Zotërimi Doktrinor: Mateu 5:14–16
“Ashtu Le të Shndritë Drita Juaj para Njerëzve”
Shpëtimtari i udhëzoi dishepujt e Tij që të jenë një shembull për të tjerët duke e ndjekur Atë. Ky mësim mund të të ndihmojë t’i përdorësh parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore për të qenë një shembull për të tjerët dhe për t’u afruar më shumë me Shpëtimtarin.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Mëso përmendsh dhe shpjego
Lexo te Mateu 5:14–16 .
Vizato një ilustrim të frazës kyç të shkrimit të shenjtë “Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve” dhe referencën e saj, Mateu 5:14–16 . Ndërsa vizaton, mendo për mënyra si ta përfshish referencën që të të ndihmojë ta mbash mend.
Ndërsa e vështron ilustrimin, përsërite disa herë referencën dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë. Pastaj hiqe vështrimin dhe përpiqu ta përsëritësh me aq sa mban mend referencën dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë.
Tregoja vizatimin tënd një shoku ose një shoqe klase dhe shpjego se si ai e ilustron frazën kyç dhe referencën e zotërimit doktrinor.
Ushtroje vënien në zbatim
Në këtë ushtrim për vënien në zbatim ti do të përdorësh parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore për të përcaktuar se si të jesh një shembull për të tjerët dhe t’i ftosh që të afrohen më shumë me Shpëtimtarin.
Shqyrto paragrafët 5–12 të pjesës “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” të materialit Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2022).
Lexoje skenarin vijues dhe mendo se si mund të përgjigjeshe po të ishe në vendin e Raulit.
Rauli, një prift i saposhuguruar, është me një grup miqsh kur disa prej tyre fillojnë të tregojnë shaka të pista dhe të flasin vrazhdë për dikë që Rauli e njeh. Rauli nuk ndihet rehat dhe e di se ajo që ata po bëjnë është e gabuar. Ndërsa pyet veten se çfarë të bëjë, shoku i tij Xhesi, që është anëtar i një feje tjetër dhe të cilin Rauli e admiron vërtet, kthehet nga Rauli dhe i thotë: “Ej, pse dukesh kaq serioz?”
Merre parasysh secilin prej parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore për të të ndihmuar të formulosh një përgjigje.
Shqyrtoji konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm
Përzgjidh njërin nga njerëzit në skenar (Xhesin ose personin që po përqeshet).
-
Si mendon se ndihet Zoti për personin që përzgjodhe?
-
Si mund të ndikojë të parit e këtij personi ashtu siç e sheh Zoti në mënyrën se si i përgjigjet Rauli pyetjes së Xhesit?
Kërko kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore
-
Si mund të jetë e dobishme për Raulin të kujtuarit dhe zbatimi i parimeve te Mateu 5:14–16 ?
-
Çfarë burimesh të tjera të caktuara në mënyrë hyjnore mendon se mund ta ndihmojnë Raulin?
Vepro me besim
-
Pse mund të jetë e vështirë për Raulin që të veprojë me besim në këtë situatë?
-
Çfarë rekomandon të bëjë Rauli për të vepruar me besim?
Mendo për një situatë të ngjashme me të Raulit me të cilën po përballesh tani ose mund të përballesh në të ardhmen.
-
Si mund të të ndihmojë ajo që mësove sot që të jesh një shembull për të tjerët?