Mateu 5:13–16
“Ju Jeni Drita e Botës”
Kush ka qenë një shembull i mirë për ty i të jetuarit me drejtësi? Si të ka afruar më pranë Perëndisë shembulli i tyre? Pas mësimdhënies së Lumturive, të cilat na ndihmojnë të kuptojmë natyrën dhe karakterin e Perëndisë, Jezu Krishti dha mësim se shembujt tanë të drejtë mund t’i bekojnë të tjerët. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë ta zbatosh këtë të vërtetë dhe të vlerësosh veprimet dhe qëndrimin tënd për ta pasqyruar më mirë dritën e Jezu Krishtit.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Kripa e tokës
Shpëtimtari përdorte shpesh krahasimet ose metaforat për të dhënë mësim ide të thjeshta me kuptime të thella. Ndërsa e studion këtë mësim, mendo rreth asaj se si objektet që përmendi Jezusi mund të të ndihmojnë ta kuptosh atë që Ai dha mësim.
Lexo te Mateu 5:13, duke kërkuar atë se si i përshkroi Jezu Krishti dishepujt e Tij.
-
Përveçse përdoret për të shtuar shijen e ushqimit tonë, për çfarë tjetër mund të përdoret kripa?
“Kripa është përdorur prej kohësh për të ruajtur [si lëndë konservuese], për të dhënë shije e pastruar. Kripa kishte edhe domethënie fetare për izraelitët. … Kur kripa bëhet e amësht, ajo bëhet e padobishme ose ‘nuk vlen për asgjë’ (Mateu 5:13). Kjo ndodh kur ajo përzihet me elementë të tjerë ose ndotet prej tyre.”
(Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re [2019], f. 31)
-
Çfarë mendon se po jepte mësim Shpëtimtari duke i krahasuar dishepujt e Tij me kripën?
-
Cilat janë disa gjëra specifike që mund të na ndotin shpirtërisht?
Gjej një çast për të përsiatur në zemër se si ti, si kripa e tokës, ndihmon për të nxjerrë në pah më të mirën tek ata që ke përreth. Gjithashtu merr parasysh se me cilat tundime përballesh dhe si mund ta mbash veten të pastër. Nëse ke lejuar ndonjë papastërti në jetën tënde, ato mund të hiqen nëpërmjet dhuratës së pendimit që është në dispozicion përmes Jezu Krishtit.
Drita e Botës
Lexo te Mateu 5:14–16, duke kërkuar atë që pret Jezu Krishti nga ne si dishepuj të Tij.
-
Cili është një parim i së vërtetës që mund të përcaktosh nga Mateu 5:14–16?
Nga Mateu 5:14–16 mund të kesh përcaktuar një parim të ngjashëm me këtë: Shembulli ynë i drejtë mund t’i inkurajojë të tjerët që ta përlëvdojnë Atin Qiellor.
-
Çfarë mendon se do të thotë ta përlëvdosh Atin Qiellor?
Kur Shpëtimtari i ringjallur ishte me nefitët, Ai u mësoi atyre më shumë për dritën që dishepujt e Tij duhet të mbanin lart. Merre parasysh t’i bësh referenca kryq ose t’i lidhësh vargjet te Mateu 5:14–16 me vargjet te 3 Nefi 18:24–25.
Lexo te 3 Nefi 18:24–25, duke kërkuar dritën që dishepujt e vërtetë duhet të mbanin lart.
-
Si ndikojnë mësimet e Shpëtimtarit te 3 Nefi 18:24–25 në kuptueshmërinë tuaj për vargjet te Mateu 5:14–16?
Jezu Krishti është Drita e vërtetë e Botës, dhe ndërsa e ndjekim Atë dhe bëhemi më shumë si Ai, ne e pasqyrojmë dritën që Ai na jep. (Shih te Gjoni 1:4, 9; 8:12; Doktrina e Besëlidhje 50:24; 93:2.)
Simbolizmi që përdori Shpëtimtari
Pyetjet e mëposhtme mund të të ndihmojnë të mendosh më thellë në lidhje me simbolizmin që përdori Shpëtimtari te Mateu 5:14–16.
Një qytet mbi një kodër:
-
Si mund të jetë ndjekja e Jezu Krishtit e vështirë për t’u fshehur, si një qytet mbi një kodër?
-
Në lashtësi, qytetet ndërtoheshin në majat e kodrave për të siguruar mbrojtje nga sulmet e mundshme. Si mund të sigurojë mbrojtje nga ndikimet e këqija vënia në jetë e ungjillit me guxim?
-
Çfarë mësimi merr nga kjo metaforë për mënyrën se si Shpëtimtari pret të jetosh si dishepull i Tij?
Një qiri:
-
Si mund të jesh si një qiri në një dhomë të errët dhe të ndriçosh dritën e Shpëtimtarit për të gjithë?
-
Çfarë mund t’i shtyjë disa njerëz që ta fshehin dritën që i jep Perëndia brenda një shporte ose nën një babunë?
-
Çfarë mësimi merr nga kjo metaforë për mënyrën se si pret Shpëtimtari që ti, si dishepull i tij, të jetosh?
