krishtit që do ta rritin besimin tënd tek Ai dhe do të të bëjnë të kthehesh më shpesh tek Ai për paqe dhe forcë.
Prindërit e Jezu Krishtit
Jezu Krishti është veçanërisht i aftë të na ndihmojë pjesërisht me çdo sfidë ose pyetje me të cilën përballemi në vdekshmëri për shkak të veçorive që Ai trashëgoi nga prindërit e Tij.
Studioji shkrimet e shenjta të mëposhtme, duke kërkuar mësime rreth faktit se kush ishin prindërit e Shpëtimtarit:
-
Çfarë mësove për Atin dhe nënën e Jezu Krishtit?
Një e vërtetë që mund të mësojmë nga këto vargje është se Jezu Krishti është Biri hyjnor i Perëndisë, Atit dhe i Marisë.
Lexoje thënien e mëposhtme nga Presidenti Rasëll M. Nelson, duke kërkuar veçoritë që Jezu Krishti trashëgoi nga Ati Qiellor dhe nga Maria.
“Nga Ati i Tij i pavdekshëm, Jezusi trashëgoi fuqinë për të jetuar përgjithmonë. Nga nëna e Tij e vdekshme Ai trashëgoi fatin e vdekjes fizike.Këto tipare unike ishin thelbësore për misionin e Tij për të shlyer mëkatet e të gjithë njerëzimit. Kështu Jezu Krishti lindi për të vdekur (shih 3 Nefi 27:13–15). Ai vdiq që ne të mund të jetojmë. Ai lindi që i gjithë njerëzimi të mund të jetonte përtej varrit.”
(Russell M. Nelson, “Christ the Savior Is Born”, New Era, dhjetor 2006, f. 5.)
-
Çfarë mësove për Jezu Krishtin nga kjo thënie?
Nga nëna e Tij Maria, një grua e vdekshme, Jezusi trashëgoi vdekshmërinë, e cila përfshinte vdekjen fizike. Nga Perëndia, Ati ynë Qiellor, Jezusi trashëgoi pavdekësinë, aftësinë për të jetuar përgjithmonë përmes ringjalljes. Ai ishte gjithashtu në gjendje të përjetonte dhembjet, tundimet dhe hidhërimet që lidhen me vdekshmërinë dhe të duronte dhembjen dhe vuajtjet e Shlyerjes që asnjë i vdekshëm nuk mund ta kishte duruar (shih Mosia 3:7).
Lexo te Mosia 7:33 , duke kërkuar ide rreth mënyrës se si mund ta marrim ndihmën e Shpëtimtarit në sfidat tona në vdekshmëri.
-
Çfarë mësove nga ky varg rreth asaj se si mund ta marrim ndihmën e Shpëtimtarit?
Për Shkak të Tij
1. Plotësoje veprimtarinë e mëposhtme në ditarin tënd të studimit:
Krijo mesazhin tënd për Shpëtimtarin duke filluar me fjalët “Për Shkak të Tij”. Mund ta plotësosh frazën me një ose më shumë pohime për ato që vetëm Shpëtimtari është i aftë të të ndihmojë ose të ka ndihmuar në jetën tënde. Merr parasysh të përdorësh materiale arti për të përforcuar krijimin tënd nëse ke kohë dhe materiale të mjaftueshme.
Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?
Mateu 1:18 . Çfarë do të thotë se Maria “mbeti shtatzënë nga Frym[a] e Shenjtë”?
Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994) na mësoi:
“Dëshmitë e dëshmitarëve të caktuar nuk lënë asnjë dyshim për atësinë e Jezu Krishtit. Perëndia ishte Ati i tabernakullit të Tij prej mishi, dhe Maria, një grua e vdekshme, ishte nëna e Tij. …
… Ai nuk ishte i biri i Jozefit, as nuk lindi nga Fryma e Shenjtë. Ai është Biri i Atit të Përjetshëm!”
(Ezra Taft Benson, “Five Marks of the Divinity of Jesus Christ”, Ensign, dhjetor 2001, f. 10, 11.)
Presidenti Harold B. Li (1899–1973) dha një paralajmërim në lidhje me përpjekjen për të shpjeguar të gjitha hollësitë rreth lindjes në mënyrë të mrekullueshme të Shpëtimtarit.
“Nëse mësuesit do të ishin të mençur kur flasin për [ngjizjen e Jezu Krishtit], rreth së cilës Zoti ka thënë veçse pak, ata do ta mbështetnin diskutimin e tyre për këtë temë thjesht me fjalët që janë shënuar për këtë temë te Lluka 1:34–35. … Lëreni Zotin ta mbështetë çështjen e Tij me këtë shpallje dhe prisni gjersa Ai ta shohë të përshtatshme të na tregojë më shumë.”
(The Teachings of Harold B. Lee, red. Clyde J. Williams [1996], f. 14.)
Çfarë i mundësuan Jezusit që të bënte veçoritë që trashëgoi nga prindërit e Tij?
Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994) na mësoi:
“Kur Perëndia i Madh i Universit denjoi të lindte nga gruaja e vdekshme, Ai iu nënshtrua dobësive të vdekshmërisë, për të “dur[uar] tundime dhe dhembje të trupit, uri, etje dhe lodhje, madje më shumë se sa njeriu mund të vuajë, përveçse në vdekje” ( Mosia 3:7). Këto dobësi Ai i trashëgoi nga nëna e Tij e vdekshme. Por për shkak se ati i Tij ishte Perëndia, Jezu Krishti kishte fuqi të cilat asnjë njeri nuk i kishte më parë ose që nga ajo kohë. Ai ishte Perëndi në mish – madje Biri i Perëndisë. Këto fuqi i mundësuan Atij të realizonte mrekulli, shenja, çudi, Shlyerjen e madhe dhe Ringjalljen – të cilat që të gjitha janë shenja të tjera të hyjnueshmërisë së Tij.”
(Ezra Taft Benson, “Five Marks of the Divinity of Jesus Christ”, Ensign, dhjetor 2001, f. 10.)
Mateu 1:25 . Çfarë do të thotë se Jozefi “nuk e njohu”?
Termi njoh ose njohu në Bibël mund t’u referohet marrëdhënieve seksuale (shih Zanafilla 4:1). Jozefi nuk pati marrëdhënie seksuale me Marinë para se të lindte Jezusi. Kjo hollësi e përforcon faktin se ai nuk mund të kishte qenë babai i Jezusit dhe se ngjizja e Jezusit ishte mrekulli.