Lexo pohimin vijues nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, asokohe i Presidencës së Parë, duke kërkuar atë që mund të mësosh rreth dritës së Jezu Krishtit.
“Sa herë e ktheni zemrën te Perëndia në lutje të përulur, ju e përjetoni dritën e Tij. Sa herë e kërkoni fjalën dhe vullnetin e Tij në shkrimet e shenjta, drita rritet në shkëlqim. Sa herë vini re dikë në nevojë dhe e sakrifikoni rehatinë tuaj vetjake për të ndihmuar me dashuri, drita rritet dhe shtohet. Sa herë që e flakni tundimin dhe zgjidhni pastërtinë, sa herë që kërkoni apo jepni falje, sa herë që dëshmoni me guxim për të vërtetën, drita e dëbon errësirën dhe tërheq të tjerë që po e kërkojnë gjithashtu dritën e të vërtetën.”
(Diter F. Uhtdorf, “Mbajtës të Dritës Qiellore”, Ensign ose Liahona, nëntor 2017, f. 80)
-
Si mendon se lidhet ky pohim me vargjet te Mateu 5:14–16?
Kujto se Jezusi na mësoi të ishim “kripa e tokës” dhe “drita e botës” menjëherë pasi dha mësim për Lumturitë – karakteristikat si të Krishtit që na ndihmojnë të bëhemi më të ngjashëm me Të (shih te Mateu 5:3–12).
-
Si na ndihmon të qenit të ngjashëm me Krishtin në veprimet dhe qëndrimin tonë për t’i nxitur të tjerët që të afrohen më pranë Atit Qiellor?
-
Cilat janë disa gjëra që mund të bësh për të qenë një shembull i drejtë i Shpëtimtarit për të tjerët?
-
Nëse zgjodhe një nga Lumturitë në mësimin e mëparshëm për ta ushtruar në jetën tënde, si do të të ndihmojë kjo karakteristikë të jesh kripa e tokës ose një dritë për botën?
Komente dhe Informacion për Rrethanat
Si ndikojnë veprimet e mia në shijen time si kripë e tokës?
Presidenti Xhejms E. Faust (1920–2007), i Presidencës së Parë, dha mësim:
“Ushqyesit shpirtërorë, të cilët na mbajnë shpirtërisht të shëndetshëm, mund ta humbasin fuqinë dhe forcën e tyre nëse nuk jetojmë të denjë për udhërrëfimin hyjnor për të cilin kemi nevojë. … Ne duhet t’i mbajmë mendjet dhe trupat tanë të pastër nga të gjitha format e varësisë dhe të ndotjes. Ne kurrë nuk do të zgjidhnim që të hamë ushqim të prishur ose të ndotur. Në po të njëjtën mënyrë përzgjedhëse, ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos lexojmë apo shikojmë diçka që nuk ka shije të mirë. Pjesa më e madhe e ndotjes shpirtërore që ndodh në jetën tonë vjen përmes internetit, lojërave kompjuterike, emisioneve televizive dhe filmave që janë shumë sugjestionues ose që portretizojnë në mënyrë grafike cilësitë më të pavlera të njerëzimit. Duke qenë se jetojmë në një mjedis të tillë, ne duhet ta rritim forcën tonë shpirtërore.”
(James E. Faust, “Spiritual Nutrients”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 55)
Si mund ta rrit dritën time?
Presidenti Henri B. Ajring dha mësim:
“Sa herë që zgjidhni të përpiqeni të jetoni më shumë si Shpëtimtari, ju do ta keni dëshminë tuaj të forcuar. Ju do të arrini në kohë që ta dini vetë se Ai është drita e botës. Ju do të arrini të ndieni dritën që rritet në jetën tuaj. Ajo nuk do të vijë pa përpjekje. Por ajo do të vijë kur dëshmia juaj rritet dhe ju zgjidhni ta ushqeni atë. Këtu është premtimi i sigurt nga Doktrina e Besëlidhjet: ‘Ajo që është prej Perëndisë, është dritë; dhe ai që merr dritë e vazhdon në Perëndinë, merr më shumë dritë; dhe ajo dritë shkëlqen gjithnjë e më shumë, derisa dita është e plotë’ [Doktrina e Besëlidhje 50:24]. Ju do të jeni një dritë për botën ndërsa ju e ndani dëshminë tuaj me të tjerë. Ju do të pasqyroni te të tjerët dritën e Krishtit në jetën tuaj. Zoti do të gjejë mënyra që ajo dritë të prekë ata që ju i doni.”
(Henri B. Ajring, “Një Dëshmi e Gjallë”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 128)
Presidenti Tomas S. Monson dha mësim:
“Secili prej nesh erdhi në tokë duke iu dhënë Drita e Krishtit. Kur e ndjekim shembullin e Shpëtimtarit dhe jetojmë siç jetoi Ai dhe siç na mësoi Ai, ajo dritë do të digjet brenda nesh dhe ne do ta ndriçojmë udhën për njerëz të tjerë.”
(Tomas S. Monson, “Jini një Shembull dhe një Dritë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 86)